![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/261523091_439015797628785_1558144688876327016_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/261591260_320279693261367_3450627162623717646_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/261621129_320720639607237_4588775880493285609_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/261222929_595362331581714_8203949850616373443_n.jpg)
Anila Kadija mësuese e gjuhës shqipe për nivelin e parë të grupmoshës 6-9 vjeç dhe drejtuese artistike, në shkollën shqipe ‟Ardhmëria”, Londër, Angli rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e krijimit të shkollës shqipe në Londër, angazhimin dhe kontributin në shkollën shqipe, kurrikulat mësimore, tekstet, bashkëpunimet dhe aktivitetet, si e pret shoqëria angleze mësimin e gjuhës shqipe, gjuha si formë e identitetit kombëtar shqiptar dhe vështirësitë e sfidat e mësimit online. Me Anila Kadija bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
HISTORIA E KRIJIMIT TË SHKOLLËS SHQIPE “ARDHMËRIA” NË LONDËR, ANGAZHIMI E KONTRIBUTI
Historia e shkollave në Londër, sinqerisht, unë nuk mund ta bëj pasi këtu kam vetëm 6 vite që jam trasferuar por mund të theksoj me bindje që ka një histori prej më shumë se 20 vjetësh emigracioni në UK dhe këtu nuk kanë munguar asnjëherë organizata, shoqata, me shkollat e tyre ndërvite të cilat i kanë dhënë një ndihmesë kolosale komunitetit shqiptar dhe prezantimit dinjitoz shqiptar në Mbretërine e Bashkuar. Mund të citoj Shoqatën Ardhmëria, Mather Tereza, Kosova, Nënë Tereza, Shpresa Program etj. Unë jam një profesioniste e gjuhës shqipe në shumë fusha. Baza është gazetaria, profesion qysh në përfundimin e universitetit, filologjikun e Tiranes, në degën Gjuhë-Letërsi, duke u specializuar edhe në Itali në fushën e shërbimeve sociale. Kam punuar për komunitetin shqiptar qysh në fillimet e mija në emigracion në 1991, kam promovuar dhe vazhdoj të promovoj talente dhe aktivitete kulturore, libra dhe shkrimtar jo vetëm shqiptar por edhe të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë në gjuhën e tyre origjinale, pjesë e Albania Neës dhe Shqiptari i Italisë media shqiptare në Itali, Oltre il Ponte redaksi italiane në Parma, kam bashkëpunuar dhe vazhdoj me mediat shqiptare si Intervista e Tiranës, Shekulli, Dita, Revista Psikologjia, Revista Living, Vizion, Diaspora etj prej më shumë se 35 vitesh duke ju përcjellë pa kursim jehonë shqiptare përtej Adriatikut. Sponsorizoj evente talentesh duke i mbështetuar ekonomikisht dhe profesionalisht ato. Këtu është për t’u përmendur një tejet i bukur që organizohet çdo vit me fëmijet, në Londer dhe quhet XTalent. Nuk kursehem asnjëherë të jem e dobishme në çdo ftesë që më bëhet për të ndihmuar dhe promovuar komunitetin shqiptar në diasporë. Jam pjesë e KKAD-së Këshilli Kordinues i Arsimtarëve në Diasporë ku punohet dhe kontribohet për të mirën e përbashkët në shërbim të gjuhës shqipe dhe sensibilizimin që duhet t’i bëjmë familjeve shqiptare për të dërguar fëmijët në shkollat shqipe kudo qofshin ato nëpër botë. Jo më kot këtë e lashë për të fundit si ëmbëlsira pasi pasioni im dhe eksperienca ime filloi krejt rastësisht në Parma. Në shkollen shqipe të shoqatës Scanderbeg ku mu dha edhe detyra e drejtueses dhe mësuese e asaj shkolle qysh në themelimin e saj në Shtator të 2009. Vullnetarisht vazhdova deri në 2014 në Itali dhe më vone pa shkëputje në Londër me shoqatën Ardhmëria. Kjo eksperience fantastike që u pasurua edhe nga kontaktet e lidhura në seminare të ndryshme me mesues të tjerë në diasporë, më dhuroi një energji të madhe për të punuar dhe për të kërkuar edhe më shumë pasurimin e dije si profesioniste e arsimit. Kam një lidhje të frutshme me NRCSE Qendra e Burimeve Nacionale e Edukimit Plotësues në Londër dhe specifikisht me Creative project, ku shkëmbehet eksperienca internacionale e shumë gjuheve. Jam pjesë e shumë projekteve didaktike artistike të cilat i kam paraqitur dhe janë bërë pjesë e kësaj organizate jo fitimprurëse në shërbim të mësimit të gjuhëve mëmë. Shkolla ku unë jap kontributim tim është një ndër më të mirat në Londër për faktin e kualifikimit të lartë që kanë mësueset e kësaj shkolle, mënyrës së shkëlqyer e cila menaxhohet nga drejtoria dhe stafi organizues, por për të theksuar nga numri shumë i madh i fëmijëve që e frekuentojnë këtë shkollë. Libri im “Ninulla e zemrës” është një përmbledhje e të gjitha këtyre ndjesive dhe emocioneve që pasioni dhe dashuria për gjuhën dhe fëmijët janë bërë prioritet i punës time me diasporën këto 10 vitet e fundit.
KURRIKULAT MËSIMORE, TEKSTET DHE BASHKËPUNIMET
Kurrikula me të cilat punohet janë të lidhura me vite të ndryshme të eksperiencës shkollore. Gjithmonë të orientuar nga Ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me QBD Qendrën e Botimeve për Diasporën. Kemi përdorur Doracaket, Platformën SchoolMe, librat pafund që Qendra e Botimeve për Diasporën na përcjell prej dy vitesh nga Shqipëria në Londër nëpërmjet Ambasadës të Shqipërisë në Londër.
SI PRITET NË LONDËR NGA SHOQËRIA ANGLEZE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Londra është një qytet metropolitan gjigant. Natyra shumëkulturore krijon në mënyrë origjinale mendjen e hapur që njerëzit dhe sistemi shoqëror ka këtu. Ke çdo të drejtë të shfrytëzosh konceptin e kreativitetit dhe të iniciativës. Gjithëkush është i lirë, në kontekstin e rregullave që obligon ky shtet, të krijojë apo vendosë në praktikë një ide të bukur lidhur me shkollën meqënëse pyetja është e tillë. Kemi familje me dy kombësi, shqiptare dhe angleze, ku fëmijët ka raste edhe prindi i cili është anglez vjen të mësojë me shumë entuziazëm dhe dëshirë gjuhën e mrekullueshme shqipe.
GJUHA SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR
Gjuha është kulturë dhe krijon sintoninë më të bukur që njeriu mund të realizojë në raportet humane. Gjuha është nevojë shprehje sentimentale. Gjuha është përçim autenticiteti. Pa gjuhën nuk kemi identitet dhe ne e mbrojmë atë që brezat nëpër diasporë ta kenë të ngrohtë fjalën e gjyshërve dhe jo një gjest duarsh për ta kuptuar me vështiresi. Qëllimi ynë, si mësues, drejtuar fëmijëve, është që ajo t’ju futet thellë në esencën e jetës pa u sforcuar dhe pa e parë si “sakrificë” për kohën që po i kushtojnë një herë në javë në shkollë. Si kënaqësi që nesër do ta konsiderojnë një pasuri të paçmuar.
AKTIVITETET KRYESORE TË ZHVILLUARA DHE PLANET PËR KËTË VIT
Të panumërta! Na pret një aktivitet madhështor të dielën, ditë që përkon me Festën e Flamurit, 28 Nëntorin e shenjtë!
VËSHTIRËSITË DHE SFIDAT E MËSIMIT ONLINE
U punua më shumë se një vit në mësimin online. Kushtet e Covid-19 na obliguan për një zgjidhje të tillë. Por edhe se numri është më i kufizuar në këtë formë mësimdhënie, patëm momente jashtëzakonisht pozitive. U lidhëm edhe më shumë me prindërit duke bërë edhe projekte me ta lidhur me situatën dhe kushtet që të krijojnë stres dhe probleme në pandemi të tilla. Më shumë se asnjëherë kemi bërë projekte artistike për t’i argëtuar dhe mësuar fëmijët. Nga Shtatori kemi filluar në shkollë por klasat online vazhdojnë me ata fëmijë të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të vijnë dot në shkollë dhe kjo ishte edhe një e mirë e eksperimentimit të mësimit online, që më parë nuk bëhej. Jemi gjithmonë vigjilent, situata nuk është ende e qetë, bota nuk e ka kaluar emergjencën covid, ndaj në momentin ku nuk do të mundemi të vazhdojmë në shkollë do të kemi vullnetin e mirë, të gjithë së bashku ta gëzojmë dhe të mësojmë gjuhën në formën online.