Nga Visar ZHITI/
Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës tashmë është festë e të gjithëve, e shpallur zyrtarisht dhe vërtet në atë ditë ajo përkujtohet, duhet të ketë veprimtari kushtuar asaj, homazhe, konferenca, botime, koncerte, etj, etj.
Vepra e saj humanitare, bëmat edhe fjala, i kanë kaluar kufijtë, nuk është thjeshtë një misionare e madhe katolike, as vetëm fituesja e Çmimit “Nobel” për Paqe, e konsideruar, me gjuhën e sotme, si “investitorja e dashurisë”, ‘Industrialiste e buzëqeshjeve”, etj, duke e quajtur si gruan më të njohur të planetit, Nënën e Botës, etj.
Pse? Sepse në fund të fundit, me gjithë zhvillimet mahnitëse, kur jeta dhe botkuptimi shkencor, vetë shkenca, artet, janë modernizuar pabesueshmërisht shumë, shekulli XX dhe XXI ka sjellë çudira edhe në përditshmëri të paimagjinuara dot më parë, njeriu eksploron atomin dhe qelizën, po kështu hapësirat qiellore dhe galaksitë, dhe vetveten të gjithë, ndërkaq e kërkon Zotin gjithandej, i duket sikur nuk e gjen, po është e thjeshtë, edhe sipas mendimit të vjetër aristetolian që s’ka pasojë pa shkak, pra dhe gjithë ky krijim universal ka dhe krijues, etj, etj, por një gjë ka mbatur e njëjtë, njerëzit më shumë se gjithçka kanë nevojë për dashuri dhe buzëqeshje, pra njerëzimi. Këtë mori si detyrë Shenjtja Nënë Terezë. Këtu mbase fillon për ne misteri shpirtëror i Krijuesit Suprem, te dashuria dhe buzëqeshja.
Edhe unë kam shkruar për Shenjten tonë Nënë Tereza: Modeste skajshmërisht, e varfër po aq skajshmërisht, nga ana materiale e kam fjalën, dinjitoze gjithmonë deri në madhështi të brendshme, Nënë Tereza, Shenjtorja moderne, pa asnjë lloj biznesi, pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e, (nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej duke i zvarritur statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithese rizbulon zjarrin e shpirtit me shkencën e mrekullisë së besimit, pa shkruar epopera, veç lutej me mërmërima, duke investuar dhëmbje, Ajo u bë e përbotëshme, u bë vetë botë.
Të futesh në dashurinë e gjithëkohshme të botës me të vetmen gjë që ke:
dashurinë, të cilën e ke kthyer në profesion dhe njëherësh ta mbash atë në lartësitë hyjnore, duke bërë të besohet se po aq shumë ajo është dhe njerëzore, e përditëshme, në Tokën tonë.
Të rrish në kujtesën e njerëzimit, madje në thelbin e ndërgjegjes së tij, me dobësinë tënde të shndërruar në fuqinë tënde, të vëna në lëvizje nga shpirti ashtu si duart që ledhatonin me dhëmbje duke dhuruar shpresë, ngazëllim dhe besim. Dashuria dhe drita të rimarrin kuptimin që kishin në zanafillë dhe që kanë përjetë. Sa më shumë shenjtëri Nënë Tereze në qytetet tona, në shtëpitë tona, në shpirtrat tanë!
SHENJTJA NËNË TEREZË ËSHTË SHQIPTARE,
POR SA JANË SHQIPTARËT TË NËNË TEREZËS?
Kjo është çështje. Është çështje laike. Pyetja që kam bërë më herët dhe e bëj. Për një të vërtetë njerëzore, është marrëdhënia jonë midis nesh, Të nisemi nga vetja, nga tjetri, tek shteti. Në fund të fundit edhe Nëna Tereza porosiste: do të rregullosh botën, filloje nga shtëpia jote, rregullo atë, duaje, buzëqesh. Që një ushtarak i madh amerikan e përsëriste me ata të misionit të tij: do të rregush botën, rregullo shtratin tend në fillim. Nga e vogla të dalim tek e madhja, janë bashkë pazgjidhmerisht me njëra-tjetrën.
Shenjta Nënë Tereza është shqiptare, bijë e popullit shqiptar, me prindërit nga Prizreni dhe Gjakova në Kosovë, lindi në Shkup, në Maqedoninë e sotme të Veriut, të Jugut për ne, babain ia helmuan kur kthehej nga Beogradi si veprimtar i çëshjes shqiptare, nëna i vdiq në Tiranë në Shqipëri, e keqtrajtuar nga diktatura që sundonte atëhere, Nënë Tereza ndjeu Thirrjen dhe u bë murgesh:e katolike, shërbeu gjithë jetën në Indi për më të varfërit e me të varfërve, hapi shtëpi dashurie siç i quante ajo shtëpitë e mëshirës, të bamirësisë në shumë vende të botës.
U bë e përbotshme si shëmbëlltyrë, emblematike, shenjtore. Vendet më të lidhura me atë, kuptohet, janë Vatikani, Selia e Shenjtë së pari, së cilës i përkiste; India e madhe si vendi i punës, ku adhurimi për të është jashtzakonshëm dhe prej saj dhe për shqiptarët; Maqedoni e Veriut, e Jugut për ne përsëris, për Shkupin ku lindi, që kërkojnë t’ia ndërrojnë kombësinë duke qenë të padrejtë me shqiptarët, shpesh dhe aggressive; Kosova e prindërve të Nënë Terezës dhe bashkë me të Shqipëria si shqiptare që është. Duke qenë një komb me dy shtete tani, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë privilegjin e përkatësisë së saj, heronjtë ashtu si dhe historinë e kemi të përbashkët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe pushtimi 5 shekullor otoman, Buzukun, Bogdanin, Frashërllintë e mëdhenj, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, Luftën II Botërore, pushtimin sërish, bashkimin dhe ndarjen, po kemi gjuhën dhe zakonet të përbashkëta, letërsinë dhe artet dhe ardhmërinë euroatlantike të përbashkët, dhe Shenjten Nënë Tereza, pra kemi dhe përparësinë të bëjmë për të më shumë se të tjerët, siç marrim nga shenjtëria e saj ta shpërndajmë dhe të dimë t’ia tregojmë botës, që Shenjten Nënë Tereze, që ju dhamë, e meritojmë…
Në Kosovë janë bërë të njohura veprimtaritë, jo vetëm ato të Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, por dhe ato shtetëroret, Presidencialet, dhe të përbashkëta, përnderime e tubime, konferenca shkencore, botime, koncerte, takimet dhe në shkolla, etj, etj.
Po në Tiranë? Është 25 vjetori i shkuarjes në amëshim i Shenjtes Nënë Tereza dhe 5 Shtatori i gjashtë i kanonizimit të saj si shenjte.
Nis që nga aeroporti “Nënë Tereza”. A ka ndonjë shenjë aty, që të na e përkujtonte, një pllakat a drita, as lule të freskëta në shtatoren e saj, aq të trishtë? Vitin që shkoi, e mbaj mend, asgjë.
Mësomë të dua! – lutej Nënë Tereza. Të mësojmë të duam. Po Presidenti i Republikës? Edhe pse me emër festiv mysliman, ai duhet ta dijë që Nënë Tereza edhe kur lutej thoshte “vëllezërit e mi myslimane”, ka bashkëpunuar me ta, madje është dhe nismëtare në ringritjen e Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë.
Paraprakisht nuk ka ndonjë lajm për ndonjë veprimtari a fjalë. Unë jam i prirur të nëpërmend se në prag të kësaj date, ai largoi nga zyrat e presidencës një punonjës të shkëlqyer të saj, Edvin Shvarc, me diplomë amerikane, zotërues gjuhësh të huaja, përkthyes, që kishte punuar me 4 presidentë të tjerë para Bajramit, ndërkaq biri dhe vazhdues i përkthyesit brilant, që i dha shkëlqim gjuhës shqipe, Robert Shvarc, hebre, siç është dhe Krishti. Më erdhi vetvetiu kjo lidhje, Shqipëria është vendi proverbial që i mbrojti dhe u dha strehë hebrenjve kur përndiqeshin nga nazifashistët. A thua kështu do të niste festimi presidencial në Tiranë për Shenjten Nënë Tereza?
Dhe s’kam si të mos kujtoj, e pamundur, lidershpin shqiptar, qeveritarët dhe politikanët e lartë në ditën e senjtërimit të Nënë Terezës, 6 vjet më parë në Vatikan. Janë po ata dhe tani, të pa ndryshueshëm.
Isha atje, kreu i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në Vatikan edhe unë. Natyrisht rrugëtimi im nga i burgosur politik i diktaturës në atë detyrë të lartë, është dhe simbol i ndryshimeve të ndjeshme posdiktatoriale.
Ja, disa nga shënimet e mia:Po i risjell:
SHENJTËRI NGA 5 SHTATORI I SAJ
Erdhi. Sa dritë kishte ajo ditë! Në një nga dritaret e pëfaqësisë, në katin e dytë të një pallati të vjetër në Rrugën “Ottaviano” 43, kishim vënë një portret të madh të Nënë Terezës, që dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe pelegrinët apo turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”.
Isha vetëm në ambasadë, bashkëpunoja me time shoqe, punonim deri pas mesante, dërgonim relacione të shpeshta në Ministrinë tonë të Jashtme, në Tiranë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikan.
Do të mblidhej e gjithë bota atë ditë të shenjtë. Vendet që lidheshin më shumë dhe drejtpërsëdrejti me Nënë Terezën, Shqipëria e para me Kosovën, Maqedonia e Veriut, për ne Maqedonia e Jugut dhe India do të kishin delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Vendet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh, president, mbretër, nobelistë…
Ambasadori i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë në ceremoni, po me të tutë si i keni punët ju, – më pyeti.
Edhe unë s’di nga t’ja mbaj, – i thashë, – s’do të vijë asnjëri…
Lejomëni të rrëfehem. Nga Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti. Kryeministri do të vinte, por jo delegacion shtetëror, ja ashtu vetëm, me grupin e tij. Me Ministrin e Jashtëm, mbase. Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror? Nëse nuk vinte presidenti? Kabineti i tij absurdshëm po bashkëpunonte me nunciaturën, jo me ambasadën e vet. Erdhi në kohë një listë nga Kryeministria, do të vinte Kryeministri, bashkëshortja, Ministri i Jashtëm dhe nja dy drejtorë të asaj ministrie. Pastaj më vjen një listë e gjatë, ku presidenti i Republikës, si kryetar delegacioni do të ishte në krye të nja 25-30 vetave, bashkëshortja, stafi i tij, këshilltarë, roje, vetura. etj. Pra s’kishte vend më për të tjerë, sipas tyre. Një ditë a dy para ceremonisë dëgoi listen e vet parlamenti, do të vinte Kryetari pa bashkëshorten, me një këshilltar e nja dy deputetë. Nga opozita asnjë lajm për pjesëmarrje. Gjithsesi kordinuese dhe bashkëpunuese e drejtpërdrejtë duhej të ishte dhe është vetëm Ministria e Punëve të Jashtme
Sekretaria e Shtetit të Vatikanit më mirëkuptonte dhe priste e qetë çdo sugjerim timin, kërkesë apo shkresa që anullonin njëra-tjetrën, siç më vinin nga atdheu.
Dhe mbërriti delegacioni shqiptar, tre krerësh, presidenti me të vetët, sa shumë, që s’donin të kishin punë me askënd, veç me piceritë e Romës, kryeparlamentari, jo dhe aq shumë në grup, kryeministri – korrekt me pjesëtarët e dërgatës së tij. Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.
Ndërkaq Dioqeza e Prizren-Prishtinës kishte organizuar një koncert të madh në Romë, i ndihmova dhe unë me adresa dhe lidhje, në një kishë të famshme me artistë shqiptarë nga e gjithë bota, që vërtet ishin të shkëlqyer. Na mblodhi dhe na frymëzoi Nënë Tereza, thoshim. Mes spektatorëve pafund ishin të gjitha copërat e delegacionit tonë, edhe nga opozita, por kurrsesi bashkë.
Dhe ja, mëngjezi i shenjtërimit, me emocione të mëdha e me shqetësime ende më të mëdha. U kërkua nga policia italiane dhe protokolli që makinat e delegacionit shqiptar si për çdo delegacion shtetëror, të ishin në rresht bashkë. Ata të presidencës, vetë presidenti u alarmuan, erdhi me vrap një me kostum të zi e kravatë, s’ishte presidenti, po një i dërguar i tij, se makina e tyre, ajo e presidentit duhej të ishte e para, gati bërtiste, i mbytur në djersë nga vrapi, e sqaruam se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të Kryetarit të parlamentit, kursesi e ministrit të jashtëm, por ato të policisë italiane dhe, sipas protokollit, pas tyre vinte makina e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Zyrtarisht ju jeni te parët. Mezi u qetësua ai dhe shpura.
Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip.
U futëm në Vatikan, vargan vaturash të zeza, nga portat pas dhe do të dilnin në shesh duke kaluar mespërmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Sheshi ishte plot, një det me njerëz dhe me flamuj nga e gjithë bota. Skuqnin flamujt u bukur të Shqipërisë. Ja, dhe ata të Kosovës. Rojet e palëvizura zviceriane me shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara nga Mikelanxhelo.
Delegacionet shtetërore po zinin vendet e caktuara për to afër altarit të madh, përballë kardinalëve.
Pa i folur njëri-tjetrit u ulën në rreshtin e parë presidenti shqiptar me bashkëshorten dhe pranë saj bashkëshortja e Kryeministrit me Kryeministrin, Në rreshtin e dytë – Kryetari i Parlamentit, ndërsa në vendin e Ministrit të jashtëm ishte ambasadorja në Romë. E zura e para, tha. Vendet tona si diplomat i kishin zënë ata të shpurës së klanit të presidentit dhe bisedonin me zë të lartë, aq sa delegacionet e tjera kujtuan se po grindeshin.
Nejse. Rëndësi ka dielli. Shkëlqente mahnitshëm. Në taracat sipër, mes statujave të shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova. Kori i madh kishtar, muzika gregoriane, po ngriheshin nëpër ajrin biblik. Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëgjim hyjnor na mbushte shpirtrat.
Filloi mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezes tonë. U tha që është shqiptare. Kur erdhi koha që, sipas ritualit në meshë, i duhej dhënë dora njëri-tjetrit në shenjë paqeje, në gjithë atë shesh me mbi 100 mijë veta, vetëm presidenti shqiptar nuk i dha dorën kryeministrit të tij dhe e anasjellta.
Ndërkaq do të ndodhte dhe një si incident, le ta themi, por me Maqedoninë. Në broshurën e meshes së shenjtë, të shpërndarë ndër të pranishëm, në biografinë e Nënë Terezës, në anglisht ishte shkruar që ka lindur në Shkup dhe në kllapa ishte shtuar: (Shqipëri). Ambasada e Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, protestoi, Shkupi s’është në Shqipëri, por kur lindi Nënë Tereza, në 1910, Shkupi ishte Sanxhak shqiptar dhe ende s’ishte shpikur Republika e Maqedonisë. Zyrtarët e Vatikanit kërkuan ndjesë, broshura s’kishte kohë të rishtypej, pas fjalës Shkup, emri Shqipëri në kllapa, u nxi, por ashtu tërhiqte më shumë vëmendjen. Nuk di si ndodhi ky gabim, që s’ishte aq gabim, nuk besoj se u bë qëllimisht, por e ndolli një e vërtetë historike.
Nuk po zgjatem më. Thjesht rrëfeva. Një kujtim, një përvojë jo vetëm imja. Thuhet se çdo popull ka qeverinë që meriton, po dhe çdo qeveri ka popullin që meriton. Ajo që ndodh lart, përëritet poshtë, diku si komedi e diku si dramë, shpesh duke ndërruar vendet ngjashëm.
Kujtojmë në ditën e Shenjtes Nënë Tereza, si qortim dhe si mundësi përmirësimi. Të shtetit dhe të popullit të tij. Po, po, mund të mësojnë dhe duhet qoftë dhe nga një njeri i vetëm, kur është “Nënë Terezë”. Ndërkohë të mos harrojmë më të rëndësishmen, pse jo dhe me krenari, megjithëse Nënë Tereza predikon përuljen, por dhe kjo të bën krenar, që shqiptarët i dhanë botës sërish një shenjtore, tani moderne të shekullit XX, që u kanonizua 6 vjet më parë në shekullin që jemi. Të marrim çdo ditë prej saj besimin e lartë, vullnetin e paepur për punë, këmbënguljen dhe arritjen, nga plagët tek yjet, shenjtërinë, por dhe thjeshtësinë dhe nga ato që nuk blihen, sado kapitalist i pasur qofsh, nuk kostojnë asgjë dhe janë gjithçkaja: dashuri dhe buzëqeshje. Për një jetë më të bukur dhe Atdhe më të çmuar e të dashur. Amen!