
Rovena Sinani, mësuese e Shkollës Shqipe “Migjeni” në Komunën e Fanos, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e krijimit të shkollës shqipe “Migjeni” në Komunën Fano, angazhimin dhe kontributin në shkollën shqipe si qendër atdhetare, kurrikulat mësimore, tekstet, bashkëpunimet dhe aktivitetet atdhetare e patriotiko-kulturore në dobi të ruajtjes së historisë e gjuhës shqipe si formë e identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën shqiptare të Italisë. Me Rovena Sinanin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE MIGJENI, FANO, ITALI
Shkolla Migjeni u themelua në 18 Mars 2023 nga Shoqata Ilirianët në sallën Kubi, San Lazzaro 8, Fano, PU. Më lejo të përmend themeluesit e këtij projekti madhështor të quajtur “Migjeni” të cilët janë: Eva Cuni, Irma Arapi, Agim Vela, Rezart Vela, me mbështetjen dhe kontributin e dy palëve, si ato Italiane dhe ato Shqiptare: Massimo Seri ish kryebashkiaku i Fanos, Samuele Maskarin ish këshilltari për sherbimet arsimore dhe kulturore, Sara Cucchiaini zëvëndës kryetare aktuale në komunën e Fanos, dhe mbështetja e padiskutueshme e Luljeta Çobanaj oficere e Konsullatës Shqiptare në Milano, Arjana Kosova ish presidente e lidhjes së mësuesve Shqiptarë në Itali, Ambasada e Maqedonisë së Veriut përfaqësohej nga Ambasadori z.Vesel Memedi, Ambasada e Kosovës përfaqësohej nga diplomati z.Kushtrim Kokollari. Shkolla jonë drejtohet dhe organizohet nga këshilli pedagogjik dhe bashkëpunëtorët që janë pjestarët e shoqatës Ilirianët. Aktualisht jemi pesë mësuese: Rovena Sinani, Marsela Bitri, Arjeta Halluni Perdja, Valbona Marku, Elvira Tulla dhe sekretari i shkollës Rezart Vela i cili kujdeset për mbarëvajtjen teknologjike në të gjitha aspektet.
PËR ZHVILLIMIN DHE RRITJEN E PADISKUTUESHME TË KËTIJ PROJEKTI MADHËSHTOR KEMI VENDOSUR NË ZBATIM QËLLIMET KRYESORE:
Zhvillimi dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit dhe gjuhës Shqipe, kulturës së prejardhjes,njohja e trojeve dhe e historis kombëtare! Edukimi dhe zhvillimi i interesit për njohjen dhe përdorimin e gjuhës e të letërsisë shqipe. Këtu dua të përmend projektin që kam ideuar dhe realizuar unë në bashkëpunim me Bibliotekën Marin Barletit të Shkodrës, projekti “Dhuro një libër, dhuro një copëz Shqipëri” na mundësoj të kemi një bibliotekë. I gjithë qyteti i Shkodrës iu bashkua këtij projekti duke dhuruar librat për realizimin e bibliotekës së shkollës Migjeni në Fano,Itali. Tashmë kjo ëndërr u bë realitet,dhe falë këtij projekti u realizua edhe biblioteka që numëron mbi 200 libra të cilët presin të shfletohen dhe lexohen këtë vit shkollor falë projektit “Libri miku im” i cili do të praktikohet çdo të shtunë në shkollë. Zhvillimi i qëndrimit pozitiv për historinë,traditat dhe kulturën e kombit Shqiptar me idealin: JAM KRENAR QË JAM SHQIPTAR!
KURRIKULA MËSIMORE
Metodologjia e mësimdhënies është e bazuar në: Metoda tradicionale, bashkohore, të drejtpërdrejtë, audio dhe metoda komunikuese. Përfshihen të gjitha lëndët dhe aktivitetet e konfirmuara nga “Ministria e Arsimit, sSortit dhe Rinisë së Shqipërisë” si dhe “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit të Kosovës”. Programi didaktik realizohet çdo vit nga mësueset e shkollës dhe realizohet në 36 javë nga dy orë çdo të shtunë. Programi mësimor çdo vit planifikohet duke u bazuar në kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës Shqipe dhe kulturës Shqiptare në diasporë dhe mërgatë. Dhe ne si staf pedagogjik pretendojmë të realizojmë qëllimet kryesore të programit shkollorë dhe këtë vit do ti dedikohemi përvetësimit të gjuhës shqipe, rritjen e aftësis në të shkruar, të lexuar, formuluar fjali, përcjelljes të traditave dhe kulturës shqiptare,si dhe njohja gjeografike e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës.
SHKOLLA BASHKON SHQIPTARËT
Shkolla në rastin tonë nuk është vetëm vatër dije dhe kulture por edhe mundësia që afron dhe bashkon shqiptarët me njëri-tjetrin. Ne celebrojmë festat kombëtare si:
•Festa e pavarësisë së Shqipërisë në muajin nëntor
•Festat e fundvitit në muajin dhjetor
•Karnavalet
•Festat e 7 dhe 8 Marsit, mësueses dhe nënës
•1 Qershori i fëmijëve
Gjithashtu dua të përmend edhe projektet e shumta që realizojmë me Komunën e Fanos, ku komuniteti Shqiptar ka bashkëpunim dhe lidhje të vazhdueshme në çdo aktivitet të qytetit si : •Qyteti i lojrave që zhvillohet çdo vit në rrugët e qytetit
•Festa e popujve
•Festa e fund verës
•Dita e gjuhës nënë e cila organizohet nga Mediateka Montanari. Gjithashtu dhe në organizime dhe manifestime të ndryshme kulturore, politike ku roli i komunitetit tonë dhe i shkollës është i një rëndësie të veçantë në promovimin e shumë projekteve dhe iniciativave.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES E IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI
Itali tashmë është një ndër vendet që numëron një vazhdimësi të konsiderueshme të shkollave Shqipe. Për shkollën Migjeni shembulli më i mirë janë Arbëreshët, ruajta dhe përcjellja e Shqitaris në tërësinë e saj brez pas brezi është misioni ynë. Kemi hasur interes të vazhdueshëm nga një pjesë e mirë e komunitetit Italian, sidomos nga ato familje që njëri nga prindërit është shqiptar, por dua të përmend edhe një pjesë të atyre që për arsye përsonale apo pune janë afruar të mësojnë gjuhën tonë të bukur! Ndërsa nga organet shtetërore kemi mbështetjen totale,dua ttheksoj që salla ku zhvillohet mësimi është e disponuar me të gjitha shpenzimet falas nga Komuna e Fanos, pavarësisht nga drejtimi politik që udhëheq në çdo zgjedhje elektorale.
FREKUENTIMI I NXËNËSVE, SFIDË E VAZHDUESHME
Këto janë vitet e para të dygjuhësisë në diasporë, një ndër sfidat më të vështira për ne mësueset i kemi hasur në frekuentimin sistematik të nxënësve. Një objektiv tjetër që dëshirojmë të realizojmë me nxënësit tonë duke studiuar dhe mësuar gjuhën tonë është “Mendimi në Shqip si gjuhë e dytë”. Pak nga pak përpiqemi tu mësojmë fëmijëve të mendojnë në gjuhën tonë, gjë që arrihet me shumë praktikë dhe dialog me familjarët në çdo shtëpi gjithashtu edhe në shkollë me nxënësit dhe mësuesit. Në vitin shkollor 2025-26 projektet janë të shumtë.Shkolla hapi dyert me tringëllimën e ziles së parë në datën 20/09/2025 dhe vijon me një larmi projektesh: Libri miku im, çaste poetike, konkurs teatral në Kroaci, festa e abetares, festa e pavarësisë, projektet e bredhit të vitit të ri, maskat e karnavaleve, të gatuajmë për mamin në 8 Mars, përvjetori i shkollës Migjeni, eskursion në zonat e Fanos, ekspozitë fotografike nga fotografi Agim Vela që vijon me projektin “Me sytë e Shqiponjave”, qyteti i lojrave, festa e popujve, 1 Qershori dhe lojrat argëtuese me aktivitete të larmishme për ditën e fëmijëve dhe festa finale e mbylljes së shkollës dhe shpërndarja e certifikatës për çdo nxënës që ka frekuentuar vitin shkollor.
“KRENAR QË JAM SHQIPTAR”
Kjo është një çështje që ndiejmë në thellësinë tonë gjithësecili prej nesh “PATRIOTIZMI”. Kjo shkollë na nxit dhe motivon ti japim kuptim, vlerë, identitet asaj ç’ka ne jemi, idealit tonë me ken KRENAR QË JAM SHQIPTAR! Duke filluar nga emocioni i papërshkueshëm që më përshkoj trupin kur shfletova abetaren me të cilën jemi furnizuar rregullisht nga QBD qendra e botimit për diasporën, në zilen e parë që tringëlloj me 18 Mars 2023, në çdo përshëndetje në Shqip me nxënësit “Mirë se vini të dashur nxënës”. Në çdo falenderim me prindërit, gjyshërit dhe bashkëatdhetarët, kjo shkollë kontribon dhe bashkon më së miri komunitetit tonë i cili shënon një rritje të dukshme të veprimtarisë së edukimit kombëtarë Italo-Shqiptare, bashkëveprimin dhe njohjen me anëtarët e kombit tonë në Fano.
KUSH ËSHTË ROVENA SINANI?
Unë jam Rovena Sinani, lindur edhe rritur në Shkodër në 11/07/1981. E diplomuar në Shkodër në Universitetin Luigj Gurakuqin në vitin 2004, dega “Cikël i ulët mësuesi”. Kam ushtruar profesionin mësuese në Shkodër, dhe vazhdimësinë e profesionit e kam zhvilluar në Itali si mediatore interkulturale në shkolla të ndryshme në Fano, e ngarkuar në detyrë nga Komuna e Fanos. Që nga viti 2007 që jetoj në Itali, kam punuar në shkolla private duke ushtruar profesionin tim edhe në ciklin parashkollorë, pasi diploma ime njihet në Itali me anë të deklarimit të vlerave në Ambasadën Italiane në Tiranë që e mundëson. Në vazhdimësi formimi im profesional është pasuruar me kurse formative, seminare që shërbejnë për formimin profesional si në kontekstin Italian ashtu dhe në angazhimet me shkollen Shqiptare Migjeni. Unë jam nënë e dedikuar e katër fëmijëve: Istiron Sinani, Klea Sinani, Joena Sinani dhe Robin Sinani. Angazhimi me shkollën Migjeni është një mision fisnik që kryej me pasion e udhëzuar nga ndjenja e paepur dhe patriotike në mënyrë vullnetare. Faleminderit për interesimin që keni ndaj shkollave në Itali.