


Nga Zef Ujkaj/
Më 8 mars 2026, Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork organizoi shfaqjen e dokumentarit “Narhelmi”, me autor Mark Lucgjonaj. Ky aktivitet u zhvillua në vazhdën e veprimtarive kulturore që shoqata jonë organizon vazhdimisht për të promovuar historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Malësisë së Madhe në diasporë. Dokumentari “Narhelmi” pasqyron jetën, traditat dhe historinë e fshatit Narhelm në Tuz të Malësisë së Madhe, duke sjellë para publikut një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike dhe kulturore të kësaj treve.
Autori i dokumentarit, Mark Lucgjonaj, është gjithashtu autor i disa librave, disa prej të cilëve janë promovuar edhe nga Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork. Ai është fitues i disa çmimeve letrare dhe njëkohësisht punon si mësimdhënës në një nga institucionet arsimore në Malësi, duke qenë aktiv edhe në jetën kulturore dhe në krijimtarinë letrare. Duke vlerësuar veprimtarinë e tij të pasur, Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork është përpjekur vazhdimisht ta mbështesë dhe ta promovojë krijimtarinë e Mark Lucgjonajt në mesin e diasporës malësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shfaqja e dokumentarit u zhvillua në ambientet e restorantit “Ciao” në Westchester të Nju Jorkut, ku për të pranishmit u shtrua edhe një koktej i pasur.
Të pranishmit i përshëndeti kryetari i rizgjedhur i Shoqatës “Malësia e Madhe”, z. Senad Lulanaj, i cili, përveçse e përgëzoi autorin për realizimin e këtij dokumentari, iu uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe përshëndeti personalitetet e pranishëm në këtë aktivitet. Me këtë rast, ai uroi gjithashtu edhe të gjitha gratë e pranishme me rastin e festës së 8 Marsit.
Lulanaj shtoi se Mark Lucgjonaj këtë herë nuk erdhi ashtu siç jemi mësuar ta njohim, si krijues letrar, por në rolin e regjisorit. Ai theksoi se Lucgjonaj është një shembull pozitiv i rinisë malësore dhe e falënderoi në emër të Shoqatës “Malësia e Madhe” që kishte përzgjedhur pikërisht shoqatën tonë për promovimin e këtij dokumentari. Gjithashtu, ai ftoi të pranishmit që ta mbështesin Markun edhe materialisht për realizimin e projekteve të tjera të planifikuara, si në fushën e kulturës ashtu edhe në atë të krijimtarisë letrare dhe të filmave dokumentarë.
Më pas fjalën e mori autori i dokumentarit, Mark Lucgjonaj, i cili falënderoi përzemërsisht Shoqatën “Malësia e Madhe” për mikpritjen dhe për organizimin e këtij eventi kulturor. Marku theksoi se shkëndija për realizimin e këtij dokumentari lindi spontanisht, nga një vëzhgim që po i bënte fshatit, ndërsa ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas tij, dokumentari u realizua me idenë që pasardhësve t’u lihet një dëshmi vizive mbi të kaluarën e fshatit Narhelm. Ai u shpreh se filmi u realizua me mundësi të kufizuara financiare, duke falënderuar veçanërisht fotografin nga Malësia, Ceno Rrogathi, për realizimin teknik të dokumentarit. Marku theksoi se puna kishte filluar me pak mjete, por falë rrethanave praktike dhe përkushtimit u arrit të realizohej ky dokumentar. Ai shtoi se dokumentari trajton edhe larmishmërinë fetare dhe kombëtare që ekziston në këtë fshat, si dhe bashkëjetesën dhe respektin që ka mbizotëruar gjithmonë ndërmjet banorëve të tij. Gjatë fjalës së tij ai tregoi edhe disa histori komike që lidhen me një fenomen karakteristik të fshatit, që ka të bëjë me një mit rreth “gënjeshtrave të bukura” për të cilat njihet ky fshat.
Pas përfundimit të filmit, aktivisti Nikollë Junçaj sqaroi se dokumentari do të ketë edhe një pjesë të dytë për fshatin Narhelm, ndërsa në të ardhmen mund të realizohen edhe dokumentarë të tjerë për Malësinë dhe fshatrat e saj. Ai ftoi të pranishmit ta mbështesin financiarisht Markun për këtë punë voluminoze, e cila synon të dokumentojë historinë e Malësisë përmes filmave dokumentarë.
Marku falënderoi edhe një herë bashkëvendasit e tij që e ndihmuan moralisht dhe financiarisht për realizimin e dokumentarit “Narhelmi”, pjesa e parë. Ai falënderoi gjithashtu Shoqatën “Malësia e Madhe” për mbështetjen e vazhdueshme, duke përmendur edhe bursën studentore që shoqata i kishte dhënë gjatë studimeve të tij. Në lidhje me vazhdimin e projektit, ai tha se pjesa e dytë e dokumentarit mbi fshatin Narhelm kërkon një përkushtim më të madh për të plotësuar mozaikun e së kaluarës së këtij fshati, sidomos duke pasur parasysh se aktualisht ekziston një material i incizuar prej rreth 83 orësh. Ai falënderoi gjithashtu të pranishmit, të cilët gjatë këtij aktiviteti arritën të mbledhin rreth 7 mijë dollarë për nevojat e realizimit të këtyre dokumentarëve, përveç kontributeve të mëhershme që kishin dhënë bashkëvendasit e tij në Amerikë dhe Fondi i Pakicave në Mal të Zi.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte e madhe dhe të gjithë të pranishmit mbetën mjaft të kënaqur me prezantimin e këtij dokumentari, i cili solli para publikut një pasqyrë të gjallë të historisë dhe jetës së fshatit Narhelm.
Foto: Nikolle Bojaj