![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/01/411418128_754393423395849_7572784250225924668_n.jpg)
Prof.Asoc.Dr. Pashk Lekaj, “Mësues i Merituar”, ish- drejtues arsimi në rreth.
Puka ndodhet në qendër të veriut Shqipërisë, ndërsa Iballja është në pjesën verilindore të saj, në një rrafshnaltë 850 m mbi nivelin e detit, e rrethuar me pyje dhe e banuar nga dy besime fetare, katolik e mysliman. Të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ka qenë e banuar që në lashtësi.
Iballja ishte rrugë kalimi nga Shkodra për në Gjakovë.
Popullsia e saj është dalluar si punëtore, bujare, mikpritëse, por edhe për një histori të pasur qendrese e trimerie në shekuj, kundër pushtuesve turq. Pjetër Bogadani thotë se 100 iballas venë përpara 1000 turq të Vuçi Pashës së Bosnjës (Çeta e Profeteve)…
Malsorët e këtyre zonave të dalluar për trimëri e bujari, por që nuk iu ka munguar dëshira për arsimim. Faktet historike tregojnë se në kisha e xhami, jepeshin mësime shqip fshehtas, mbasi nga turqia ishte e ndaluar mësimi i gjuhës shqipe.
Personalite të arsimuar ka patur ky fshat. Me origjinë nga zona e Iballes kanë qenë vëllëzrit Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda, Arqipeshkvi i Sapës, Shtjefen Gjeçovi, nga Kryeziu etj. Kanë qenë këto rilindas që mirëpritën kërkesën e patriotëve vendas: Frrok Pemati, Vocerr Prela, Kol Nik Alia, Palush Pjetra. Ata siguruan mbështetjen nga Konsullata Austrohungareze në Shkodër, mbasi Porta e Lartë Osmane ia kishte njohur të drejtën e hapjes së shkollave kësaj Perandorie në Ballkan, që të hapnin shkollën e parë shqipe në veri, në vitin 1903 në Iballe. Këta patriot vendas morën përsipër dhe me fondet e veta ngritën një ndërtesë të bukur, dy katëshe me 8 dhoma.
Mësues i parë ishte Kolë Zezaj i arsimuar në Bosnjë për prift, por nuk e vazhdoi profesionin, që dinte disa gjuhë të huaja edhe ky me origjinë nga Puka. Ai erdhi në këmbë nga Shkodra së bashku më bashkshortën e cila u mahnit nga bukuria e zonës.
- Shkolla shqipe në Iballë para çlirimit të vendit
Shkolla që u hap në Iballe në tetor 1903 me 20 nxënës, mashkuj dhe femra, të besimeve, katolikë e myslimanë. Nga tetori 1903 deri në vitin 1907 nxënësit mësuan shkrim dhe këndim, duke qenë brezi i parë i fëmijëve të Iballes që filluan të shkruanin shqip. Disa qarqe të administrates turke që ishin kundër shkollës shqipe, por edhe për të futur në grindje në mes besimeve fetare e dogjën kështu qw shkolla u mbyll. Bashkëjetesa fetare nuk u cenua në saje të bisedimeve që u zhvilluan nga krerët e fiseve.
Gjatë viteve 1915-1917 shkolla vazhdoi me ndërprerje tek kisha e Iballës. Shkolla e Iballes u rihap në vitin 1918, ku dha mësim, për herë të parë një vendas, Kol Bib Miraka, në një dhomë të shtëpisë tij, ish nxënës i Kol Zezaj.
Në vitin 1922 Iballja me popullsi 357 banorë, kishte në shkollë 49 nxënës. Në vitin 1926 në Iballe kishte 40 nxënës. Në vitet 1925-1933, si mësues kanë shërbyer priftërinj të ndryshëm që kanë dhënë mësim, jo rregullisht, në banesën e famulltarit .
Nga kërkesat e vazhdueshme të Iballasve, në vitin 1934, qeveria e Zogut rihapi shkollën dhe dërgoi mësuesin Lin Çurçia, me arsim të mesëm pedagogjik. Fshatari Mark Marashi i lëshoi një dhomë për mësim. Në shkollë vazhdonin 55 nxënës nga të cilët 9 ishin femra.
Në vitin 1936 u ndërtua godina e re e shkollës e cila u ngrit edhe me ndihmën materiale të popullit të Iballes. Në kërkesën e komunës Iballe me shkresën nr.105, dt.24.02.1936, që i bën nënprefekturës së Pukës, shënon se kanë vazhduar mësimin gjatë vitit 60 nxënës, me 14 vajza e priten të shtohen edhe 22 të tjerë, prandaj kërkohet të shtohet edhe një mësues tjetër. Në vitin 1937 shkolla kishte të regjistruar 91 nxënës, nga të cilët 14 femra .
Mësuesi Lin Çurçia, në Iballë, nxiti dashurinë për shkollën dhe zgjimin e ndërgjegjës kombëtare. Ai përgatiti një almanak me titull “Pena dhe parmenda”, me hartimet me të bukura, vjersha dhe krijime të nxënësve. Almanaku u pëlqye shumë nga Migjeni. Ai e shumëfishoi dhe ua shpërndau gjithë shkollave të rrethit, i cili si kryemësues i Pukës, porositi që të gjithë të merrnin shembull nga nxënësit e Iballes.
Një mbresë të thellë në popull la festimi i 25-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë edhe në Iballe, organizuar nga mësuesi Lin Çurçia i cili tregon: ”Natën e 28 Nëntorit në Iballë bëmë një dritë të përkohshme, vendosëm në shtylla dhe në pemë pece të lagura me vajguri, i ndezëm duke bërë dritë tërë qendrën e saj. Natën e festës biseda më ishte ngarkuar mua. Fola për vuajtjet e popullit tonë në kohën e Turqisë dhe për ngjarjen e shpalljes së pavarësisë. Nxënësit kishin bërë vetë vjersha e monologje që i kushtoheshin atdheut, gjuhës shqipe, figurave të ndritura të Rilindjes etj. Skeçi “Shqipëtari i vogël” ku tregohej se kur të rritemi do të bëhëmi njerëz të aftë për Shqipërinë, i luajtur nga një nxënës i shkollës, la mbresa të këndshme. Këtë natë të entuziasmuar nga bisedat e shfaqjet e fëmijëve, u falën 11 gjaqe. Sipas zakonit u qit pushkë dhe gjakësorët u përqafuan. Këtu, në Iballë, nuk ishte parë asnjëherë kësi lloj manifestimi“.
Me 1938, për herë të parë, duke ndjekur shëmbullin e shkollës së Pukës edhe në shkollën e Iballes, me nismën e mësuesve, arsimi fillor u bë i plotë me 5 klasë.
Në vitet 1939-1941, megjithëse me ndërprerje, mësimet vazhduan në shkollën e Iballes. Me gjithë vështirësitë e luftës në vitin 1942, në shkollën e Iballes vazhdonin mësimin 44 nxënës.
II. Shkolla e Iballes në vitet 1945-1991
Me 11 mars 1945 u rihap shkolla e Iballes me 92 nxënës që frekuentonin 88, nga të cilët 28- femra, në një lokal të papërshtshëm. Me këtë rast u organizua një mbledhje, ku morën pjesë mbi 500 vetë. Populli ndihmoi në rregullimin e mjedisve të shkollës dhe të ambjenteve përreth saj, ku një gazetë e kohës shkruante se janë bërë mbi 450 orë punë vullnetare, ndërsa nga nxënësit 500 orë pune në kopshtin e shkollës.
Mbas ҫlirimit të vendit, në shkallë kombëtare, duke qenë pjesa më madhe e popullsisë analfabete, u hapën kurse kundër analfabetizimit të cilët vazhduan deri në vitin 1955. Mësuesit e kësaj shkollës luajtën një rol kryesor në kurset kundër analfabetizmit për popullsinë e Iballes. Ata drejtuan 8 kurse që u ngritën për zhdukjen e analfabetizmit.
Aksioni kundër analfabetizmit në Iballe përfundoi në vitin 1954, një vit para afatit. Në Iballe, gjatë gjithë periudhës për zhdukjen e analfabetizmit, u pajisën me dëshmi 250 vetë, nga këta 70% femra. Një punë e mirë u bë, jo vetëm në Iballë, por në tërë fshatrat e zonës. Për këtë zona e Iballes, në vitin 1954, u nderua me flamur, si zona më e mirë në këtë drejtim.
Në vitin 1946, në Iballe, numri nxënësve ishte 115 me 45 femra, të ndara në dy klasa, duke përfshirë 15 nxënës nga Lëvosha (konsiderohej lagje e Iballes) dhe 17 nga Arapi. Në vitin 1948 shkolla Iballe kishte 4 klasë me 152 nxënës, ndërsa në lagjen Lëvoshë dy klasë me nga 20 nxënës. Në këtë vit doli Vendimi nr. 226 i Këshillit të Ministrave që detyronte të gjithë mësuesit pa arsim përkatës të vazhdonin shkollën në profilin pedagogjik me korespondencë. Fillimi i vitit 1948 i gjeti dhe mësuesit më të përgaditur. Për ngritjën e nivelit të tyre ndikoi dërgimi i mësuesve gjatë pushimeve dimërore në kurse kualifikimi. Shkolla e Iballes në vitin 1949 kishte 142 nxënës, në 4 klasa dhe tre mësues.
Përvojen e mirë, Seksioni i Arsimit e përhapte me anë të seminareve, që quheshin “rrethe metodike”, ku mblidheshin mësuesit e zonës. Rrethi i Pukës ishte ndarë në dy zona, me qendra: një në Pukë dhe tjetra në Iballë. Mësuesit mblidheshin në këto rrethe metodike dhe ndaheshin sipas profileve për zhvillimin e seminareve. Ato bëheshin të dielën e parë të çdo muaji. Nga seksioni i arsimit dhe kabineti pedagogjik organizoheshin çdo vit seminare kualifikuese sipas profileve: mësime të hapuara, përgjthësime të përvojes së përparuar etj.
Me 1 mars 1953 në Iballë, në këtë zonë të thellë të rrethit, u hap për herë të parë shkolla 7-
vjeçare. Klasa e V kishte 15 nxënës, nga të cilët 6-ishin femra. Këshu u krijua drejtori shkolle me drejtor të parë Prendush Gjergji, nga Qelza. Në vitin 1955 në klasat V-VII kishte 38 nxënës, nga të cilët 19-femra. Në këtë vit drejtor shkolle ka qenë Beslim Hoxha, nga Puka, ndërsa zëvendësdrejtor Ndue Jak Pjetri, “Mësues i Popullit“, nga Lufi. Kështu filluan të vinin nxënës në 7-vjeçare, jo vetëm nga të gjitha lagjet e Iballes, por edhe nga Lëvosha e Sapaçi.
Nga ana administrative rrethi i Pukës, mbas çlirimit ishte i ndarë në katër loklitete: Pukë, Fushë Arrëz, Gjegjan dhe Iballe. Lokaliteti i Iballes kishte në adminstrim fshatrat nga Arst-Miliskau deri në Berishë të Vogël. Nga një studim i bërë me 1963, gjendja e arsimit, duke u krahasuar me vitin 1944, sipas lokaliteteve , për Iballën rezulton:
Popullsia | Me fillore | 7-vjeçare | Mesëm | Lartë | ||||||||
Nr | Lokaliteti | Viti | Gj | F | Gj | F | Gj | F | Gj | F | Gj | F |
1 | Iballe | 1944 | 3411 | 1443 | 47 | 3 | 1 | – | 3 | – | – | – |
1963 | 4728 | 2027 | 1910 | 811 | 148 | 30 | 20 | 3 | 2 | – |
Hapja e shkolles së mesme të përgjithshme në Pukë në vitin 1963, me konviktin pranë saj, krijoi mundësinë që edhe nga Iballja të vazhdonin, tashmë, shkollën e mesme në rreth. Në konvikt pranoheshin nxënësit që kishin mbaruar me rezultate të larta shkollë 7-vjeçare. Shumë nxënës nga Iballja patën rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme Pukë.
Deri në vitin 1966, në disa rrethe malore të vendit, shkollat fillonin mësimin me 1 mars, bënin pushime verore dhe mbaronin mësimin në nëntor. Në vitin 1967, të gjitha shkollat verore u kthyen në dimrore, pra u unifikua në shkallë kombëtare fillimi e mbarimi i mësimit: shtator-qershor. Në këtë viti mësimi filloi me 1 mars dhe mbaroi me 15 gusht, për të filluar me 1 shtator, vitin e ri mësimor. Kështu të gjitha klasat përfituan një vit mësimor.
Në vitin 1965 mbyllet cikli 7-vjeçar. Në vitin 1967 është e para klasa e tetë, që shënon ciklin e parë 8-vjeçar. Arsimi i mesëm ishte përseri katër vite. Ndërkohë ishte hapur edhe cikli i lartë me korespondencë.
Numri i nxënësve sipas planit të dërguar të vitit shkollor 1968-1969 ishte:
Me shkëputje | Pa shkëputje | Mësues | ||||
Nr | Shkolla | Cikli i ultë | Cikli i lartë | Cikli i ultë | Cikli i lartë | |
1 | Iballe | 118 | 92 | – | 19 | 10 |
Me rastin e 30 vjetorit të çlirmit, në vitin 1974 u organizuan mitigje, ku në fjalimet e mbajtura u përmendën rezultatet e arritura edhe në arsim. Në një të tillë thuhej se kanë mbaruar në Iballe 7-8-vjeçaren afër 400 nxënës, me e pa shkëputje nga puna. Iballja si zonë, kishte mbi 80 kuadro me arsim të mesëm e të lartë. Në përgatitje kishte në të mesmen 32, ndërsa në të lartën 7.
Në vitin 1975 në Iballe, pranë shkollës 8-vjeçare u hap shkolla bujqësore e mbrëmjes dhe me korrespondencë. Shkolla e mesme bujqësore, me shkëputje nga puna, u hap në vitin 1976. Numri i nxënësve në këtë shkollë ishte: 1978-1979, 18 nxënës , 1979-1980, 34 nxënës, 1980-1981, 41-nxënës, që vinin edhe nga fshatrat përreth Iballes, Sapaç, Lëvoshë, deri nga Shopel, Berishë, Bugjon etj.
Në shkallë rrethi, pas vitit 1976, filloi lëvizja për shtimin e bazës materiale në shkolla me moton: “Çdo klasë të kthehet në laborator dhe çdo mësues të jetë një eksperimentues”. Në këtë drejtim shkolla e Iballes u bë model jo vetëm për zonën, por edhe për rrethin. Ajo u pajis me mjete mësimore dhe me laboratore fizike, kimie, biologjie, agronomie e zooteknie ku shumë prej tyre u ndërtuan nga mësuesit e shkollës. Kishte bazë prodhuese, ku kultivoheshin bimë të zonës, por edhe bëheshin eksperimente, me qëllim përmirësimin e farave të drithërave të zonës. Kishte edhe kabinet të punës me dru e metal etj. Lidhja e shkollës me praktikën dhe e mësuesve me jetën e fshatarëve ishte një drejtim i rëndësishëm i edukimit të përgjithshëm shoqëror. Mësuesit kishin për detyrë që krahas mësimdhënies do të merreshin edhe me veprimtari shoqërore e edukuese me fshatarët.
Në vitet ʼ80 rrethi mori një zhvillim të madh ekonomik si rezultat i pasurive të mëdha nëntoksore e mbitoksore, duke zënë edhe vendin e parë në Republikë, si në pyje miniera etj. Gjithashtu edhe arsimi në rreth, krahas sektorëve të tjerë, mori një zgjerim të madh për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë.
Në këtë shkollë kanë ardhë në vite shumë mësues nga disa qytete të Shqipërisë. Më shumë
mësues kanë qenë nga Shkodra, por edhe nga Tirana, Vlora, Lushnja, Fieri, Gjirokastra, Korça, që të gjithë me shkollë të lartë, sipas profileve dhe me përgatitje profesionale që ndikuan në rritjen cilësore të mësimdhënies e mësimnxënies që u vlersuan edhe mbasi u larguan. Këtu ka dhënë mësim Ilia Mikerezi, në lëndën e kimi-biologjisë, që u emërua pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe mori gradën shkencore “Doktor” dhe titullin Akademik, “Profesor”; Gjyher Cani, mësues i gjuhë-letersisë, punoi edhe si inspektor arsimi, merrej me etnografi dhe kur u transferua në Shkodër, mori titullin Doktor i Shkencave; Ilir Burhani, që jepte lëndët shoqërore, u emërua pedagog në Universitetin e Shkodrës e mori gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Tomorr Bido, mësues fizike, nga Korça, me gjithë familjen në Iballe, drejtoi për disa vite me kompetencë profesionale shkollën e Iballes në vitet ‘80-të.
Drejtor shkolle të tjerë deri në vitin ‘91, në këtë shkollë kanë qenë edhe Xh.Meçi (Mjeshtër i Madh), E.Gjylbegu, N.D.efi, U.Rexhepi, M.Prela, B.Doda.
Të gjithë ata që mbaronin shkollat e mesme dhe të larta, nga rrethi në tërësi dhe Iballja në veçanti, përgatiteshin të shërbenin si specialist në sektor të arsimit dhe të ekonomisë, vetëm brenda rrethit të Pukës, duke përjashtuar oficerët. Ky rregull dhe “ligj” i pashkruar synonte të plotësohej Puka me kuadro vendas, për të zëvendësuar ata që vitin nga rrethet e tjera dhe që të mos leviznin familjet nga fshati. Të ishe nga Iballja dhe të punoje në qytetin e Pukës, e të bëhej pasaportizimi aty ishte e pamundur, ndërsa në Fushë-Arrëz, vetëm për raste të veҫanta.
Një ngjarje e veçantë për shkollën e Iballes ishte ndërtimi i godinës së re dykatëshe në vitin 1984. Në vitin 1989 u hap edhe dega zootekni me numër të pakët nxënësish.
Në vitin shkollor 1988-1989, në këtë shkollë kishte 750 nxënës në 8-vjeçare dhe të mesmen, me dy degët e saj: agronomi e zooteknikë. Në këtë vit shkollor jepnin mësim 35 mësues.
Deri në vitin 1988 kanë mbaruar 278 nxënës degën e agronomisë me e pa shkëputje nga puna. Shkolla kishte kishte laboratore, kabinete për lëndë të ndryshme, bibliotekë, kënd sportiv, muzeum dhe parcela eksperimentale bujqësore.
Për tërheqjen e më shumë nxënësve nga zona në shkollën e mesme u hap konvikti në një godinë të bukur të ndërtuar pranë shkollës, në vitin 1989, i cili funksionoi deri në vitin 1995, me deri 32 konviktorë. Dega e zooteknikës me degën e agronominë u mbyllën në vitin 1994.
Shkolla e Iballes ishte dhe qendra ku zhvilloheshin veprimtari artistike për gjithë zonën dhe zinte vende të para në saj të punës me pasion të përgjegjesit të shtëpisë kulturës Ton Smaili dhe mësuesit të muzikës Lin Gjni.
Terreni sportiv i ndërtuar nga mësuesit e shkollës ishte model për gjithë rrethin. Shkolla mori vlerësime të larta për këtë terren sportiv, nga ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, që kontrolloi rrethin në vitin 1989. Gjithashtu u vlerësua puna e mësuesit të fizkulturës Ndue Mirashi.
Mësuesit e Iballes ishin një shembull i mirë për gjithë rrethin. Nga ata u grumbulluan fjalë e shprehje të rralla, në kuadrin e aksionit kombëtar, këngë popullore dhe u hartua historiku i disa fshatrave. Shkolla e Iballes, për punë të veçantë në përhapjen e arsimit dhe arsimimin e nxënësve jo
vetëm të fshatit, por edhe të zones, është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Repiblikës së Shqipërisë.
Më 1967 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të III”, me motivacionin „Është një nga shkollat që ka dhënë kontribut të vlefshëm për përhapjen e arsimit“. Më 1974 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të II”.
- Shkolla e Iballes në vitet 1991-2023
Pas vitit 1991, në shkollën e mesme Iballe u hap dega gjimnaz dhe dega bujqësore u mbyll në vitin 1994, me mbarimin e ciklit dhe maturës së saj të fundit, mbasi u shpërbënë kooperativat bujqësore. Disa ndërmarrje shtetërore u mbyllën. Migrime dhe emigrime të popullsisë, edhe të këtij fshati, sollën zvogëlimin e numrit të nxënësve në vite që vazhdonin shkollën.
Në vitin 1995 shkolla u rikonstruktua tërësisht me fonde të Bankës Botërore, duke u pajisur me
mobilje të reja të gjitha klasat.
Duke krahasuar popullsinë e fshatit të Iballes nga 1991 deri 1997 vërehet rënja nga viti në vit. Në vitin 1997 kishte 1542 banorë, ku brenda një viti ishin larguar 9.24%. Numri i nxënësve në 8-vjeçare ulet në 12 %, ndërsa për arsimin e mesëm të përgjithshëm vazhdon të ketë interes.
Shkolla Iballe | 1991 | 1992 | 1993 | 1994 | 1995 | 1996 | 1997 |
1.Arsimi 8-vjeçar | 349 | 295 | 282 | 267 | 251 | 244 | 214 |
2.Arsimi i mesëm | 116 | 125 | 130 | 107 | 101 | 101 | 104 |
Gjithsej | 465 | 420 | 412 | 374 | 352 | 345 | 318 |
Shkolla e mesme e përgjithshme mbyllet në vitin shkollor 2018-2019, mbasi bien numri i nxënësve. Arsimi, tashmë 9-vjeçar, ka pasur këtë ecuri në këto vitet e fundit.
Shkolla Iballe | 2012 | 2013 | 2014 | 2015 | 2016 | 2017 | 2018 | 2019 | 2021 | 2022 | 2023 |
1.Arsimi 9-vjeçar | 124 | 109 | 84 | 69 | 61 | 58 | 53 | 45 | 41 | 35 | 27 |
2.Arsimi i mesëm | 52 | 49 | 48 | 57 | 34 | 28 | 16 |
Aktualisht japin mësim në këtë shkollë 8 mësues, prej të cilëve 4 femra, që janë të gjithë nga Iballja. Gjithashtu jep mësim dhe një mësuese me nxënës që kanë zhvillim të vonuar.
Në përfundim, nga të dhënat e grumbulluara nga ish-mësues, shenojmë se në shkollën e Iballes nga viti 1903 kanë dhënë mësim 256 mësues, nga të cilët 79 femra. Nga këta: janë nga Iballja 83 mësues (32.4%), ish-nxënës të kësaj shkolle, femra 47 nga të cilat 20 prej tyre të martuar në Iballe. Me banim jashtë rrethit kanë dhënë mësim 67 mësues nga të cilët 9 femra. Drejtor shkolle kanë qenë 14, nga të cilët vetëm një me banim jashtë rrethit dhe tre nga Iballja.
Pas vitit 1991 demokracia dha mundësinë e lëvizjes së lirë edhe të kuadrove e specialistëve të Iballes. Familje të tëra kanë gjithë fëmijët me arsim të lartë. Nxënës të shkollës Iballe që mbaruan shkollat e larta u bënë mësues e drejtues shkollash brenda rrethit të Pukës por edhe në rrethe të tjera, duke qenë të suksesshëm. Disa nxënës të kësaj shkolle, ish- mësues nga Iballja, morën gradën shkencore “Doktor i Shkencave”, si Vitor Maluta, Sokol Bajraktari, etj. u bënë pedagog në Universitete të Tiranës e deri në New Jersey në SHBA, dr. Esmeralda Vata.
Janë me dhjetra ish nxënës të Iballes, që u bënë specialistë të fushave të ndryshme të ekonomisë, mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë që kanë drejtuar e drejtojnë institucione, ndërmarrje dhe sektorë brenda e jashtë rrethit, me rëndësi kombëtare, që u zgjodhën në organet e pushtetit vendor, deri deputetë si Fran Pjetri, Ludovik Hasani u bënë biznesmenë shumë të suksesshëm.
IV.. Mbi festen 120 vjetorit të hapjes së shkollës së Iballe.
Me iniciativën e intelektualve, biznesmenve të fshatit ku si drejtues e sponsorizues kryesor ishte Dede Maluta, u organizua një festë shumë e bukur në Iballe, në përkujtim të këtij pervejtori të lavdishëm.
Mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Prof. Bajram Bega, deputeti, ish kryeministri i Kosovës Ramush Hajradinaj, i cili e pohoi poublikisht se e kishte origjinën nga ky fshat, kryetari i bashkisë Fushë Arrëz, Hilë Curri etj. Morën pjesë, historian, arkeolog, specialist të fushave të ndryshme, ish mësues, nxënës specialist vendas e të fshatrave përreth dhe qindra banorë nga e gjithë zona.
U organizua një sesion shkencore me nivel të lartë, u inagurua muzeu i ri i shkollës, i bukur dhe i pasur me dokumenta, u organzua panair i prodhime bujqësore të vendit si dhe u zhvillua një koncert me pjesëmarrjen r artistvre me emër, nga Shqipëria e Kososva. Shkollës iu dha emri “Frrok Pemati”, e u vendos bust i tij në hyrje të saj.
Kjo festë mendojmë se tregoi që Iballja do të mbetet gjithmonë e banuar, nisur burimet natyrore, arkeologjike, mundësitë e shtimit të bimëve me rendiment të e lartë e me vlera kombëtare e më gjërë, nga interesimi që po bëjnë disa biznesmen vendas, që nuk harrojnë vendlindjen, duke investuar këtu, si një hotel-restorant modern, nga Lazer Mhilli e të tjerë që shpresojmë të shtohen, apo kontribuar së bashku, për të organizuar veprimtari të rëndësishme në bazë zone, me mikpritjen e veçantë të banorve, Iballja do jetë plotë vizitor gjithëvjetor, vendas e të huaj.
Shkolla 9-vjeçare, trashgimtare e kësaj tradite të çmuar, gjithmonë do shërbejë si një rreze drite e cila shpërdan dituri, që fëmijët e Iballasve edhe në të ardhmen, do të jenë specialist në disa fusha me vlera kombëtare e ndërkombëtare.
Referenca:
- “Shkolla pionere në Shqipërinë e Veriut”. Revista Pedagogjike, nr.4, 1976.
- Sabah Sinani, Historiku i Arsimit të rrethtit Pukë, 1989.
- Jaho Brahaj. Buletini “85-vjetori i shkollës Iballe”, 1988.
- Shkresa nr.105, dt.24.02.1936.
- Përgjigjja shkresën nr.105, dt.24.02.1936
- Muzeu i Shkodrës, Fondi Migjeni.
- Buletini “Puka dhe shkolla”,1974.
- Arkiva e shkollës Iballe (regjistrat e nxënësve në vite dhe statistikat).
- Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit,1985
- Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit, 1989
- Pashk Lekaj. Zhvillimi i arsimit parauniversitar e prognoza e tij, gjendja e infrastrukturës shkollore dhe nevojat e saj, në rrethin e Pukës.1998.
- Ing.Kol Deda, „Iballa vatër e dijes dhe atdhedashurisë“, kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023,
- Gjelosh Nikolla, „Kontributi i Rilinadasve Lazër dhe Ndre Mjeda ne hapjen e shkollës Iballe“, kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023.