Shkruan: Mhill Velaj/
Këto ditë në vazhdën e pasurimit dhe angazhimeve tona kulturore në diasporën e SHBA – së shoqata jonë është pasuruar me disa emra të shquar të artit, kulturës, shkencës e veprimtarive atdhetare, të cilët falë kontributit e tyre janë një vlerë e shtuar për shoqatën dhe jetën kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë. Anëtarësimi i tyre do ta pasuroj mozaikun kulturor dhe atdhetar, ku së bashku do shtegëtojmë e gjakojmë shtegun integrues e emancipues të kësaj pjese të etnisë sonë. Me poshtë po japim një pasqyrë të shkurtër të këtyre emrave e personoliteteve të cilët me punën e tyre në dekada japin sinjalin e mirë se etja për ruajtjen e traditës, artit, kulturës, e letërsisë sonë nuk ka të ndalur.
Nexhmedin Syla është i lindur në Shishman të Malësisë së Gjakovës, ku e kreu shkollimin fillor. Diplomoi në Gjakovë në shkollën Normale-5 vjeçare për mësues profesional-pedagog. Studijoi në Akademinë e lartë për Teatër, Film dhe Televizion në Prishtinë, në klasën e aktorit Faruk Begolli. Studijoi edhe në fakultetin e gazetarisë. Punoi 12 vjet moderator, gazetar dhe redaktor në Programin e Parë të Radiotelevizionit të Prishtinës. Bashkë me Hys Shkrelin dhe Florin Kelmendin janë themeluesit e programit të drejtëperdrejtë 24 orësh, konkretisht; Programi i Natës dhe Programi Mëngjesit! Që nga mbyllja e RTP-së (1990) si i pavarur, bartë çertifikimin dhe librezën e anëtarësisë: “International Federation of Journalists” të çertifikuar nga qendra në Bruksel.
Nga maji i vitit 1992 për pesë vjet ndihmoi zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, në kantonin e St. Gallenit, në Zvicër. Pas realizimit të filmit artistik “Ankthi” shkon në SHBA për të realizuar pjesën e dytë të filmit, ku në maj të vitit 1998, vendoset në SHBA.
Në vitet 2022 dhe 2023 botoi katër libra; tre me poezi dhe një me tregime dhe ese: “Mëllef”, “Ritme jete”, “Kulm pezmi”, “Dhe vjen në ditë” dhe “Testamenti”. Ka dhe katër përmbledhje poezishë, të gatshme për botim, dhe një roman në dorëshkrim.
Si këngëtar ka botuar 6 audioalbume; dhe po aq dhe videoalbume muzikore. Luajti në teatër dhe film. Në Zvicër realizoi dokumentarin gjermanisht “Guri rrokullisës” dhe filmin e metrazhit të gjatë artistik “Ankthi”. Në gazetari ka në përfundim një serial të madh me reportazhe nëpër botë. Jeton mes Nju Jork-ut dhe Prishtinës.
Gjon Frani Ivezaj është i lindur me 28.8.1953 në Keshevë të Grudës, Komuna e Tuzit. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij në Arzë. Më pas ciklin parauniversitar e fillon në Ulqin dhe e përfundon në Klinë të Kosovës, me rezultate shumë të larta në mësime nga ku i lind e drejta e studimit për në universitet. Studimet e para akademike në degën Filozofi e Përgjithshme i kreu në Prishtinë, ndërsa më vonë arrin të diplomohet në Fakultetin Filozofik të Shkupit në vitin 1980. Me ambicjen e një studiuesi të palodhur, shquhet si hulumtues në arkivat më në zë të Europes: në Athinë, Romë, Vjenë, Dubrovnik, Budapest, Zagreb, Sofje, Milano, Beograd, etj. Në vitin 1981 emërohet të punojë në qytetin e Shkupit. Pas rënies së sistemit dhe rëndimit të klimës politike në vend detyrohet të emigrojë në perendim ku sërish vazhdon studimet për inxhinieri në “John Jay College of Criminal Justice City University of New York, 1997-1999”.
Falë pasionit dhe hulumtimeve gjatë studimeve akademike e në vazhdim, Gjon Fran Ivezaj ka hartuar një sërë materialësh shkencore historiko-filolozofike e kulturore me të cilat lexuesi është njohur me botimet e tij të herë pas hershme.
Ka botuar:
”Copëza historie kombëtare”, Studime historike, Shkodër, 2012.
“Fisi Ivezaj në rrjedhat e historiesë”, Studime historike, Shkodër, 2016.
”Giurmime historike në rrënjët kombëtare”, Studime historike, Shkodër, 2019.
“lliro-paganët dhe sfidat e Krishterimit në Shipëri”, Studime historike, Lezhë, 2020.
“Rrënjët & malet e Malësisë së Madhe”, Studime historike, Lezhë, 2020.
“Malësorë të rritur në kullat e gurit”, Studime historike, Lezhë, 2021.
“Nën Hijen e Kullës së Baca Lulit”, Studime historike, Lezhë, 2022.
”T’bieshkuemit e Malsorëve dhe Bieshkët e Malsisë së Madhe”, Studime historike, Lezhë, 2022.
“Shkreli”, Studime historike, Lezhë, 2023.
Përveç këtyre botimeve ai ka edhe një mori materialësh tjera të botuara në revistat shkencore e kulturore në formë kumtesash dhe shkrimesh burimore e arkivore.
Eva Dori është e lindur më 13 qershor 1974 në qytetin e Lushnjës. Ka kryer shkollën e mesme “18 Tetori”. Fakultetin e kreu në Universitetin e Tiranës, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Karrierën e saj profesionale e ka nisur si gazetare në Radio-Televizionin Shqiptar. Për 25 vjet rresht ushtroi profesionin e gazetares. Ka realizuar me dhjetëra emisione, ndër të tjera duhet përmendur: Grila të Grisura – Real Televizion, Ftesë për çaj – telenorbs. Faqja e parë – Tv Koha, Shtëpia e ëndrrave – TV Koha, Mëngjesi i një artisti – Tv Koha, Një ditë e re – Planet Tv, Nuk jam vetëm – TVSh, Fatma, eja në shkollë – Tvsh Mirëmengjesi – Tvsh.
Eva Dori është autore e këtyre librave:
“Duart e fatit”, Poezi; “Ishulli i Shelgjeve të bardhë”, Poezi; “Bebi Bjond” – Tregime; “Mimozat e para” – Tregime; “Nuk jam vetëm” – Antologji.
Aurel Naqi është i lindur në qytetin e Korçës më 23 Qershor të vitit 1985. Shkollën fillore e ka kryer në, Naum Veqilharxhi’’ ku filloi dhe angazhimet në aktivitet e ndryshme, në teatrin e shkollës, duke luajtur disa role, me tema sociale. Shkollën e mesme e kreu në, “Themistokli Gërmenji ‘’ dhe më pas u largua në Greqi bashkë me familjen. Aty kaloi një periudhë të shkurtër kohe, ku u angazhua në organizatën fetare (The Followers of Jesus) ku çdo të dielë vinte në skenë shfaqje të vogla që trajtonin tema sociale, dhe nga jeta e përditshme me anëtarët e trupës dhe në mënyrë paralele ndiqte shkollën e natës në kurset për të mësuar gjuhën që të vazhdonte me pas studimet. Më pas largohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Albany, New York ku ju drejtua shkollës së filmit, por për shkak të kostos së lartë u detyrua të ndjekë alternativa të tjera, duke u angazhuar vullnetarisht në klubin e regjisorëve të pavarur, (Upstate Independent Filmmakers) për projekte filmike. Në bashkëpunim me një nga instruktorët e shkollës së filmit, arrin të kapë rolin e asistentit producent në një nga filmat historikë dokumentarë “Who Killed Hazel Drew “me regjinë e John Hasler dhe me producente Susie Griswold, emra të njohur për qytetin ku jetonte. Pasioni për letërsinë e shoqëroi dhe në vendin e huaj.
Në vitin 2019 boton librin me poezi “Tango Nate” në Amazon. Në vitin 2020 me gjithë vështirësitë e pandemisë, xhiron filmin me metrazh të shkurtër “Your Turn” një bashkëpunim Shqiptaro-Amerikan, i zhanrit thriller dhe më pas në 2021 filmin e dytë në zhanrin romancë-dramë “The Last Kiss”. Në Tetor të 2021 boton librin e parë me proza “Në krahët e mbrëmjes fshihet puthja”. Një vit pas botimit të librit kthehet në vendlindje dhe xhiron filmin e tretë me metrazh të shkurtër, por këtë herë në gjuhën shqipe “Aroma e Trëndafilit Të Kuq “. Në tetor të vitit 2022 futet në botim vëllimi i dytë me poezi “Në Buzët e Një Gruaje “.
Aureli vazhdon angazhimet si në fushën kinematografisë ashtu edhe në letërsi duke botuar në gazeta të ndryshme brenda dhe jashtë.
Sami Mulaj është i lindur në Tropojë (Tropojë e Vjetër). Ka kryer shkollën e mesme, gjimnazin “Asim Vokshi” në qytetin Bajram Curri. Arsimin e lartë e ka kryer në vitet 1976-1981, në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave (degën e minierave dhe specializimin për pasurimin e mineraleve). Ka punuar inxhinier miniere në minierat e kromit e të kuarcit në rrethin e Tropojës dhe në minierën e qymyrit në Gërdec të rrethit të Tiranës. Ka bashkëpunim të hershëm me organet e shtypit periodik si në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Që në vogëli ka botuar shkrime të natyrave të ndryshme me interes shoqëror e politik, si në ‘’Zëri i Rinisë’’, ‘’Bashkimi’’, ‘’Zëri i Popullit’’, gazeta “Studenti”, Gazeta “Shkëlzeni”, “Gazeta Kosova”, “Rilindja Demokratike”, “Gazeta e Alpeve”, “VOAL” në Zvicër, “Bota Sot”, “Gazeta Illyria” dhe gazeta “Dielli” në New York. Prej vitit 1997 jeton në Amerikë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë, dy djem dhe dy nipër. Është shumë i angazhuar në rrethet patriotike dhe atdhetare të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një zë i nderuar dhe i dashur i komunitetit, që jeton e frymon me shqetësim për fatet e atdheut tonë e të trojeve shqiptare.
Ka botuar dy libra me poezi “Lisat e mi të diellit”,’’Buzëqeshja e se Nesermes”, dhe “Dy Anadrinët” të cilat janë pritur me interes nga lexuesit dhe komuniteti artistik.
Nosh Mernacaj, është i lindur në Rrethin e Shkodrës, me 16 dhjetor 1976. Jeton në NY prej vitit 1999. Diplomuar në Mercy University në 2005 në degën “Shkencat computerike” – Computer Science. Diplomuar në Iona University në 2009 në MBA (Master of Business Administration) dhe eCommerce. Punon si këshilltar teknik dhe strategjik në fushën e Sigurisë Kibernitike prej 13 vitesh. Flet Italisht (Mbrojtur me diplomë nga NYU) dhe Anglisht, përveç Shqipes. Ka njohuri të Spanishtës dhe Rusishtës. Ka shkruar poezi në Shqip, Italisht, dhe Anglisht, si dhe prozë. Në vitin 2004 ka fituar vendin e parë në konkursin e poezisë të organizuar nga studentët shqiptarë të SHBA – së në NY.
Në vitin 2021 ka botuar librin “Growing Up in Communist Albania”. Libri është shpërndarë në 10 vende të botës, deri në Brazil. Ka marrë vlerësim maximal 5/5 nga Victoria Erwin, redaktore e audiobooks.com dhe kryeredaktore e fangirlnation.com. Është duke pununar për një përmbledhje poezish dhe po punon në një novelë.
Azgan Berbati është i lindur më 15.03.1998 në Bajram Curri dhe shkollën e mesme e kreu po aty. Aktualisht jeton në SHBA. Ka përfunduar studimet e larta bachelor dhe Master Shkencor në profilin: Inxhinier Agromjedisi. Gjatë studimeve është votëbesuar për t’i përfaqësuar studentët në Qeverinë e Universitetit (senatin akademik). Pastaj në Komisionin Institucional Zgjedhor të Universitetit, detyrë, të cilën e mban akoma. Në vitin 2017-të ka fituar çmimin e parë “Poezia më e mirë” në konkursin e zhvilluar nga Klubi Letrar Pena e Re-Tiranë. Është bashkëautor në disa antologji, revista letrare, bashkëpuntor i shtypit periodik, etj.
Në vitin 2019-të ka botuar librin me poezi “Britma e heshtjes”. Pastaj, u përzgjodh anëtar jurie për Festivalin Kombëtar Letrar, vlerësuar me medalje dhe çertifikatë mirënjohje. Ka qenë trajner në projekte të ndryshme. Aktualisht merret me projekte të fushës që është specializuar, projekte të shoqërisë civile dhe vazhdimisht me letërsi, veçanërisht, me poezi. Ka në proces botimi librin e radhës me poezi “Tektonika e Shpirtit”.