
Nga Ilir Levonja/ Në gjithë këto ditë kam ripostuar shkrimet e kaluara në përpjekje për të kontribuar sado pak të ashtuquajturës trashëgimi kulturore. Kam marrë mesazhe nga më të çuditshmet dhe më keqardhëse se më linin të kuptoja që nuk e kishin lexuar qoftë një radhë nga shkrimi, aq sa i ka dhënë vetes përgjigjen se për çfarë flet, shqiptarët më mirë mund të flasin për Sulejmanin e madhërishëm se sa trashëgimninë e tyre. Nga ana tjetër më mirë e kanë të të mbysin se t’u përmendësh pashain, lëre pastaj të hysh në diskutime në raport me të drejtën ligjore që kur grupet e interesit publik e çojnë një një objekt në Gjykatë, çdo aktivitet shtetëror pezullohet, është Gjykata ajo që vendos. Shikoni Kosovën, qe Gjykata ajo që ndali procesin e pushimit të qeverisë Kurti deri në daljen e një vendimi. Mësoni nga Kosova o pyka të Shqipërisë rilindase, mësoni që të mos kemi më luftë klasash, luftë shkume e pështymash se kush ka të drejtë. Por qenka e vështirë ta mbrosh vendin tënd nga shpërbërja, duket si një situatë e njëllojtë me atë të pas luftës, askush nuk ndihet veç shefit. Qënka e vështirë të shikosh se si vdes vendi yt, aq sa shqiptarët shkojnë bëjnë foto tek baraka e shtëpisë së Shekspirit, por e kanë tmerr të ruajnë një të tillë në vendin e tyre. Shkojnë në Austri e bëjnë foto tek banesa a teatrot ku luajti një patriot i tyre si Aleksandër Moisiu, por kanë tmerr të ruajnë vendin, a skenën, teatron ku luajti Kadri Roshi. Bjerini, shkatërrojeni dhe ato filma…, me që ra fjala më ka ndodhur një herë në udhëtim e sipër në Shqipëri në një lokal po transmetohej një film shqiptar. Tek po dilja ndala, dikush më tha, hë të pëlqejnë filmat e Enverit. I thashë nuk po shoh filmin, por Sandër Prosin. Po kujt ia thosha… Kështu që vazhdoni e prishni, shembni, filloni me hekurudhat, hidrocentralet, kërkoni ndonjë objekt që u ka shpëtuar sysh. Kaloni andej nga Berati pastaj, nga Gjirokastra, Korça, Shkodra. Hidhuni nga Tetova, Prishtina, Tuzi… se në Janinë ju presin këmbët. Shpalluni sa më shumë revolucionarë, turq, grekë, sllavë se është mallkim me qenë shqiptar.