Nga Albert HABAZAJ*/
( Në foto: Eqerem Beqiri me atdhetarë të shoqatës “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia)
Një mbasdite të këtij fillimshtatori, i shkoj në shtëpi mikut tim të vjetër, Skënder Beqirit, fotografit të shquar të Vlorës. Ai mban 85 vite mbi supe, por nuk i përfill fare; i flak tutje si pelerinë e vjetër; me fjalë, me shpirt, me lëvizje dhe me vepra. Ta shikosh, pa e njohur, thua se duhet të jetë në prag të pensionit, aty te 62, 63 vjeç: trupdrejtë, i hollë si shkop i thantë, shikimkthjellët, me atë fytyrë si eshtër bredhi e me një ballë fisnik larë nga erërat e furtunat detare e kontinentale që, për një shekull nuk reshtën së qëlluari familjen atdhetare dhe përparimtare të Skënderit tonë, vlonjatit nga Çamëria, shqiptarit të zjarrtë, zemërpërvëluar për Mëmëdhe. Objektivi i vizitës sime ishte të përgatisja një shkrim me të dhënat e tij për gazetën “Dielli”, se ajo lexohet nga gjithë shqiptarët , në çdo kënd të globit, ku ata jetojnë e punojnë. Zonja Resmie Mane Beqiri, si një zonjë fisnike, bën traditën e mikpritjes me kafe e raki e fluturon si flutur. Respektojmë protokollin e rastin, kur papritur thotë Skënderi: “Vapa s’ka rënë. A bëjmë një shëtitje nga Uji i Ftohtë?”. “Me kënaqësi, ia kthej, se jam më afër shtëpisë.” Qeshim dhe nisemi. 7 kilometra në këmbë, me ecje normale, mbërritëm këndshëm tek një lokal, buzë detit. Vijuam bisedën, mbushëm nga një gotë birrë me dallgë deti dhe unë shënoj fjalët e atij burri, që më ngjan si një lastar shkulur nga një bredh i bardhë. Biseda rrjedh e kulluar nga Vlora e vjetër, te Vlora e sotme, në Vlorën e Nesërme, nga Çamëria në Labëri, nga Vrohona e Gumenica në Tërbaç, nga Shqipëria në Filadelfia. Filadelfia (Philadelphia) është qytet kryesor i Pensilvanisë, SHBA, një port i thellë afër Oqeanit, aty ku bashkohen lumenjtë Delaware dhe Schuylkill; me mbi 1 milion e 600 mijë banorë. U kolonizua së pari prej suedezëve në vitet 1640; është tani qyteti i dytë për nga madhësia në bregdetin lindor dhe i pesti në SHBA, me industri që prodhojnë pjesë automjetesh, makineri elektrike, veshje, tapete, instrumente shkencore dhe cigare. Atje Marubi i Ri ka të afërmit e gjakut e të zemrës. Në Filadelfia jetojnë rreth 10 mijë shqiptarë, që janë organizuar si bashkësi atdhetare dhe kanë krijuar shoqatën “Bijtë e Shqipes”.
“Rastësisht, duke parë në video dhe foto dhe duke biseduar me njerëzit e mi, që ndodhen në Filadelfia të Amerikës – nis rrëfimin Skënderi – mallëngjehem, se ata kanë ikur nga Vlora, si shumë shqiptarë të tjerë para 20 vjetësh e kusur. Erdhën në Vlorë në Vlorën e tyre, në Vlorën tonë, gjatë muajit gusht. Në shtëpi, lindi njjë bisedë e gjatë, lidhur me ndryshimet që ka pësuar Vlora dhe mbarë Shqipëria këto vite, që ata jetojnë në Amerikë. Biseda vazhdoi me pyetje e përgjigje të ndryshme, sa për Amerikën dhe për Vlorën dhe Shqipërinë në përgjithësi. Mua personalisht, – ndez fjalën Skënderi,- më tërhoqi më shumë Çështja patriotike e Shqiptarëve që jetojnë në Filadelfia. Gjithë kuriozitetin tim e përqëndrova tek edukimi patriotik i fëmijve, që kanë ikur 20 e ca vjet më parë dhe, sot ata janë rritur atje dhe vijojnë apo kanë mbaruar dhe universitete të ndryshme në Filadelfia. Eni, vajza e nipit tim ka mbaruar për Mjekësi atje. Gjaku ynë atje rrjedh i pastër me gurgullimë, shqiptarisht, i integruar me qytetarinë më të kulluar në botë. Ndër patriotët dhe intelektualët tanë me përvojë atje, mund të përmend emrat e nderuar të Sadik Kosovës, Vllas Filit, Llazar Vjeros, Artan Beqirit, Petrit Zenos, Abedin Temes, Haki Çollakut, etj. Prejardhja e tyre është djepi shiptar me Kosovë, Shqipëri e Çamëri, që mua më ngjan si ajo shqiponja e plagosur në fluturim drej jetës, drejt botës drejt Perëndimit. Është për t’u theksuar, se shoqata “Bijtë e Shqipes” bën një punë shumë të çmuar, sidomos me të rinjtë, që vazhdojnë studimet, se të vjetërit, tashmë janë të formuar atdhetarisht dhe janë model edukimi për brezat, si stafetë kombëtare, larg Atdheut. Të rinjve u ofrojnë të dhëna për shqiptarët, për Shqipërinë, për trojet e saj, për krahinat, për bijat e ndritura e bijtë e mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria e vogël në rrjedhat e kohës. Jo pa një krenari të ligjshme, gjysh Skënderi më thotë: “Si shembull konkret po përmend mbesën time. Diplomën e mbrojti me temën: “Çamëria, vendlindja e gjyshit tim”. Vetëm ta lexosh rrëmbushesh me mall, me dinjitet logjik, me art e atdhedashuri. Kur e paraqiti Eni, profesoresha e përqafoi me shumë dashuri, sidomos, kur mori vesh të vërtetën e krahinës martire për liri e dituri të Çamërisë. Kështu ka ndodhur me shumë e shumë studentë të tjerë shqiparë të mërgimit të largët. Të filmuar në video pashë mitingun madhështor të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Shoqata “ Bijtë e Shqipes” atje, në Filadelfia. Më bëri shumë përshtypje organizimi i shkëlqyer: të rinjtë e të rejat, fëmijët veshur me kostume kombëtare ndrisnin si pranvera diellore, hijeshuar me flamuj e banderola, me fotografi të Skënderbeut, Ismail Qemalit, të Rilindasve të mëdhenj, të Fan Nolit e Faik Konicës. Në Miting folën personalitete të njohur, shqiptarë me emër, që jetojnë atje. Pas festës bënë vizita nëpër familjet e njeri – tjetrit, traditë e bukur, kjo marrë nga dheu i të parëve, si një copë mall për të mbushur zemrën me Shqipëri. Kënduan dhe kërcyen gjatë gjithë asaj dite, deri në mbrëmje vonë. Më të bukur e bëri këtë festë cicërima e freskët e recitimeve të fëmijëve për nënën Shqipëri. Nipi im, Artan Beqiri, – tregon Skënderi – është zgjedhur kryetar i degës së shoqatës “Çamëria” në Filadelfia. Herë pas here i dërgoj shkrime të ndryshme, gazeta e libra të botuara për Çamërinë e Shqipërinë dhe, nëpërmjet gazetës tonë “DIELLI”, dua t’i them, që të punojë sa më shumë për mbarë kombin, për Çamërinë me shpirt e me zemër, sa të ketë frymë dhe amanet fëmijëve këtë frymë kombëtare e kulture.
Natyrisht, e gjithë kjo e ka burimin te shoqëria e zjarrtë dhe e artë “VATRA”, e cila ka ushqyer me ndjenja patriotike breza të tërë shqiptarësh, që kanë sakrifikuar tërë jetën për çështjen kombëtare, sidomos dy korifenjtë e shqiptarizmës: Fan Noli dhe Faik Konica. Një merak ka fisniku Skënder Beqiri: kërkon të shprehë dy fjalë nderimi për mikun dhe bashkëkombasin e respektuar z. Sali Bollati, me të cilin në janar 1991, themeluan shoqatën emërmadhe e punëshumë “Çamëria”. Po ashtu, Skënderi përshëndet dhe Rajmond Sejkon familjarisht. I uron Temes, djalit të Mondit shëndet dhe suksese, të bëhet me emër si gjyshi i tij, Teme Sejko. Gjithë shqiptarëve në Amerikë u uron gjithë të mirat dhe të kontribuojnë pë Shqipërinë me Kosovë e Çamëri. Me burra si Sali Bollati e me shumë atdhetarë të tjerë çamë zemërzjarrtë për çështjen kombëtare dhe përparimin e vendit mbahet i ndezur oxhaku kombëtar. Shkrimtari i njohur, i ndjeri Fadil Zeqiri u zgjodh kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të shoqatës Patriotike “Çamëria”, ndërsa i paharruari Abaz Dojaka u zgjodh kryetar i Shoqatës “Çamëria”… E ç’të përmend më parë!…Dhe Skënderit të thantë i shkasin dy pika loti, që më duken sa dy rruzuj malli për Çamërinë e bekuar, akoma të paçliruar. Sot ora po troket shqiptarçe.
* studiues
Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë,