


Andi Xhixha themelues i shkollës shqipe në Lübeck – Gjermani rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Lübeck – Gjermani, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko- kulturore. Me themeluesin e shkollës shqipe në Lübeck – Gjermani Andi Xhixha bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE NË LÜBECK
Shkolla Shqipe në Lübeck është fryt i një përkushtimi të madh dhe një dëshire të thellë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë. Ajo u hap më 26 mars 2022, si rezultat i përpjekje te palodhur nga ana ime dhe falë mbështetjes së madhe nga Konsulli Z. Kole Gjoka, kjo nismë u bë realitet. Mësimi zhvillohet dy herë në javë – ditën e martë dhe të enjte – dhe përfshin fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Shkolla është bërë një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Lübeck dhe tashmë është pjesë e një rrjeti të gjallë shkollash shqipe që po rriten në veri të Gjermanisë, duke bashkëpunuar ngushtë për ruajtjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës amtare.
KURRIKULA MËSIMORE DHE ARGËTIMI
Në mësim përdoret një kurrikulë e përshtatur për fëmijët shqiptarë që rriten në një mjedis dy-gjuhësh. Ajo përfshin elementë të gramatikës shqipe, lexim, shkrim, këngë popullore, tregime tradicionale, poezi dhe njohuri mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Mësimi bazohet në metoda bashkëkohore dhe teknologji të përshtatura për fëmijët. Bashkëpunimi me prindërit është thelbësor. Ata inkurajohen të flasin shqip me fëmijët në shtëpi dhe të jenë të pranishëm në aktivitetet shkollore. Komuniteti shqiptar luan një rol aktiv në funksionimin e shkollës, duke mbështetur organizimin e aktiviteteve kulturore, festave kombëtare dhe ndihmës logjistike. Thirrja ime për prindërit është e qartë: ruajtja e gjuhës është detyrë e përbashkët dhe çdo përpjekje vlen.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE, FORMËN RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI
Gjuha shqipe është themeli i identitetit tonë kombëtar. Mësimi i saj në diasporë nuk është thjesht edukim – është ruajtje e trashëgimisë dhe ndërtim i ndërgjegjes kombëtare. Fëmijët që mësojnë shqip rriten me vetëdijen se kush janë, nga vijnë dhe çfarë vlere ka kultura e tyre. Përmes gjuhës ata lidhen me vendin e tyre të origjinës, me familjen dhe me historinë e kombit.
SHOQËRIA GJERMANE, MBËSHTETËSE DHE MIRËKUPTUESE NDAJ NISMËS SË SHKOLLËS SHQIPE
Shoqëria gjermane ka qenë mbështetëse dhe mirëkuptuese ndaj nismës së shkollës shqipe. Falë bashkëpunimit me institucionet vendore, kemi mundur të sigurojmë hapësira për zhvillimin e mësimit. Në veçanti, në veri të Gjermanisë është krijuar një frymë bashkëpunimi midis shkollave shqipe në qytete si Elmshorn, Kiel, Bremen e të tjera. Këto shkolla po ndërtojnë ura komunikimi dhe bashkëpunimi, duke i dhënë gjuhës shqipe një jehonë të fortë në rajon. Komuniteti shqiptar në Lübeck është i përkushtuar dhe kontribuon me pjesëmarrje aktive në ruajtjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Përdorimi i teknologjisë ka ndihmuar në përmirësimin e mësimdhënies – video edukative, aplikacione për gjuhën shqipe, libra dixhitalë dhe materiale interaktive janë bërë pjesë e orëve të mësimit. Megjithatë, sfidat me fëmijët që rriten në një mjedis dy-gjuhësh janë të shumta. Shpesh ata kanë vështirësi me shqiptimin, ndërtimin e fjalive dhe pasurimin e fjalorit. Duhet një qasje e duruar, e personalizuar dhe kreative për t’i motivuar dhe për t’i mbajtur të angazhuar.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Mësimi i gjuhës shqipe ka ndikuar dukshëm në rritjen e ndjenjës së përkatësisë dhe patriotizmit tek fëmijët. Ata mësojnë me krenari për flamurin kombëtar, për figurat e shquara të historisë sonë, për festat tona tradicionale. Në çdo aktivitet ku këndojnë apo recitojnë në shqip, ndjehet një emocion i veçantë dhe një lidhje shpirtërore me Shqipërinë. Kjo ndihmon në ndërtimin e një identiteti të fortë dhe të qëndrueshëm, pavarësisht se jetojnë jashtë kufijve gjeografikë të atdheut.
KUSH ËSHTË MËSUESI ANDI XHIXHA?
Kam përfunduar studimet Bachelor në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe më pas Masterin në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve të studimeve kam punuar në mënyrë vullnetare në disa shkolla në Shqipëri. Pas përfundimit të studimeve, kam emigruar në Gjermani ku kam dhënë një kontribut të madh për hapjen e shkollës shqipe në Lübeck. Falë përkushtimit tim dhe mbështetjes se palodhur nga Konsulli Z. Kole Gjoka, u realizua me sukses hapja e shkolles shqipe ne Lübeck. Në vitin 2024, jam nderuar me titullin “Ambasador për Paqe” në Gjermani – një vlerësim për punën e time të palodhur në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në mërgatë. Së bashku me bashkëshorten time, mësuesen Armela Xhixha, mendoj qe jemi zemra e kësaj shkolle – jo vetëm si mësues, por si udhëheqës, organizatorë, dhe mbi të gjitha, si prindër të përkushtuar ndaj çdo fëmije që ka nevojë për ndihmë në rrugën e ruajtjes së identitetit kombëtar.