Skënderbeu doli pa pësuar gol nga një transfertë vërtet e vështirë, ndaj një kundërshtari potent si Neftci Baku, dhe ushqen kësisoji shpresën për t’u kualifikuar në kthim, në Korce pas një jave. Bardhekuqte e Mirel Josës kanë zhvilluar një 90 minutësh heroik, sidomos në pjesën e dytë, kur u është dashur të përveshin mirë mëngët në mbrojtje të portës së Orges Shehit, por jane ndihmuar deri diku edhe nga fati ne disa raste.
Azerët e kanë kërkuar me të gjitha mënyrat golin e avantazhit, kanë krijuar jo pak raste, por kanë gabuar në finalizim. Pengesë e pakalueshme për ta ka qenë vecanërisht Orges Shehi, i cili ka bërë pritje të mrekullueshme. Tensioni ka qenë jo i paktë, cka duket edhe në tetë kartonët e verdhë të akorduar nga kryesori qipriot, megjithatë loja është zhvilluar brenda normave të “fair-play”-it.
Skenderbeu eshte mbojtur per pjesen me te madhe te ndeshjes, por edhe ka tentuar dhe madje rrezikuar qe ne fillim te takimit. Pergatitjet e Joses mesa duket kane qene te suksesshme ne ditet paraardhese pasi vendosja ne mbrojtje dhe disiplina ka qene perfekte.
Skënderbeu e ka nisur i vendosur mjaft mirë në fushë, me repartet që vendosin ekuilibër mes tyre, ku mesfusha ka kreativitet dhe i jep frymëmarrje lojës së kuqebardhëve. Nuk futet aspak me frikë në fushën e lojës skuadra e Mirel Josës, përkundrazi, tenton “të mbrohet duke sulmuar”. E bën këtë nëpërmejt dy krahëve, ku funksionon Gilman Lika dhe Sefa, ndërkohë që Shkëmbi dhe Sabien Lilaj filtorojnë gjithcka nëpër këmbët e tyre në mesfushë. Orelesi është i kudondodhur me ndërhyrjet e tij decizive, sidomos në aspektin shkatërrues të manovrës ofensive të vendësve, ndërsa Pero Pejic betet shqetësim konstant për mbrojtjen e Neftcit. Kroati shtatlartë shpenzon shumë energji, tërhiqet deri mbrapa për ta marrë topin, por bie shpesh në kurthin e pozicionit jashtë loje, që aplikon skuadra vendëse. Portieri Orges Shehi tregohet në lartësinë e duhur në rastet që krijojnë azerët, duke pritur me zotësi disa topa të adresuar në kuadratin e tij, ndërkohë që mbrojtja me Ademir, Gvozdenovic, Radas dhe Arapi bëjnë një punë të madhe në mbajtjen sa më larg të kundërshtarit. Natyrisht, Neftci është më kërkues dhe e rrit lojën e tij me kalimin e minutave, krijon edhe ndonjë rast sporadik, por nuk ka qetësinë e duhur në finalizim. Kombinimet e vendësve deri në zonën korcare janë për t’u admiruar, ata luajnë shtruar dhe me një pasim, aplikojnë murin në zona të vogla dhe arrijnë të dalin plot befasi para portrierit Orges Shehi. Fatmirësisht, ky i fundit tregon gadishmëri të lartë, por edhe sulmuesit azer gabojnë në konkludim, ndaj goli nuk del në dritë. Skënderbeu ia del të zhvillojë 45 minuta lojë të bukura, me qartësi taktike dhe me kooperim mes reparteve. Nëse i mungoi dicka në këtë pjesë të parë, kjo ishte iniciativa individuale e elementëve të spikatur si Gilman Lika, Shkëmbi apo Pejic. Gjithsesi, Josa duket qartë se i ka udhëzuar të tijtë të mos bëjnë gabime, të mos kalojnë në aventurë dhe t’ia bëjnë hyzmetin para së gjithash mospësimit të golit.
Loja rinis pa zëvendësime për të dyja skuadrat. Vijon e njëjta “muzikë” te korcarët, që mbrohen mirë dhe me forca të shumta tashmë, ndërsa Neftci e kërkon me ngulm golin. Azerët arrijnë të fitojnë terren me kalimin e minutave, e kanë më së shumti topin në zotërim, por vijojnë të shfaqin të njëjtën “sëmundje” si në 45 minutat e para. U mungon finalizimi, ndërkohë që aksionet e tyre janë të rrjedhshme deri në zonën e Shehit. Aty mbetet i pakalueshëm portieri durrsak i Skënderbeut, që vijon të bëjë pritje spektakolare dhe shpëtimtare. Kjo i nevrikos jo pak vendësit, që pas minutës së 70-të derdhën totalisht e me forca të shumta në gjysmëfushën korcare. Trajneri i tyre bën edhe zëvendësimin e parë, duke freskuar dicka në repartin e sulmit, ndërsa i udhëzon azerët të sulmojnë nga krahët, me synimin final krosimin në qendër të zonës kuqebardhë. Rastet nuk u mungojnë vendësve, madje shpërdorojnë disa prej tyre në mënyrë të pabesueshme, por fati në këtë ndeshje duket se është me korcarët. Ata vuajnë presingun asfiksues të azerëve, që shfaqin më tepër freski fizike, ndaj detyrohen të godasin topin pa adresë në drejtim të mesit të fushës, ku Pejic tenton të mbajë topin, por bie në darën e tre mbrojtësve kundërshtarë. Duken qartë veprimet e sforcuara në aspektin fizik të korcarëve, sepse kanë shpenzuar shumë në këtë drejtim dhe janë disi deficitarë karshi vendësve. Kjo shoqërohet me ndërhyrje të gabuara, duke e cuar në katër numrin e kartonëve të verdhë për kampionët e Shqipërisë (Ademir, Arapi, Sefa, Abazi). Josa vendos ta bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 81-të, teksa aktivizon Abazin në vend të Sefës, ndërsa nuk vonon të hedhë në fushë edhe Nimagën për Gilman Likën.
Misioni per te ruajtur barazimin 0-0 mbyllet me sukses, ndaj një kundërshtari tepër solid dhe të përbërë me elementë cilësorë, por që shfaqi pikën e vet më të dobët, finalizimin. Në këtë dobësi të azerëve ka padiskutim meritën e tij edhe portieri Orges Shehi, që ka zhvilluar një ndeshje “për kornizë”, duke evituar dy-tre gola të sigurtë në kuadratin e të tijve dhe mbajtur Skënderbeun në “pole position” për të kaluar turin. Ndeshja e klthimit, pas një jave në Korcë, do të vendosë gjithcka, por nisur nga faktori fushë dhe mbështetja e madhe e tifozërisë korcare, shpresat janë të mëdha për juglindorët.
NEFTÇI – SKENDERBEU 0-0
NEFTÇI: Stamenković, D.Silva, Mitreski, Bertucci, Shukurov, Sadygov, Abdullayev (Imamverdiyev 69′), Flavinho, Wobay (Nasimov 86′), Ramos, Platje. Trajner: Boyukagha Hajiyev
SKENDERBEU: Shehi, Arapi, Gvozdenovic, Radas, Ademir, Lilaj, Shkembi, Orelesi, J.Sefa, G.Lika (Nimaga 86′), Pejiç.
Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: L. Trattou, M. Soteriou, A. Kyriakou (Qipro)
Kartonë të verdhë: Sadygov 22′, Mitreski 77′, Shukurov 81′, Flavinho 90+2′ / Ademir 59′, Arapi 65′, Sefa 79′, Abazi 90+2′