- VOA

Shkëmbimet e ashpra mes Presidenti Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u bënë shkak për anulimin e një konference të përbashkët për shtyp të dy udhëheqësve si dhe tërheqjen e projekt-marrëveshjeje mbi mineralet, mbi të cilët palët kishin rënë dakord pak ditë më parë.
Presidenti Zelenskiy u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë, ku Presidenti Trump e akuzoi presidentin ukrainas për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa ky i fundit sfidoi udhëheqësin amerikan për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Putin.
Pas takimit, në një postim në median sociale, Presidenti Trump shkruajti se “kam arritur në përfundimin që Presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh më të madh në negociata. Unë nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vij përsëri kur të jetë gati për paqe”, shkruante Presidenti Trump.

Vizita e zotit Zelensky në Uashington erdhi mes përpjekjesh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Palët pritej të nënshkruanin dhe projekt-marrëveshjen për mineralet e cila do t’i jepte një qasje të gjerë Shteteve të Bashkuara tek pasuritë minerale të Ukrainës.
Por ngjarjet morën një tjetër rrjedhë kur dy presidentët u përplasën në mënyrë të vazhdueshme në komentet e tyre në zyrën ovale ndërsa Presidenti Zelensky i kërkoi Presidentit Trump të jetë i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa zoti Trump e paralajmëroi atë me tërheqje të mbështetjes amerikane.
Po kështu Presidenti Zelensky e sfidoi hapur zotin Trump për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.
Ai kundërshtoi argumentet e zotit Trump se qytetet ukrainase janë kthyer në rrënoja nga lufta tre vjeçare. Presidenti Trump theksoi se udhëheqësi rus Putin dëshiron të bëjë një marrëveshje.
Por Presidenti Zelensky i tha zotit Trump se zotimet për paqe të Presidentit rus Vladimir Putin nuk mund t’u besohet, duke renditur rastet kur udhëheqësi rus ka dalë nga fjala. Presidenti Trump tha se Putini nuk i ka shkelur marrëveshjet me të.
“Duhet të jesh më mirënjohës”, “po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, i tha Presidenti amerikan homolugn të tij Zelensky.

Zoti Trump e kritikoi presidentin ukrainas, pasi Nënpresidenti JD Vance, njëri prej zërave më skeptik të administratës ndaj Ukrainës, i tha zoti Zelensky se po tregonte mungesë respekti, duke debatuar me presidentin amerikan në Zyren Ovale para mediave amerikane.
“A ke thënë të paktën një herë ‘faleminderit’?!, e pyeti Nënpresidenti Vance zotin Zelensky.
Presidenti Donald Trump i tha Presidentit Zelensky se ose duhej të bënte një marrëveshje, ose Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdonin ta mbështesnin më tej.
Presidenti Zelensky i kërkoi homologut amerikan Trump që të “mos bënte kompromise me një vrasës”, duke iu referuar udhëheqësit rus.

Presidenti Zelensky, i cili mori armatime me vlerë prej miliarda dollarësh dhe mbështetje morale amerikane nga administrata Biden për luftën kundër Rusisë, po përballet me një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga administrata Trump.
Presidenti amerikan dëshiron përfundimin e shpejtë të luftës trevjeçare, përmirësimin e lidhjeve me Rusinë dhe të rikuperimin e parave të shpenzuara për të mbështetur Ukrainën.
Informacionet mbi këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve ‘Reuters’ dhe ‘AP’