Prof. Dr. Frashër Demaj/
Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe Konferencës së Paqes në Paris vazhdonte të ishte e pafavorshme dhe shteti shqiptar ishte e pamundur të mbronte interesat e veta nacionale e shtetërore. Shqipëria karakterizohej me institucione të brishta lokale dhe qendrore, ushtri të pakonsoliduar, polici të paorganizuar, ekonomi të dobët dhe të pazhvilluar, diplomaci pa potenciale të nevojshme, pra në asnjë fushë nuk ishte e krahasueshme me shtete e konsoliduara dhe fuqitë të cilat kishin marrë mbi vete krijimin e një paqeje të qëndrueshme të ndërtuar mbi parimin e interesave të tyre shtetërore dhe nacionale. Kjo situatë brenda shtetit shqiptar nuk i siguronte Shqipërisë ndonjë pozitë të avancuar dhe rol vendimtar në diskutimet për vendosjen e kufijve dhe përfaqësimin e interesave kombëtare.
Konferenca e Versajës nuk solli paqe dhe stabilitet për vendet që prej kohësh përballeshin me konflikte të trashëguara sidomos për shtrirjen gjeografike dhe kufijtë shtetërorë midis tyre.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe Greqinë ende konsideroheshin të acaruara sidomos për shkak të problemit të caktimit të kufijve veriorë dhe verilindorë që konsideroheshin nyje e vështirë për t’u zgjidhur. Bazuar në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, në mars të vitit 1922 filloi punën në Shqipëri Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve. Komisioni përbëhej nga përfaqësues të Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë. Konferenca e Ambasadorëve me vendim të veçantë kishte shpallur zonë neutrale të çmilitarizuar një rrip toke në të dy anët e kufirit që përfshinte një gjerësi rreth 10 kilometra dhe fillonte nga liqeni i Shkodrës në veri dhe përfundonte në jug në liqenin e Prespës. Gjatë punës në terren, Komisioni hasi në vështirësi sidomos nga qeveria e Mbretërisë së SKS-së.
Beogradi kërkonte që brenda kufijve të shtetit të tij të përfshiheshin edhe malësia e Vërmoshit dhe Manastiri i Shën Naumit, të cilat sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913 ishin pjesë integrale e shtetit shqiptar. Qeveria jugosllave e mbante me forcë ushtarake Shën Naumin duke e konsideruar si vend të shenjtë për serbët dhe Serbinë dhe kërcënonte se nuk do ta lëshonte pa luftë.
Kërcënimi me luftë i Serbisë e ngriti “pazarin e negociatave” sidomos në marrëdhënien me Francën, e cila përkrahu pa hezitim këmbënguljen serbe për manastirin e Shën Naumit. Këtë anim të francezëve e konstatonte edhe diplomati britanik, Llampson, i cili në një nga deklarimet e tij shprehej: “Ajo që po mundohemi të shmangim është sfida që Serbia do t’i bëjë Konferencës së Ambasadorëve të përçarë, meqë Franca është kundër nesh”. Edhe Shqipëria përmes Mehdi Frashërit, i cili ishte përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve të Shqipërisë, këmbëngulte se Shën Naumi si nga pikëpamja historike, juridike dhe politike i përkiste Shqipërisë.
Konferenca kishte vendosur gjithashtu që edhe Vërmoshi t’i takonte Shqipërisë, mirëpo qeveria jugosllave nuk e pranoi vendimin duke këmbëngulur për shtyrjen e kufirit sa më në thellësi të territorit shqiptar. Nga ana tjetër edhe Shqipëria këmbëngulte dhe kërkonte respektimin e vendimeve të vitit 1913 për Shën Naumin dhe Vermoshin. Qëndrimet diametralisht të kundërta ndikuan që çështja e kufijve të mbetej edhe më tej e hapur dhe kjo situatë mbante pezull stabilitetin e një pjese të rajonit të Ballkanit.
Për shkak të këtyre mospajtimeve të thella në mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së SKS-së për Shën Naumin dhe Vërmoshin, Konferenca u detyrua të hapte sërish diskutimin e kësaj çështjeje më 1 qershor 1923. Kurse më 24 tetor 1923, u vendos që të krijohej një “komitet” juristësh që do të analizonte vendimin e Konferencës së Londrës të vitit 1913 dhe Konferencës së Parisit që po vazhdonte të trajtonte çështjet e ndjeshme dhe diskutabile midis shteteve.
Më 10 maj 1924 diplomacia britanike deklarohej se nuk pajtohej me diplomacinë franceze për kalimin e Shën Naumit dhe Vërmoshit brenda kufijve të Jugosllavisë dhe kërkoi nga Komisioni i Kufijve që të vazhdonte punën për gjetjen e zgjidhjes përmes negociatave në mes palëve. Italia nga ana e saj gjithashtu e kundërshtonte qëndrimin e Francës dhe pretendimet serbe për shtyrjen e kufirit në thellësi të territorit shqiptar. Meqë negociatat shqiptaro-jugosllave me ndërmjetësimin e Komisionit të Kufijve nuk dhanë rezultat, më 13 qershor 1924, Konferenca e kaloi çështjen në Lidhjen e Kombeve, e cila konsideronte se këtë nyjë duhej ta zgjidhte Gjykata e Përhershme Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në vitin 1925 pati shumë zhvillime, përpjekje, negociata, qëndrime pro dhe kontra, anime diplomatike, tentativa për të rimëkëmbur institucionet e shtetit shqiptar sidomos pas dhjetorit 1924 dhe vendosje për çështje delikate siç ishte Shën Naumi dhe Vermoshi.
Prandaj në këtë botim të titulluar: “Shën Naumi dhe Vermoshi sipas burimeve diplomatike të Britanisë së Madhe (1925)”, janë ofruar fakte të rëndësishme të bazuara në kërkimet shkencore në The National Archive në Londër për disa zhvillime politike e shtetërore shqiptare, por duke u dominuar nga korrespondencat diplomatike të qeverisë britanike me përfaqësuesit e saj në Komisionin Shqiptar të Kufijve dhe diplomatët e akredituar në vendet e rajonit të cilët në qendër të vëmendjes së aktiviteteve të tyre të përditshme e kishin Shën Naumin dhe Vërmoshin si dy nga temat kryesore që “mbanin peng” marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Botimi përfshinë një seleksionim të dokumenteve të hulumtuara në TNA-ja, të cilat në këtë format botohen për herë të parë në gjuhën shqipe. Përgatitja dhe botimi i vëllimeve me dokumente arkivore është i veçantë dhe i domosdoshëm për historianët, studiuesit, studentët dhe të interesuarit e tjerë, sepse në këtë mënyrë ata kanë mundësi të vlerësojnë dhe analizojnë ngjarjet historike në sinkroni dhe diakroni dhe të përafrojnë e saktësojnë të vërtetat historike të bazuara në rezultate shkencore.
Në Arkivin Nacional në Londër, në fondet e Foreign Office ekzistojnë numër i konsiderueshëm i dokumenteve të pahulumtuara të proveniencës britanike, për periudha dhe ngjarje të ndryshme historike që trajtojnë çështjen shqiptare, problemet e brendshme të shtetit shqiptar, zhvillimin ekonomik, politik e social, marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët etj.
Botimi “Shën Naumi dhe Vermoshi sipas burimeve diplomatike të Britanisë së Madhe (1925)” synon të ofrojë një kontribut modest me të dhëna autentike të burimeve diplomatike nga provenienca britanike rreth “debatit të pafund” shkencor nëse pati shkëmbim territoresh në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë apo ishte thjesht “falje” e territoreve shqiptare nga ana e pushtetit të Ahmet Zogut.
Në fund Konferenca e Ambasadorëve dhe pala jugosllave u pajtuan që mosmarrëveshja kufitare në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë të zgjidhej me parimin e kompensimit territorial. Konferenca vendosi që lugina e Vërmoshit dhe Lumbrajes me disa modifikime t’i kalonin Shqipërisë, kurse Shën Naumi i kaloi Jugosllavisë. Shqipërisë gjithashtu ju njohën disa territore të vogla përreth Shën Naumit përfshirë edhe fshatin Peshkëpi.
Në kuadër të këtij botimi janë përfshirë fondet: TNA, F.O 371, Files 655-1435, TOPP 10656 1925, Political, Central Albania; TNA, F.O 371, Files 127, P.P. 2074 END-300, 10655. Registry number: C 2074/127/90, nr. P.O.V. 50. C: Albania dhe TNA, FO /373/2/1, Fondi 132, Albania, Confidential, Handbooks prepared under the directions of the historical section of the Foreign Office-nr.16, (11), të cilat përmbajnë disa qindra dokumente diplomatike që trajtojnë aspekte të përgjithshme të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe rreth Shqipërisë.
Burimet diplomatike të botuara në këtë vëllim janë përgatitur dhe publikuar sipas gjetjeve në renditjen e materialeve në fondet arkivore të “The National Archives” TNA.
Gjatë përgatitjes për botim janë shënuar numrat e dokumenteve sipas gjetjeve në fonde, pastaj është shënuar baza identifikuese The National Archives (TNA), përcjellë nga Foreign Office (FO), kurse në fund të secilit dokument janë nxjerrë numrat dhe shtesat e fondeve konkrete, në disa raste data, muaji (nëse kanë qenë të evidentuara) dhe viti.
Titujt janë të nxjerrë bazuar në përmbajtjen e secilit dokument. Në tekst janë dhënë sqarime të nevojshme për emrat e vendeve të evidentuara në gjuhën angleze që janë përkthyer në shqip, si p.sh. Scutari (Shkodra), Durrazzo (Durrësi) Santa Quaranta (Saranda) San Giovani di Medua (Shëngjini), Bojana (Buna), Valona (Vlora) etj.
Me rastin e botimit të këtij vëllimi shpreh mirënjohje dhe falënderime të veçanta për botuesin Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, recensentët prof. dr. Fehmi Rexhepi dhe prof. asoc. dr. Teki Kurti, dhe gjithë të tjerët që kontribuuan që ky botim i vlerësuar t’i ofrohet lexuesit brenda logjikës dhe kompleksitetit të botimeve të kësaj natyre.