Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/
Nga Fritz RADOVANI/
55 VJET…/
E pabesueshme! Vetë Dora e Zotit mbasi e kishte daltue në një prej Shkambijve të Maleve të Selcës, i kishte dhurue Pathyeshmeninë per Idealin “Atdhé e Fé”…
Ky ishte Don Dedë Malaj… (16 Nandor 1917 – 10 Maji 1959)
E pashë me sy dhe e ndigjova, tue percaktue shka domethanë “komunizëm”!
“E premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi”. (Në gjyqin e Tij, në kinema “Republika” Prill, 1959)
Ka lé në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj me 16 Nandor 1917.
Prindët i kanë zbritë nga Selca e Alpeve në Mal të Kolaj, pranë Velipojës, ku nen kujdesin e Don Alfons Trackit, misionar gjermanë në Shqipni, u përgatit per me vazhdue studimet e nalta per Meshtar, të cilat, i perfundoi Romë dhe në vitin 1941, u shugurue Meshtar në Gjenacan, para fugures Zojës së Shkodres. Ishte famullitar në Velipojë, Mal të Jushit e së fundi në Dajç të Bregut të Bunës. Dy vëllazën i vdiqën të rijë, Nikollën e patën pushkatue në ditët e para të marrjes pushtetit komunistët, ndërsa Frani vdiq në 1948, kur Don Deda ishte i arrestuem herën e parë me shumë klerikë të tjerë. Frani la një vajzë të vogël që quhet Drande, të cilën mbas vdekjes së gjyshes Lulë e mori Don Deda në qelen e Tij. Mbas vitit 1959, Drandja mbet pa asnjë njeri të afërt të vetin…
Asht shumë e varfen aftësia ime letrare per me dashtë me pershkrue Madhështinë e Këtij Vigani, që Selca ynë i dhuroi Atdheut, edhe pse në fundin e muejt Prill të 1959, ndigjova me veshtë e mij, tue predikue ma shumë se tue folë një prej Atyne Klerikëve që historia do ta daltojnë me shkronjat e arta ndër fletët e prarueme të Herojve të saj.
Hymja në sallën e gjyqit e gjeneralit kriminel Hilmi Seiti bashkë me ambasadorin jugosllav u përshëndet nga të pranishmit si ngjarje me randësi të madhe, për mardhanjet “e mira” mes dy vendëve tona. Altoparlantët në kater anët e Shkodres, ushtonin me zanin e tyne të kobshem bash sikur mbas dy javësh, kur në Shkoder erdhi “miku ynë” sovjetik Nikita Hrushovi…i rrethuem nga xhelatët Enver Hoxha e Mehmet Shehu.
Prokurori Rrapi Mina, porsa filloi gjyqi e pyeti: Që kur je armik i komunizmit?
Don Deda tha: “Unë jam anmik i komunizmit që në moshën 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sëpse jam brumosë me ato ide…”
“Kam vazhdue me kenë anmik deri ditën e arrestimit, mbas asaj ditë nuk jam ma asgja. Nuk kam pasë si me iu dashtë unë ju, se në ditët e para që keni hy në Velipojë, më keni vra vëllanë!…” Dhe gjyqi vazhdoi…
Prokurori Rrapi Mina, e pyet: “Po, ku, kemi hy né?”, Don Deda përgjegjet:
– Ju keni hy, se kështu thotë Populli për të gjithë ata si ju, që nuk i ka dashtë.
– Ju kërkoni me më pushkatue edhe mue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik!
– Kam pritë me shumë andje një Revolucion si até të 1956 në Hungari, dhe më ka ardhë keq për disfatën e Popullit hungarez, të pësueme nga tanket sovjetike…
– Bashkimi Sovjetik ka shfrytzue të gjitha demokracitë popullore të Lindjes, mbasi prej tyne ka marrë të gjitha prodhimet tue përfshi edhe metale e minerale, ndërsa, ai atyne edhe né na çon disa hekura të ndryshkuna, që ba me ia hjekë ngjyrën del se çfarë vjetërsinash na çon edhe sot këtu, tue fillue me traktora, fabrika e kombinate.
– Bashkimi Sovjetik jo vetëm që nuk na ka falë gja, por na ia kemi pague disa fish vlerën e atyne vjetërsinave…e hekurishtave të pavlerë.
– Përsa i përket dyshimeve të mija për Statutin e Kishës, unë i kam dërgue një letër Vatikanit nëpërmjet të Don Ivo Bozhiq në Jugosllavi, po kje se, atë letër ai ia ka dhanë UDB – së jugosllave asht puna e tij, unë nuk i kam shkrue kurrë atyne që thoni ju, po Vatikanit, Papës në Romë, se dojshe me dijtë se kush i ka aprovue Ipeshkvijtë që po shuguroheshin në Shqipni, për mos me ra në gabim fetar unë përvete.
Kur prokurori e pyeti se çfarë i ke thënë fshatarëve për hyrjen në kooperativë?
Ai tha: – I kam thanë hyni e mos kundërshtoni! I kam thanë kështu, se, e dijshe mirë sësa miljon fshatarë ka zhdukë Stalini nga ata që i kanë kundërshtue atij me hy në kolkoze. I kam thanë hyni se këta ju qesin fare, se Enver Hoxha nuk ndryshon aspak prej Stalinit, por shifni punën e mos bani za edhe pse nuk ju paguejnë mundin tuej.
– Fshatarit ju nuk i pagueni as një të dhjetën e mundit tij. Ai merr aq pak sa nuk siguron as bukën e fëmijve të vet. Sikur të shpërblehej për djersën e derdhun në punë të kooperativës, ai do të ndërtonte pallate disa katesh e jo, kasolla, aty ku jeton sot.
– Ai nuk ha mish kurr vetëm njëherë në vit…edhe nuk di a e ka njëherë në vit!
Prokurori e pyeti nëse ti i ke lejuar për të ngrenë mish edhe ditë premte, pse e bëre këte gjë, përderisa ditën e premte juve ua ndalon feja?
– Sëpse nuk dojshe me i lanë pa hangër mish pergjithnjë, mbasi në Shqipni asht përditë e “premte”, madje, jo e premte, por e Premtja e Zezë…
…E, e Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!.”.(Dosja 2199. Arkivi M.P.M Tiranë).
Kryetari i gjyqit, krimineli i njohun Mustafa Qilimi, me 27 Prill 1959, në darkë dha vëndimin për Don Dedë Malaj, me vdekje me pushkatim…
Kujtoj si tashti që kur doli nga kinema “Republika” dhe e hypën në një kamjoni, kujtoj dy sytë e Tij të skuqun, madje të gjakosun, ku nuk dallohej as bebja e synit të kaltërt! Një Martir i vertetë, i rrethuem nder bajoneta vetem pse ishte Klerik Katolik!
Merrej me mend gjithshka tue mendue kalimin nder duer të terroristëve nder ma kriminelët e Popullit Shqiptar, Hilmi Seiti, Xheudet Miloti e sa të tjerë anadollakë. Per hetimet e bame ndaj klerikëve Don Ejëll Kovaçi dhe Don Dedë Malaj, xhelati Hilmi Seiti, me 7 korrik 1959 u gradue gjeneral major i sigurimit shtetit, gradë të cilen partia, ia shperblej me një plumb ballit (në anen e djathtë) me 26 prill 1960, ashtusi e meritonte!
I vetmi njëri që interesohej për Té, ishte mbesa e vogël jetime Drandja. Vetëm Drandja 13 vjeçare, do të përpiqej “me i shpëtue jetën axhës së vet”. Drandën e ndihmuen dy priftën në këte fatkeqësi, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që në vitin 1969, dhjetë vjet mbas Mesuesit të vet u pushkatue edhe Ai, si edhe Don Pjetër Gruda, mik besnik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në burg në vitin 1989, plot 30 vjet mbas Don Dedës, pak muej pa plotsue dënimin…pra, të tre Këta Klerikë, pësuen një jetë… edhe me një mbyllje të saj tragjike.
***
Me datën 11 maji 1959, Don Dedë Malaj në moshën 42 vjeçare u pushkatue!…
Plot 55 vjet ma parë!.. U ngrit edhe Një Monument !
Pse u punue kaq shumë vite nga diktatori Enver Hoxha, kundër Don Dedës e At Konrradit? Ku fillon mënia e tij dhe e sigurimit të shtetit kundër Don Dedës?
Urrejtja e diktatorit mizor dhe e vegles së tij, Sigurimit të Shtetit fillon në vitin 1950, me qëndrimin e tyne të vëndosun dhe kundërshtar ndaj kërkesës së vjetër të shtetit, për nënshkrimin e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare. Aty ishte ngerrçi i Enver Hoxhës dhe i pushtetit tij diktatorial: “Shkëputja e Kishës Katolike Shqiptare nga Vatikani…”.
Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj. me Don Kolec Prennushin, për mos me aprovue nënshkrimin e këtij Statuti dhe mënyra sësi këta e kanë kundërshtue haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative të Sigurimit: “Çfarë dhe si duhët të veprojmë për ti zhdukur këta klerikë?”
Ata, jo vetem, mbetën të pavdekëshëm në historinë e salvimit dhe të martirizimit të KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE, Po, Don Dedë Malaj, perjetësisht do të qendroj si Shkamb i Pathyeshëm i Alpeve Kreshnike dhe i Selcës Heroike, në Token Shqiptare!
Don Dedë MALAJ asht shkamb, që ka lé prej shkambit!..
Melbourne, Maji 2014.
BAJRAM BALA says
ATA LINDEN PER TE MOS VDEKUR KURRE.VEPRA E TYRE ESHTE NJE PISHTAR NE ALTARIN E LIRISE
LE TE PREHEN TE QETE NE TOKEN ARBERORE