Shoqata Malësia e Madhe – New York bashkoi mbrëmë në një darkë speciale për mbledhje fondesh 80 mijë dollarë për studentët e shkëlqyer të Malësisë dhe njerëzit në nevojë në Malësi. Një mbështetje domethënëse për suksesin dhe vazhdimësinë e trashëgimisë historike dhe intelektuale të shqiptarëve në Malësi. Kjo shoqatë prej afro 30 vitesh ndihmon studentët e Malësisë ku shifra e tri dekadave i kalon 2 milion dollarë me mbi 50 studentë që përkrahen e mbështeten çdo vit.
Pjesë shumë e rëndësishme e ndihmës së shoqatës shkon për familjet në nevojë, objektet komunitare funksionale sociale që rrisin mirëqënien dhe shërbimet ndaj banorëve dhe raste specifike në mbështetje të malësorëve në Malësi.
Kontributi i shoqatës Malësia e Madhe – New York për çështjen kombëtare në Malësi, veprimtaria humanitare dhe mbështetja për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë mbresëlënëse. Veprimtaria atdhetare, patriotike e komunitare e shoqatës Malësia e Madhe – New York ka krijuar respekt dhe dinjitet në përpjekjet e malësorëve për komb, atdhe dhe komunitet.