Nga Adelina Laçaj/
Me datën 11 Janar, 2025, Shkolla Shqipe Skenderbej, organizoi edicionin e pestë: Dëgjoni Zërat Tanë” me temë, Festat e Fundvitit dhe Dhuratat tona Simbolike. Aktiviteti u organizua në Brooklyn Height Library, New York. Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetari i Shoqates Shqiptaro-Amerikane Skenderbej, zoti Imer Lacaj, sekretarja, znj. Alketa Ktona-Veshi, anëtarë të Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skenderbej, grupi pedagogjik i shkollës, nxënës, prindër, gjyshër e dashamirës të saj.
Aktiviteti u hap nga nxënësit, Arelt Xhaferri, Erla Lamçe dhe Kelvin Rustani. Nxënësit shpjeguan rreth gëzimit dhe kënaqësisë së tyre për të marrë pjesë në këtë aktivitet, vlerësuan rëndësinë e grupimit të tyre në këtë librari, falenderuan bordin për krijimin e shkollës Shqipe “ Skenderbej” si edhe dhanë vlerësim për punën e mësueseve, të cilat kontribojnë në mësimin e gjuhës shqipe, ndërthurjen e kulturave të ndryshme dhe shpjegimin e lidhjeve që ato kanë ndërmjet tyre, kujdesin për ruajtjen e kulturës tradicionale shqiptare dhe avancimin e eksperiencave të ndryshme në jetën shkollore duke mbeshtetur dinamikën e saj.
Aktiviteti u zhvillua në dy pjesë. Në pjesën e parë të saj, nxënësit punuan me shtëpitë xhenxhefil, (Gingerbread House) në grupe të ndryshme. Ata patën mundësinë të zbukurojnë shtëpitë e krijuara me karamele me ngjyra, glazure dhe dekorime të tjera, të cilat nxitën imagjinaten e tyre. Përvoja për të prekur artikujt gjatë montimit dhe zbukurimit të tyre, ishte tërheqëse dhe mundësi për zhvillim të aftësive më të mira motorike. Nxënësit duke punuar, ndanë idetë, kontrolluan punën e tyre të përbashkët, dhe kështu sollën krijime të shijshme dhe vizualisht të këndëshme. Shpesh u ndodhte të shijonin përbërësit gjatë procesit, duke e bërë këtë aktivitet edhe më argëtues si për ta, edhe për të tjerë që i ndiqnin gjatë punës. Aktiviteti ishte një kombinim i përkryer i argëtimit, mësimit dhe gëzimit festiv.
Ndihmuan në sistemimin e këtij ambjenti të këndshem, grupi i punës me drejtuese nxenësen Simelba Xhaferri. Në pjesën e dytë të aktivitetit nxënësit prezantuan në powerpoint tema rreth festimit të Vitit të Ri në familje dhe dhuratave të cilat ata i vlerësuan si shumë të dashura e domethënese. Prezantuan punë në powerpoint nxënësit: Enzo Rustani, Erla Lamçe, Kelvin Rustani, Amara Hysolli, Jori Lamçe, Eneo Rustani, Emma Bermuça , Amelia Bermuça, Amara Spaillari, Aria Karaj, Kiara Laçi, Erisa Laçi dhe nxënësja Anja Kojku, të cilët sollën në sallë, pjesë të jetës së tyre nga mjedise të ndryshme si, familja, shkollat Amerikane, shkolla Shqipe Skenderbej, aktivitete në vende të ndryshme zbavitëse me familjen, si edhe rreth vizitave më të fundit në Shqipëri, me rastin e Vitit të Ri.
Ky aktivitet i ndihmoi nxënësit në rritjen e tyre personale. Ata u vendosën përmes eksperiencave të ndryshme dhe iu dha mundesia të zgjerojne perspektivat, si edhe të rrisin empatine për njeri- tjetrin. Diskutimi rreth dhuratave simbolike forcoi vlerësimin për gjestet domethenëse dhe mendimet të cilat qëndrojnë pas dhuratës. Ai ndihmoi në rritjen e mirënjohjes. Ndarja e temës personale para grupit, rriti edhe më shumë vetëbesimin për aftësitë që ata kanë në të folur para publikut. Shprehja e emocioneve në sallë, stimuloi frymëzim, për të ardhur me ide të tjera, edhe më të avancuara në të ardhmen. Vendosja e nxënësve në skenë tregoi dhe siguroi edhe një herë vlerësimin që i bën Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej, këtyre grupmoshave. Nxënësit falenderuan edhe për dhuratat e marra në fund të Vitit, nga ana e Shoqatës, si edhe vlerësuan rëndësinë që ajo i dha këtij momenti. Më tej ata u ulën në tryeza, diskutuan rreth aktivitetit e të rejave me të cilat ata u prezantuan. Nxënësit falenderuan gjithashtu, zotin Elton Xhaferri, anëtar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skenderbej, i cili bëri të mundur sjelljen dhe vendosjen e porosive të miratuara nga bordi i shkollës në tavolina, për këtë aktivitet. Suksese në aktivitete të reja, Shkolla Shqipe Skenderbej! Paçi një Vit Akademik të sukseshëm e frymëzues !
12 Janar, 2025
Staten Island, New York