

Mësuese Fabjola Gjinaj/
Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York filloi vitin shkollor 2025-2026. Sot ishte dita e parë e shkollës për nxënësit e kësaj shkolle. Bashkëthemeluesit e njëkohësish edhe drejtues të shkollës shqipe, dr. Paulin Marku dhe mësuese Fabjola Gjinaj mirëpriten prindërit e nxënësit e kësaj shkolle. Fillimisht ju uruan mirëseardhjen nxënësve dhe shkëmbyen urime për vitin e ri shkollor. Nxënësit dhe prindërit ishin entuziast për fillimin e mësimit në gjuhën shqipe. Ata shprehen dëshirën për t’u rikthyer në shkollën shqipe dhe mezi prisnin fillimin e vitit të ri shkollor. Dëshira dhe interesi i tyre për të mësuar shqip është motivim i fortë që kjo nismë atdhetare të ketë udhën e gjatë në ruajtjen e gjuhës amtare shqiptare në diasporë.
Vlen të përmendet se qëllimi i shkollës “Gjergj Fishta” është ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës, historisë dhe vlerave kulturore shqiptare dhe synon të bashkojë komunitetin shqiptar në Long Island, New York dhe më gjerë. Gjithashtu, është kënaqësi dhe detyrim kombëtar edhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle që të japin kontributin e tyre në komunitetin shqiptar në mërgatë. Shkolla shqipe në bashkëpunim me “Vatrën” Long Island ju jep mundësinë edhe nxënësve të rinj që të regjistrohen pranë kësaj shkolle dhe të marrin pjesë në mësim FALAS çdo ditë të shtunë.
Projekti i shkollës shqipe është afatgjatë dhe synon që të rris numrin e nxënësve që kjo traditë të vijojë për brezat e ardhshëm në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave atdhetare kombëtare shqiptare. Pjesë e programit të shkollës, krahas mësimit të gjuhës, historisë, gjeografisë dhe traditës shqiptare, rëndësi i kushtohet edhe këngëve e valleve tradicionale shqiptare për të gjithë nxënësit e kësaj shkolle. Ftojmë bashkatdhetarët tanë që të sjellin fëmijët e tyre për të mësuar shqip. Mësimi zhvillohet falas çdo ditë të shtunë në “Parish Center”, ora 10.00 am-1.00pm në adresën: 134 Middle Country Rd, Coram, New York 11727.
Shkolla “Gjergj Fishta” ka hapur aplikimet edhe për mësimdhënës/e të kualifikuar me arsim përkatës që t’i bashkohen misionit tonë në ruajtjen e vlerave e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.
Ju mirëpresim në shkollën “Gjergj Fishta” New York, USA.