
Kastriot Fetahu/
Shkrimtarët, lexuesit, kritika, një triumvirat që më kujton atë të Romës së lashtë, me Cezarin, Pompein dhe Krasin, ku padyshim Cezari është lexuesi.
“Lufta” midis tyre është e pranishme edhe sot, si në kolonat e Pallatit të Romës së lashtë. Sipas Kantit, arsyen e mundojnë pyetje që as i shpërfillim, as iu përgjigjemi dot. Dhe midis tyre Kanti rreshton estetikën, në të cilën edhe gënjeshtra më e vogël prish parimin e tij të çmuar kategorik.
Ndaj po ndalem të them dy fjalë për kritikën dhe shkrimtarët e burgut, edhe pse duket sikur është e vështirë të jemi të thjeshtë në këtë çështje. Të gjithë kemi shkrimtarët tanë të preferuar, idhuj nga adoleshenca, të pajtuar mes yjeve. Ideja e magjepsjes të çdo njeriu nga një shkrimtar karizmatik dhe mediatik nuk do të thotë se prozhektorët nuk fokusohen te të tjerët e më tej të mos shohim as yjet në qiell. A është në fund të fundit çështje vetëperceptimi, ideja fikse individuale?
Duke qenë se njeriu natyrshëm bën kritikën, do të thotë se vetëperceptimin rrezikojmë ta paraqitim si perceptim të publikut. Vokacioni kritik jo profesionist është i rrezikshëm, të cilit pak njerëz mund t’i rezistojnë. Arti i drejtohet zotësive të mendjes që janë imagjinata dhe ndjeshmëria. Prandaj profesionalizmi dhe empatia janë kritere bazike të kritikës, duke pasur parasysh se poezia dhe proza shkruhen në shtëpi të thjeshta, jo në shtëpi miliarderësh.
Dua t’i përkas modelit të targetit të njerëzve që nga dritarja e dhomës nuk dua të shikoj vetëm pemë të trishta dhe kalimtarë pa shpirt. Dua t’i përkas atyre që nuk hedhin kripë mbi plagë të vjetra. Për këtë kërkoj kuptimin historik, të cilin mund ta quajmë të domosdoshëm për këdo që do të vazhdonte të ishte shkrimtar përtej vijës së të qenurit i lirë në 360 gradë në krahasim me të tjerët. Ndaj pyes veten: kush është ndryshimi i shkrimtarit që vjen nga skëterra e burgut të diktaturës?
Emra si Trebeshina, Morava, Zhiti e të tjerë janë personazhe që kanë provuar Hadin. Për ekzistencialistët s’ndodh asgjë, po nuk preke fundin. Trebeshina, Morava, Zhiti e kanë prekur dhe sjellin perceptimin e vet për lexuesin, natyrisht me tone epike.
Shkrimtari duhet të zhvillojë ose të përftojë vetëdijen e së kaluarës dhe duhet të vazhdojë ta progresojë këtë vetëdije gjatë jetës së tij, pasi pasqyron kohën që ka jetuar e jeton. Kam një pikëpyetje të madhe për sjelljen tonë qytetëruese në rastin e këtyre shkrimtarëve.
Popuj të qytetëruar si çekët, bullgarët apo dhe të tjerë, figurave të tilla iu besuan tranzicionin politik (Vaclav Havel apo Zhelju Zhelev), ndërsa ne ia besuam njerëzve me të kaluar komuniste, ndaj duket se endemi akoma rrugëve të autokracisë dhe “triumviratit romak” në letërsi.
Nuk e imagjinoj dot se Trebeshina, Morava, Zhiti janë të tejkaluar, pasi idetë e tyre janë mjaft të freskëta dhe aktuale. “Vajtimi’’ i tyre është “Klithma’’ e Edvard Munch, shprehur me fjalë dhe “grafika Kepleriane”.
Po e vazhdoj opinionin tim me një emër tjetër, me mbretin e mendimit të fshehtë, Martin Heidegger. Për të, mendimtaria është një aktivitet vetmitar dhe, si e tillë, është një vetëperceptim. Për ta kthyer këtë vetëperceptim në një perceptim publik duhen gjëra fare të thjeshta si një census letrar apo sondazh, ku të dalë zgjidhja e të vërtetave që pretendojnë kritikët.
Kam lexuar shumë konkluzione vetjake në formë aksiomatike, po nuk kam parë kurrë një anketim. Unë nuk konsideroj anketim rezultatet nga pagesat nën dorë, bërë blogerëve apo influencierëve të publikut, sepse deformojnë të vërtetën për “tre aspra”.
Anketimet janë bankoprova që iu përgjigjen pyetjeve kantiane dhe drejtohen nga institucione zyrtare artistike.
Shpesh ngatërrojmë të vërtetën e emrit shkrimtar, duke e përfshirë në fenomenologji atë. Fenomenologji është vetëm një panair me çështjet makro të tij. Nuk është kurrë fenomenologji të futim në një thes Homerin, Shekspirin, Tolstoin dhe Kafkën me makrodukuritë e një panairi në pak rreshta opinioni teknik, apo në një simpozium letrar për një kohëzgjatje prej dy orësh.
Nuk mund të vrasim me një frazë të pamenduar veprimtarinë e një shkrimtari që, për fat, jeton ose jo, kur analizën individuale e shesim për opinion publik.
Duhet të mos harrojmë se, kur nazistët trokitën në derën e priftit, atë nuk kishte kush ta mbronte më. Këtë ma vërteton ideja se për “Çeta e profetëve’’ të Bogdanit apo “Gjahu i malësorëve’’ të Kristoforidhit nuk ka asnjë fjalë, duke i fshirë nga memoria e publikut.
Druaj se në këto kohëra tranzicioni janë analizuar dhe ngritur si vlera plagjiatura letrare, aq sa mendoj se edhe romane kanë përvetësuar, duke iu ndryshuar emrat e personazheve. Është hipotezë që, sikurse thotë Kanti, nuk mund ta shpërfill dhe as ti përgjigjem dot, por kritikë seriozë me studimin e tyre mund të kenë një konkluzion ndoshta. Shkrimtaria është një fe, është një besim për mua dhe çdo shkrimtar është zot në universin e tij. Ideja që i bëjmë kritikë është vlera e vërtetë, por hedhja poshtë me një frazë vetëperceptimi përbën akt me plot epitete negative kundër çdo shkrimtari. Kritika nuk duhet të ketë lidhje me proverbin amerikan: “Po nuk pate armiq në jetë, nuk ke bërë asgjë siç duhet.”
Për Stenli Kubrik, në filmin “The Shining”, ankthi më i madh është frika nga vdekja prej dorës së njeriut që duhet të kujdeset për ty. Duket sikur Kubrik do të na kumtojë se në letërsinë tonë po “lulëzon horrori”, pikërisht nga ata që duhet ta ndalin atë. Goditja nën brez po sofistikohet me fshehjen e targetit në turmë emrash që shërbejnë si “Muri i madh kinez”. Kritika nuk është një numër telefonik palindrom, pasi mund të kthehet edhe në “shigjetë Odiseu”.
Ka kritikë “të palicencuar’’ të cilët nuk kanë krijimtari, që më kujtojnë prokurorët në ngjarjen me përmasa përtej kontinentit, të Allen Ginsberg, edhe pse “sofistikojnë” fjalën me teknologjinë e kohës. Një gjykatës konservator për “Kuja’’ të Allen Ginsberg u shpreh: “Për kritikët Kuja është art; për prokurorët, pleh, vepër e turpshme, material që trajton seksin duke i mëshuar epshit, pa kurrfarë vlere sociale.”
Talenti është i lindur, intuitiv, iracional, i pandërgjegjshëm, i pamësuar, nga i cili shpërthen krijimtaria e vërtetë, dhe këtu nuk përjashtohet as kritiku.
Druaj se këta kritikë dinë të mendojnë letrarisht.
Të dish të mendosh është zeja më e çmuar e njeriut.
Më tremb mediokriteti i ndërthurur me ndërlikimin në disa raste. Të bësh kritikën duhet të jesh i zhveshur nga pasionet xheloze dhe të errëta; duhet të veshësh kostumin e të vërtetës me prerjen që meriton. E theksoj “prerjen që meriton”, duke u nisur nga një debat i Emily Dickinson me kushërirën e saj, një poete e rëndomtë. Kur kushërira e pyeti Emily-n se “si jam unë si poete”, ajo iu përgjigj: “Nuk dyshoj se vargjet tuaja pasqyrojnë talentin tuaj.”
Kritika nuk ka asnjëherë jehonë të vdekur, ndaj personi që e zhvillon duhet të kujdeset për atë që të mos i kthehet si një paralajmërim se po bëhet e kaluara e jetës së tij. Guri i Sizifit u ngjit deri afër majës, sepse Sizifi pati fuqinë ta kryejë atë rrugë. Por jo të gjithë bëjmë Sizifin. Shumë prej nesh as e ngrenë dot gurin mbi kurriz; Trebeshina, Morava dhe Zhiti ndoshta kanë arritur kuotën e Sizifit. Mos të harrojmë se Harold Bloom, kritiku legjendar amerikan, i shihte shkrimtarët dhe poetët jo si zejtarë, madje as si mendimtarë, por si vizionarë dhe profetë që shohin thelbin e gjërave.