Hollivudi nderoi mbrëmjen e se Dieles, 24 shkurt,arrijet e vitit për filmat dhe rolet më të mirë të vitit. Si çdo vit, kjo ceremoni madhështore pati të papriturat e saj dhe jo vetëm në ndarjen e vetë çmimeve, ndërkohë që u ndoq në televizion nga gati një miliardë njerëz në gjithë botën.
Filmi i Ben Affleck, “Argo,” historia se si Hollywoodi, Kanadaja dhe CIA u bënë bashkë për të shpëtuar 6 amerikanë gjatë krizës së pengjeve në Iran fitoi çmimin e filmit më të mirë.
Nga Shtëpia e Bardhë, Zonja e Parë, Michelle Obama bashkë aktorin e njohur Jack Nicholson paraqitën çmimin final.
Ben Affleck, regjisor, producent dhe aktor në këtë film, falenderoi të gjithë artistët, në skenë dhe pas saj për realizimin e këtij suksesi.
Me mendimin që këto çmime të ndaheshin mes sa më shumë artistëve, votuesit i shpërndanë ato mes disa filmave: Filmi “Argo” fitoi 3 statuja, ndërkohë që “Life of Pi” kryesoi me 4 çmime.
Ang Lee habiti një numër të madh njerzish, duke fituar kategorinë e regjisorit më të mirë në filmin “Life of Pi”. Pritej gjerësisht që regjisori Steven Spielberg, ta fitonte këtë çmim për filmin “Lincoln”.
Aktori britanik, Daniel Day-Lewis u bë personi i parë që fiton 3 çmime Oscars në kategorinë e aktorit më të mirë, duke fituar për rolin e presidentit të 16-të amerikan, Abraham Lincoln të luftës civile amerikane “Lincoln”. Dy çmimet e mëparshme ai i ka fituar për rolet në filmat “My Left Foot” dhe “There Will Be Blood”.
Ai është gjithashtu mes 6 aktorëve që kanë fituar 3 Oscars ose më shumë, që janë Meryl Streep, Jack Nicholson, Ingrid Bergman dhe Walter Brennan. Vetëm Katharine Hepburn ka fituar 4 çmime Oscar.
Dhe kategorinë e aktores më të mirë e fitoi Jennifer Lawrence për rolin e saj në filmin “Silver Linings Playbook”.
Jennifer u rrëzua nëpër shkallë, ndërsa ngjitej në skenë për të marrë çmimin.
“Ju jeni ngritur sepse ndjeheni keq për mua që u rrëzova”, u tha ajo të pranishmëve në sallë.
Në moshën 22 vjeçare, Jennifer është femra e dytë më e re që fiton këtë çmim, pas Marlee Matlin, e cila fitoi në moshën 21 vjeçare për filmin “Children of a Lesser God”.
Aktori austriak Christoph Waltz fitoi për herë të dytë çmimin Oscar në rolin e aktorit suportues në filmin “Django Unchained”.
Anne Hathaway është artistja e tretë në një muzikal që fiton kategorinë e aktores në rol të dytë gjatë ringjalljes së këtij zhanri në 10 vjetët e fundit. Ajo e fitoi këtë çmim për rolin e një nëne e kthyer në prostitutë në filmin “Les Miserables”.
Ceremonia, që zgjati 3 orë, u shoqërua me interpretimin e artistëve dhe këngëtarëve më të mirë të Amerikës.
Një montazh për nder të 50 vjetorit të filmave të dedektivit britanik, James Bond, 007, u pasua nga interpretimi i këngës së filmit më të fundit 007, Skyfall, nga këngëtarja Adele, me të cilën ajo fitoi edhe çmimin Oscar në kategorinë e këngës origjinale.
Ceremonia madhështore u ndoq në televizion nga shumica e vendeve të botës nga gati një miliardë njerëz.(Kortezi VOA)