

Lulzime Malaj/
Kur fjalët bëhen urë që lidh dhimbjen me shpresën, lind arti i vërtetë poetik, dhe në këtë frymë vjen vëllimi i poeteshës së njohur Irma Kurti, “Shelgu lotues”, një libër që shënon një fazë të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe, ku pikëllimi i humbjes zbërthehet në vargje me fuqi mbresëlënëse dhe ku lexuesi gjen reflektimin e vetvetes në pasqyrën e poezisë. Pak kohë më parë, një dërgesë me katër libra nga kjo artiste e njohur — poete, shkrimtare, gazetare, përkthyese, dhe autore e qindra teksteve të këngëve të muzikës së lehtë, zbukuroi bibliotekën time personale, një privilegj që më afroji më tej në botën e pasur të fjalës dhe ndjeshmërisë së saj krijuese.
Fillova së pari të lexoj vëllimin me poezi “Shelgu lotues” botim i Shtëpisë Botuese ADA, kushtuar Nënës së saj të shtrenjtë, Sherife Mezini – Kurti, që është larguar përgjithnjë nga kjo botë. Poezia që i jep titullin këtij libri, pra “Shelgu lotues” është fituese e çmimit të parë absolut në seksionin e gjuhës së huaj në konkursin letrar ndërkombëtar “L’arte in versi” 2022, në Jesi, Ancona të Italisë. Librin e përshkon, si një trajektore në gjithë spektrin e gjeografisë së tij, një stuhi shpirti, trandje e përjetuar, një dramë tronditëse, e derdhur në vargje. Siç thotë vetë autorja:
“Unë nuk dua ta kujtoj Nënën me fraza standarte, të ftohta e pa emocion, por përmes poezisë, sepse të gjitha brengat, vuajtjet dhe dëshpërimin për ikjen e saj i kam derdhur në vargje dhe ato reflektojnë, si në një pasqyrë, trazirat e shpirtit tim.” Shumëçka në këtë vëllim është shprehur figurativisht, me një stil specifik lakonik. Poezitë janë të trajtuara në mënyrë krejt të thjeshtë, por mjaft të ndjera, sa spontane po aq edhe pontenciale dhe të shkruara me mjeshtëri.
Pasazhe sa të dhimbshme aq të mrekullueshme
Kur arti i bukur qëndiset me gjakun e zemrës të çon në një dimension rrëfyes që përcillet në mënyrë të magjikshme. Lexon mesazhe që të emocionojnë së tepërmi. Lirikat janë sa të dhimbshme, po aq të ndjera e të bukura dhe ngjallin emocion në çdo gërmë e varg. Në to lundrojnë ndjesi ëmbëlcake e delikate siç është raporti Nënë – Fëmijë, ndjenja më sublime, dashuria pa kushte, më e fuqishme dhe më e çmuar e njerëzimit.
Ndërthurja e vargjeve me tone herë të buta e herë shpërthyese deri në kupë të qiellit të drithëron, të emocionon deri në përlotje. Po shkëpus nga vëllimi disa vargje:
Gabimisht
Në këtë rrëmujë kërkoj shpëtim
nga njerëzit me bluza të bardha.
Thërras, por askush s’më dëgjon,
shpirti trishtimin dot s’e mbaka.
Kalojnë, nuk të hedhin as sytë.
Gati thërras: “O njerëz pa shpirt!”
Ata që i shohim si shpëtimtarë,
këtu “mjekë” quhen gabimisht.
Nëna, përveçse nënë, që i dhuron jetë një jete është shoqja më e mirë, njeriu më i shtrenjtë mbi tokë. Me ikjen e saj ikën gjysma e zemrës, ikën fëmijëria, ikin dhe sekretet që ajo mban në kasafortën e zemrës. Pena delikate dhe e konsoliduar tashmë ndër vite e shkrimtares së talentuar Irma Kurti, na përcjell figurën njerëzore të nënës së saj të shtrenjtë, kaq origjinale dhe të sigurt nga ana artistike. Autorja na sjell imazhe jete, vuajtjen, mundimin, dashurinë e pakufi, adhurimin për atë, NËNËN!
Ky libër të nxit ta lexosh deri në fund me ndjesinë e vargjeve dhe origjinalitetin e tyre. Në to përshfaqet një ndjenjë tragjizmi, dramaciteti që përcillet tek lexuesi përmes notash që rrëzojnë qiej e përplasin planete, që të ngjallin fantazinë dhe imagjinatën me forcën e tyre.
Figurat letrare lindin në mënyrë krejt të natyrshme, spontane, krijojnë situata që të mbeten gjatë në mendje. Mendimet metaforike, unike, për nga bukuria estetike-artistike, kompozicioni, vërtetësia e tonit e bëjnë kaq të veçantë dhe origjinale atmosferën e kësaj përmbledhjeje poetike.
I trembem ikjes së viteve
Unë i trembem ikjes së ditëve-
rrjedhin të çmendura, me vrap.
Unë i trembem ikjes së Nënës-
humbje më të madhe nuk ka!
Ju më kishit thënë se kishte Zot,
e zhgënjyer jam dhe e pashpresë.
Mirësitë e saj u zhdukën në hiç,
nuk besoj më askund e në asgjë!
Janë lirika të mrekullueshme, edhe pse të trishta, që kumtojnë një muzikalitet të ëmbël dhe ndjesi të gjalla; një penë e fuqishme që përcjell mesazhin me emocion, mall dhe thellësi mendimi. Me një frymëzim të arrirë, që shquhet për thjeshtësinë mahnitëse dhe monologun plot jetë, stili i saj ngjan me atë të shkrimtarit të madh Hemingway, i cili përmes përshkrimeve të protagonistëve të tij portretizon luftëtarë të paepur, me dinjitet dhe krenari, përballë situatave të ndera që ata përjetojnë.
Portreti yt në kornizë
Përballë apartamentit tonë të ri
parku shtrihet si qilim i blertë.
Hera herës trishtimi më mbulon
kur me dashurinë time shkoj atje.
Sa doje të më shihje të lumtur
do të jepja gjthçka të ishe këtu!
Më pe të zhgënjyer, në kërkim
të ëndrrave që nuk i arrita kurrë.
Këtu do vendos TV, atje divanin,
eja e më jep një mendim, ku je?
Për kuadrot në mure, për mobiliet
Për lulet, për ngjyrën e perdeve.
Përgatis çantat, në heshtje vendos
dhuratat e tua; plot vite më parë
I ruajte për këtë ditë që s’e arrite
me përkushtim, si më i rralli thesar.
Falë talentit dhe punës së madhe të saj plot pasion, temperamentit luftarak, vizionar, në udhën e bukur, por dhe të vështirë të artit bashkëkohor, Irma Kurti ka botuar mbi 110 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar mbi 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, 20 prej të cilave kanë qenë çmime të para. Përveçse në Shqipëri, ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në Greqi, SHBA, Kanada,
Filipine, Liban dhe Kinë. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Në 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin
“Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano,
Zvicër. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike
dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 nderohet me çmimin “Liria”
nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. I akordohen çmimet “Leonardo da Vinci 2021” dhe
“Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Lecce. Në vitin 2022 emërohet
Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari.
Intelektuale, me një gamë të gjerë në kontributin e letrave shqipe dhe në botë,
“Ambasadore e Paqes”, një nga autoret më të sukseseshme të afirmuara në panteonin e
fjalës së bukur shqipe në Shqipëri dhe në Botë, që na bën krenarë. Irma Kurti është një
nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të
Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Portugali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Algjeri dhe Guatemalë.