Intervistë me profesor Vaxhid Sejdiun, mësimdhënës i Shkollës Shqipe në Zvicër, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD)/
Vaxhid Sejdiu, është mësues i shkollës shqipe në Zvicër, i cili me punën e tij si mësues dhe koordinator në hapjen e pikave të reja shkollore në Zvicër ka qenë dhe është shembulli më i mirë se si punohet në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Me punën tij ka dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave se është ndër mësuesit e veçantë të shkollës shqipe, i cili në vazhdimësi ka ngritur flamurin e gjuhës shqipe lart e më lart. Viteve të fundit është dalluar me angazhimin e tij në organizmin e pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Janë hapur dhjetëra e dhjetëra pika shkollore, të cilat dëshmojnë një rritje të dukshme të fëmijëve shqiptarë në orët mësimore. Me të njëjtin përkushtim ka punuar dhe vepruar edhe si kryetar i KKAD-së nga viti 2020-2023 duke qenë bartës i kërkesave të mësuesve në takime, konsultime dhe kuvende të ndryshme me Shoqatat, Lidhjet e Mësuesve apo me Institucionet.
Intervistoi: Anita Duriçi:
Z. Sejdiu, së pari ju falënderojmë që pranuat të jepni intervistë për faqen tonë zyrtare (faqen e KKAD-së) me rastin e fillimit të Vitit të Ri 2025.
Cili ishte misioni kryesor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) gjatë periudhës së funksionimit të këtij këshilli, me ju kryetar?
Fakt është se KKAD, fillimisht u nis me iniciativën e profesoreshës së nderuar Adriana Fishta – Bejko, e cila pas një këshillimi në kuadër të Këshillit Koordinues të Diasporës filloi t`i kontaktojë mësuesit në pjesën më të madhe të shteteve, ku mësimi në gjuhën shqipe tani më ishte histori suksesi. Kështu, pas një bashkëbisedimi me disa prej mësuesve u pajtuam që të formojmë një Këshill të Mësuesve, me qëllim që të komunikojmë zyrtarisht me institucionet tona, pikërisht për njësimin e shkollave shqipe në mërgatën shqiptare, natyrshëm edhe për fuqizimin e fjalës së mësuesit dhe prezantimit të kërkesave tona në shërbim të një organizimi sa më të mirë të mësimit plotësues në diasporë.
Fillimisht e pagëzuam KMSHD (Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën) dhe pastaj pas shumë takimeve, këshillave dhe të një bashkëpunimi të frytshëm me QBD-në (Qendrën e Botimeve për Diasporën), me Znj. Mimoza Hysa, me ministrin Pandeli Majko, u pajtuam që Këshilli të quhet Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD).
Misioni kryesor ishte njësimi i shkollave shqipe, përgatitja e teksteve shkollore nga institucionet tona për fëmijët e diasporës, për këtë lloj mësimi, organizimin e takimeve, konsultimeve apo kuvendeve të punës në mes të mësuesve dhe institucioneve tona përkatëse të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me qëllim të gjithëpërfshirjes si dhe të prezantimit sa më të gjerë të ideve, mendimeve, vërejtjeve, kërkesave, kështu që ky lloj mësimi të gjejë rrugën e vet, jo vetëm në disa shtete të Evropës, por kudo ku shqiptarë.
Pra, ideja kryesore ishte për ndërgjegjësimin tonë, duke filluar nga vetja, nga mësuesit për rolin që kemi në shoqëri, së pari, te mërgimtarët dhe mbi të gjitha, kishim pikësynimin tonë që kërkesa jonë kryesore të gjente miratimin te institucionet tona, për ta jetësuar misionin tonë. Misioni ynë ( i KKAD-së) ka qenë dhe është për të marrë mbi vete përgjegjësinë, së bashku, me institucionet tona përkatëse të arsimit, për njësimin e shkollave shqipe, duke e shoqëruar këtë me jetësimin e gjitha kërkesave të tjera, për t’u bërë faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, kudo që jemi.
Për herë të parë arritëm të organizojmë Kuvendin e parë të Mësuesve, një kuvend pune ku ishin përfaqësues nga pjesa kryesore e shteteve ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Më se 30 mësues së bashku me përfaqësuesit e Institucioneve tona nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës dhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut arritëm bashkërisht t`i bashkërendisim të gjitha kërkesat e nevojshme, me qëllim që ky lloj mësimi të marrë formën e vet të duhur, të nevojshme duke i ndarë detyrat në mes veti.
Z. Sejdiu: – Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur për të promovuar dhe mbrojtur gjuhën shqipe në Zvicër?
– Bazuar në statistikat zyrtare, në Zvicër ka një numër mbi 40 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare. E kemi thënë dhe e themi, ndër vite, se përfshirja sa më e madhe e nxënësve në procesin arsimor për mësimin e gjuhës shqipe ka qenë problematik. Mungesa e reformave brenda shoqatës ekzistuese, pra LAPSH-it, është tejet i dukshëm në Zvicër, ku në 15 vitet e fundit, numri i nxënësve që mësonin gjuhën shqipe pësoi një rënie tepër të madhe, ku në 16 kantone të Zvicrës, nga 26 të tilla, nuk mbeti asnjë nxënës.
– Pra thjeshtë në katër – pesë vitet e fundit nën logon “Shkolla Shqipe” arritëm të bëjmë një përpjekje për ta ndryshuar gjendjen, në të cilën ndodhej mësimi në gjuhën amtare dhe sot mund të themi padyshim, se arritjet tona janë një histori e mirëfilltë suksesi, është një vlerë e shtuar, sepse edhe sot që po flasim, pas bashkimit të këtyre dy organizimeve nën emblemën e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” shohim në bazë të dhënave të përbashkëta se puna jonë 4-5 vjeçare ka qenë dhe mbetet një histori suksesi, ku gjysma e pikave shkollore, e numrit të përgjithshëm të nxënësve apo gjysma e mësuesve që punojnë në kuadër të këtyre shkollave është rezultat i këtyre përpjekjeve që ta ndryshojmë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej dikur LAPSH në Zvicër.
– Një nga sfidat më të forta ishte dhe mbeti ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë me qëllim që t’ i orientojnë fëmijët e tyre drejt klasave ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, motivimi i tyre që ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare si dhe përhapja e pikave shkollore në mbarë vendin, në mbarë Zvicrën. Kemi menduar dhe mendojmë se funksionimi i klasave në gjuhën shqipe nuk mund të mendohet pa prindërit shqiptarë, edhe pse ne nuk i ndajmë, ne i përfshijmë të gjithë mërgimtarët shqiptarë, kudo ku janë, sepse shkolla shqipe është e të gjithëve dhe si e tillë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, identitetit kombëtar në vend të huaj. Thirrja jonë “ejani ta bëjmë shkollën shqipe” ju drejtohet të gjithëve pa dallim, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shëmbëllejmë me arbëreshët tanë, të cilët mund të merren si shembulli më i mirë i përkushtimit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Z. Sejdiu: – Si ka ndihmuar KKAD në bashkëpunimin mes mësuesve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve shqiptare?
– Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë e kanë përberë dhe e përbëjnë një grup mësuesish të dalluar në mërgatën shqiptare. Mësuesit si: Anila Kadija në Londër, Teuta Tabaku në Turqi, Miradije Berisha në Austri, Mustafë Krasniqi dhe Isuf Bytyçi në Gjermani, Mira Shehu në Kanada, Aurela Konduri në Greqi, Dritan Mashi në Itali, Arta Emiri në Suedi, Anita Duriçi në Zvicër etj., në vazhdimësi kanë qenë dhe janë të dalluar në përpjekjet e tyre në përhapjen e diturisë në gjuhën amtare jo vetëm në vendet ku punojnë dhe veprojnë, por edhe më gjerë. Një grup mësuesish vullnetarë, të cilët mundohen me çdo kusht të përballen me sfidat e njëpasnjëshme në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Në rrugëtimin tonë trevjeçar dëshmuam vlerë profesionale, vlerë kombëtare duke fituar besimin dhe respektin e shumë institucioneve, e shumë veprimtarëve, e shumë e shumë kolegëve, në mbarë botën shqiptare.
Në rrugëtimin tonë detektuam një mori problemesh të mësimit plotësues në diasporë, duke sensibilizuar, pothuajse, të gjithë faktorët në Atdhe dhe në diasporë. Idetë tona për njësimin e shkollave shqipe, për tekstet e përbashkëta, për një program të njëjtë mësimor u bënë pjesë e rendit të punës të institucioneve tona, e takimeve, e konsultave dhe programeve të ndryshme.
Z. Sejdiu: – A keni bashkëpunim me institucionet tona, të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku ishin synimet e juaja si KKAD?
– Puna për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë bazohet në strategjinë e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, si dhe akteve ligjore e nënligjore
Një bashkëpunim shumë i dobishëm shihet me Ministritë përkatëse dhe veçanërisht me Qendrën e Botimeve për Diasporën.
Padyshim qëllimi ynë është që me punën tonë, me këshillat tona, në shërbim të njësimit të shkollave shqipe, të jemi aty ku ka nevojë, siç është rasti në Tiranë dhe në Prishtinë, në takimet apo konsultat, të cilat trajtojnë tema rreth organizimit të mësimit në diasporë.
Por, sa i përket bashkëpunimit me institucionet tona mund të shtojmë që ndihmesa, përkushtimi dhe bashkëpunimi me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, është ajo që duhet të jetë me të gjitha institucionet tona. Ambasada e Shqipërisë, jo vetëm që e ka vënë stafin e saj në dispozicion të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, por mundohet në të gjitha pikëpamjet të na ndihmojë.
Institucionet tona e kanë vëzhguar me kujdes punën tonë, por edhe Qendra e Botimeve për Diasporën, kërkesat tona i ka prezantuar në të gjitha shkallët e mundshme të vendimmarrjes, rezultat i së cilës janë tani më tekstet shkollore të nivelit të parë dhe të dytë, të cilat nxënësit i kanë tani më në duart e tyre dhe presim që këtë vit shkollor t`i kemi edhe tekstet e nivelit të tretë.
Z. Sejdiu: – Çfarë roli luan arsimi në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar për brezat e rinj në diasporë?
– Përhapja e diturisë në gjuhën amtare ka qenë dhe mbetet një nga dëshirat e mia kryesore në jetë. I lindur në një qytet, në Kumanovë, ku gjuha dhe mësimi shqip në vazhdimësi ka qenë i shënjuar nga aparati shtetëror i atëhershëm dhe i tashëm maqedonas, kështu që, si shumë bashkëveprimtarë të mi, jam munduar që gjuhës shqipe t`i bëj vend aty ku jam, apo thënë më mirë aty ku janë shqiptarët, duke pasur qëllimin e shenjtë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare. Asnjëherë nuk jam pajtuar me kryesinë e Lapshit për Zvicër, për shpirtngushtësinë për pasivitetin brenda shoqatës e duke mos hapur rrugën të gjithëve për të kontribuar në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në mërgatën shqiptare, me qëllim që një ditë të kemi sa më shumë shkolla, sa më shumë nxënës dhe natyrisht gjuha shqipe të jetë në vendin e saj të duhur, atje ku shqiptarët gjallojnë.
Këta fëmijë që lindin dhe rritën larg atdheut, mund të themi se rritën në sistem të përsosur arsimor, siç është Zvicra, por pa gjuhën shqipe ata mbesin analfabetë në gjuhën amtare, për gjuhën e nënës, që lenë shumë për të dëshiruar. Ndaj gjuha shqipe është ajo që i ruan dhe i mbron fëmijët, në kuptimin e qenësisë shqiptare, i ruan dhe i mbron për çdo ditë, si ai “ushtari i mirë që e ruan dhe e mbron vendin” , duke mos llogaritur asnjëherë sakrificën. Pa sakrificë nuk bëhen gjërat mirë, çdo gjë në jetë kërkon përkushtimin e vet dhe kur bëhet fjalë për gjuhën amtare ne duhet të jemi njëzëri, të veprojmë në kohë sa nuk është bërë vonë dhe të punojmë natë e ditë për të. Gjuha është një pasuri kryesore që na e mbron, në çdo kohë dhe në çdo vend, identitetin kombëtar të të gjithë neve. Humbja e identitetit kombëtar është një thyerje e madhe që nuk mund të ngjitet dot. Me të drejtë poeti ynë kombëtar Filip Shiroka duke folur për gjuhën do të thotë: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado gjuhë të huaja të mësojmë, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm duke mësuar gjuhë të huaja, por, së pari, duke e mësuar gjuhën e vet”.
Z. Sejdiu: – A mendoni se gjuha shqipe po ruhet si duhet në Zvicër, dhe çfarë mund të bëhet më shumë për të përmirësuar këtë situatë?
Fakt është se Zvicra ka qenë dhe mbetet një nga shembujt më të mirë të organizimit, por kjo nuk mjafton. Siç thashë, më herët, duke e pasur parasysh numrin e madh të shqiptarëve, hapësirën gjeografike të Zvicrës apo afërsinë e saj, ku mund të kalohet për 4-5 orë nga njëri skaj në skajin tjetër të vendit dhe një mori faktorësh të tjerë na obligojnë që të punojmë më shumë në përhapjen e gjuhës shqipe në shkallë e këtij vendi. Ajo që duhet përmirësuar është, me patjetër, të lartësohet niveli kombëtar i ndërgjegjësimit të prindërve shqiptarë për ruajtjen e gjuhës shqipe, apo thënë më qartë, në familjet shqiptare, kryefjalë duhet të jetë ndërgjegjësimi i përgjithshëm mbi domosdoshmërinë e edukimit në gjuhën amtare…
Të bëhemi bashkë dhe të veprojmë në mërgatë dhe në Atdhe në shërbim të gjeneratës së re, me qëllim që mijëra fëmijë shqiptarë të mos mbeten nesër pa gjuhën e nënës. Komunikimi me prindërit për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat shqipe të jetë i përditshëm duke e luftuar
një mentalitet të gabuar sipas të cilit fëmijët pengohen (mbingarkohen) në procesin e integrimit te tyre, se fëmijët janë të lodhur, se fëmijët kanë edhe kurse tjera e kështu me radhë. Asnjë kurs nuk mund ta zëvendësojë gjuhën e nënës.
Z. Sejdiu: – Si e shihni të ardhmen e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër dhe në diasporë në përgjithësi?
E ardhmja e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër varet vetëm nga ne. Sa më shumë që punojmë aq më shumë do të kemi suksese, sa më pak punojmë në këtë drejtim dëmi do të jetë dëshmi e kohës. Për këtë arsye thirrja ime dhe e kolegëve të mi ka të bëjë me kohën. Sot, sepse nesër bëhet vonë për të gjithë ne.
Shpresoj që në të ardhmen edhe mësimi online t`i bashkëngjitet atij me prezencë. Nëpërmjet këtij lloj mësimi mund të depërtojmë aty ku nuk kemi arritur deri më tani. Pastaj krijimi i klasave online është shumë më i thjeshtë mund të grumbullohen fëmijë nga disa shtete apo nga disa qytete dhe të krijohet një klasë. Por ajo që kërkohet është, padyshim, plani mësimor, një plan i detajuar dhe i prezantuar në mënyrë bindëse me mësues të dëshmuar në këtë fushë. Shpresoj që do të rrisim interesimin e prindërve shqiptarë, kudo në botë dhe njëkohësisht interesimin e fëmijëve shqiptarë për gjuhën e prindërve të tyre.
Ne në kuadër të Këshillit Koordinues të Diasporës ia kemi dërguar projektin tonë Institucioneve në Tiranë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Arsimit dhe shpresoj që Institucionet në Tiranë dhe në Prishtinë do ta vënë këtë, në rend dite, për të mirën e fëmijëve shqiptarë.
Z. Sejdiu: – Cilat janë arritjet më të rëndësishme të KKAD gjatë kohës që ju keni shërbyer si kryetar dhe cilat janë disa projekte, të cilat do të dëshironit t’i shihnit të realizuara në të ardhmen?
E thashë edhe më lartë se një nga sukseset e KKAD-së janë padyshim tekstet shkollore.
Tani, më është filluar me licencimin e mësuesve shpresojmë, që të vazhdojë me një intensitet të përshpejtuar licencimi edhe i kolegëve të tjerë, sepse koha nuk pret.
Një nga sukseset më të mëdha i të gjithë neve, veçanërisht i KKD-së, por që llogaritet edhe si i KKAD-së është organizimi i Kuvendit të punës që u mbajt në Mynih me datën 9-10 mars 2024. Të gjitha propozimet presin dhe dëshirojmë të gjithë së bashku që të realizohen, sepse vetëm me realizimin e këtyre propozimeve, mund të themi, se tani më kemi një mësim mirë të organizuar.
Propozimet janë të hartuara së bashku me QBD-në dhe janë të ndara dhe të shkruara sipas nevojave. Siç janë këto propozime për çështjet organizative të mësimit plotësues në diasporë e mërgatë, marrëveshjet ndërinstitucionale për lehtësimin e kushteve të mësimit të gjuhës shqipe, binjakëzimi i shkollave në diasporë me shkollat në Shqipëri dhe Kosovë, pajisja me dokumentacion të përbashkët pedagogjik për të gjithë mësimdhënësit në diasporë dhe mërgatë, ngritja e një platforme on line për mësimin e gjuhës shqipe, ndërgjegjësimi i prindërve në mërgatë për rëndësinë e mësimit të gjuhës së prejardhjes, furnizimi me tekste didaktike të paktën në dy periudha të vitit etj.
Z. Sejdiu: – Dhe fare në fund, një mesazh drejtuar prindërve shqiptarë apo mërgimtarëve nëpërgjithësi?
Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët e diasporës shqiptare nuk është diçka i thjeshtë, për ta lënë pas dore apo për ta lënë për “kur të kemi kohë”. Gjuha amtare është detyrim moral e kombëtar, i cili ndikon drejtpërdrejt në formimin e fëmijëve dhe i bën ata më të aftë për t’u integruar në kulturën e vendit pritës. Një njeri i cili, nuk njeh rrënjët e veta është shumë vështirë të integrohet e të hedhë rrënjë në një mjedis të huaj. Me të drejtë gjuhëtari i mirënjohur danez ka thënë se “Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”
Dhe fare në fund, e kemi thënë dhe do ta themi në vazhdimësi se gjuha shqipe, gjuha amtare, ruajtja e saj, është detyrim moral dhe kombëtar, është gjuha e zemrës.