Nga Astrit Lulushi/Washington/
Në korrik 2014, revista “Archaeology in Europe” njoftoi se një ekip arkeologësh nga Universiteti i Varshavës, Poloni, kishte zbuluar një dush të shekullit XIV, në veriperëndim të Shqipërisë – cilësuar zbulimi më i madh i vitit – banjot turke – hamam, me sistem ngrohje qendrore. Ndërtesa të këtij lloji u bënë të zakonshme në Perandorinë Osmane në shekullin e pesëmbëdhjetë, por objekti i zbuluar në Shqipëri duket se është 100 vjet më i hershëm – kjo e bën zbulimin edhe më interesant, sepse tregon për herë të parë se si sistemi i vjetër romak i ngrohjes së dyshemesë dhe mureve të ndërtesave me ajër të nxehtë, u përshtat nga osmanët.
Një tjetër arritje e rëndësishme në Shkodër nga arkeologët polakë këtë vit, është zbulimi i një shtrese të herëshme të qytetit nga shekullin i III pes., ku arkeologët gjetën një pjatancë prej bronxi që përdorej për ofrimin e sakrificave – fragmente të eshtrave të kafshëve dhe hiri, që ata gjetën, e vërtetojnë këtë.
Shkodra është një nga vendet më të rëndësishme për historinë e Ilirisë, si dhe të gjithë zonës së Ballkanit. Që nga periudha e neolitit (4,500 – 2,000 pes) Shkodra ka qenë një vendbanim i pasur dhe udhëkryq i rëndësishëm tokësor e ujor. Kulmin e shkëlqimit qyteti e arriti në kohët ilire (shekujt 4 – 2 pes), kur ishte kryeqyteti i mbretërisë. Prof. Piotr Dyczek i qendrës kërkimore të Antikitetit në Evropën Jug-Lindore, pranë Universitetit të Varshavës, mendon se arkeologjikisht, Shkodra ende nuk është zbuluar plotësisht dhe kjo është arsyeja pse sot dihet thuajse asgjë në lidhje me historinë e tij ilire e romake, pavarësisht se qyteti është përmendur në burime të shumta antike.(http://blogs.voanews.com/albanian/astritlulush)