Nga DANILO TAINO-Corriere della Sera/
George Kennan, një nga strategët më të mëdhenj të politikës së jashtëme amerikane të shekullit të shkuar, më 1946 dërgoi nga Moska në Washington një Long Telegram, në të cilin përimtonte natyrën e Bashkimit Sovjetik dhe propozonte një metodë për të përballuar regjimin e Stalinit. Telegrami i gjatë përfundonte kështu: “Më së fundi, rreziku më i madh që mund të kemi në të përballuarit e komunizmit sovjetik do t’ishte që ne t’i lejonim vetes të bëhemi si ata me të cilët matemi”. Ishte një ftesë për të bërë dallimin e Shteteve të Bashkuara e të Perëndimit nga diktatura kolonialiste e BRSS, për të mos ndjekur gjurmët e saj me iluzionin për të fituar n’atë mënyrë belegun e mbasluftës. Me këtë logjikë Kennan qe njëri ndër arkitektët e Planit Marshal të 1948.
Në këta muaj kemi hyrë si sonambulë në rrezikun që diplomati amerikan e quante si “më të madhin”, të verbuar natyrisht jo nga Bashkimi Sovjetik por nga regjimi kinez. Shëmbulli kinez është bërë zotërues duke filluar nga përgjigja ndaj Covid-19.
Kundërveprimi ndaj pandemisë i Evropës, i Shteteve të Bashkuara dhe i demokracive të tjera ka qënë, në panikun e krijuar nga vrulli i virusit, pa e menduar gjatë, pothuajse si një refleks i kushtëzuar: të mbyllemi në shtëpi, siç ka bërë Kina. Ndoshta i kuptueshëm në fazat e para të rritjes epidemike, kur bota ishte e papregatitur: nuk e njihte koronavirusin, shihte të vdekurit, nuk kishte strukturat për të përballuar krizën. N’ata çaste u vendos – së pari n’Itali – të ndiqej shëmbulli i zbatuar nga Pekini: lockdown. Ndoshta ishte e pashmangëshme: kush befasohet nuk ka kohë të arsyetojë. Problemi është se zgjidhja kineze është e zbatueshme me sukses vetëm në Kinë, në fakt duket se ka funksionuar mjaftueshëm (e kuptueshme retorika ngadhnjyese e presdidentit Xi Jinping). Në demokracitë – ku nuk mund të vendoset një polic para çdo apartamenti të infektuar, ku informacioni nuk mund të jetë i kufizuar, ku kritikët nuk mund të futen në burg – është e pamundur të kallkanoset jeta. Për fat është e pamundur.
Është kjo kundërshti që ka penguar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të mundnin pandeminë, prandaj ende sot numërojmë të infektuarit e të vdekurit. Kemi zgjedhur një mënyrë për të përballuar krizën që nuk mund të ishte e jona, që nuk mund të kishte sukses. Jemi bërë mjaftueshëm kinezë, në kuptimin e pasuesve të Partisë komuniste kineze, dhe jemi duke paguar pasojat. Të thuhet se gjëndja është jashtë kontrollit, ose rrezikon të jetë është pranimi i pamundësisë për të kontrolluar një dukuri me metodat dhe instrumentët e një diktature. Ajo që ishte në mos e ligjësueshme, së paku e kuptueshme në kohët e para të pandemisë, është e papropozueshme sot: nëse një mënyrë nuk funksionon, nuk ka kuptim të ngulet këmbë në të e për më tepër të përsëritet.
Problemi është se pandemia do të zgjasë shumë. Nuk do të zgjidhet në nivel Kombesh të veçanta, përfshirë edhe Kinën, do të mbetet e rrezikëshme deri sa virusi të jetë mundur në një pjesë të mirë të botës. A është e mundur të mbetemi në perspektivën e një lockdown-i mbas një tjetri, të një stop and go të shoqërive dhe ekonomive të tëra? Ndoshta për gjithë vitin 2021 e përtej? Me përfundimin e shkatërrimit të bashkësive të tëra, të varfërimit të vëndeve që tani të varfëra dhe t’atyre gjithënjë më pak të pasura, të vërdallosjes së burrave e grave nga frika me rezultate sëmundjesh shkatërrimtare psikologjike e shoqërore? Të vazhdohet të ndiqet sot modeli kinez pa patur asnjë mundësi për t’u barazuar me të, nuk do të thotë vetëm një dënim për një kohë të gjatë me varfërim dhe ankth në çdo vështrim të jetës: do të thotë edhe t’i jepet shëmbullit totalitar, iliberal e policor kinez një fitore mbi pjesën tjetër të botës, mbi demokracitë, t’arritur madje pa luftuar, çeljen e një faze t’errët, e me gjasë jo paqësore për gjithë botën.
Me koronavirusin do të na duhet të bashkëjetojmë për shumë kohë. Duhet të fuqizojmë masat shëndetësore, veçanërisht për të mbrojtur infermierët, mjekët, të moshuarit e të sëmurët më shumë në rrezik. Do të na duhet të investojmë për të pakësuar vdekjet. Por në të njëjtën kohë duhet të rihapim botën simbas shëmbujsh të ndryshëm nga ata që zhvillon Kina si pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës së qeverisjes në diktaturë. Pa kulturë, pa liri zgjidhjesh e lëvizjesh, pa të drejtë rrahje mendimesh e kritikash do të jemi të gjithë jo vetëm më të varfër e më të angështuar: do të jemi edhe të njëjtësuar me modelin e Vëndit nga u nis pandemia. Përgjegjësia e shoqërive demokratike e të lira është t’a shmangin, siç këmbëngulte 75 vite më parë George Kennan. Të dyshohet se qeveritë nuk janë në gjëndje t’a bëjnë është e ligjëshme. Por më e ligjëshme është të vihen para përgjegjësive të tyre.
“Corriere della Sera”, 27 tetor 2020 Përktheu Eugjen Merlika