

Shkruar nga Avni Alcani/
Dita e Shën Gjergjit përjetohet si periudha e ndaljes nga dimri dhe i ardhjjes së , e cila është festuar që në lashtësi, kur besohej në shumë perëndi. Te gjithë popujt e Ballkanit, të cilët e festojnë më masë të gjërë këtë ditë, kjo festë fillon me 5 maj dhe vazhdon deri me 15 maj. Kjo feste duket se ka qenë një festë pagane, që lidhej me shtegtimin e bagëtive, më saktë me ardhen e tyre nga shtegtimi i gjatë dimëror.
Ardhja e krishterimit nuk e shkuli këtë traditë pagane. Përkundraxi, e pranoi dhe ia vunë emrin Shën Gjergj, duke bashkuar zakonet e vjetra pagane nën petkun e fesë së re monoteiste. Kush ishte shkaku i vënies së një emri të krishterë një feste pagane? Bazuar në kalendarët e hershëm bizantinë, dita e Shën Gjergjit është 23 prilli, që përkon me rikthimin e bagëtive në male. Dhe ishte pikërisht ky përkim i kalendarit me shtegtimin e bagëtive në vjeshtë (për Shmitër) në fusha dhe rikthimin e tyre në male në pranverë (Shnjergj). Sot ajo festohet si dikur, me lojëra dhe argëtime të shumta zbavitëse.
Edhe emri Gjergj (Kastrioti Skënderbeu) iu vendos Heroit tonë Kombëtar, pasi mendohet se ai lindi në Ditën e Shën Gjergjit, më 6 maj 1405.
FESTA E SHËNGJERGJIT TE SHQIPTARËT
Shëngjergji është një nga festat që ka më shumë afërsi me Ditën e Verës. Ndofta ngjashmëria është për shkak se të dyja festat janë ose përkojnë me stinën e pranverës dhe kanë në themel të tyre ringjalljen e natyrës, të jetës dhe punëve bujqësore. Lidhur me këtë prof. Eqerem Çabej do të shkruante: “Një ditë e kremte pranverore është, pas mendimit tim, edhe dita e Shëngjergjit,… e cila ka hyrë në të gjitha besimet Shqiptare dhe që kremtohet prej të gjithve pa përjashtim”. Në disa fshatra të Rekës e të Gostivarit dita para ditës së Shëngjergjit quhej “Dita e Luleve”, ose “Dita e Virgjilit”. Ajo është një festë shumë e ngjashme me Ditën e Verës. Sipas studiueses Edibe Selimi–Osmani (Tetovë), e cila ka studiuar festat pagane në disa fshatra shqiptare të Tetovës (Pollogut), ka shkruar se edhe disa prej riteve të Ditës së Luleve janë rite pagane dhe janë simotra me ritet e Ditës së Verës. Në Ditën e Luleve, shkruan E. Selimi-Osmani, nuk lejohet puna e dorës, si thurja apo qepja me gjilpërë, pasi “sipas paragjykimeve, kështu gratë nuk ka rrezik t’i hanë gjarpërinjtë”. Në atë ditë, shkruan studiuesja Selimi-Osmani, “të rinjtë e të rejat tubohen në vende të caktuara. Në fshatrat e Pollogut të rinjtë dhe të rejat me këngë e def, tubohen Ditën e Luleve dhe thurin kurora lulesh, thyejnë degë thanash, shelgu e degë të tjera të gjelbëruara me të cilat stolisin shtëpitë, ahuret, dyert e dhomave, shtëpitë e zjarrit etj. Rrugës për në vendin e caktuar këndojnë: “Lum ne të lumët, / xhi na erdh Shinxherxhi, / ka zbilue mali, / ka çelun xhethi”, ose “Do shkojna për lule nëpër ara / që t’i mbushim krejet me kolara”. Në qytetet e Gostivarit dhe Tetovës, si dhe në disa fshatra rreth tyre, shkruan Selimi-Osmani, zhvillohej ceremonia e larjes së fëmijëve në ditën e Shëngjergjit, pasi besohej se fëmijët që laheshin në atë ditë do të siguronin shendet të plotë gjatë gjithë vitit. Ashtu si në Ditën e Verës, në këto treva fëmijëve u japin si dhuratë vezë të ziera të ngjyrosura, kurse vajzat e reja stolisin dyert e shtëpive me lule dhe gjelbërime të ndryshme.
Në disa fshatra shqiptare të Tetovës Perëndimore, në Ditën e Shëngjergjit nuk punohej me parmendë. Në një Simpozium të mbajtur në Shkup në vitin 1991, me titull “Shqiptarët e Tetovës”, prof. dr. Spiro Shkurti do të referonte në kumtesën e tij, për karakterin bujqësor e blegtoral të kësaj feste.
Në Kosovë Dita e Shengjergjit kremtohet zakonisht më 6 maj, e cila përkon me kohën e mbjelljeve të bimëve pranverore, si të patates, misrit, fasules etj. Kremtimi fillonte herët në mëngjes, ku të rinjtë ndezin zjarre dhe vendosin shelgje nëpër ara. Edhe vajzat dalin herët në mëngjes dhe afrohen pranë një burimi uji dhe presin majat e flokëve, me dëshirën që floku i tyre të jetë i butë dhe të rritet si rrjedhja e ujit. Gjatë prerjes së flokëve, vajzat këndojnë: “Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e te xhamia,/ aq mu rritshin flok’t e mia;/ Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e të mejtepi,/ aq m’u rrit’ mua gërsheti…”. Në Brod të Gorës dhe në Shajne të Opojës, në Ditën e Shëngjergjit, bëhet tubimi i të rinjve, djem e vajza, në një vend tradicional. Këtu bëhen njohjet e të rinjve mes njëri-tjetrit dhe ka raste kur të rinjtë lidhin fejesa mes tyre.
Si përfundim mund të themi se Dita e Shëngjergjit është një festë me rite gati tërësisht pagane, e cila vetëm emrin e festës ka të ruajtur si të krishterë, ndërsa në brendësinë e saj ajo ka elemente të ritualit e të karakterit pagan. Siç e pamë, Dita e Shën Gjergjit në origjinën e saj ka pasur të bëjë me kultin e pjellorisë e të prodhimtarisë bujqësore, gjë që e afron me Ditën e Verës. Në Ditën e Shëngjergjit Shqiptarët zhvillonin rite të ndryshme pagane me gjarpërinj, ku, ashtu si në Ditën e Verës, ndizeshin zjarre nëpër male e kodra dhe banorët dilnin masivisht në mal për pelegrinazh.
SHNJERGJI (SHËN GJERGJI) – FESTA E BLEGTORËVE NË FSHATIN POLIS TË LIBRAZHDIT
Blegtoria ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të polisarëve. Çdo shtëpi polisare kishte tufën e saj të bagëtive dhe disa nga pjestarët e familjes, zakonisht burrat, i kushtoheshin ruajtjes së bagëtive dhe punimit të bulmetit. Jeta baritore ishte e organizuar me stane, që ishin formuar nga bashkimi i disa tufave të disa familjeve, të cilat, për rreth tre muajt e verës i kullosnin bagëtitë dhe përgatisnin bulmetin së bashku.
Gjatë periudhës së ftohtë të dimrit, barinjtë e Polisit i shtegtonin bagëtitë e tyre në fusha, në kullota dimërore, të cilat i quanin merà, të cilat i kishin në fushat e Elbasanit dhe në fushat e Myzeqesë, si në fshatrat Çermë, Dushk, Gramsh, Zhanë etj. e deri në Myzeqenë e Fierit. Nisja e bagëtive nëpër fusha niste bëhëj në Shndre (Shën Andrea), sapo fillonte bora e parë, rreth datës 15 nëntor. Para nisjes organizohej një festë e madhe popullore, me këngë e valle, në të cilat merrnoin pjesë të gjithë banorët, i madh e i vogël. Udhëtimi ishte i gjatë. Një familje mund ta bënte rrugën për 7 ditë. Ditën e parë ishte nisja dhe më 16 nëntor tufa mbërrinte në Shushicë, në vendin e quajtur Teftericë. Në ditën e dytë (datë 17 nëntor) tufa shkonte në Vidhas. Ditën e tretë (më 18 nëntor) mbërrinte në Papërr. Ditën e katërt tufa ishte në Peqin (më 19 nëntor). Ditën e pestë (më 20 nëntor) tufa shkonte në Bishtin e Zhurit, në Rrogozhinë. Ditën e gjashtë mbërrinte në Lekaj (më 21 nëntor) dhe ditën e shtatë, më 22 nëntor, tufa mbërrinte në Luzin e Vogël të Kavajës, ku ishin meratë.
Kthimi i bagëtive bëhej rreth mesit të prillit, në Shnjergj (Shën Gjergj), në datat 14-15-16 prill. Me këtë rast organizoheshin festa popullore. Festa të tilla ishin bërë edhe para nisjes për dimërim, por ato të kthimit ishin më të hareshme e më zbavitëse. Para se të ngjiteshin në mal, do të bëhej bashkimi i tufave dhe më pas fillonte nisja e tyre në stane. Përcjellja e tufave bëhej nga i gjithë fshati, me burra, gra dhe fëmijë, duke e kthyer atë ditë në një festë të madhe. Periudha e staneve zgjaste rreth dy muaj e tri javë.
Shënim: Datat janë dhënë sipas kalendarit të vjetër Julian (allaturka).




See insights and ads
All reactions:
66