
Dr. Dorian Koçi/
Shtegtimi i vargut dhe filozofisë Naimiane në letërsinë shqipe mund të ndihet në poezinë e Lasgushi Poradecit “Poradeci” dhe “Tomorri” të Vehxhi Buharasë, ku pasioni për natyrën shënjtëron peisazhin dhe të bukurën. Në pamje të parë duket se ky adhurim përket një ndjenje romantike, por prej ti rrjedh patriotizmi , i cili nga ana e tij ndikon në konfirmimin e ndjenjave nacionaliste. Lumi Drin te Poradeci dhe Mali i Tomorrit te Buharaja janë simbolet e atdheut etern të shqiptarëve, janë simbolet përbashkuese të tyre që përmes natyrës, shpesëve, ,maleve, i japin një ton mistik e panteist frymëzimit lirik.
Poradeci
=======
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…”
Lasgush Poradeci
PËRPARA TOMORIT
=============
Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,
Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashterie,
Si shkëndi, si rreze dielli po afrohet valë – valë,
Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë
Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:
Gjer në fund të natës sime…
Dhe kjo dritë dhe kjo flakë, që po ndez një qiell floriri,
Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,
Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu
është gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu
Nga dy buz’ si trëndafili edhe ranë ëmbëlsime;
Gjer në fund të natës sime…
Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuz’ e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro
Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit,
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh si qesh një shtize hëne përmbi faqen e dëbores,
Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës
Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërimë:
Gjer në fund të ditës sime…
Dhe pasi të këçë marrë frym’ e shpirt nga bukuria
Dhe pasi te keçë parë ca shkëndi nga dashuria,
Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pëndëshkruar,
Sesi nga Osum’ i jetes buçet këng’ e amëshuar,
Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e urtë mençurie,
Si buçet nga buz’ e Muzës fjal’ e ëmbel bukurie,
Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…
Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit
Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’ gjumit,
Pastaj ngjitet lart’ lartë ku ndez jeta në shkëlqime:
Gjer në front të ditës sime…
Vexhi Buharaja