


Luljeta Xhediku/
Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, me datë 27 shtator 2025, organizoi promovimin e librit të Dr. Pashko Camajt, “Porosia e Kullës”, një aktivitet kulturor i dedikuar letërsisë, identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. “Porosia e Kullës” bëri bashkë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, e të pasionuar pas letërsisë e leximit që të mblidheshin bashkë në ambientet e librarisë “Cadman Plaza” në Brooklyn. Aktivitetin e deklaroi të hapur znj. Alketa Veshi, sekretare e shoqatës, e cila u shpreh se “dikush e quan kullë si autori ynë, dikush shtëpi, çerdhe apo apartament. E vërteta e përbashkët është se ëndrrat më të bukura ne i shikojmë në këto ambiente që ne lindëm dhe u rritëm. Aty janë fillesat e rrugëtimit tonë të jetës, formësimit të asaj çka ne jemi sot. Autori i librit “Porosia e Kullës”, Dr. Pashko Camaj, sikur na ka lexuar emocionet shpirtërore të gjithsecilit lidhur me këtë temë dhe i ka rreshtuar artistikisht fjalët e zemrës në këtë libër”. Më pas, znj. Alketa Veshi ftoi kryetarin e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj për të mbajtur fjalën e rastit dhe për të prezantuar Dr. Pashko Camaj. Z. Laçaj u shpreh: “Falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjen dhe veçanërisht Dr. Pashko Camajn për shkrimin e librit “Porosia e Kullës” që ne kemi nderin edhe ta promovojmë, i cili ka depërtuar fuqishëm jo vetëm në zemrën e mërgimtarëve shqiptarë në SHBA, por edhe në trojet tona etnike. Libri është promovuar në Tuz, Tiranë, Prishtinë, Korçë e në shumë vende të etnisë shqiptare.
Ky libër është shndërruar në një pasqyrë ku secili do gjejë vetveten qoftë si emigrant, qoftë si bir e bijë e atdheut që ka ndier dhimbjen e ndarjes së atdheut nga vendlindja. Në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, secili prej nesh ka kaluar përvojën e mërgimit dhe të shkëputjes së dhimbshme nga Mëmëdheu, pikërisht kjo e bën librin jo thjesht një mendim personal, por një testament kolektiv, një rrëfim ku historia individuale ngjizet me historinë e përbashkët të kombit tonë. Sot, përmes këtij aktiviteti, shoqata shqiptaro amerikane “Skënderbej” jo vetëm që nderon figurën e Dr. Pashko Camajt, por edhe promovon vlerat e librit “Porosia e Kullës” në një formë të re ndryshe nga promovimet e zakonshme”. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. zgjodhi që promovimin e këtij libri ta bëjë duke e ndarë në kapituj dhe secili anëtar të komentojë nga një kapitull të librit.
Sigurisht që gjithsecili e komentoi rrjedhën e ngjarjeve të para nga këndvështrime të ndryshme, duke u bazuar në pikat më kyçe të rrjedhjes së ngjarjeve dhe duke e krahasuar gjithashtu me përvojën personale në emigrim dhe me librin “Porosia e Kullës”. Diskutimet e komentet përçuan emocione te të gjithë të pranishmit, por veçanërisht te Dr. Camaj, i cili dëgjonte nga përjetime të ndryshme historinë e jetës së tij të përshkruar në romanin e tij autobiografik. Radha e kapitujve nisi me znj. Alketa Veshi, sekretare shoqatës, e cila foli për kapitullin “Ditët e Fëmijërisë”. Arta Xhaferri, anëtare e kryesisë kishte kapitullin “Ditët e lumturisë”, Luljeta Xhediku komentoi mbi kapitullin “Vera e fundit”. Geltjana Bulku analizoi kapitullin “Lot në sytë e babit tim” , Sagita Guçe “Zemra e lënduar e babit tim”. Imer Laçaj, kryetar i shoqatës foli mbi kapitullin “Ditët e ushtrisë” duke qenë se vjen nga fusha e ushtrisë. Violeta Likollari foli për kapitullin largimi nga “Shtëpia ime”. Gjovalin Marku foli për kapitullin “Në zemrën e Amerikës”.
Zonja Hafije Qyqalla foli për kapitullin “Babai im, heroi im”. Hajri Pira komentoi mbi kapitullin “Rrethi i plotësuar”, Tina Kurti, “Fati im”, Robert Dajlani, “Ëndrrat bëhen realitet” dhe Adelina Laçaj u ndal gjerësisht te kapitulli “Kthimi në Kosovë”. Pasi mbaruan komentet dhe analizat nga anëtarët e shoqatës që e shoqëruan sallën me emocione të veçanta, fjalën e mori autori i librit Dr. Pashko Camaj. Dr. Camaj u shpreh “Janë bërë një sërë promovimesh gjithandej, por kjo ka qenë hera e parë që ka qenë krejt ndryshe , ju falënderoj të gjithëve për këto fjalë të bukura që kur i dëgjoj më duket se i dëgjoj për të parën herë edhe emocionohem e më falni se burrat malësorë nuk duhen me qenë të emocionuem. Unë si autor, kurdo që dëgjoj njerëz që flasin me kaq shumë emocione më vjen mirë që ia paskam qëlluar”.
Autori tha se kur e nisi librin nuk e kishte idenë dhe vlerën e librit, por më pas kur e mori shtëpia botuese “Onufri” që përgjithësisht boton autorët e mëdhenj si Kadare u gëzua pa masë dhe gjithashtu i dha dëshirën për të vazhduar me projekte të tjera në të ardhmen. Doktor Camaj tha gjithashtu se: “Ne kullën e marrim me vete kudo që shkojmë dhe ajo kullë është një mesazh për brezat e rinj që ta dinë gjithmonë se kush janë dhe ngado që t’i sjellë jeta e kudo që të shkojnë, gjithsesi, do kenë një dashuri të veçantë për vendin tonë, për tokat atje dhe me këtë mënyrë e realizojmë porosinë e kullës”. Në fund fare, nxënësi i shkollës shqipe “Skënderbej”, Kelvin Rustani, paraqiti në slide show lojërat e fëmijërisë, të cilat përshkruhen në libër, Kelvin tha se i pëlqen shumë Shqipëria dhe e shikon si një vend që zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe shpreson se Shqipëria do të bëhet më mirë në të ardhmen.
Aktiviteti u mbyll me mbresa të veçanta, autografe të dhëna plot dashuri e mirënjohje nga autori i librit, si dhe me frymëzim për mbajtjen gjallë të letërsisë e promovimin e autorëve me vlera siç është edhe Dr. Pashko Camaj. Dr. Camaj ka dhënë një kontribut të shquar në komunitetin shqiptaro-amerikan si sekretar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe falë punës së tij të palodhshme ka marrë edhe titullin Doktor i Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork . Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” i uron shumë suksese Dr. Pashko Camajt në punën dhe jetën e tij!