



Baftjar Kondi kordinator i Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo – Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Arezzo – Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, gjeografisë, traditës e kulturës shqiptare. Me kordinatorin e Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo – Itali Baftjar Kondi, bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “NËNË TEREZA” NË AREZZO
Organizimi Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” në Arezzo, rajoni i Toskanës në Itali ka filluar aktivitetin në Mars të vitit 2022. Kërkuam në takime të gjithë ata shqiptarë që kishin fëmijë në mënyrë që tu jepej mundësia të gjithë bashkatdhetarëve që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Mësimi te Shkolla Shqipe “Nënë Tereza” zhvillohet një herë në javë me nga dy orë, çdo të shtunë nga ora 16:00 deri ne 18:00. Sallën ku zhvillojmë procesin mësimor e kemi falas nga komuna e Arezzos. Fëmijët mësojnë gjuhë shqipe që ka prioritet kryesor e nga pak histori e gjeografi. Mësuesit e shkëlqyer dhe profesionistë të spikatur që janë të angazhuar: Hamdi Kulaj- Vlorë ( ish mësues dhe drejtor), Paskal Kaçani – Vlorë ( ish mesues), Mirela Dimitrovski- Elbasan ( ish mësuese), Esmeralda Hamzi dhe Baftjar Kondi si kordinatori i shkollës shqipe. Si fillim u regjstruan 27 fëmijë. Aktualisht frekuentimi i fëmijëve është diku 10-15 fëmijë në çdo orë mësimi për arsye se nxënësit kanë edhe aktivitete të tjera zbavitëse si sporti – futboll apo në kërcime e këngë e valle. Shpesh herë të themi të drejtën ka një neglizhim nga prindërit për shkollën shqipe sepse e quajnë si kohë të humbur dhe pa interes duke mos qenë korrekt me sjelljen e fëmijëve në mësim. Për të zgjidhur këtë situatë po kërkojmë rrugë të tjera zgjidhjeje si për shembull po kërkojmë që mesimin ta zhvillojmë direkt në shkollat italiane ku zhvillojnë mësimin e rregullt ditor.
MBËSHTETJA NGA SHOQATA “VËLLAZËRIA SHQIPTARE”
Shoqata “Vëllazëria Shqiptare” që ka dhënë kontribut thelbësor për shkollën shqipe është krujuar në shtator të vitit 2022 dhe kemi bërë plot aktivitete në shërbim të komunitetit shqiptar në komunën e Arezzo si organizimi për er ditën e flamurit kombëtar, për diten e eksodit të shqiptarëve në Itali, me idenë që largimi nga Shqipëria nuk duhet të ndodhë më kurrë. Si shoqatë kemi zhvilluar takime me autoritet e komunës dhe të qytetit për integrimin e komunitetit shqiptar etj. Kemi pasur takime të frytshme për azhornimin e ligjeve që i përkasin të huajve në Itali ku pjesë bëjnë dhe shqiptarët. Kemi mbledhur ndihma ekonomike për familjet me ekonomi të dobët ose për zgjidhjen e problemeve të ndryshme sociale e humanitare.
NJË THIRRJE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR
Shkollën shqipe “Nënë Tereza” një pjesë e emigrantëve e bashkatdhetarëve e kanë pritur shumë mirë dhe vazhdojnë të jenë rregullisht frekuentues. Është dhe një pjesë tjetër që fatkeqësisht ju duket pa ineteres. Ne i bëjmë thirrje komunitetit shqiptar që ti bashkohen shkollës shqipe “Nënë Tereza” si qendër atdhetare dhe komunitare. Prindërit duhet të bëjnë më shumë për fëmijët në drejtim të mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjes së traditave kombëtare.
VËSHTIRËSITË NË PUNËN ME NXËNËSIT
Vështirësitë në punën me nxënësit si mësues i kemi pasur veçanërisht me ata fëmijë që në shtëpi e tyre prindërit nuk u flasin fare në gjuhën shqipe. Për të tejkaluar vështirësitë jemi të detyruar t’ua shpjegojmë mësimet në gjuhën italiane. Puna e prindërve në shtëpi është thelbësore në procesin e mësimit shqip. Inkurajojmë prindërit për më shumë vëmendje dhe mbështetje.
PRINDËRIT DUHET TË BËJNË MË SHUMË
Është një fakt i dukshëm që mësimi shqip ka rritur krenarinë kombëtare te fëmijët dhe ndjenjën patriotike. Por ka dy tablo: tek ato familje dhe tek ata fëmijë që kanë dëshirë rezultati është i kënaqshëm. Për mendimin tim kjo gjë varet nga prindërit që nuk punojnë me fëmijët e tyre aq sa duhet. Ka edhe nga ata prindër që thonë: “gjuhën ua mesoj unë në shtëpi”. Mirëpo kjo nuk është pozitive për faktin se e flasin në dialekt ndërsa në histori dhe gjeografi janë shumë dobët. Rritja e bashkëpunimit prindër- nxënës do të shtojë dhe vlerat e punës së mësuesve për mësimin e gjuhës shqipe.
KUSH ËSHTË KORDINATORI BAFTJAR KONDI ?
Jam nga Amonica e Vlorës. Kam ardhur në Itali me eksodin e marsit 1991. Fillova punën si puntor i thjeshtë ndërsa tani kam një aktivitet – ofiçinë ku merrem me punimin e hekurit. Në Shqipëri fillova instituito e Bio- Kimisë në Univerditetin e Gjirokastrës dhe e lashë në vit të dytë sepse u nisa për në Itali. Familja ime para luftës ka qenë me Ballin dhe natyrisht në kohën e diktaturës ishim nën kontroll dhe na ndalohej shkolla. Gjyshi im ka marrë pjesë në luftën e Janinës (Quhet Lilo Kondi). Ndërsa një xhaxhai i babit ka qenë aktivist në luftën e Vlorës dhe ka marrë pjesë në pritje e Ismail Qemalit (quhet Abaz Kondi). Në politikë jam me të djathtën dhe jam kordinator organizativ për qytetin e Arezzo. Bëj pjesë në departamentin e krahinës Toscana ku jam kordinator për të gjithë të huajt.