Arian Bajraktari drejtues i shkollës “Faik Konica” në Namur, Belgjikë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Belgjikë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Arian Bajraktarin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SHKOLLËN “FAIK KONICA” BELGJIKË
Së pari dua t’ju falenderoj për mundësinë që më dhatë të prezantohem dhe të shprehem për aktivitetet tona përpara lexuesit të Gazetës Dielli në New York, e nëpërmjet saj dhe bashkëatdhetarëve tanë në USA, të cilët i admiroj dhe i dua për atdhedashurinë, patriotizmin e potencialin që manifestojnë. Shkolla plotësuese shqipe ‟ Faik Konica ” është relativisht e re. Ajo sivjet feston 5 vjetorin e krijimit të saj. E strukturuar në Shoqatën ’’Nënë Tereza’’ Namur, Belgjikë, me President z. Adnan Rexhepi, ajo ushtron mësimdhënien e gjuhës shqipe, historisë, nocioneve të përgjithshme gjeografike si dhe artin e folklorin mbarë shqiptar. Mësimi zhvillohet në ambientet e shkollës shtetërore çdo të shtunë, me kohëzgjatje prej 4 orësh. Ajo sot siguron mësimdhënien nga mësues të diplomuar në mësuesi, sipas lëndëve përkatëse. Përmban tri nivele, në tre klasa të ndryshme, ku nxënësit i nënshtrohen sistemit të notës mbi bazën e njohurive të përfituara. Pa përjashtim të gjithë janë të amzuar në librin e Amzës, dhe të rregjistruar periodikisht sipas frekuentimit, dhe të gjithë çertifikohen sipas aftësisë në mënyrën më korrekte të mundshme.
BELGËT DUAN TË MËSOJNË SHQIP
Risia që ka shkolla jonë është se që nga viti i kaluar, është pionere në Belgjikë dhe ka të hapur edhe një kurs intensiv për të rriturit mbi 16 vjeç, ku 40% e tyre janë studentë Belg të origjinës. Pra mësimi i gjuhës shqipe ka hapur një interes të lartë dhe kur është për tu mësuar edhe nga jo shqiptarët, të cilët shquhen për evoluimin e tyre të shpejtë. Sot në vitin e dytë të mësimit, edhe pse në kushte jo komode të organizimit nga kriza sanitare Covid, arrijnë të shkruajnë e flasin mjaft mirë gjuhën tonë të dashur. Mësimi aktual i gjuhës shqipe në shkollën tonë, mund të themi me plot gojën, se është e vendosur mbi baza pedagogjike dhe profesionale. Më lejoni ju lutem që me këtë rast të falenderoj gjithë stafin e shkollës sonë, të palodhurit, të motivuarit Aida Kadare, Anila Celami, Gentiana Aziri, Muhamet Bektashi, Elsa Haskurti, sekretaren Syndyze Saraishta, Adnan Rexhepi, dhe unë Arian Bajraktari, ndjehem i previligjuar që drejtoj mbarëvajtjen e shkollës shqipe ‟Faik Konica ”.
QYTETET KU MËSOHET SHQIP, ORGANIZIMI DHE KURRIKULA MËSIMORE
Shkollës së parë shqipe, ja gjejmë gjurmët në qytetin Andenne në vitin 56, me arritjen e parë të kolonive masive shqiptare, larguar nga diktatura komuniste në Shqipëri, por nuk e përjashtoj faktin se ka ekzistuar spontanisht edhe më parë diku tjetër. Sot ato janë në disa qytete si Brukseli, Namuri, Genti, Anverpen, Ostende, Liege, Huy, Tongeren etj. Shumë nga ato shkolla shqipe funksionojnë mirë, por mendoj se duhet ende shumë punë për tu strukturuar dhe konsoliduar. Një shembull i mirë i funksionimit të shkollës shqipe është ajo e ‟Vatra” Bruksel, ku kontributi i z. Gjana, Dizdari, znj.Shkodra vlen për tu përshëndetur shumë. Shkolla jonë “Faik Konica” që prej krijimit të saj, funksionon me kurrikulë të njëhsuar me atë në Shqipëri dhe Kosovë, sigurisht e përshtatur me prioritetet tona dhe orët në dispozicion. Në një vizitë që vitin e kaluar Ministri i Diasporës z. Majko me një grup deputetësh e personalitetesh nga Shqipëria, i bëri shkollës sonë, përfituam nga rasti ti përcillnim sugjerimet tona për të arritur një marrëveshje me qeverinë Belge, për implementimin në të gjitha shkollat ku ka frekuentim me nxënës të origjinës shqiptare edhe gjuhën shqipe si gjuhë të dytë për gjithë ato që e dëshirojnë. Ekzistojnë marrëveshje për komunitetet turke, marokene, e spanjolle etj, përse jo me atë shqiptare. Mbase ky projekt kërkon shumë energji dhe këmbëngulje për tu realizuar, sepse nuk patëm vijim të asaj që propozuam, por mendoj se të gjithë së bashku duhet të vendosim presion mbi qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri, që ta ketë si prioritet këtë marrëveshje jo vetëm për Belgjikën, por kudo ku ka nxënës shqiptarë në çdo shtet në botë. Mendoj se do ishte një shërbim mjaft i vlerësueshëm që do i bëhej mos asimilimit gjuhësor dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË BELGJIKË
Absolutisht, mësimi i gjuhës shqipe është shtylla kurrizore e ruajtjes së identitetit kombëtar jo vetëm sot, por edhe në dekadat që do vijnë për brezat e ardhshëm. Është detyrë e gjithë intelektualëve në mërgim, mësuesve, shoqatave, gjithë patriotëve shqiptarë të sensibilizojnë opinionin shqiptar dhe prindërit, që ti ofrojnë fëmijët pranë shkollave shqipe, pranë dijes, pranë atdheut. Shoqata “NënëTereza’’ kontribuon dukshëm edhe me mbajtjen e Simpoziumeve, Konferencave Shkencore dhe Historike, aktiviteteve kulturore, për të mbajtur e ruajtur trashëgiminë tonë kulturore, historike dhe ndërgjegjësuar të rinjtë tanë të lindur në mërgim se kush janë dhe nga vijnë. Mund të përmendim këtu Simpoziumin “Skenderbeu”: Hero kombëtar, një mit Europian’’, mbajtur në Tetor 2018 , që për nga risia e disa dokumenteve të prezantuara për herë të parë në event, hulumtuar në arkivat e Vatikanit nga historiani që i mbijetoi ferrit komunist z. Lek Përvizi, me të drejtë u quajt shkencor. Kjo pati jehonë të madhe në opinionin shqiptar dhe të huaj edhe për faktin se kishte prezencë të madhe të Deputetëve europian, personaliteteve të larta Belge, historianë dhe hulumtues të ndryshëm. Në vitin 2019, u mbajt Konferenca ’’Nënë Tereza mes nesh’’, ku i treguam opinionit mbarë mbi Humanisten më të madhe, Shenjten tonë Anjezë Gonxhe Bojaxhi. Pra një komb i vogël që nxjerr dy figura diametralisht të kundërt por me famë botërore. Gjergj Kastriotin, luftëtar, kalorës i mbrojtës së vlerave të qytetërimit kontinental, dhe Nënë Terezën, simbol të paqes dhe humanizmit mbarë botëror. Albanologu Prof. Dok Ardian Marashi, Historiani Lek Përvizi, Humanistja Sandra Stillman, shkrimtari e hulumtuesi Prof. Dok Stefan Çapaliku, Pellazgologu Prof. Matieu Aref, Prof. Dok Nuri Bexheti, Historiani Safet Kryemadhi, kanë qenë konferencierët tanë që për nga profesionalizmi do i kishte zili Tirana dhe Prishtina, dhe që përmbushën më së miri pritshmërinë e kërkuar. Ndërsa viti 2021, është viti i Dardanisë. Me 28 Nëntor mbahet Konferenca “Adem Jashari : Simbol i qëndresës, frymëzues i lirisë’’ në Teatrin e Namurit, para më shumë se 1000 bashkëatdhetarësh dhe jo vetëm. Duke parë konteksin aktual, prezent në mediokriotetin europian ku po kërkojnë padrejtësisht të kthejnë viktimat në agresorë e anasjelltas, mendojmë se i bëjmë një shërbim të denjë çështjes tonë kombëtare në sensibilizimin e mbarë opinionit ndërkombëtar, për një nga faqet më të lavdishme të UÇK dhe historisë moderne të shtetit të Kosovës.
BELGJIKA, TOKA E MIKRPITJES
Belgjika quhet ndryshe “toka e mirëpritjes’’. Kjo ka inflencuar jo pak dyndjet e emigrantëve të shteteve të ndryshme nga e gjithë bota dhe sot kemi një shoqëri me prezencë multikulturore, multietnike (ndoshta modeli Amerikan në miniaturë), që përjashto disa incidente sporadike, jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Ndaj dhe mësimi i gjuhës shqipe, ka shfaqur si e thashë edhe më lart interes edhe te belgët vetë, prandaj në dijeninë time është mirëpritur kudo, në çdo sferë të shoqërisë. Fakti që ne japim mësim në ambientet e shkollës shtetërore, tregon më së miri hapjen, dispozicionin dhe mirëkuptimin e shtetit belg, ndaj kulturës sonë që quhet një vlerë e shtuar kulturore. Gjithsesi në qarqet intelektuale të shoqërisë belge dhe në ato shoqërore, quhet një vlerë kulturore e shtuar dhe po provokon dhe kërshërinë dhe interesin e shumë studiusëve të gjuhëve indoeuropiane, historianëve, të cilët kanë filluar ta çmojnë dhe ti japin vendin e saj, si një nga gjuhët më të vjetra dhe unike në botë.
ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË BELGJIKË
Nuk kemi një statistikë të saktë se sa është numri i komunitetit shqiptar në Belgjikë, të njohur deri më sot. Supozohet afërsisht 100 mijë, të shpërdarë kryesisht në qytetet e mëdha. Mirëintegrimi i tyre në shoqërinë belge, iniciativa dhe zelli i lartë në punë, i ka kthyer në një faktor në shumë degë të ekonomisë belge, duke e rregulluar mjaft imazhin e rremë të krijuar në fundvitet 90. Sot kemi me qindra e qindra të rinj shqiptar që kanë mbaruar studime prestigjioze në Universitetet e Belgjikës, dhe kanë filluar të inkuadrohen në sferat e larta ekonomike dhe jetën politike belge, dhe shumë nga ato janë zgjedhur në forumet ku kanë aderuar. Mund të them me plot besim se pas disa vitesh, shumë nga të rinjtë tanë do kthehen në faktor kyç në ekonomi, shkencë e politikë. Sfida jonë dhe gjeneratave të ardhshme mbetet, se si gjithë kësaj energjie dhe potenciali intelektual, t’ja kthejmë vëmendjen tek rrënjët e tyre në shërbim dhe të kombit shqiptar.
MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA
Ne krenohemi me Diasporën tonë në USA. Ajo është shumë aktive dhe paraqet një mentalitet të ndryshëm me atë në Evropë. Mbi të gjitha është shumë më patriotike dhe i ka rezistuar më së miri asimilimit duke ruajtur vlerat tona më të mira. Funksionon shumë më e bashkuar, më patriotike dhe ka solidaritet më të fortë. Mbi të gjitha kur fatet e Kombit kanë qenë të kërcënuara ose në rrezik, ka qenë kjo elitë e Diasporës tonë në USA, që ka ndikuar fuqishëm dhe drejtëpërsëdrejti te politika amerikane duke e sensibilizuar problemin shqiptar. Aleanca e krijuar me USA, është rezultat direkt i lobimeve të shumta të Diasporës shqiptare atje. Interesante është se shumë të rinj e të reja tashmë të lindur dhe arsimuar atje, ruajnë më së miri vlerat tona kulturore dhe janë të implikuar në një farë mënyre edhe në vendin amë. Dëshirojmë ta ruajë statusin e promotorit për gjithë Diasporën shqiptare në mbarë botën.
PATRIOTI ARIAN BAJRAKTARI, VEPRIMTARIA E TIJ NË DOBI TË KOMUNITETIT SHQIPTAR DHE VENDLINDJES SË TIJ
Quhem Arian Bajraktari vij nga një prej familjeve me emër patriotik në Malësinë e Madhe. Rrjedh nga trungu i Çun Mulës, Deli e Mul Bajraktarit, Bajraktarëve të Hotit, fakt ky që më ngarkon më së shumti me përgjegjësi mes bashkëmalësorëve të mi liridashës e kreshnikë. Familja jonë vuajti egërsinë e luftës së klasave në periudhën e diktaturës komuniste me burgje dhe internime politike, nga 1945 deri në vitin 1991. Me shumë peripeci që lidheshin me statusin e familjes, arrita të mbaroj shkollën e mesme dhe në vitin 1991 kur u lejua për herë të parë, fitova konkursin për pranim në shkollë të lartë. Jam diplomuar në fakultetin Gjuhë-Letërsi , fakultetin Juridik dhe nga 2006 kam marrë edhe liçensën si avokat, profesion të cilin nuk e ushtroj aktualisht. Përherë ngelem shumë i lidhur me Shqipërinë, dhe kemi arritur të vendosim ura bashkëpunimi mes Komunave në Belgjikë dhe atyre në Shqipëri me projekte konkrete. Një ndihmë serioze e gjitha falas, është konkluduar së bashku me z. Adnan Rexhepi, me dërgimin e mjeteve kundra zjarrit Bashkisë Malësi e Madhe, dy autopompa moderne zjarrëfikëse, ambulancë për spitalin e Koplikut dhe së shpejti një mjet zhbllokimi dhe ndihme të parë në rast aksidenti, duke e kthyer qendrën e MKZ, Malësi e Madhe, në më të mirën aktualisht në Shqipëri. Kemi ndërmjetësuar takime mes biznesit belg dhe pistave të mundëshme të investimeve në Shqipëri, me dëshirën e vetme, të krijojmë vende pune atje, të rikthejmë shpresën e vrarë, dhe të ndalojmë hemoragjinë njerëzore të boshatisjes së vendit. Projekte ambicioze janë në proces dhe presin finalizimin. Shpresojmë që burrokracia e administratës shqiptare dhe fragmentizmi i orientuar ekonomik të marrë fund, në mënyrë që ti hapet rrugë investimeve serioze e progresive. Ndihma të konsoliduara të ngjashme në mjete MKZ dhe hospilatore, janë dërguar në Prishtinë dhe Preshevë, duke ndikuar më së miri në sigurinë qytetare atje. E dua vendin tim dhe do i rri përherë biri i saj shëmbëllyes edhe pse në periudha të ndryshme, pinjoll të mbrapshtë të saj na shpifën, luftuan, plagosën, por kurrë s’na mundën. Rezistuam dhe besoj se patëm të drejtën e Zotit dhe si Hotjanë që jam, besoj edhe te Ora e çuet e saj. Faleminderit z. Sokol Paja për mundësinë që më dhatë para lexuesit në USA dhe më shumë, të prezantoj fragmente të jetës dhe punëve në favor të shqiptarisë kryer me dashuri dhe pasion për kombin tonë nga një segment i Diasporës shqiptare në Belgjikë ku unë aderoj.