Drita Gjongecaj themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në New York, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në New York, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Drita Gjongecajn bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”
Shkolla e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” ushtron aktivitetin e saj në tri zona të NY, në Bronx, në Westchester County dhe në Yorktown Heights. Ajo ka si synim që nëpërmjet ruajtjes së gjuhës, njohjes dhe ruajtjes së traditave të vyera, trashëgimisë kulturore, njohurive rreth gjeografisë, historisë shekullore, etj. të promovojë tek fëmijët dhe të rinjtë atdhedashurinë dhe krenarinë për prejardhjen e tyre. Programi i ka fillimet që nga viti 2014 dhe dy vite më vonë ka marrë zyrtarisht nga shteti i NY statusin e organizatës jofitimprurëse 501(c)3.
Qëllimisht e kemi emërtuar shkollën në Anglisht “Fëmijët e Shqiponjës” duke dashur që nxënësit tanë ta përfaqësojnë dhe përcjellin me krenari këtë symbol të lashtë edhe tek bashkëmoshatarët jo shqiptarë në ambientet ku ata studiojnë, jetojnë, apo në aktivitete të shumta ku ata marrin pjesë.
Ashtu si në programe të ngjashme, fëmijët janë të moshave të ndryshme dhe për më tepër, njohuritë e tyre gjuhësore variojnë edhe brenda së njëjtës grup-moshë, gjë që e vështirëson punën e mësuesit.
Përfitoj nga rasti të theksoj këtu se Children of the Eagle është themeluar nga një grup arsimtarësh profesionistë, të licensuar nga shteti i NY si mësimdhënës apo edhe si drejtues shkollash. Megjithëse ato punojnë me kohë të plotë në Departamentin Shtetëror të Arsimit, me përkushtim, japin nga koha e lirë dhe i shërbejnë komunitetit tonë nëpërmjet programit të Children of the Eagle. Mësueset tona kanë përvojë të gjatë në punën me nxënësit dhe sjellin metodat e duhura shkencore duke adresuar nevojat individuale gjuhësore të cilat ndryshojnë nga një fëmijë te tjetri.
Vëmëndje të vecantë i kushtojmë motivimit të fëmijëve për ta mbajtur gjallë interesin në mësimin e gjuhës. Një nga këto metoda përfshin përdorimin e teknologjisë në forma të ndryshme. Videot, mësimet interaktive, lojërat e deri te vallet e këngët, e sjellin gjuhën në variante të ndryshme dhe krijojnë mundësi bashkëbisedimi ndërmjet fëmijëve. Në njërën nga qendrat tona, në shkollën publike PS/MS 83 në Bronx fëmijët tanë përdorin edhe palestrën dhe sipas preferences luajnë basketball, volleyboll, apo lojëra popullore nëpërmjet të cilave zgjerojnë dhe ushtrojnë fjalorin shqip. Një risi qe kemi sjellë me programin tonë janë ekskursionet, vizitat e nxënësve në qendra të ndryshme në mënyrë që ata t’i shohin ato cka mësojnë në klasë nga një perspektivë tjetër. Mbresa të shumta fëmijët ruajnë nga vizita në selinë e Federatës Panshqiptare Vatra, te Konsullata e Kosovës në New York apo aktiviteti i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare nga nxënës me prejardhje të kombësive të ndryshme në Queens.
KURRIKULA MËSIMORE
Baza e mësimdhënies janë textet e përbashkëta të miratuara nga institucionet arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, të kushtëzuar nga niveli i ndryshëm gjuhësor i nxënësve, mësueset tona përgatisin vetë materiale me bazë të caktuar tematike duke ofruar kështu shumëllojshmëri dhe duke diferencuar mësimdhënien në grupe të vogla edhe brenda të së njëjtës klasë. Kjo e shton ngarkesën e mësuesit dhe kohën e përgatitjes për mësim, ndonjëhere duke shpenzuar edhe nga xhepi i tyre që të sigurojnë një bazë materiale sa më të prekshme për nxënësit.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË NEW YORK
Ndonëse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sot mundësitë janë të shumta për mësimin edhe të më shumë se një gjuhe, përsëri e themi me bindje se shkolla dhe mësimi i drejtpërdrejtë luajnë një rol të pazëvëndësueshëm në përvetesimin dhe ruajtjen e gjuhës. Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në programet tona të diasporës janë më shumë sesa didaktike; ato i shërbejnë cështjes kombëtare të ruajtjes së identitetit. Është e rëndësishme të ritheksohet këtu se përvec mësueseve që me përkushtimin e profesionalizmin e tyre tejkalojnë shumë vështirësi, mbështetja e prindërve dhe e komunitetit është kyce për vazhdimësinë e programit tonë. Ne duam që sa më shumë fëmijë ta ndjekin mësimin formal të gjuhës shqipe në mënyrë që të aftësohen ta flasin, lexojnë dhe shkruajnë atë. Vetëm duke i koordinuar përpjekjet tona, mund të arrijmë suksesin e dëshiruar dhe të formojmë një brez që i njeh rrënjët e veta dhe e ruan identitetin e vet kombëtar.
AMERIKANËT MBËSHTESIN DHE INKURAJOJNË MËSIMIN SHQIP
Në New York dhe të gjithë Amerikën, mësimi dhe ruajtja e gjuhëve jo vetëm mbështetet por edhe inkurajohet. Kjo jo vetëm për ruajtjen e gjuhës së prejardhjes por edhe për faktin se dy-gjuhësia është më shumë se thjesht të folurit e dy gjuhëve. Dy-gjuhësia u ndihmon nxënësve të bashkëjetojnë natyrshëm midis dy kulturave dhe të rrisin potencialin e tyre individual për të konkuruar denjësisht në botën globale.
Përsa u përket organizatave shqiptare, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me një numër të konsiderueshëm të tyre. Një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje kemi gjetur sidomos tek Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave Motrat Qiriazi, Vatra, Albanian Culture TV, etj.
MËSIMDHËNIA PËRMES TEKNOLOGJISË DHE DYGJUHËSIA
Përdorimi i teknologjisë erdhi si domosdoshmëri gjatë kohës së pandemisë. Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” ishte shkolla e vetme që ofroi mësim të plotë online nëpërmjët platformës Google Classroom, platformë që u përdor në të gjitha shkollat publike në NY. Për më tepër, mësuesit tanë të licensuar dhe punësuar në arsimin shtetëror të NY ofruan një seri trainimesh për mësues të shkollave shqipe në disa shtete të Amerikës dhe Evropës, përfshi edhe vendet amë, Shqipëri dhe Kosovë. Edhe tani, mësuesit tanë kanë qasje dhe përdorin Smartboards (tabela te sofistikuara elektronike) dhe pajisje tjera elektronike që e bëjnë mësimnxënien më të prekshme dhe efektive. Një falenderim shkon këtu për Ambasadën Shqiptare në Washington DC dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën që na kanë siguruar versionin electronik të librit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Megjithatë, programet tona kanë edhe vështirësi që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e mbështetjes financiare, me orarin e pamjaftueshem (një herë në javë), apo me konfliktin në kohë me programet sportive.
KUSH ËSHTË DRITA GJONGECAJ?
Zonja Drita Gjongecaj është prej 12 vjetësh z/v drejtore në shkollën publike Theodore Schoenfeld, në Bronx, NY. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi.
Pas ardhjes në Amerikë, ka kompletuar masterin a saj të parë shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages– TESOL). Më pas ajo përfundoi studimet pas-universitare në kolegjin mjaft prestigjioz në lëmin e arsimit, Bank Street College of Education si drejtuese metodike në fushën dygjuhësore dhe anglishtja si gjuhë e dytë (Bilingual and ESL Teacher Leadership Academy). Më tej, ajo ka kompletuar gjithashtu Masterin Arsimor dhe është liçensuar në Drejtim/Administrim shkolle në shtetin e New Yorkut.
Znj. Gjongecaj është themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”. Gjithashtu është themeluese dhe kryetare e organizatës së dy gjuhëve dhe kulturave paralele shqiptaro-amerikane (The Association of Albanian American Dual Language and Culture [AADLC]). Prej 6 vjetësh kjo organizatë mban seminarin shkencor-arsimor “Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Amtare në Shkollat e Diasporës” me shtrirje në disa shtete të Amerikës dhe Evropës. Një përmbledhje e prezantimeve të tri seminareve të para është botuar në librin me të njëjtin titull. Libri i vjen në ndihmë jo vetëm mēsuesve por dhe prindërve që punojnë me fëmijët për ruajtjen e gjuhës sonë. Librin mund ta gjeni në Amazon dhe Barnes and Noble (ISBN: 978-1-7371943-0-9).