
Sokol Paja/
Korrupsioni politik, klientelizmi, mafja e betonit dhe loja me pronat e shqiptarëve ka sjellë një plagë të frikshme të shkatërrimit të qyteteve shqiptare, humbje kujtese historike, trashëgimie dhe identiteti historik e urbanistik. Kaosi me zhvillimet urbane, mosdhënia e tapive, proceset e pafundme nëpër gjyqe të të zotërve të pronës me shtetin, legalizimet politike korruptive, babëzia e ndërtimeve pa leje në fushata elektorale, dështimi i organeve shtetërore në kontrollin dhe menaxhimit të territorit kanë sjellë në Shqipëri një shpartallim të historisë së qyteteve. Është e dhimbshme dhe e tmerrshme sesi janë shkatërruar qytetet historike të Shqipërisë, ndërtesat e vjetra karakteristike, lagjet, shtëpitë, murret rrethuese, sheshet, çdo karakteristike individuale e qyteteve që përbënin një identitet e histori të veçantë shqiptare.
Shkatërrimi urbanistik i Shqipërisë ka ardhur si pasojë e një korrupsioni politik në rritje, shtetit zhvatës dhe autoritar, mungese afatgjatë e planifikimit të zhvillimit të turizmit dhe zhvillimt urban, korrupsionit galopant në të gjitha sferat e shtetit me synim pasurimin përmes lejeve të ndërtimit, rritja e ndotjes së ajrit mbi normat e lejuara të BE, zhvendosja e popullsisë nga zonat e largëta të Shqipërisë në zona rurale të pa integruara duke krijuar një kaos shoqëror dhe një mbivendosje të ndërtimeve kaotike duke dalë jashtë kontrollit procesi i planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
Keqqeverisja, korrupsioni politik dhe kërkimi i një jetë më të mirë ka shkaktuar dekadën e fundit një migrim dhe emigrim masiv të shqiptarëve. Qytetet e vogla janë boshatisur fare. Gjithçka është fikur. Mosha mesatare i kalon mbi 60 vjeç. Pa investime, pa vizione dhe planifikime shtetërore afatgjata dhe të qëndrueshme për rijetëzimin e këtyre qyteteve, tashmë i kanë kthyer qytezat në kënde vetmitare që nuk i viziton askush që nuk i kujton askush. Infrastruktura e dobët shtetërore dhe punimet e stërgjatuara prej korrupsionit politik në rrugë, ujesjellësa, kanalizime, energji, pastrime kanë sjellë një ndotje dhe shkatërrim të qyteteve dhe sigurisht humbje në turizëm pasi qeveria për spektakël politik zgjedh që të gjitha ndërhyrjet në territor ti bëjë në pikun e verës e turizmit, atëherë kur ka më shumë turistë e vizitorë, pasi spektakli i diktaturave kërkon publik. Rasti i shkatërrimeve të qeverisë në Theth është piktura e dhimbshme e dhunës autoritare e diktatoriale mbi qytetarët e pambrojtur. Korrupsioni qeveritar me lejet e ndërtimit ka sjellë një vrasje të hapësirave publike, gjelbërimit, këndeve të lojërave, ambjenteve çlodhëse e rekreative për të gjitha grupmoshat.
Paketa e Maleve e lançuar nga qeveria si shpëtim për ekonominë vendore, turizmin lokal dhe fshatrat, jo vetëm që është e pamjaftueshme por do të shtrijë korrupsionin politik në ekonominë lokale dhe turizmin vendor pasi dekadën e fundit është parë që miqtë e qeverisë janë ata që përfitojnë gjithmonë. Rasti i tmerrshëm i korrupsionit me fondet e BE ishte në Bujqësi ku u shpërblyen agro-turizmat e lidhur me qeverinë. BE reagoi rëndë duke ndërprerë ndihmat për Shqipërinë dhe denoncoi rastin si korrupsion të tmerrshëm. Korrupsioni me fondet e jashtme në Shqipëri ka njohur histori shpërdorimesh të rënda duke u pastruar paratë e fituara në biznesin e ndërtimit.
Për vite me radhë në Shqipëri lejet e ndërtimit nga Bashkitë dhe Këshilli i Territorit janë dhënë për interesa klienteliste apo financiare, jo mbi bazën e planeve urbanistike afatgjata të zhvillimit të territorit duke sjellë në mënyrë të drejtëpërdrejtë rritje të ndërtimeve shumëkatëshe në zona të papërshtatshme për zhvillimin e qyteteve duke i degraduar ato, betonizim të qyteteve pa respekt për trashëgiminë kulturore, historike, arkeologjike dhe identitare kombëtare, largim të komuniteteve urbane auotoktone për të ndërtuar qendra tregtare apo kulla luksoze që nuk kanë lidhje as historike as tradicionale me qytetet shqiptare, përveç se një shëmti e tmerrshme estetike.
Korrupsioni politik në disa qytete të Shqipërisë, sidomos në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë ku janë betonizuar qendra e qytetërime të vjetra historike që gjenden në nëntokën shqiptare, veç tjerash ka sjellë shkatërrimin dhë rrënimin e ndërtesave me vlerë historike dhe arkitekturore në Shqipëri. Ndërtimet korruptive, pa vizion, pa estetike, pa histori dhe pa identitet, gjoja në përputhje me modernizmin i ka shpërfytyruar qytetet shqiptare. Nëse ke vite pa shkuar në Tiranë apo Durrës apo Vlorë, nuk e kupton se ku gjendesh si pasojë e bumit korruptiv të ndërtimeve pa kriter, pa vizion, pa rregull.
Politikës shqiptare nuk i ka interesuar asnjëherë pasja e një një vizioni të qëndrueshëm për zhvillimin e shëndoshë të qyteteve por ka shpërblyar miqtë e korrupsionit dhe mafjen e betonit me kulla shumëkatëshe pasi ndërtimi është vendi ideal për të shpërlarë paratë e korrupsionit, paratë e pista të mafjes e trafiqeve duke u kthyer token shqiptare në një parajsë monetare për klanet mafjoze që veprojnë në Shqipëri dhe përtej.
Korrupsioni politik, vrasja e qyteteve, djegia e pyjeve për të zhvilluar resorte turistike ka bërë që të përkeqësohet cilësia e jetës, e zhvillimit, e ajrit dhe ndotja akustike të jetë në shifra alarmante duke e kthyer dalë ngadalë qendrat e qyteteve të pabanueshme. Prej korrupsionit politik qytetet e mëdha në çmime janë të pa aksesueshme prej qytetarëve të thjeshtë pasi çmimet janë tepër të larta për rrogat buxhetore të shqiptarëve. Korrupsioni politik dhe ekonomik i ka thelluar diferencat me shqiptarëve. Ata nuk i aksesojnë dhe nuk i gëzojnë më qytetet e tyre…fatkeqësisht.