Luljeta Xhediku
New York/
111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë mblodhi rishtazi anëtarët e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. dhe miq e të ftuar nderi për të festuar këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin shqiptar. Flamuri kuqezi që u ngrit në Vlorë në vitin 1912 nga Ismail Qemali ishte simboli i kësaj feste ndaj edhe i gjithë dekori ishte kuqezi. Atmosferës festive i shtoheshin edhe banderolat e shoqatës shoqëruar me tullumbace blu. Programin e larmishëm e prezantoi znj. Alketa Veshi, e cila ftoi të pranishmit të ngriheshin në këmbë për të ekzekutuar himnet kombëtare atë amerikan edhe atë shqiptar. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, z. Imer Lacaj, i cili pasi falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm dhe uroi: gëzuar festën e Pavarësisë, foli për etapat në të cilat kaloi populli shqiptar derisa erdhi Dita e Pavarësisë. Z. Lacaj ndër të tjera theksoi se: Dita e Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë e Rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë. Liria e arritur është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë, përpjekje e gjak dhe me vuajtje brezash. Por, falë atij shteti sado të vogël e të brishtë shpresat e shqiptarëve nuk u zhdukën kurrë, por u rritën duke na dhënë kurajë, për të arritur qëllimin e duhur në krijimin e dy shteteve të pavarura shqiptare që çojnë kombin drejt bashkimit kombëtar”. Programi artistik u hap me grupin e valleve “Skënderbej”, i cili performoi nën tingujt e këngës “Jena gzu” nën drejtimin e balerinit profesionist, Klevis Tafaj. Qershia mbi tortë e këtij kërcimi ishte balerina më e re që iu shtua shoqatës, balerina profesioniste, Bianka Skënderi. Aktivitetin e përshëndeti përfaqësuesi i misionit të Shqipërisë në organizatën e Kombeve të Bashkuara, z Arian Spase. Z. Spase shprehu mirënjohje ndaj anëtarëve të shoqatës “Skënderbej” dhe kryetarit të saj, z. Imer Lacaj. Z. Spase tha se përulej me respekt përpara punës që shoqata bën për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjithashtu tha se Shqipëria ka hyrë në rrugë të mbarë mbase nuk është aq e përsosur sa ne do donim, ka disa gjëra që na bëjnë skeptikë, por është vendi ynë, është dashuria jonë e parë dhe unë besoj se shumë shpejt do të bëhet më mirë”. Aktivitetin e përshëndeti edhe ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, pishtar i demokracisë dhe kryetar i shoqatës “Besëlidhja Grorare dhe president i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Bullgari z. Koçi Tahiri. Z. Tahiri uroi gëzuar festat dhe u shpreh se ndihej shumë i nderuar dhe i privilegjuar në të njëjtën kohë që merrte pjesë në këtë eveniment kaq të mirë e të dashur, me një pjesëmarrje kaq të ëmbël dhe në radhë të parë falënderoi kryetarin e shoqatës z. Imer Lacaj, anëtarët e shoqatës dhe në të njëjtën kohë të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen. I ftuar nderi ishte edhe avokati i përkushtuar i komunitetit shqiptar, z. Ylli Cekani. Kori i shoqatës “Skënderbej” vjen me kolazhin “Valle me motive të ndryshme shqiptare” dhe padyshim pjesa më e bukur ishte kur fëmijët e rritur në USA qëndisën e puthën dhe u përulën para flamurit më të bukur në botë, flamurit kuqezi. Znj. Alketa Veshi falënderoi znj. Adelina Lacaj për punën e palodhur për përgatitjen e këtij kolazhi dhe theksoi se Adelina Lacaj është një burim i pashtershëm energjie pozitive. Ajo falënderoi gjithashtu edhe znj. Gela Bulku për përgatitjen e fëmijëve. Për t’i dhënë larmishmëri këtij aktiviteti u recituan dy poezi një nga z. Baudin Sela, aktivist i komunitetit shqiptar për gati 40 vite dhe një nga pjesëtari i grupit artistik “Skënderbej” nxënësi Kelvin Rustani me vargje nga poema “Bagëti e Bujqësi”. Festa vijoi me këngë të kënduara nga këngëtarët: Dionis Delia dhe Argjend Lloga të cilët dhuruan një atmosferë tepër festive me këngë e valle. Gëzuar 111-vjetorin e Pavarësisë Shqipëria jonë e dashur dhe festofsh përvjetorë në përjetësi!