
Dr. Nikollë Loka/
Veprimtaria arsimore amerikane në Shqipëri
Investimi në arsim dhe kulturë ka qenë një nga kontributet më të qëndrueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar vendeve të Europës Juglindore, si pjesë e mbështetjes së tyre për zhvillimin rajonal gjatë shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi (Pano, Gjika, 2022: 24–34). Kontaktet e para të amerikanëve me shqiptarët datojnë në periudhën pas reformave të Tanzimatit, përmes themelimit të misioneve ungjillore amerikane në territoret e Perandorisë Osmane. Gjatë këtyre kontakteve, misionarët amerikanë vërejtën me vlerësim etjen dhe dëshirën e shqiptarëve për dije, arsim dhe kulturë. Në fund të shekullit XIX, shumë të rinj shqiptarë përfituan bursa studimi të ofruara nga institucionet amerikane, të cilat u mundësuan atyre të arsimoheshin në kolegje dhe institute prestigjioze në Princeton, Boston dhe Filadelfia, si edhe në shkolla të tjera në rajone më të afërta si Bullgaria dhe Turqia (Pano, Gjika, 2020: 74).
Përpjekjet individuale të amerikanëve në dekadën e parë të shekullit XX u pasuan nga ndërhyrje më të strukturuara dhe institucionale. Në shkurt të vitit 1919, një ekip prej 60 vetash nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan (AYRC) mbërriti në Shqipëri, ku ndërmori një sërë nismash humanitare dhe shëndetësore. Ata hapën spitale dhe ambulanca për trajtimin e tuberkulozit dhe malaries në qytete kryesore si Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e të tjerë. Njëkohësisht, ata u angazhuan në përkujdesjen për fëmijët jetimë, duke i strehuar në qendra të veçanta që më pas u transformuan në strehimore shtetërore (Pano, Gjika, 2020: 74).
Në shtator të po atij viti, selia qendrore e AYRC në Uashington dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj, O. M. Salisbury, me qëllim vlerësimin e nevojave urgjente të vendit. Gjatë vizitës, Salisbury evidentoi mungesën e plotë të shkollave dhe vlerësoi lart etjen e shqiptarëve për arsim. Ai rekomandoi ofrimin e menjëhershëm të bursave për të rinjtë shqiptarë që dëshironin të studionin në kolegje amerikane në Stamboll, si dhe propozoi themelimin e shkollave të mesme bujqësore dhe profesionale në Shqipëri (Pano, Gjika, 2020: 74).
Një nga projektet që u konkretizua në këtë frymë ishte hapja e Shkollës Amerikane të Kavajës, e njohur më vonë si Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (Dervishi, 2021: 56). Ky institucion arsimor funksiononte me dy degë: një për djem, e përqendruar në bujqësi, dhe një për vajza, me fokus në formimin e mësueseve dhe ekonominë shtëpiake.
Instituti Shqiptaro-Amerikan në Kavajë
Themeluesi i kësaj shkolle ka qenë misionari protestant Dr. Telford Erikson, i cili shërbeu për dymbëdhjetë vjet si përfaqësues i Kryqit të Kuq Rinor Amerikan në Shqipëri dhe më pas, për katërmbëdhjetë vjet të tjera, qëndroi e punoi si individ i pavarur. Për përkushtimin, kontributet dhe dashurinë e dëshmuar ndaj Shqipërisë, Federata e Shqiptarëve të Amerikës dhe Qeveria e Përkohshme e Durrësit e zgjodhën delegat nderi në Konferencën e Paqes në Paris (Krisafi, 2020: 89).
Në vitet 1922–1923, si pjesë e stafit të Legatës Amerikane në Tiranë dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Erikson themeloi një shkollë bujqësore për djemtë dhe një shkollë të arteve shtëpiake për vajzat (Krisafi, 2020: 90). Më 8 mars 1922, Kryeministri Ahmet Zogu e njoftoi Eriksonin se i lejohej të zgjidhte një nga fermat më të mira shtetërore për ngritjen e shkollës. Me një marrëveshje qiraje për 25 vjet, qeveria i vuri në dispozicion 300 hektarë tokë në nënprefekturën e Kavajës (Dervishi, 2021: 57).
Shkolla Shqiptaro-Amerikane e Kavajës nisi funksionimin në dy degë: më 20 shtator 1926 u hap dega për vajzat në ndërtesën e një ish-shkolle greke të riparuar sipas standardeve të kohës, ndërsa më 10 tetor 1926 u hap dega bujqësore për djemtë në një godinë të re, ndërtuar me mjete modeste (Dervishi, 2021: 57).
Pas tre vitesh, shkolla hasi vështirësi financiare dhe menaxhimi i saj iu kalua një tjetër bamirësi amerikan, Samuel Irvin. Me vendimin nr. 503, datë 18.06.1929, Qeveria shqiptare ratifikoi një marrëveshje 20-vjeçare sipas së cilës Irvin do të themelonte një kolegj me një klasë përgatitore, gjashtë klasë gjimnazi dhe dy klasë kolegji. Drejtimi dhe stafi pedagogjik do të përbëhej nga amerikanë, dhe mësimi do të zhvillohej në anglisht. Lëndët si shqipja, historia, letërsia dhe gjeografia e Shqipërisë do të mësoheshin nga mësues shqiptarë të caktuar nga Ministria e Arsimit. Programet mësimore miratoheshin nga Ministria dhe shkolla ishte nën mbikëqyrjen e saj (Dervishi, 2021: 57).
Në korrik të vitit 1929 nisën punimet për ndërtimin e godinave, por shumë shpejt fondet u shterruan për shkak të mungesës së donacioneve nga SHBA, në kohën kur kishte nisur kriza ekonomike botërore. Në qershor 1930, Irvin i dërgoi një letër Ambasadës Shqiptare në Uashington, ku hiqte dorë nga të gjitha të drejtat që i ishin dhënë nga qeveria shqiptare.
Në këto kushte, u angazhua një tjetër shoqatë amerikane, “Fondacioni i Lindjes së Afërme”, që ofronte ndihmë për arsimin rural në vende të ndryshme. Në tetor 1930, u nënshkrua një marrëveshje 20-vjeçare me këtë fondacion, përfaqësuar nga Xhejms Bartën dhe Barsli Eiçson, për ngritjen e Institutit Bujqësor Shqiptaro-Amerikan të Kavajës. Qeveria shqiptare i vuri në dispozicion institutit tokat e mëparshme dhe shtoi edhe 50 ha në zonën e Malit të Robit (Dervishi, 2021: 58).
Nxënësit dhe nxënëset përfitonin nga bursa të ndara në mënyrë të barabartë nga qeveria shqiptare dhe vetë institucioni. Programi mësimor dhe administrimi mbeteshin në duart e institutit, duke iu përmbajtur ligjeve në fuqi dhe zakoneve vendore. Mësimi i historisë dhe gjeografisë kryhej nga mësues shqiptarë të emëruar nga Ministria e Arsimit, dhe shkolla i nënshtrohej inspektimit të rregullt shtetëror.
Vendosja e institutit në lokale të reja u kushtëzua nga reforma Ivanaj, që parashikonte kalimin e shkollave private nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit. Në këtë kuadër, pranë drejtorit teknik amerikan u vendos edhe një nëndrejtor shqiptar, Ali Cungu.
Kushtet në konviktin e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Bujqësisë në Kavajë ishin të mira për kohën. Ndriçimi sigurohej me llampa vajguri të furnizuara nga shoqëria SESA në Durrës. Uji i pijshëm merrej nga një krua pranë institutit, ndërsa për nevojat shtëpiake përdorej ujë i nxjerrë me pompa. Ushqimi shërbehej në një sallë të madhe ngrënieje, ku nxënësit ishin të ndarë në tryeza me nga 9 veta.
Konviktet ishin ndërtesa të reja dhe të pastra, të ndërtuara në formën e odave fshatare. Në çdo ndërtesë banonin 18 nxënës. Shtretërit ishin metalikë, të thjeshtë ose dykatësh, me dyshekë të mbushur me bar. Për kujdesin shëndetësor shërbente një infermieri me dy shtretër, ku punonte doktoresha Zllatkova, e diplomuar në Universitetin e Sofjes. Gjithashtu, kishte edhe farmaci.
Programi mësimor në degën e bujqësisë përfshinte: gjuhën shqipe, anglishten, historinë, gjeografinë, matematikën, fizikën, kiminë, shkencat natyrore dhe lëndët profesionale si bujqësi, kultivimi i bimëve njëvjeçare dhe drunore (pemë të ndryshme, vreshta, ullinj, mana për krimba mëndafshi, pyje), zootekni, veterinari, industria bujqësore (përpunimi i produkteve si tlyeni, djathi, etj.), mekanika bujqësore me përdorimin praktik të makinerive, kontabiliteti tregtar dhe bujqësor, ekonomia rurale dhe patologjitë e bimëve (AQSH, F.195, v.1926, fl.1; Pano, Gjika, 2020:177).
Pjesa praktike e programit përfshinte 50 orë mësimore në javë, nga të cilat 3 ishin për mekanikën bujqësore (teori dhe praktikë), dhe 10 orë për përdorimin e traktorëve dhe motorëve, përveç punës së përditshme në fermën shkollore. Ferma përdorej nga specialistët amerikanë për formimin profesional të nxënësve dhe për të ndihmuar ekonominë shqiptare me kuadro të përgatitur (Pano, Gjika, 2020:177).
Specialiteti i zooteknisë zinte një vend gjithnjë e më të rëndësishëm. Puna kryesore zhvillohej në stallat moderne të tipit amerikan, të ndërtuara me moton: “Më e mira dhe më e bukura në Shqipëri”, me qëllim shtimin e pasurisë blegtorale e bujqësore të vendit (Pano, Gjika, 2020:177).
Në vitin 1938, Instituti dispononte 300 ha tokë. Përveç drithërave, kishte 10 ha jonxhë dhe tërfil për ushqim bagëtish. Në fermë mbaheshin 33 krerë lopë, dema dhe viça të racave Jersey dhe Guernsey, 575 bagëti të imta, 200 pula të racës livorneze dhe kafshë të tjera bujqësore. Një pjesë e mirë e produkteve bujqësore dhe blegtorale për konsumin e shkollës sigurohej nga prodhimi i vetë fermës.
Dega femërore ofronte mësim në: gjuhën shqipe, anglisht, histori, gjeografi, matematikë, shëndetësi, shkenca natyrore dhe lëndë shtëpiake si: qepje, larje, mirëmbajtje të shtëpisë, gatim, rritje foshnjash dhe përkujdesje ndaj të sëmurëve. Përveç punimeve me dorë, mësohej edhe punimi me vegjë dhe përpunimi i pambukut, leshit dhe mëndafshit, të prodhuara në fermën e shkollës.
Qëllimi i degës së bujqësisë ishte të formonte administratorë dhe specialistë të rinj, të aftë për tregun e punës në sektorë si mekanika bujqësore, kontabiliteti dhe zanatet bujqësore. Shkolla kishte një vendndodhje të zgjedhur me kujdes, që të tërhiqte nxënës nga zona të gjera si Myzeqeja dhe Durrësi (Pano, Gjika, 2020:176).
Përmes teknikave të avancuara në bujqësi dhe blegtori, synohej të tregohej përparësia e fermerit të kualifikuar ndaj bujkut tradicional. Shkolla përgatiste teknikë bujqësorë të mirëtrajnuar. Në degën e djemve pranoheshin nxënës me shëndet të plotë, që kishin mbushur moshën 14 vjeç dhe kishin mbaruar arsimin fillor. Pranimi bëhej me çertifikatë shëndetësore dhe dëftesë të arsimit fillor (AQSH, f.195, Viti 1933, D.73.f.9).
Viti shkollor fillonte të hënën e parë pas datës 15 janar dhe përfundonte të shtunën e fundit para datës 15 dhjetor. Përveç festave zyrtare, pushimet përfshinin një muaj në dimër, 10 ditë në pranverë dhe një javë në vjeshtë. Në përfundim të kursit, nxënësit merrnin një dëftesë provizore, e cila zëvendësohej me një dëftesë përfundimtare vetëm pasi vërtetohej zotësia për të ushtruar profesionin (Dervishi, 2021:59).
Dega për vajza e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës kishte si synim përgatitjen e mësueseve dhe amvisave të arsimuara, të afta për t’u përshtatur me një shoqëri shqiptare në proces modernizimi. Vajzat mësonin vlera të rëndësishme, si përkushtimi për t’u shërbyer të tjerëve dhe formimi i një karakteri të fortë. Në këtë degë pranoheshin vajza që kishin mbushur moshën 11 vjeç (Lita, 2004: 119).
Shkolla normale për vajza funksionoi me mësuese kryesisht të huaja, të përgatitura në shkolla pedagogjike amerikane, të cilat zhvilluan një punë të strukturuar dhe serioze. Edhe pse personeli ndërrohej shpesh, disa prej mësueseve më të qëndrueshme ishin: Merverette Smith, Anne Irvin, Busta Mai Taylor dhe Margaret Ewans.
Më vonë, personelit mësimor iu bashkua edhe stafi shqiptar, fillimisht me Sadije Bogdon dhe Angje Qerraxhinë, të pasuara nga Vrisidha Pepo, Bediha Asllani, Afërdita Asllani, Shpresa Hamzarai dhe Marie Çelo (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490). Përveç mësuesve, shkolla kishte edhe 25 punonjës shërbimi, përfshirë mjek, infermier dhe specialistë të fushave të ndryshme të bujqësisë dhe blegtorisë (Dervishi, 2021: 59).
Deri në vitin 1933, dega femërore funksionoi si një institucion pesëvjeçar pedagogjik, me programe të hartuara në SHBA dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit. Nga viti 1934 deri në 1937, ajo u kthye në një shkollë dyvjeçare, që përgatiste vajza për punë në ekonomi shtëpiake dhe bujqësi. Megjithatë, edhe ato që përfunduan programin dyvjeçar dolën të afta për profesionin e mësueses, falë formimit cilësor që morën në shkollë (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490).
Në dy vitet e para të funksionimit, shkolla drejtohej nga Telford Erikson, me zëvendësdrejtor amerikanin David McConnell dhe mësues të bujqësisë si Dr. Swoppe dhe Dr. Harold Freeman-Button. Gjatë vitit shkollor 1927–1928, drejtimin e shkollës e mori agronomi i specializuar në hortikulturë, Dr. Kenneth Reeves, ndërsa Dr. Burch Schneider ishte mësues i zooteknikës dhe veterinarisë. Nga viti 1927, Reeves shërbeu si drejtor, ndërsa nëndrejtor ishte Arthur R. Dalamarter – të dy me përgatitje të lartë në bujqësi. Ndërkohë, mësim jepte edhe Dr. Elliot J. Taylor, i specializuar në zooteknikë.
Në vitin 1931, drejtori Reeves u zëvendësua nga Dr. Joseph Beach Bangor, i cili kishte përvojë 14-vjeçare në Armeni dhe Siri, dhe qëndroi në krye të shkollës deri në fund të vitit shkollor 1933–1934. Në tetor të vitit 1934, drejtimin e institutit e mori Dr. Ralf H. Alleen, i cili shërbeu për katër vite shkollore. Gjatë kësaj periudhe, në shkollë dhanë mësim edhe Dr. Merrill Knapp dhe Jones McLean.
Në degën e bujqësisë, gjatë një periudhe 14-vjeçare, u diplomuan 177 agronomë të mesëm. Prej tyre, 65 u punësuan si agjentë bujqësorë në administratën lokale, 48 u angazhuan në administrimin e tokave të tyre, 19 u bënë mësues, dhe 21 vijuan studimet e larta në universitete të Evropës dhe SHBA-ve. Ndërkohë, nga dega normale për vajza, deri në vitin 1930, kishin dalë 90 mësuese të diplomuara (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490).
Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës, me staf të kualifikuar amerikan, dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezit të parë të teknikëve bujqësorë dhe të mësueseve shqiptare të përgatitura profesionalisht, të cilat punuan me përkushtim për zhvillimin dhe modernizimin e vendit.