Qendresa Brahimi drejtoreshë e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago – USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Çikago, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Qendresa Brahimin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLES “KONGRESI I MANASTIRIT”
Shkolla shqipe në Çikago – USA “Kongresi i Manastirit” u themelua që në fillim të viteve 70-të por kryesisht u forcua në vitin 1990. Vizioni dhe qëllimi i së cilës është që të ndihmojë gjeneratat e reja shqiptare që rriten larg atdheut e sidomos të atyre brezave të lindur në Çikago në kultivimin e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Shkolla shqipe “Kongresi i Manastirit” funksionon në kuadër të objektit të xhamisë (Albanian American Islamic Center) së komunitetit tonë në Çikago e cila nuk kursen asgjë në përkrahjen e zhvillimit të mësimit shqip qoftë financiare, logjistike, spirituale. Në çdo formë dhe mënyrë tjetër me punën e mësuesve dhe bashkëpunimin prindër-nxënës, ne nuk kursehemi në asgjë me qëllim që të mundemi të arrijmë jo vetëm mbarëvajtjen por edhe përmbushjen me sukses të detyrave pranë shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago.
ORGANIZIMI I MËSIMDHËNIES DHE PERSONELI MËSIMOR
Shkolla shqipe në Çikago – USA “Kongresi i Manastirit” është model për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe funskionimin e saj. Duke e pasur parasysh jeten dinamike dhe obligimet e përditshme të bashkatdhetarëve tanë dhe duke pasur parasysh që kemi një komunitet i cili gjeografikisht jeton dhe vepron në vendndodhje të ndryshme në shtetin Ilinois, jam shumë krenare që shumica e tyre gjejnë kohën për mësimin shqip. U shpreh mirënjohje dhe falenderim për sakrificat dhe përkushtimin e prindërve e komunitetit për të mësuar shqip, dhe për të përqafuar kulturën, traditat dhe ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj që lindin e rriten jashtë atdheut. Shkolla shqipe “Kongresi i Manastirit” numëron mbi 100 nxënës prej të të gjitha viseve shqiptare si nga: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova Lindore. Personeli administrativ, akademik dhe mësimor është i përbërë nga një numër simbolik prej meje si drejtoreshë dhe 4 mësuese dhe disa asistentë akademik, shumica e të cilëve punojnë duke përfshirë edhe mua, mbi baza vullnetare. Organigrama e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” është e ndërtuar në këtë mënyrë: Drejtoresha: Qëndresa Brahimi, ndihmëset: Shega Bekteshi, Laura Toska dhe Benka Rizmani. Te Parashkollorët mësuese është Ganimete Sedolli. Te Grupi i parë i nxënësve është mësuese Arta Zeko. Te Grupi i dytë është mësuese Mirela Cicaj, te grupi i tretë dhe i katërt është mësuesja Eligerta Cuka. Gjithçka e bëjmë për atdheun dhe dashurinë e fëmijëve për të mësuar shqip e komunitetit shqiptar për të ruajtur kulturën, traditën dhe identitetin shqiptar në Ilinois. Shkolla shqipe “Kongresi i Manastirit” operon me një orar akademik çdo do të Dielë nga ora 10:30 e mëngjesit deri në 2:30 pasdite. Duke pasur parasysh numrin e kufizuar të pjesëmarrësve, nxenësit i kemi të ndarë në bazë të grupmoshave në disa nivele: niveli i parë në të cilin marrin pjesë moshat prej 4-7 vjeçar, niveli i dytë në të cilin marrin pjesë moshat prej 7-10 vjeçar, niveli i tretë në të cilin marrin pjesë moshat prej 10-12 vjeçar dhe niveli i katërt në të cilin marrin pjesë moshat prej 12-15vjeçar. Lëndët të cilat ligjërohen në kuader të planprogramit tonë përfshijnë: gjuhë dhe letersi shqipe, gjeografi, histori si dhe aktivitete të ndryshme për moshat më të reja parashkollore.
ORGANIZIMET DHE AKTIVITET E SHKOLLËS “KONGRESI I MANASTIRIT”
Në shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit” kemi disa organizime në të cilët studentët tanë marrin pjesë, disa nga këto organizime burojnë nga vetë shkolla, disa iniciativa organizohen nga shoqatat tona aktive brenda komunitetit tonë këtu. Organizimet si Dita e Alfabetit, festa e 28 Nentorit – Pavarësisë së Shqipërisë, Dita a Pavarësisë së Kosovës dhe mbrëmje të tjera që në vete përmbajnë programe kulturore dhe recitale në të cilat nxënësit e shkollës përbëjnë një pjesë të përmbushjes së programit përmes recitaleve, këndimit, shfaqjeve etj. Sa i përket aktiviteteve të shkollës për shkak të kohës së kufizuar, aktivtetet që ja vlen të theksohen janë të pakta përveç me grupmoshat më të reja kemi aktivitete më të shpeshta. Një prej aktiviteteve që nxënësit e Kongresit të Manastirit marrin pjesë është “Kampi Uskana”, kamp 3 ditor për të gjitha grupmoshat, i organizuar nga Shoqata “Uskana” e udhëhequr nga Dr. Luan Elezi. Në këto organizime fëmijët do të munden të forcojnë raportet ndërmjet tyre përmes sportit, ushtrimeve grupore etj.
BASHKËPUNIMET MES SHKOLLAVE SHQIPE
Bashkëpunimi i shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” me shkollat simotra në shtetet e tjera në SHBA do të jetë në proces rritje në të ardhmen. Përveç kontakteve, nuk kemi bashkpunim të gjërë me shkollat në shtetet e tjera në SHBA, përveç me një shkollë në një shtet afër nesh, ne shtetin Wisconsin, me të cilët kemi komunikime të shpeshta sidomos në nivele strategjike dhe buxhetore. Ndoshta kjo është edhe një mundësi në të cilën qeveria jonë së bashku me konsujt që kanë në ato shtete ku veprojnë, të përcaktojnë disa ura komunikimi në mënyrë që të kemi bashkëpunime në të ardhmen.
NEVOJA E MBËSHTETJES SË SHKOLLËS ME TEKSTE NGA SHQIPËRIA E KOSOVA
Raporti dhe kontaktet me shkollat e Kosovës personalisht prej që kam marrë detyrën pranë shkollës, kam pasur bashkëpunim me një shkollë të quajtur Andon Zako Qajupi nga Vushtrria, me një prej mësimdhënësve Luljeta Brahimi, e cila na ka ndihmuar me sigurimin e disa planprogrameve mësimore si dhe përmes ambasadores së Kosovës në NY Teuta Sahatqija kemi arrit të sigurojmë disa tekste shkollore.
AKTIVITETE NGA GRATË E STAFI I SHKOLLËS “KONGRESI I MANASTIRIT”
Nënat dhe motrat e shkollës “Kongresi i Manastirit” kanë organizuar festën e 8 Marsit me një qëllim të caktuar për të ndihmuar të tjerët. Marsi i 2019, kishte kauzë të ndihmoheshin dy Nënat e shkollës që vuanin nga kanceri, të gjitha informatat mund ti gjeni në faqen e facebook te Shkolla Shqipe “Kongresi i Manastirit” (këtu do të gjeni foto dhe video të eventit). Marsi 2020 kishte kauzë të ndihmoheshin fëmijët në trojet shqiptare të diagnostikuar me Autizëm dhe Sindromen Down, të gjitha informacionet mund ti gjeni në faqen zyrtare në FB të shkollës “Kongresi i Manastirit”.
MËSO SHQIP, RUAJE GJUHËN SHQIPE
Mesazhi im si nënë dhe motër shqiptare është që sa më shumë ti inkuadrojmë fëmijët të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare, ngaqë kur njeriu i kupton rrënjet e veta aq më shumë kupton veten dhe të tjeret. Kemi një kulturë të mbushur plot pozitivitet dhe pse jo të mos e mbajmë me krenari. Shkolla shqipe dhe mësimi i kulturës e trashëgimia jonë e pasur kulturore janë pasaporta jonë dhe identiteti ynë kudo në botë.