Luljeta Xhediku/
Më datë 14 dhjetor 2024 u themelua shkolla shqipe më e re në Nju Jork, e cila mban emrin e heroit tonë kombëtar, shkolla shqipe “Skënderbej”. Misioni i kësaj shkolle është të ruajë gjuhën amë, kulturën e traditat tona në brezat që vijnë. Ideja e hapjes së kësaj shkolle erdhi nga suksesi i programit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, program ky i nisur nga shoqata shqiptaroamerikane “Skënderbej” Inc. Në themelimin e shkollës ishin të pranishëm prindër, nxënës, gjyshe e gjyshër si edhe të ftuar nderi, si. Dr. Paulin Marku. Fjalën përshëndetëse e mbajti z. Imer Lacaj, kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., i cili foli për misionin dhe rëndësinë e hapjes së kësaj shkolle. Ndër të tjera z. Lacaj theksoi: “Jam i emocionuar, por krenar që të jem këtu sot në këtë ditë historike, kur shoqata krahas përkujtimit të krijimit të 7-vjetorit të saj shënon një tjetër arritje të rëndësishme, shpall sot publikisht themelimin e shkollës shqipe “Skënderbej”. Në këtë ditë kaq të rëndësishme për shoqatën tonë në veçanti dhe komunitetin tonë në përgjithësi. Misioni i shoqatës sonë ka qenë dhe do të mbetet ruajtja e identitetit kombëtar, ruajtja e traditave dhe gjuhës sonë të bukur shqipe. Sot dua të shpreh mirënjohjen time për mësueset Adelina Lacaj dhe Geltjana Bulku, për kontributin e çmuar përmes programit të tyre “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, që fillimisht ishte vetëm për anëtarët e shoqatës. Falë vizionit dhe përkushtimit të tyre, ato propozuan në kryesinë e shoqatës për krijimin e kësaj shkolle. Krijimi i shkollës u miratua nga kryesia e shoqatës më datë 8 dhjetor 2024. Gjithashtu, z. Lacaj shprehu mirënjohjen e tij të thellë për znj. Merita Shehu, menaxhere e bibliotekës ku zhvillohet mësimi për kontributin e saj të shquar në sigurimin e një ambienti cilësor për mësim dhe promovimin e kësaj nisme të rëndësishme në komunitet. Përshëndeti përfaqësuesi i federatës panshqiptare “Vatra” dhe kryetar i degës së “Vatrës” në Long Island, njëkohësisht bashkëthemelues i shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, Dr. Paulin Marku. Dr. Marku, duke falënderuar për ftesën e marrë u shpreh “Jam i lumtur që një shkollë e re shqipe po hapet në Brooklyn, Nju Jork. Përgëzoj mësueset Adelina Lacaj dhe Geltjana Bulku, për këtë iniciativë që jo vetëm duhet përgëzuar, por duhet mbështetur, unë në fjalën time përshëndetëse në shkollën time ju thashë dy gjëra prindërve: në qoftë se ju si prindër e keni vullnetin dhe dashamirësinë tuaj që këta fëmijë të mësojnë dhe edukohen në Amerikë kundrejt çdo ligji, kundrejt çdo të drejte amerikane, por njëkohësisht në një vend të lirë e demokrat siç është Amerika, që na jep të drejtën të ruajmë kulturën, gjuhën, ju lutem bashkëpunoni me këta mësues të nderuar. Në qoftë se do të funksionojë bashkëpunimi prindër – mësues dhe nxënës unë jam i bindur se kjo shkollë që shohim me 20-30 nxënës shumë shpejt do të kemi shumë më tepër”. Më pas fjalën e mori anëtari i kryesisë dhe koordiantor i shoqatës me bordin e shkollës “Skënderbej”, z. Ervin Toro, i cili foli për koordinimin e veprimtarisë së shkollës dhe bashkëveprimin me kryesinë e shoqatës për programet mësimdhënëse, sigurimin e abetareve, librave e bazës materiale dhe fondeve të nevojshme që janë një pikë e rëndësishme për suksesin e shkollës. Përshëndeti gjithashtu mësuesja shumë e dashur për fëmijët, Geltjana Bulku, e cila ishte tepër e emocionuar për themelimin e kësaj shkolle dhe pasi na njohu me veprimtarinë e grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe” iu drejtua nxënësëve me këto fjalë “Fëmijë të dashur ju jeni jeta jonë, ju jeni ata që do të mbani gjallë frymën e atdhedashurisë dhe do të përcillni traditat tona dhe zakonet në vazhdimësi”. Ndër të tjera, mësuesja Geltjana Bulku theksoi se “ka më shumë gëzim kur jep sesa kur merr. Le të japim më të mirën tonë në shërbim të komunitetit, le të duam dhe të mbështesim nëri-tjetrin, ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve ju që na mbështesni në çfarëdolloj mënyre, pa ju nuk mund të bëjmë asgjë, por me ju mund të bëjmë gjithçka”. Vijoi programin me fjalën e saj, mësuesja e palodhur dhe plot energji, Adelina Lacaj, e cila edhe pse kishte përgatitur një fjalim të gjatë e shkurtoi atë për t’u dhënë më shumë kohë fëmijëve që të gëzonin në këtë ditë. Mësuese Adelina u shpreh: “Sot është një ditë e shënuar për të gjithë ne, jemi mbledhur për të shtuar një shkollë më shumë në komunitetin tonë shqiptar, këtu në gjirin e Amerikës në Nju Jork. Emri i saj “Skënderbej” është pikë dhe lidhje historike, kujtesë dhe respekt i një kombi ndaj heroit të saj legjendar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i la identitet kombit për ta gëzuar, respektuar e ndriçuar ndër shekuj. Shkolla jonë “Skënderbej” do të luajë një rol shumë të rëndësishëm, do të kontribuojë në formimin e individit, zhvillimin e familjes dhe komunitetit në përgjithësi. Në këtë shkollë, nxënësit do të nxisin të menduarit kritik, krijimtarinë dhe aftësinë për të zgjidhur probleme nga më të ndryshimet. Ata do të kenë mundësinë të marrin pjesë denjësisht në momente të rëndësishme historike të komunitetit dhe kombit tonë shqiptar”. Pasi folën dy mësueset, Adelina Lacaj dhe Geltjana Bulku si themeluese të kësaj shkolle, kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z. Imer Lacaj, lexoi përmbajtjen e certifikatës së themelimit të shkollës dhe ftoi Dr. Paulin Markun për t’u dorëzuar atyre këtë certifikatë. Nxënësit entuziastë kishin përgatitur një program artistik për të përshëndetur të gjithë të pranishmit, me rastin e themelimit të shkollës. Dhurata e parë simbolike për këtë shkollë të sapothemeluar erdhi nga sekretarja e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. Alketa Veshi, e cila dhuroi një kostum popullor të zonës së Tiranës, si simbol i trashëgimisë sonë kulturore. I urojmë shkollës shqipe “Skënderbej” shumë suksese në misionin e saj dhe edukoftë breza pafund në vazhdim!