



Luljeta Xhediku/
Në një ndër libraritë më të reja të Brooklyn-it “Ryder library”, të shtunën e 14 marsit, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., organizoi promovimin e romanit “Brenga” të autorit Dr.Pashko Camaj. Në këtë takim së bashku me autorin Dr. Pashko Camaj, morën pjesë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, simpatizantë të saj dhe dashamirës të librit. Ishte i pranishëm edhe drejtori dhe themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri. Z.Hudhri ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shkrimtarit tonë të madh, të ndjerit Ismail Kadare, dhe botues ekskluziv i veprave të tij. Z. Hudhri ka dhënë një kontribut të
pazëvendësueshëm jo vetëm në botimin e letërsisë shqipe, por edhe në forcimin e marrëdhënieve me letërsinë ndërkombëtare, përmes përkthimit dhe botimit në shqip të veprave të rëndësishme të autorëve të huaj. Një ndër kontributet më të rëndësishme i z.Bujar Hudhri është edhe krijimi i librarisë shqiptare online të emëruar “Alblibris”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar dhe veçanërisht me Dr. Pashko Camaj. Kjo librari është krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe lexuesi shqiptar mund të gjejë aty libra të ndryshëm, në gjuhën shqipe dhe të huaj. Libraria u vu në përdorim më 28 janar 2026, në përvjetorin e nëntëdhjetë të lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Romani “Brenga” vjen pas librit të parë autobiografik “Porosia e Kullës”. Autori Pashko Camaj sjell për lexuesin një roman të dedikuar të gjithë atyre që mbetën viktima të një regjimi të egër totalitar të komunizmit në Shqipëri. Romani “Brenga”, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, përshkruan historinë e dy të rinjve Markut dhe Toninit, ku Tonini arrin të arratiset nga Shqipëria gjatë sistemit të diktaturës dhe Marku për shkak se një natë më parë ishte takuar me shokun e tij, vuan pasojat, përndiqet, internohet dhe burgoset nga regjimi komunist i asaj kohe. Tonini arrin të vijë në tokën e ëndrrave, me një brengë që e shoqëron gjatë gjithë kohës. Autori edhe pse vetë me prejardhje nga Mali i Zi, nuk e ka jetuar plotësisht diktaturën komuniste ka arritur ta përshkruajë më së miri realitetin e asaj kohe. Grupi i punës e kishte ndarë romanin në 17 kapituj, dhe secili referues kishte zgjedhur kapitullin që e kishte tërhequr më shumë, dhe për të cilin do të fliste për përmbajtjen, idetë dhe qëllimin e autorit. Takimin e hapi znj. Alketa Veshi, e cila pasi i falënderoi pjesëmarrësit, i dha fjalën e rastit, kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj. Ai falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht Dr. Pashko Camaj për pasqyrimin që i ka bërë realitetit të kohës komuniste dhe gjithashtu e përgëzoi për mesazhet që autori përcjell në këtë libër. Pas fjalës së rastit, fjalën e mori nënkryetari i shoqatës z. Lekë Preçi, i cili foli për kapitullin “Qetësi para stuhisë”, Arta Xhaferri diskutoi për kapitullin “Arrestimi i babait dhe internimi”. Z. Imer Laçaj u ndal për të folur rreth kapitullit “Shërbimi në ushtri”. Z.Robert Dajlani foli për kapitullin “Fillimi i makthit”. Znj. Alketa Veshi komentoi rreth kapitullit “Dezertimi nga kampi”. Z. Elton Xhaferri foli për kapitullin “Kalimi drejt lirisë”. Znj. Adelina Laçaj kishte përgatitur një prezantim në Power Point rreth kapitullit “Në botën e lirisë”. Më e reja e këtij takimi ishte nxënësja Erla Lamçe, e cila u shpreh se ky libër e bëri të kuptonte më mirë historinë për sa i përket regjimit diktatorial në Shqipëri. Luljeta Xhediku diskutoi rreth kapitullit të fundit në “Pemën e Gështenjës”. Anëtarët e shoqatës “Skënderbej” Inc jo vetëm folën e diskutuan për vlerat dhe mesazhet që romani “Brenga” përcjell, të cilat po i lëmë që vetë lexuesi t’i zbulojë, por ata ndanë edhe dëshmi nga jeta e tyre për sa i përket periudhës së komunizmit në Shqipëri që do të thotë secili prej tyre gjeti një pjesë të së shkuarës në këtë roman të Dr. Camaj. Dr. Camaj u emocionua teksa dëgjoi me kujdes të gjitha komentet që u bënë dhe falënderoi me thjeshtësinë që e karakterizon pjesëmarrësit. Gjithashtu, drejtori i shtëpisë botuese “Onufri” përgëzoi jo vetëm autorin, por edhe të gjithë anëtarët që me gjithë vrullin që ka jeta amerikane gjejnë kohë të vijnë dhe të diskutojnë rreth librit dhe krijimtarisë së Dr. Pashko Camaj. Drejtori i shtëpisë botuese, Bujar Hurdhri, dhe Dr. Pashko Camaj prezantuan gjithashtu librarinë online “Alblibris”, ku të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA mund të porosisin libra online dhe libri u vjen në shtëpi. Pasditja që anëtarët kaluan së bashku duke diskutuar rreth librit ishte një pasdite e këndshme dhe ndryshe nga të tjerat. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uron suksese më tej Dr. Pashko Camajt.