Mirsime Muja Durmishi mësuese e shkollës shqipe në Zvicër në qytetet Kirchberg dhe Bern, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mirsime Muja Durmishi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ZVICËR
“Shkolla shqipe” në Zvicër u krijua në gusht të vitit 2019 si një përpjekje për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhej mësimi në gjuhën amtare. Bazuar në statistikat zyrtare, në Zvicër ka një numër prej 30-35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare në Zvicër. Ndër vite, masivizimi i mësimit të gjuhës shqipe ka qenë problematik dhe veçanërisht gjatë viteve 2013-2019 kishte një rënie drastike të numrit të nxënësve në shkollat shqipe ekzistuese.
Dhe në 4-5 vitet e fundit kemi një sensibilizim të prindërve shqiptarë falë punës dhe angazhimit të disa mësuesve dhe veprimtarëve të arsimit shqip nën drejtimin e Dr. Vaxhid Sejdiut, i cili në bashkëpunim me të gjithë ata, të cilët ishin dhe janë të gatshëm të punojnë në shërbim të gjuhës shqipe arritën ëndrrën e shumë mësuesve me bërë realitet. Puna e prof. Vaxhidit është shembulli më mirë se si punohet dhe se si koordinohen të gjitha përpjekjet në shërbim të përhapjes së gjuhës shqipe kudo ku ka fëmijë shqiptarë. Dhe sot e themi me krenari se numri i pikave shkollore në Zvicër është dyfishuar. Vlen të përmendet se nga marsi i vitit 2024 të dy shkollat në Zvicër L.A.P.Sh. “N. Frashëri” dhe “Shkolla shqipe” – Zvicër arritën të bashkohen dhe sot në momentin që po flasim veprojmë dhe funksionojmë si një trup i vetëm me dy bashkëkryetarë Z. Vaxhid Sejdiu dhe Z. Liburn Mehmetaj. Sa i përket angazhimit tim, që nga shkurti i vitit 2022, kam kënaqësinë të jem mësuese në Shkollën Shqipe, ku fillova të punoj në dy pika shkollore njëra në kantonin e Solothurnit konkretisht në Grenchen si dhe tjetra në kantonin e Bernit, Tavannes. Për një kohë më të shkurtër, kisha edhe një pikë shkollore në qytetin e Solothurn. Duke qenë se para një viti kam ndërruar vendbanimin, më është dashur ti ndërroj edhe pikat shkollore. Tani jap mesim në pikën shkollore në Kirchberg, si dhe në qytetin e Bernit, ka filluar regjistrimi i nxënësve në tri pika të tjera shkollore. Shfrytëzoj rastin që ti ftoj prindërit shqiptarë që jetojnë në Bernë që ti sjellin fëmijët në njërën nga këto pikat shkollore.
Mësimi në gjuhën shqipe: Shkolla: “Statthalter”/ Çdo të Mërkurë; Ora: 15:30 – 17:30 – Adresa: Bümplizstrasse 152, 3018 Bernë. Shkolla: “Manuel” /Çdo të Shtunë; Ora: 9:00 – 12:00 – Adresa:Mülinenstrasse 6, 3006 Bernë. Shkolla: “Wittigkofen” / Çdo të Mërkurë; Ora:13:30 – 15:30 – Adresa:Jupiterstrasse 35, 3015 Wittigkofen / Bernë. Shkolla: “Primarschule Kirchberg” Çdo të Premte; Ora: grupi i parë16:00-17:30; grupi i dytë 17:30 – 19:00.- Adresa: Schulweg 13, 33422 Kirchberg. Mësimi zhvillohet në një ambient që promovon kulturën dhe gjuhën shqipe, duke u përkushtuar në mbështetje të fëmijëve shqiptarë në diasporë. Klasat si gjithnjë janë si nga mosha ashtu edhe niveli i njohurive gjuhësore shumë heterogjene.
BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE KOMUNITETIN SHQIPTAR
Përfshirja e prindërve është thelbësore për të arritur sukses në mësimdhënien e gjuhës shqipe. Bashkëpunimi i ngushtë midis mësuesve, prindërve dhe komunitetit shqiptar është shumë i rëndësishëm për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe nga brezat e rinj. Mësuesit duhet të gjejnë një ekuilibër të duhur midis mbështetjes dhe pritëshmërive të larta ndaj nxënësve, siç ndodh edhe në arsimin gjerman dhe zviceran. Bashkëpunimi i mësuesve, prindërve dhe nxënësve nën ombrellën e institucioneve shqiptare dhe atyre kosovare është shumë i rëndësishëm për të siguruar mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Që nga fillimi kam pasur klasa heterogjene, ku nxënësit ishin nga mosha 5 deri në 15 vjeç. Gjatë mësimit, kemi nxënës që flasin gjuhën shqipe në mënyrë të shkëlqyer, por gjithashtu edhe ata që kishin vështirësi të mëdha, përfshirë fëmijë me nevoja të veçanta si “Sindromi Down”. Fillimi ishte i vështirë, por dashuria e sinqertë e këtyre fëmijëve, që më përqafojnë me gëzim, më ka dhënë edhe më shumë forcë dhe motivim.
Gjithashtu për mua shumë mbresëlënëse është, se si një nënë polake e martuar me një shqiptar, e cila sjellë pesë fëmijë në klasë. Kjo situatë e pasur me diversitet ka ndihmuar në rritjen e ndjeshmërisë dhe kuptimit të kulturave të ndryshme. Kur u transferova në Bern, vazhdova përpjekjet e mia për të mbështetur fëmijët dhe për të kontribuar në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor edhe këtu. Puna në shkollën shqipe më ka ndihmuar të rikthehem te vetja dhe të shijoj çdo moment, përkundër sfidave që mund ti kemi… Kam organizuar aktivitete kulturore, duke festuar festat tradicionale dhe ditëlindjet, ditën botërore të fëmijëve, për të ndihmuar nxënësit të ndiejnë afërsinë me vendin e tyre të origjinës dhe të flasin shqip me krenari.
Këto përvoja, përveçse janë një mundësi për të mësuar gjuhën shqipe, janë një mundësi për të ndarë dashurinë për kulturën tonë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një identiteti të fortë te fëmijët shqiptarë në diasporë. Pas diplomimit në gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë në vitin 2006, isha shume afër hapjes së një klase në Gjermani, qyteti ku jetoja Achern, por rrethanat e krijuara nuk e lejuan këtë. Megjithatë, sapo më është ofruar kjo mundësi këtu në Zvicër fillova këtë me shumë entuziazëm. Dashuria ndaj profesionit tim, gjuhës Amë dhe femijëve, vihet re që nga momenti që hyj në klasë. Besoj fort se çfarë japim, do të marrim prapë. Ky parim përpiqem ta transmetoj jo vetëm tek nxënësit e mi, por edhe tek fëmijët e mi, për t’i inkurajuar ata të përjetojnë jetën me dashuri dhe respekt.
KURRIKULA MËSIMORE
Si mësues të gjuhës shqipe në diasporë, kryesisht përdorim tekstin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” I dhe II, të ofruar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Ky është një burim i vlefshëm që na lejon të zhvillojmë mësimin e gjuhës shqipe dhe të zbulojmë kulturën tonë me nxënësit. Përveç këtij teksti, ne përpiqemi të integrojmë edhe materiale të tjera nga interneti, burime të ndryshme dhe madje edhe aktivitete e lojëra, të cilat i përshtatim sipas grupmoshave dhe niveleve gjuhësore të nxënësve.
Kohët e fundit kemi pasur mundësi të takohemi më shpesh me kolegët tanë në Zvicër nëpër trajnime apo festa të ndryshme, si dhe së fundmi në Prishtinë, ku kemi pasur mundësi të shkëmbejmë përvojat tona. Kjo përkrahje nga qeveritë tona, ambasadat dhe qendra botuese e diasporës është shumë e dobishme për ne si mësues të diasporës, pasi na ndihmon të rritemi profesionalisht. Mbështetja për ne si mësues të diasporës ka qenë shumë e dobishme pasi me kolegët zviceranë këmbimi i ideve është pothuajse i pamundur njëra nga arsyet mund të jetë edhe se jo të gjithë kolegët kanë pasur mundësinë të mësojnë mirë gjuhën e vendit. Por, gjëja vendimtare është orari në të cilin ne e zhvillojmë mësimin. Ne mbajmë mësimin mbas mësimit të rregullt pra, pasi të jetë mbyllur shkolla. Këtu do të shfrytëzonim rastin t’i lusnim përsëri qeveritë tona që të bëjnë gjithçka që të jetë e mundur që mësimdhënia e gjuhës shqipe të bëhet gjatë orarit normal të mësimit. Këtë e kërkojmë për dy arsye: e para siç e cekëm më lart të na mundësohet që të kemi më shumë mundësi të ndërrimit të ideve me kolegët zviceranë dhe e dyta kështu besojmë se do rritej numri i nxënësve mbase shumica e aktiviteteve të lira sporteve etj. janë po në të njëjtën kohë me mësimin e gjuhës shqipe. Kjo ua vështirëson atyre që mbase ata duhet të vendosin shkollën shqipe apo futboll, muzikë, balet, kurse të matematikës etj. etj. Edhe kjo na dhemb kur i shohim që ne ua “vjedhim” kohën e lirë mbase ashtu munden t’i tregojnë talentet e tyre edhe në gjëra të tjera dhe të bëjnë shoqëri jashtë oborrit të shkollës me nxënës të kombësive të ndryshme me të cilët ndajnë edhe të njëjtat interesa. Kjo do ulte edhe stresin e gjithë ditës duke guxuar të jenë edhe fëmijë mbase siç dihet orari i mësimit këtu në Zvicër është mjaft i gjatë.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR
Mësimi i gjuhës shqipe është thelbësor për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve që jetojnë në Mërgatë. Kjo është e rëndësishme për shumë arsye. Mësimi i gjuhës amtare shqipe ndihmon fëmijët shqiptarë në mërgatë të zhvillojnë një ndjenjë më të fortë të identitetit dhe lidhjes me trashëgiminë e tyre kulturore. Kjo i bën ata të ndjehen pjesë e një komuniteti më të gjerë. Mësimi i gjuhës shqipe siguron që gjuha dhe traditat të ruhen dhe të transmetohen tek brezat e ardhshëm të shqiptarëve në diasporë. Kjo është thelbësore për të ruajtur identitetin kombëtar.
Mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe shoqërisë zvicerane. Kjo kontribuon në integrimin e suksesshëm. Gjuha shqipe nuk pengon aspak fëmijët tanë në mësimin e gjuhës gjermane, por përkundrazi i forcon ata. Shumëgjuhësia shihet si një avantazh i madh në Zvicër, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të mësojnë gjuhë të shumta në të ardhmen. Në përfundim, e them me përgjegjësi se mësimi i gjuhës shqipe është jetik për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Zvicër. Ai i ndihmon fëmijët të zhvillojnë një ndjenjë të fortë të përkatësisë, të transmetojnë traditën dhe të kontribuojnë në dialog ndërkulturor. Kjo është një përgjegjësi që të gjithë ne, prindër, mësues dhe komuniteti, duhet ta marrim shumë seriozisht.
MËSIM SHQIP NË ZVICËR ME KATËR GJUHË ZYRTARE DHE 26 KANTONE
Shumë fëmijë rriten sot duke folur dy ose tri gjuhë. Zvicra ka katër gjuhë zyrtare dhe është e përbërë nga 26 Kantone. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që nuk kanë gjermanishten si gjuhë të parë, mund të ndjekin “Mësimin në gjuhën dhe kulturën amtare – HSK” që nga kopshti. interesat kantonale përfaqësohen në Konferencën e përbashkët të Drejtorive të Arsimit EDK. Ekzistojnë rekomandimet e EDK-së për arsimimin e fëmijëve me gjuhë të huaj, të bëra që nga viti 1991. Duke qenë se kantonet mbajnë përgjegjësinë kryesore, rreth 90%, për financimin e arsimit, mbështetja për mësimin e gjuhës dhe kulturës amtare, përfshirë edhe gjuhën shqipe, disi ndryshon nga kantoni në kanton. Një gjë, që më ka bërë shumë krenare është, një anketë e re e Zyrës Federale të Statistikave tregon: Për herë të parë pas më shumë se dhjetë vjet, në Zvicër flitet më shumë shqip sesa portugalisht. Kjo do të thotë që pas anglishtes, shqipja është gjuha e huaj më e folur në Zvicër në vitin 2024. Në kantonin, në të cilin unë jetoj dhe punoj, në Bernë, organizohen rregullisht seminare dhe kurse falas për mësuesit e HSK-së. Për shembull, seminari i fundit ishte për fëmijët me ADHS gjatë mësimdhënies, ndërsa seminari i radhës, për të cilin kam konfirmuar pjesëmarrjen time, do t’i kushtohet strategjive të mësimdhënies për fëmijët me çrregullime të spektrit autik (ASS). Pra kantoni rregullon pranimin e mësimit plotësues dhe të mësuesve na ofron klasat ku të zhvillohet mësimi dhe koordinon ofertën. Ai gjithashtu mbështet zhvillimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës amtare përmes ofertave të caktuara të zhvillimit profesional dhe konferencave. Duke u bazuar se si kolegët tanë këtu që ofrojnë gjuhët e tyre amtare përkrahen nga vendi amë apo edhe nga kolegët tanë të mësimdhënies se gjuhës shqipe në vende të tjera evropiane përkrahen nga vendi në të cilin jetojnë p.sh nga Austria, Norvegjia etj. kuptohet se definitivisht mund të bëhet edhe shumë më shume në këtë drejtim, si nga kantoni ashtu edhe nga qeveritë tona.
Për më tepër, në webfaqen zyrtare te kantonit të Bernit, për mësimin plotësues « HSK -Unterricht », shkruan se shumëgjuhësia është një fitim, është një mundësi shumë e mirë, dhe më pas ndër të tjerash e gjenë aty linkun e një studimi të bërë nga instituti Shtetëror i Edukimit të Hershëm – IFP në Mynih të Gjermanisë, i cili ka përgatitur edhe një udhëzues për prindërit, të cilët kanë fëmijë që rriten duke folur dy ose tre gjuhë.
Për më tepër mund të them me bindje të plotë se mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër pritet në mënyrë pozitive nga shoqëria zvicerane, duke e parë atë si një hap të rëndësishëm për integrimin e komunitetit shqiptar. Autoritetet zvicerane mbështesin mësimin e gjuhëve amtare, duke e parë atë si një mjet për të forcuar identitetin kulturor dhe integrimin. Ekziston bashkëpunim i ngushtë midis shkollave dhe organeve shtetërore për të siguruar kushte të përshtatshme edhe për mësimin e gjuhës shqipe.
Siç dihet, se ndër vendet shumëgjuhëshe, Zvicra konsiderohet si modeli ideal i kohezionit kombëtar. Ambasadat e Shqipërisë, Ambasada e R. së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë së veriut, konsullatat tona si dhe Qendra e Botimeve për Diasporën, organizatat dhe shoqatat shqiptare luajnë gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe promovimin e mësimit të gjuhës shqipe. Angazhimi i komunitetit shqiptar, duke përfshirë prindërit, mësuesit dhe vullnetarët, është jetik për vazhdimësinë dhe cilësinë e mësimit. Ky kontribut i komunitetit shqiptar dëshmon përkushtimin për të ruajtur identitetin kulturor dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm. Mësimi i gjuhës shqipe në Zvicër gëzon mbështetjen e shoqërisë zvicerane, duke u parë si një instrument i rëndësishëm për diversitetin kulturor dhe integrimin e komunitetit shqiptar.
MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI
Ne, si mësimdhënës, kemi nevojë për një qasje të balancuar, duke kombinuar metodat tradicionale me ato të teknologjisë, si dhe kujdesin dhe entuziazmin tonë ndaj profesionit tonë të shenjt, si mësues në diasporë dhe ndaj nxënësve me dy apo më shumë gjuhësi. Ne gjithsesi duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe të zhvillojmë strategji për t’i tejkaluar ato. Megjithëse mësimdhënia përmes teknologjisë ofron shumë përparësi për fëmijët me dy apo më shumë gjuhësi, kjo kërkon vëmendje të veçantë nga ana jonë për të adresuar vështirësitë e mundshme. E ceka me më shumë gjuhë mbase fëmijët që rriten dhe shkollohen në Zvicër, konkretisht po flas për kantonin në të cilin unë jetoj, pra kantonin e Bernit është diçka normale. Një shembull konkret : fëmijët e mi në shtëpi me mua flasin shqip, në rrugë me shokë flasin dialektin zviceran, në shkollë flasin gjuhen standarde gjermane, ndërsa për tu regjistruar në gjimnaz kërkohet një nivel tejet i mirë i gjuhës frënge si dhe natyrisht edhe gjuhën angleze e mësojnë në shkollë.
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Angazhimi ynë në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Zvicër është një hap i rëndësishëm për integrimin e komunitetit shqiptar. Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Zvicër ka gjithsesi një efekt të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe ndjenjës së tyre patriotike. Mësimi i gjuhës amtare ndihmon fëmijët të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre kulturor shqiptar. Përmes shkollës shqipe ata marrin ndjenjën e krenarisë për origjinën e tyre. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, brezat e rinj shqiptarë në diasporë mund të forcojnë lidhjen e tyre edhe me vendin e prejardhjes dhe të zhvillojnë një ndjenjë të fortë të identitetit kombëtar dhe ju rritet dëshira për ta vizituar vendlindjen. Pra, njohja e gjuhës shqipe ndihmon fëmijët të ndërtojnë ura midis kulturave, duke kontribuar në një dialog dhe mirëkuptim më të gjerë ndërkulturor. Mësimi i gjuhës shqipe luan një rol thelbësor në integrimin e qëndrueshëm të komunitetit shqiptar edhe në shoqërinë zvicerane, duke i bërë ata të ndjehen më të pranuar dhe të vlerësuar.
PËRSHTYPJET NGA SEMINARI I XVII MBARËKOMBËTAR I KOSOVËS
Kjo ishte hera e parë që mora pjesë në këtë Seminar. Ky ishte Seminari i XVII Mbarëkombëtar për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë. Gjithmonë ndjej kënaqësi të ndajmë përvojat nga aktivitetet e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë me kolegët nga e gjithë bota shqiptare që punojnë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Gjatë katër ditëve të seminarit pata rastin të dëgjoj kumtesa nga ekspertë të fushës së gjuhësisë, të marr pjesë në punëtori ku u diskutuan çështje të rëndësishme për përmirësimin e mësimdhënies.
Gjatë Seminarit XVII, unë prezantova nje rezyme të shkurtër temës së koleges Anita Duriçi për ndërthurjen e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare me atë të vendit pritës. Në Seminarin e XVII Mbarëkombëtar “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë”, së bashku me mësues të tjerë, diskutuam mbi metodologjitë e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur fëmijët shqiptarë që rriten jashtë atdheut, duke besuar se vetëm përmes bashkëpunimit do të ruajmë identitetin tonë kulturor. Një falënderim i veçantë për Shkollën shqipe « LAPSH » dhe veçanërisht koordinatorit tonë z. Vaxhid Sejdiut për mbështetjen dhe përkushtimin në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë. Ajo që ne na gëzoi veçanërisht ishte prania e autoriteteve të larta qeveritare nga Kosova dhe Shqipëria si kryeministri z. Kurti, ministren Gërvalla, ministren e Arsimit të R. së Kosovës z. Nagavci, ministren e arsimit dhe të Sportit të Shqipërisë znj. Orgeta Manstirliu. Kjo tregon përkrahjen dhe vëmendjen që i kushtohet punës sonë. Ishte një nder i veçantë që kjo ngjarje madhështore zhvillohej në vendin tim, në Prishtinën e bukur. Pra seminari u zhvillua në Prishtinë, qytetin ku unë i përfundova studimet, kjo më dha edhe një ndjenjë emocionuese të kthimit në shtëpi dhe sidomos vizita në bibliotekën kombëtare më beri të ndjehesha përsëri studente, diçka që më ka munguar shumë gjatë viteve. Pjesëmarrja në këtë seminar më frymëzoi dhe më dha ide të reja për të forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore të vendeve pritëse, kjo mund të ketë efekte shumë pozitive për programet e mësimdhënies suplementare të gjuhës shqipe. Në tërësi, ky seminar ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u frymëzuar, për t’u përmirësuar profesionalisht dhe për të ndjekur përkrahjen që vjen nga shtetet tona amë për misionin tonë kombëtar.
KUSH ËSHTË MËSUESJA MIRSIME MUJA DURMISHI?
Mirsime Muja Durmishi, e lindur më 28 tetor 1982 në Podujevë, ka përfunduar studimet universitare për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Në vendlindje, ajo ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme. Ajo ka punuar për rreth dy vjet në kalkulimin e mallrave në një nga supermarketet më të mëdha të kohës në Podujevë. Nga viti 2007 deri në vitin 2019, Mirsime Muja Durmishi ka jetuar në Gjermani, ku edhe e ka mësuar gjuhën gjermane. Ajo e ka përfunduar me sukses testin e gjuhës gjermane “telc C1 Hochschule” në Freiburg, Gjermani, në vitin 2018. Nga viti 2014 deri në vitin 2019, ajo ka punuar si përkthyese vullnetare në Achern, Gjermani. Që nga viti 2019, Mirsime Muja Durmishi jeton në Zvicër. Me dëshirën për të ofruar kurse në gjuhën shqipe për të rritur, ajo ka përfunduar me sukses kursin “SVEB I”, i cili është i domosdoshëm për mësimdhënie për të rritur në Zvicër. Ky kurs përbëhet nga disa module. Pasi ka përfunduar praktikën e kërkuar, në janar të këtij viti, ajo ka marrë certifikatën “SVEB I – Kursleiterin Erwachsenenbildnerin” nga Volkshochschule në Solothurn, ku e ka ndjekur këtë kurs. Deri në vitin 2021, ajo ka punuar si ndihmëse mjekësore në një ordinancë private.
Që nga shkurti i vitit 2022, Mirsime Muja Durmishi i është rikthyer pasionit të saj të vjetër për mësimdhënie, për të cilën edhe është diplomuar në vitin 2006, në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Pastaj, ajo ndoqi një kurs 1-vjeçar universitar në Universitetin e Vjenës, i cili përbëhej nga 6 Module, me gjithsej 30 ECTS, të cilin e përfundoi me sukses në shtator të këtij viti. Kursi udhëhiqej nga Prof. i.R. Mag. Dr. Renate Faistauer dhe Mag. Dr. Nino Tomaschek, Privatdoz. MA. Kursi quhet: “2023S Deutsch als Fremdsprache weltweit unterrichten – Online-Zertifikatskurs” në shqip “Mësimdhënia e Gjuhës Gjermane si Gjuhë e Huaj në Mbarë Botën – Kurs Online me Certifikatë Universitare në Vjenë”.
Pastaj, ajo ka vazhduar të marrë pjesë në seminare, webinare, punishte të ndryshme për mësimdhënës: në gjuhën shqipe, gjermane dhe angleze. Disa nga seminaret, webinaret dhe punishtet e fundit ku ka marrë pjesë janë:
«Seminari Mbarëkombëtar XVII – Metodologjia e Mësimdhënies së Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Mërgim», Prishtinë (18.–21. Korrik 2024)
Konferenca 4-ditore e 50-vjetorit të FaDaF-it (Shoqata Profesionale e Gjermanishtes si Gjuhë e Huaj/ Gjuhë e Dytë) – 50. Jahrestagung Deutsch als Fremd- und Zweitsprache, 09.- 12.10.2024 në Göttingen- online
Webinar: Kush ka frikë nga AI? Inteligjenca Artificiale dhe Gjuha Gjermane si Gjuhë e Huaj (Niveli C1) – (Webinar: Who’s afraid of AI? Künstliche Intelligenz und DaF (C1)) – (Praxistag)
Webinar: Gjermanishtja si Gjuhë e Dytë në Vendin e Punës është më shumë se një ndryshim i vendit të të nxënit/mësuarit: Nga identifikimi i nevojave gjuhësore-komunikuese të nxënësve drejt identifikimit të nevojave gjuhësore-komunikuese në lidhje me organizimin dhe kërkesat e ndërmarrjes./ (Workshop: DaZ am Arbeitsplatz ist mehr als ein Lernortwechsel: Von der sprachlich kommunikativen Ermittlung der Bedarfe der Lernenden zur Ermittlung der sprachlich kommunikativen organisationsbezogenen Bedarfe des Unternehmens)
Punëtoria “Inteligjenca Artificiale në Arsim” me Joe Dale (në gjuhën Angleze) / (Workshop ‘Artificial intelligence in education’ with Joe Dale (in English)) – në Zürich
Trajnimi: Prezantim/hyrje në Big Blue Button (Einführung in Big Blue Button) me Flying Teachers – Zürich
Trajnimi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Bern: Boxenstopp für Berufseinsteigende II (Klassenmanagement/Zusammenarbeit) / (Menaxhimi i klasës/ bashkëpunimi)
Trajnimi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Bern: “Mësimdhënia digjitale me OneNote (përfshirë Teams)”, nën drejtimin e Profesorit Universitar Jürg Widrig – (Digital unterrichten mit OneNote (inkl. Teams)
“Nxitja e të mësuarit të pavarur» – Weiterbildung Grundkompetenzen: Lernautonomie fördern bei Fachstelle Weiterbildung VSV, Bern.
Trainimi për trainere motivuese në akademin e suksesit “I am Power” që udhëhiqet nga trainerja motivuese, Mimoza Thaqi.
Trainimi profesional “Blended Learning” me portalin mësimor të vhs (12.02. deri 25.04.2024) «Kongresi 22eme Congres Freinet Suisse», Herzberg bei Aarau (17.–20. Maj 2022)
«Kongresi 21eme Congres Freinet Suisse», Herzberg bei Aarau (25.–28. Maj 2022)
Trainimet nga shkolla shqipe dhe qendra e botimeve në Uster/Zürich (08. & 18.12.2022)
Mirsime Muja Durmishi vazhdon të jetë një shembull i përkushtimit në fushën e edukimit gjuhësor dhe integrimit kulturor. Ajo ofron njohuri dhe aftësi të rëndësishme për të gjithë ata që duan të mësojnë gjuhën gjermane dhe shqipe. Përveç kësaj, ajo është e gatshme të ofrojë edhe kurse private në formate të ndryshme si prezencë/në klasë, hibride, online ose blended learning për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë gjuhën gjermane ose shqipe. Mirsimen mund ta gjeni në portalet si Facebook dhe në Linkedin: Mirsime Muja Durmishi | LinkedIn. Duke qenë se Mirsimja vetë u integrua me sukses si në Gjermani ashtu edhe në Zvicër, ajo tani ndihmon me entuziazëm të tjerët duke ofruar kurse integrimi për të rritur të gjuhës gjermane.
Sapo u zhvendos në Bern, Mirsimja u pranua në një program – rrjet profesional, për emigrantë të kualifikuar, të quajtur «BERNETZ». Programi «BERNETZ», i udhëhequr nga Lora Slovak, është një program rrjetëzimi profesional i qytetit të Bernit, që synon të mbështesë emigrantët e kualifikuar për të hyrë në tregun e punës në Zvicër. Ky program është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që posedojnë një diplomë të huaj, për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale, për të rritur vetëbesimin dhe për t’u integruar me sukses në tregun e punës në Zvicër. Për një periudhë rreth dhjetë muajsh, nga shkurti deri në nëntor, programi ofron ndihmë të fokusuar përmes rrjeteve profesionale, trajnimeve dhe mundësive për lidhje të drejtpërdrejta me profesionistë të fushave të ndryshme.
Që nga nëntori i vitit 2023, Mirsimja është punësuar në institucionin gjuhësor Flying Teachers në Bern dhe Zürich, ku ka filluar të japë kurse hibride të gjermanishtes në Bern dhe gjithashtu kurse integrimi të gjuhës gjermane me qëllim tregun e punës: (Integrationskurs Deutsch mit Ziel Arbeitsmarkt) në Zürich, si dhe nga qershori 2024 kurse online po të gjuhës gjermane për kompani “Firmenkurse”. Nga dhjetori 2024 ka filluar mësimdhënien edhe në një institucion tjetër gjuhësor. Nga dhjetori, Mirsimja ofron kurset e saj edhe në Migros Klubschule në Bern, im Bahnhof (7 Welle). Në Migros Klubschule ajo ofron kurse të ndryshme për të rritur të gjuhës gjermane dhe shqipe.