Përplasje mes kishës së Durrësit dhe shoqatës që mban bustin e Nolit. Kreu i kishës, At Spiro Kostoli, akuzon shoqatën se ka vepruar pa lejën e kishës për nderimin e figurës së Noli/
Vetëm një ditë pas vendosjes së bustit të ish- Kryepeshkopit Fan Noli, në kishën e Shën Mërisë së Elbasanit, ka ardhur edhe reagimi nga Kisha Ortodokse e Durrësit. Për bustin e Nolit, të realizuar nga skulptori Idriz Balani, ka pasur një sërë mosmarrëveshjes mes Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shoqatës përgjegjëse, konflikt i cili duket se do të mbetet i hapur. Vetëm dy ditë më parë kur busti i Nolit u përurua në Elbasan, në një atmosferë festive, me meshën e famullitarit At Nikolla Marku, në qytetin bregdetar, aty ku po bëheshin përpjekjet e fundit për të vendosur një tjetër bust të ish-Kryepeshkopit, është ngjitur vetëm një pllakatë. Kjo e fundit i referohet pikërisht meshës së parë shqipe, të mbajtur nga Noli në kishën e “Shën Spiridonit”, dhe sipas Elida Jorgonit, edhe rivendosjes, 40 vjet pas shkatërrimit nga regjimi komunist. At Spiro Kostoli, i Kishës së Durrësit në deklaratë për mediet ka kërkuar që busti i Fan Nolit të vendoset në Durrës dhe shoqata t’i drejtohet zyrtarisht bashkisë së qytetit për ta përmbushur këtë. “Deklarojmë se kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se ishte organizata ”Foleja kombëtare shqiptare” që i ndërpreu bisedimet me Kishën ”Apostull Pavli & Shën Asti” të Durrësit, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve vendore të qytetit”, – thotë At Spiro Kostoli. Sipas Kishës së Durrësit, shoqata ka tentuar të vendosë një pllakat përkujtimor dhe bustin e Fan Nolit në ambientet e Kishës së Durrësit, pa i drejtuar kishës dhe as bashkisë, kërkesën zyrtare dhe qëllimin e saj. Refuzimin e kishës, shoqata e konsideroi si akt antikombëtar, ndërsa Kisha Autoqefale e konsideroi si një sipërmarrje individuale, personale, që duke fyer figurën e Fan Nolit për mënyrën si u trajtua, kishte qëllim për të goditur vetëm Kryepeshkopin Anastas Janullatos për kombësinë e tij.
• Reagimi i shoqatës
• Shoqata denoncon hipokrizinë e reagimit të djeshëm të Kishës Ortodokse në Durrës, e cila thotë se është “dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. “Nëse priftërinjtë e KOASH mendojnë se janë kryebashkiakë ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit dhe jo “diku në Durrës”. “Foleja Kombëtare” nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume. Kërkesa është dorëzuar që më datë 18 qershor. Nëse ata duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të Kishës, ne marrim përsipër që të financojmë dhe ndërtojmë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. Kisha Ortodokse në Durrës me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit”.
• Mesha e parë e Nolit
• Historia ka faktuar se 100 vjet më parë, pikërisht në datën 10 mars 1914 Fan Noli ka zbritur në qytetin e Durrësit për të mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe. Në kishën e “Shën Spiridonit”, Noli është ndjekur nga dhjetëra besimtarë ortodoksë. Kisha e Shën Spiridonit në vitet e regjimit komunist humbi një pjesë të gjurmëve të saj origjinale. Kështu, dera e saj u mor dhe u dërgua tjetërkund, por ishte poeti dhe përkthyesi Perikli Jorgoni, së bashku me bashkëshorten, Elidën që e gjetën dhe e mbajtën për një kohë të gjatë, në pamundësi financiare për ta rivendosur. Dera origjinale e kishës është vendosur, jo shumë kohë më parë dhe Z. Jorgoni nuk mundi t’ia arrinte kësaj dite. Edhe pse humbi jetën në dhjetor 2012 Jorgoni, nip i patriotit Hilë Mosi la amanet që një shumë prej 600 mijë lekësh e mbledhur me të shoqen e tij të përdorej për të bërë një bust për Fan Nolin. Realizimin e mori përsipër skulptori i njohur Idriz Balani.
• Busti i Nolit, Kisha Ortodokse sulmon At Nikolla Markun
• Duket se At Nikolla Marku është bërë sebepi i konfliktit në kishën Ortodokse Shqiptare me ceremoninë e vendosjes së shtatores së Fan Nolit në qytetin e Elbasanit. Zëdhënësi i Kishës Ortodokse shqiptare, Thoma Dhima, ka postuar një sërë deklaratash gjatë ditës së djeshme, në të cilat ka sulmuar drejtpërdrejt famullitarin e kishës së “Shën Mërisë”. Dhima shkruan se Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, pasi përmend më së pari rregullat kanonike të një famullitari që predikon a drejton një kishë. “Asnjë Kishë Ortodokse nuk mund të ekzistojë pa pasur episkop (as edhe ndonjë kishë tjetër e krishterë). Asnjë prift ortodoks nuk është autonom ose autoqefal. Ai është i varur nga ana kanonike nga një episkop që është gjallë dhe kur meshon ose kryen çdo lloj akti priftëror, është i detyruar dhe duhet të përmendë emrin e këtij episkopi. Ky episkop duhet të përmendë në çdo meshë emrin e Kryepiskopit të Kishës Autoqefale (dhe Kryepiskopi emrat e të gjithë Primatëve Ortodoksë). Në rastin konkret, N. Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, sepse, është më se e qartë, që nuk e njeh asnjë i tillë. Një arsye më shumë kjo, për pavlefshmërinë absolute te akteve të tij. Pra, çdo pagëzim, përshpirtje, martesë a Meshë e bërë nga At Nikolla Marku nuk ka asnjë vlerë për besimtaret ortodoksë. Por, sigurisht, ka vlerë për besimtaret e feve të tjera që e mbështesin dhe financojnë” – shkruan Dhima. Më tej ai i referohet një shkrimi të Markut të botuar në një nga të përditshmet shqiptare në vitin 2012, në të cilin zbulon një vendim gjykate, ku sipas tij flitet për mashtrim. “N. Marku ndërmerr të vërtetojë “në mënyrë të ligjshme me një vendim gjykate të korrikut 1996, me nr. 2634, ekzistencën e grupimit të tij si subjekt juridik”. Por kur shikohet ky vendim, menjëherë bie në sy mashtrimi i madh. Vendimi gjyqësor me të cilin përpiqet të mbrohet (të cilin ia bashkëngjisim këtij artikulli), e njeh si shoqatë që ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit privat në lëmin e tregtisë të shitjes me shumicë dhe pakicë, me bazë ligjin 7512, 11. 8. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të dekretuar nga presidenti Ramiz Alia. Nuk bëhet fjalë për njohjen e një Kishe, por thjesht të një shoqate me emrin “Komiteti për mbrojtjen e Kishës ortodokse kombëtare shqiptare”, siç ka me qindra, së cilës i jepet e drejta të shesë dhe të blejë, siç bëjnë subjektet private të këtij lloji. Mashtrimi është i qartë. Asnjë gjykatë nuk e njohu këtë shoqatë ose këshill si Kishë dhe për më shumë si Kishë ortodokse. Dhe sigurisht, që një gjë e tillë nuk ndodhi as kur, pa ndonjë vendim tjetër gjyqësor, e ndryshoi vetë emrin e shoqatës dhe e vetëquajti “Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare” – citon Dhima.(Shkroi:Neritan Gjergo)
aleksi says
te vendoset ne durres pasi te jet shporur nga shqiperia prifti grek anulatua.
me kete prift grek ju ne durres i keni vene shqelmin nolit tone te madhe.
elbasani ka merit te madhe qe spranon priftin grek ne qytetin e tyre.
Kadri Tarelli says
vetë Elida Jorgoni meriton një bust të madh në qendër të Durrësit, që qytetaria durrsake duhet ta vlerësojë.