DEKLARA E PLOTE E SHOQATËS “PRONËSI ME DREJTËSI “PËR PËRGJIGJEN E BANKËS BOTËRORE/
Ne Foto: Znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri./
Në vijim të Apelit që Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” i kanë drejtuar me 31 mars 2013 institucioneve ndërkombëtare, ndër të tjerë dhe z. Philippe Le Houerou, zv. President i B.Botërore për Europën, shoqatat kanë marrë më 21 maj 2013 përgjigjen e Bankës Botërore nënshkruar nga znj. Kseniya Lovovsky, drejtuese aktuale e Bankës Botërore në Shqipëri. Meqenëse problemi i pronës ka rëndësi parimore dhe kombëtare dhe Banka Botërore është një ndër “këshilltarët” kryesorë të Qeverisë për këtë çështje, mendojmë që përgjigjen për znj. Lovovsky dhe z. Philippe Le Houerou, ta publikojmë jo vetëm në faqen internet të shoqatës (defendingproperty.com) por edhe përmes gazetave.
Në përgjigjen e dt 21 Maj znj. Lovovski i referohet shqetësimit të shoqatave mbi politikat e Qeverisë Shqiptare dhe të Raportit të Bankës Botërore 62519 AL, si dhe përgjigjes së Bankës Botërore të 23 Janarit 2013 (shif: defendingproperty.com/shqip/letra-te-shoqates/ ). Në lidhje me propozimin legjislativ (projekt-ligjin e shoqatave) lidhur me çështjet e pronësisë dhe të kthimit të pronës në Shqipëri, znj. Lovovski sqaron se, ndryshe nga sa supozojnë shoqatat, Banka Botërore nuk ka mundësi, në kuadrin e mandatit të saj të ndërhyjë në ligjet e ndonjë Shteti. Banka botërore pret që shoqatat të punojnë në kuadrin e procesit legjislativ dhe të struktuarave egzistuese për të kontribuar në zhvillime legjislative të drejta.
Kjo përgjigje që në sipërfaqe duket e drejtë dhe parimore në thelb maskon qëndrimin abuziv të Bankës Botërore ndaj problemit të pronës dhe ankesave tona që në fillimet e veprimtarisë saj në Shqipëri. Problemi me znj. Lovovski dhe me të gjithë drejtuesit e mëparshëm të Bankës Botërore në Tiranë nuk është mungesa e kompetencës për të këshilluar në fushën ligjore, por ujdia e tyre me drejtuesit e politikës shqiptare të cilët këto 22 vite “demokraci” kanë zbatuar dhe vazhdojnë të zbatojnë me konsekuencë strategjinë e Katovicës. Ne mendojmë se Znj. Lovovski dhe Banka Botërore po abuzojnë me tolerancën tonë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Ne kërkojmë nga Banka Botërore korrigjimin e rekomandimeve të gabuara , koordinim me instanca të tjera ndërkombëtare si për shembull me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën e Strasburgut dhe respektim, në rekomandimet që Banka Botërore i jep Shqipërisë, të vendimeve të Strasburgut mbi pronat (grupi i rasteve Driza dhe Puto dhe vendimi pilot i korrikut 2012)!
Abuzimi i Bankës Botërore qëndron pikërisht në mospranimin e problemit bazë që është detyrimi i shtetit demokratik për të kthyer tek i zoti pronën e grabitur nga diktatura, konform legjislacionit dhe angazhimeve ndërkombëtare të marra nga shteti shqiptar që në fillim të viteve ’90. Abuzimi tjetër qëndron në mospranimin nga ana e Bankës Botërore se lëmshi i krijuar qëllimisht në çështjet e pronësisë zgjidhet duke respektuar prioritetin e të drejtave të pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste (=kthim i pronave) dhe duke kompensuar me vlerë të plotë pronarët për rastet kur prona përdoret për nevoja publike. Fatkeqësisht pas 1991 politika shqiptare, ka zbatuar platformën e Katovicës. Me parulla populiste herë të majta e herë të djathta, në ekonomi dhe në politikë është ricikluar një klan i përzgjedhur nga regjimi i mëparshëm, i cili ka përvetësuar pronat që duhet t’i ishin kthyer të zotërve.
Ne kemi kërkuar dhe do vazhdojmë të kërkojmë që vjedhja e pronave e organizuar nga politikanët pas vitit 1991, të mos vazhdojë të financohet nga Banka Botërore. Problemi i pronës zgjidhet thjesht e pa faturë financiare konform parimeve morale dhe kushtetuese demokratike nëse do të zbatohej neni 181 i Kushtetutës tonë. Ne jemi të bindur se kjo realizohet me projekt-ligjin që kemi propozuar. Ky projektligj njëkohësisht trajton e zgjidh dhe pasojat e shkaktuara gjatë periudhës “demokratike”22 vjeçare. Ne i kemi kërkuar Bankës Botërore të na ndihmojë në këtë drejtim, duke kërkuar ekspertizë ligjore e kushtetuese pranë Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, për projektligjin e shoqatës. Sipas përgjigjes së znj. Lovovsky, Banka Botërore nuk mund të “ndërhyjë” në këtë drejtim ndërkohë që ajo nuk hezitoi të ndërhyjë për të shembur shtëpitë e pronarëve autoktonë në trojet turistike të Jalës, thjesht për të plotësuar interesat e klaneve që grabisin trojet turistike.
Ky qëndrim selektiv dhe tendencioz bën që ne ta akuzojmë Bankën Botërore për keqmenaxhim ose, për të përdorur gjuhën diplomatike, keqkëshillim në proçesin e kalimit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci. Këtë e dëshmon dhe situata
katastrofike e ekonomisë shqiptare. Ekonomia është në gjendje alarmante pasi borxhi publik ka kaluar kufirin maksimal. Në këtë fallcitet demokratik të nisur para 22 vjetësh, problemi më madhor është problemi i pronës dhe në këtë problem Banka Botërore ka luajtur rol kryesor. Kjo sepse çdo pronë qe nuk kthehet përbën faturë financiare. Kjo sepse moszgjidhja e problemit të pronësisë është pengesë madhore për investime serioze dhe zhvillim të mirëfilltë të ekonomisë shqiptare. Projektligji ynë e zgjidh shumë mirë këtë situatë por Banka Botërore me këtë përgjigje justifikohet me anën procedurale dhe e anashkalon thelbin e problemit.
Përgjigja e fundit e Bankës Botërore është episodi i fundit i një seri shkëmbimesh publikuar në faqen internet të shoqatës (www.defendingproperty.com). Në një seri letrash, shoqatat, në mënyrë të përsëritur kanë sinjalizuar dhe kundërshtuar qëndrimin negativ të Bankës Botërore ndaj pronarëve autoktonë.
Shkurtimisht i rikujtojmë Bankës Botërore se: Anarkia aktuale e titujve të pronësisë është situata më e rëndë që ka njohur populli shqiptar që nga mesjeta përfshi edhe periudhën e pushtimit otoman, atë të pushtimit fashist italian në 1939 dhe më tej atij nazist gjerman. Asnjë nga këta pushtues nuk i ka mohuar popullit shqiptar të drejtën mbi pronën e trashëguar. Kjo shpjegon ndër të tjera se megjithë pushtimet e njëpasnjëshme shqiptarët ruajtën identitetin e tyre. Po, prona e trashëguar është identitet kombëtar dhe ABC e demokracisë. Shteti para 1944 i ka administruar pronat në mënyrën më moderne europiane, që është model edhe për sot. Diktatori Enver Hoxha i shtetëzoi pronat, por i ruajti dokumentat e shpronësimeve dhe nese hapen regjistrat e shtetëzimeve dhe miratohet projektligji që ju propozojmë problemi i pronës zgjidhet më së miri. Ndërkohë Raporti i B.Botërore që është adaptuar plotësisht në Planin e Veprimit të Qeverisë mohon identitetin dhe origjinën e pronës. Heshtja e Bankës Botèrore ndaj kërkesave tona është një thyerje e rëndë morale dhe një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Për këtë situatë tragjike që prej vitit 1991 ka shkaktuar mijëra të vrarë dhe konflikte sociale, që rriten çdo ditë, përgjegjësi historike dhe morale mbajnë drejtuesit e politikës shqiptare dhe kryesisht ata të PD dhe PS por edhe Banka Botërore, që me heshtje po mbështet anarkinë dhe korrupsionin aktual me pronat.Ne asnjëherë nuk do të pajtohemi me qëndrimet e gabuara të Bankës Botërore dhe politikanëve të papërgjegjshëm e të pangopur, që duke na mohuar pronën e trashëguar mohojnë identitetin tonë kombëtar. Ne shpresojmë akoma në (mirë)kuptimin nga ana e Bankës Botërore të këtij problemi. Mbështetja përmes rrjeteve sociale e mbarë shqiptarëve dhe pronarëve, veçanërisht e rinisë patriotike e emigracionit shqiptar si dhe e shtypit shqiptar e të huaj është esenciale.
Për kryesinë e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”
Rrapo Hajredin Danushi
Alban says
pronaret kane te drejte te kerkojne me za te nalte dhe Rrapo Dushi ka te drejte kur thote se prona asht identiti kombetar. Te gjitha shqiptaret duhet te shprehin patriotizmin e tyre duke mbeshtetur kerkesen e drejte per kthimin e prones ne origjine. Une e nenshkrova online peticionin per kthimin e prones tek i zoti. i kekoj kryetarit te Vatres te coje kete shqetesim me peshe kombetare tek Mr. Philippe le Hoouerou vice president of W. Bank for Europe, Mr Jonathan Moore, US Department of State tek Mr.Philip Gordon assistant Secretary Bureau of Europe si dhe tek personalitete te tjera te politikes qe te ndihmojnen dhe bashkerendojne veprimet demokratike per ta ndal kete rruge te gabuar qe ka nis me pronat dhe po merr jete njerezish.
Viktor Daragjati says
Kuptimi i fjales “pronar” asht korruptue dhe zhvlefsue me Ligjin 7501 i perkrahun me masa obstrukcjoniste administrative aq sa koncepti i pronsise trashigimtare asht anulue krejtsisht. Faktikisht tokat e kollektivizuem jan privatizue, ne baz te nji reforme agrare qe i ka shkomtarizue emigrantat anti komunista dhe ish pernjekurit. Ekziston mundsija teorike me kerkue kompensim por jo rikthim por dokumentacjonet te nevojshme jan largue qellimisht prej komunave perkates, jan transferue ne zyre hipotekale te qyteteve te medhaja dhe ma vone ne arkiva shtetnore. As Komunet as Bashkiat nuk napin informata se ku mund te gjinden tapit qe nevoiten per me perkrah kerkesa kompensimi pran organeve gjykatse. Vlera e kompensimeve asht shoesh her ma e vogel se shpenzimet e nevojshem dhe koha proceduraleve dhe administrative e vendimeve dhe shperblimeve afrohet te giatesia e jetes naturale e shumices e emigrantave dhe ish pernjekurve. Po te merret parasysh fakti qe shum prej atyne qe kan perfitue prej Ligjit 7501 i Ramiz Alise jetoin jashta shtetit, ose jan shperngul ne qytetet ma te medhaja te Shqipnise dhe nuk e shfryzoin token do te kuptohet se pse fjala pronar duhet te perdoret me kualifikime shum te randa. Mungojn drejtat njerzore, vlerat e traditave, identiteti historik, lidhja shpirtnore e njeriut me trashigimin atnore. Precedenti qe shteti mund te suprimojn drejtat njerzore me vendimeve politike diktatoriale asht shum i damshem per vlerat kombetare. Per kta arsyena fjala “pronar” ne Shqipnin e sodit e ka hup kuptimin e vertet.