
Filip Guraziu/
Tema e këtij shkrimi ndoshta mundet me qenë nji ndër ma të diskutuemet e filozofisë botnore që ende vazhdon të studjohet, por çka ka të veçantë ose të randësishme për shoqninë njerëzore ky çift emnash? Pranohet prej të tanëve, se sa ma shumë njohje në lidhje me këto dy koncepte dhe varësinë që egziston ndërmjet tyne, aq ma shumë problematika jetësore të sapiensit zgjidhen tue ndikue pozitivisht drejt përparimit. Vlera dhe randësia që ato marrin, në interpretimin e saktë të dukunive natyrore dhe ngjarjeve historike, konsiderohen primare për shoqninë njërëzore për ndërgjegjësimin dhe pozicionimit konstruktiv të sajë. Interpretimi i gabuem i dukunive dhe i ngjarjeve historike, pasojë e mos dijes ose e tranformimit të qëllimshëm të fakteve në shërbim të interesave klienteliste, formojnë pengesë për ecjen përpara të shoqnisë njërëzore.
Me përjashtim të kohëve të fundit, historia e njërëzimit dëshmon në drejtim vetem sisteme shoqnore monarkike dhe diktatoriale, ideologjia e të cilëve, për interesa të ngushta, transformonte qëllimisht të vertetën historike me pasojë ” mbjelljen” e nji morali destruktiv. Zhvillimet historike janë plot me shëmbuj të shëmtuet të ” bëmave” që shkaktuen popuj të ndryshëm, në kohë të ndryshme prej indoktrinimit moral negativ të ideologjive radikale fetare, diktatoriale, rraciste, kolonialiste, imperialiste. Si të gjithë popujt e ballkanit edhe shqiptarët “gjinden të mbarsun” me lloj, lloj mentalitetesh që pengojnë formimin kulturor bashkëkohor; psh. pranohen apriori, ” pa e lodhë fort mendjen” si të verteta absolute se ” vetem shqiptarët janë populli i viktimizuem në Europë”; se ” fajin për çka ka shkue e shkon keq në botën shqiptare e kanë gjithmonë të tjerët ; se shqiptarët nuk janë popull pushtues”; “se vetem shqiptarët kanë besë ” etj. Personalisht më intrigon psikologjia zotnuese te shqiptarët se ” fajin e kanë gjithmonë të tjerët”, që ma me shumë fjalë intrpretohet: se “shkakun” në lidhje me “pasojat” (situata jo të kënaqëshme që kanë përjetue ose që përjetojnë shqiptarët) nuk duhet t’i kërkojmë mbrenda vetes (shqiptarëve), por jashtë vetes, te të tjerët…!
Çdo aspekt i jetës së përditëshme na ballafaqon me interpretimin e drejtë ose të gabuem të konceptit të masipërm, p.sh., qytetarët ankohen për mos pastrimin e mirë të territorit prej Bashkisë, por në veprimtarinë e tyne , janë po ato që hedhin letra, cingare e mbeturina në vende që nuk lejohen, pra “shkaku” i mospastrimit të qytetit nuk asht vetem Bashkia, por janë edhe vetë qytetarët ( shkaku mbrenda nesh); qytetarët ankohen se qeveria nuk po merr masat e duhuna kundër Covidit, por në të njajten kohë askush nuk e ven masken aty ku asht urdhni me e vue, përsëri pra shkaku
i përhapjes së virusit nuk duhet ta kërkojmë vetem jashtë nesh ( te qeveria ), por edhe mbrenda nesh ( te vetëvetja) etj.
Shqiptarët kritikojnë kryeministrin e Prusisë, Bismarkun i cili gjatë diskutimeve për çështjen shqiptare paska pasë thanë se ” Shqipnia asht shprehje gjeografike “, por kurrë dhe askush prej historianëve nuk sqaroi se pikërisht në atë periudhë, kur Perandoria Turke ishte shpartallue në luftën kundër Rusisë ( 1877-1878) dhe në ballkan po skicoheshin territoret e shteteve të reja, me porosinë e autoriteteve turke shqiptarët organizuen Lidhjen e Prizrenit, vendimi fillesatar i së cilës ( sepse i dyti ndryshoi pozitivisht…) mbronte tokat islame dhe jo ato shqiptare….! Pra klasës drejtuese dhe sunduese të shqiptarëve ne vjetin 1878 nuk i binte fort ndërmend për Shqipninë ( me përjashtime të rralla si shëmbulli i heroit shkodran Hodo Sokolit ), por ishin gati të jepshin jetën për mbrojtjen e territoreve të perandorisë Turke.
Kur në Kongresin e Manastirit, 1908, dijetarë shqiptarë të bashkuem, si kurrë ndonji herë, zgjodhen alfabetin latin për shkrimin e gjuhës shqipe tue i deklarue mbarë botës përzgjedhjen e ardhmënisë europiane, në Shkodër ( në nji ndër qytetet shqiptare ma të zhvilluem e të njoftun ndërkombëtarisht) zanat kundërshtues të alfabetit latin iu drejtuen qiellit për mallkim në emën të Zotit kundër atyne që kishin ba “mkatin e madh”…, ate të braktisjes së alfabetit arab|
Në vjetin 1912 ishte shpallë pamvarësia e shtetit të ri Shqiptar ( me territore të cungueme), por situata praqitej problematike prej grykësisë territoriale ekspansioniste të shteteve kufitarë. Europa , në vazhdim të praktikës së suksesëshme të vendosjes së nji monarku në krye të shteteve të rij në Ballkani ( Greqi, Rumani dhe Bullgari), në vjetin 1914 vendosi në krye të shtetit të sapoformuem shqiptar, gjermanin Princ Vidi, por ç’ka ndodhi ? Dhuna e shqiptarëve “patriotë” me parullën ” Dum Baben” shkatërroi të ardhmen europiane…, pikërisht kët të ardhme për të cilën sot shqiptarët po “zhgarraviten” për me qenë pjesë e sajë
Konkluzioni ? Kur ti o shqiptar mohon vetëveten, kur ti o shqiptar harron vetëveten, si të shkon ndërmend se duhet me të nderue e me të kujtue te tjerët ? Ku duhet pra ta kërkojmë shkakun e të keqes që ndodhi me territoret e banueme historikisht prej shqiptarëve; mbrenda apo jashtë nesh? Ç’asht e verteta përcaktimi i ” shkakut” në kët rast nuk asht ” bardh e zi”, mbasi rol kryesor për sa ma sipër, kanë luejtë edhe interesat ekspansioniste të shtetve imperialiste, por megjithate…, sikur shqiptarët në atë moment historik do të ishin ma të ndërgjegjësuem e ma të bashkuem për krijimin e shtetit të tyne, harta e Shqipnisë me siguri do të ishte ndryshe…!
Megjithëse mbas 44 vjetëve dhunë të diktaturës enveriste populli shqiptar përjetoi situatën e nji vorfnie ekstreme, ( aq sa çuditi mbarë botën ; kujtoj braktisjen epokale
masive të vendit amë me anijet e stërmbushuna – ‘ albanian boat people’ prej “njëriut të ri socialist”) ende sot drejtuesit e politikës, shtetit dhe kulturës akademike shqiptare nuk demostrojnë në praktikë ndamjen përfundimtare prej asaj ideologjie përverse. Masivisht shqiptarët ankohen se B.E. nuk na përfillë e nuk po na pranon në gjiun e sajë, megjithëse ” neve i kem bërë detyrat “. Pra, mosanëtarësimi në B.E që në kët rast asht “pasoja”, rrjedhka prej ” shkakut” të mos funksionimit të mirë ose funksionimit burokratik të B.E….! Përsëri ” shkakun ” e kërkojmë jashtë nesh dhe harrojmë ose bajmë sikur harrojmë se në ç’far gjëndje e ka pozicionue vendin politika 30 vjeçare post diktatoriale. Jo në nji shkrim gazete, por nuk mjafton nji roman me shumë faqe për me rreshtue gjendjen skandaloze të administrimit të shtetit shqiptar…. Kush e ka pra fajin se jemi të refuzuem prej B.E.-së ? A e keni pyetë ndonjiherë vetëveten pse Montenegro që i filloi praktikat e pranimit në B.E. rreth 10 vjetë mbrapa Shqipnisë, sot asht ma afër pranimit në B.E se Shqipnia? Për këdo që ka sy me pa, veshë me ndigjue e tru me mendue, përfundimi asht i qartë: ” shkakun” që ende sot mbas 30 vjetëve diktaturë komuniste, Shqipnia nuk ban pjesë në B.E. duhet ta kërkojme te drejtuesit e pa aftë e me formim të mangët moral, kulturor e patriotik të politikës e të shtetit shqiptar, pa harrue popullin shqiptar që fatkeqësisht luen rolin e ” spektatorit” dhe jo të “aktorit” në dramën shqiptare që po përjetojmë…! Shëmbujt si ma sipër janë të shumtë në botëkuptimin e popullit shqiptar.
Përfundimi ? Përparimi imponon s’pari ndryshimin pozitiv mbrenda vetes tonë, mbrenda shqiptarëve!
“Shkaku dhe Pasoja” nuk duhen konsiderue ” lojna fjalësh për humor karnevalesh”…, por korelacion filozofik me të cilët ndërlidhet ngusht përparimi i qëndrueshëm i nji populli. Kuptimi i drejtë, pozicionimi optimal në raport me shkakun e nji dukunie materiale apo ideale, thërret, organizon, mobilizon fuqi të mbrendëshme pozitive kombëtare në funksiontë të projektimit të nji “pasoje” që sjell përparim për mbarë popullin. ” Kumonat” bijnë për të tanë, por kryesisht për eliten intelektuale dhe drejtuesit e politikës e të shtetit shqiptar ! Ndërgjegjësimi i drejtë dhe bashkëkohor i nji populli mundëson analizimin e saktë të “shkakut” në funksion të “pasojës”. Në kët kandvështrim del urgjente konsolidimi i nji strategjie edukuese konstruktive ( edhe ligjore) në funksion të ndërgjegjësimit me botëkuptim bashkëkohor europian të shqiptarëve; bashkimit shpirtnor të tyne, respektimit të dinjitetit e të simboleve të shqiptarizmit dhe konsolidimit të identitetit kombëtar.
Filip Guraziu