Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. zhvilloi për të tretin vit radhazi kampionatin e shahut. Ky kampionat, i kthyer tashmë në traditë për shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., u zhvillua më datë 6 tetor 2024, në parkun më të madh të Nju Jorkut, që cilësohet edhe si mushkëria që furnizon me oksigjen këtë qytet kaq të madh, në Central Park, Manhattan. Anëtarë dhe dashamirës të shoqatës u mblodhën për të kaluar një ditë të bukur me ngjyrat e vjeshtës dhe për të mbështetur lojtarët që do të konkurronin me njëri-tjetrin në lojën e bukur të shahut, që përveç vëmendjes dhe zgjuarsisë, kërkon lëvizje të mirëmenduara për të dalë fitues. Kampionatin e deklaroi të hapur kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z. Imer Lacaj, i cili, pasi falënderoi anëtarët për pjesëmarrjen në këtë kampionat, u uroi lojtarëve suksese në lojë. Z. Lacaj gjithashtu falënderoi edhe anëtaren më të re të shoqatës, znj. Lali Doci, e cila iu bashkua shoqatës në këtë ditë. Lojtarët u ndanë fillimisht në 6 grupe; ata ishin të grupmoshave të ndryshme, duke nisur që nga fëmijët, të cilët e kanë pasion këtë lojë, e deri te të rriturit e moshat e treta. Loja, e cila zgjati për plot 4 orë, sa vinte e bëhej më interesante kur lojtarët filluan të skualifikoheshin një e nga një për të arritur te dy finalistët e këtij kampionati, të cilët ishin ish-kampioni i kampionatit të kaluar, z. Gjovalin Marku, dhe z. Lekë Preci. Pas një loje të fortë dhe relativisht të gjatë, fitues i lojës së shahut dhe kampionatit të tretë u shpall z. Lekë Preci, i cili u duartrokit me entuziazëm nga të pranishmit. Z. Preci iu dha çmimi i parë, si dhe një çek simbolik, i cili ishte miratuar nga kryesia e shoqatës. Kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uroi suksese z. Lekë Preci dhe falënderoi të gjithë konkurrentët e tjerë për pjesëmarrjen, duke theksuar gjithashtu se aktivitete edhe më të rëndësishme do të vijojnë në muajt e ardhshëm.