
– MOMENTI KUR KOMBI NJESOHET ME PROBLEMIN E VET KRYESOR-
Eugjen Merlika
Çështja kombëtare qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj.
Shqipëria e cunguar që në lindje, me pohimin e gjymtimit në maj 1913 në Londër, u bë strumbullari rreth të cilit do të vërtiteshin gjithmonë shqetësimet e politikës së saj. Çështja kombëtare, çështja e Kosovës, e Dibrës, e Çamërisë, e trevave shqiptare në Malin e Zi, e qyteteve të Jugut, e Janinës, Prevezës, Artës u bënë guri i provës për atdhetarët shqiptarë të çdo prirjeje a simpatie kundrejt vendeve e kulturave të ndryshme. Ajo çështje qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj. Shqipëria nuk mundi të ketë një ecje normale, të mendonte për rrugët e zhvillimit të saj me qetësi, duke vënë në lëvizje të gjitha mundësitë e saj, të tokës, të natyrës, të njerëzve, të mendjeve të tyre, sepse mendimi i vetëm ishte ai i trojeve të ndara. Çdo hap, çdo përpjekje, çdo aftësi vihej në shërbim t’atij mendimi, që ishte si një pykë e futur në trurin e atij kombi. Kështu kombi u njëjtësua me problemin e tij kryesor dhe ideologjia e tij nuk u huajt nga përvojat e të tjerëve, sa i përket modeleve të zhvillimit e të qeverisjes, por u pagëzua nacionalizëm apo kombëtarizëm.
Politika shqiptare duhet të vlerësohet e të matet së pari me peshoren e çështjes kombëtare, me dobinë, indiferentizmin apo dëmin që prodhon në lidhje me të. Historishkruarja, në gjykimin e ftohtë të gjykatësit të paanshëm, duhet t’a ketë kriter bazë të vlerësimit të ngjarjeve apo personazheve atë të përputhjes së motiveve shtytëse të të parëve dhe veprimtarisë së të dytëve me interesat e vërteta, të hapta apo të fshehta, të dukshme apo të padukshme, të çastit apo të perspektivës, të Vendit në kontekstin kohor të caktuar i cili merret në shqyrtim. […] Nuk mund të themi se vlerësimet ishin gjithmonë objektivë në vorbullën e luftës politike e të përleshjes së interesave të ndryshme. Gjykimet qenë shpesh të nxituara, herë herë radikale e jo të drejta me pasoja shpesh edhe rrënuese për protagonistët e ngjarjeve. Shpesh kjo është shfaqja e zakonshme e politikës, jo vetëm në Shqipëri e në Ballkan, por edhe në pjesët e tjera të botës, shprehje më shumë e interesave të pjesëmarrësve se sa e parimeve të tyre, ndërthurje motivesh nga më të ndryshmet që përcaktojnë zhvillime shtetesh, bashkësish e epokash në gjithë tërësinë e tyre dramatike e shpesh edhe tragjike.
Që në lindjen e Shtetit u kristalizuan rrymat e ndryshme të mendimit politik që, megjithë ndryshimet e mundshme, mbeteshin në kuadrin e nacionalizmit, i cili ishte i vetmi projekt programatik me përparësi. Por ky projekt, për të patur shpresë sendërtimi, duhej të inkuadrohej në aleanca me Vendet e fuqishme e të zhvilluara, me Fuqitë që vendosnin fatet e popujve. Rruga e Shtetit tonë të ri kalonte nëpër shtigjet e interesave të Vendeve të tjera afër ose larg nesh. Kështu edhe qeveria e Vlorës, veprimtaria e së cilës nuk i kapërceu shumë caqet e asaj krahine, u përball që në fillim me ata probleme. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, në udhëtimin e tyre për në Vlorë, u ndaluan në Vjenë e në Romë, ku morën miratimin për Shpalljen e Pavarësisë e një farë premtimi për të gjetur mbështetjen e përkrahjen. Fatkeqësisht, në politikën e shteteve, premtimet kanë jetën e shkurtër. Ata shtete, disa muaj më vonë, nuk ishin në gjëndje të siguronin në Londër kufijtë natyrorë të Shtetit shqiptar, kufij të respektuar për gati pesë shekuj nga perandoria otomane.
Krahas përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e Vendeve t’Evropës e të botës, duhej përballuar e zhvilluar dialektika normale e mendimeve të ndryshme politike. Duket se Ismail Qemali dhe Qeveria e Përkohshme e kanë shterrur forcën e tyre shtytëse, jo aq për mungesat e tyre sa për faktin se Kuvendi i Vlorës u organizua në një kohë shumë të shpejtë, për shkak të rrethanave të brendshme e të jashtme në të cilat u zhvillua, duke mos arritur të sigurojë përfaqësimin e të gjitha krahinave e bashkësive shqipfolëse. Abdi Toptani e Mustafa Kruja dërgohen në Tiranë për të sheshuar mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që kishin lindur në këto anë, “për t’u ardhun rreth ngatrresave t’Esad Pashës.”“Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1 Tiranë 2012 Faqe 199
Në vëllimin e cituar ka një letër të hartuar nga Mustafa Kruja e të firmosur nga Avdi Toptani, drejtuar “Së naltës Ministri të Punvet të Mbrêndshme Vlonë”. Kjo letër që nuk ka datë të saktë, por vetëm muajin maj 1913, është një dokument i rëndësishëm që hedh dritë mbi bisedat e dy të dërguarvet qeveritarë me mjediset politike në Tiranë, veç atyre me Esat Pashën. N’atë letër flitet për tri ditë bisedash të ngjeshura me parinë e Tiranës dhe të krahinave të Matit e të Dibrës me në krye Ahmet Beg Zogollin, në të cilat u rrahën shumë mendime mbi gjendjen e vështirë që ishte krijuar nga pakënaqësitë e lindura e të nxitura nga Esat Pasha kundrejt Qeverisë së Vlorës, dhe rrugët për të shëndoshur gjëndjen.
“Veçse mbas tri dit bisedimesh e kuvêndimesh të gjata, në të cilat kanë shtrydhun trût sa kanë mundun, posë meje, edhe Fuad Beu, Murat Beu e Z. Mustafa, sidomos Kaçorri qi âsht mundue për këtë qëllim mâ mirë se të gjithë na dhe Ahmet Beu qi ka hŷmë në mes me nji mendim pajtues, tue marrë para sŷsh çdo farë gjasash dhe pandehjesh, kemi gjetun si të vetmen rrugë për me pritun rreziqet, qi ndryshe kishin me na ndodhun me doemos, pranimin e kuvendit të përgjithshëm në nji formë e me kushte qi na ka marrë mêndja për të mirën e atdheut e janë këto:
- Qeveria e Përkohëshme të grijshë me u mbledhun pësëri dhe me të shpejtë Kuvêndin e përparshëm tue e quejtun se ka qênë në pushim.
- Të gjejmë mënyrën qi të marrin pjesë në Kuvênd edhe disa zotní, të cilët, ndonse njihen ndër elementat me rândsí të Shqipnís nga shumë pikëpamje, s’kanë pasë mundun të gjinden atje për shkaqe qi s’ishin në dorë të kurrkuj.
- Në Kuvênd të marrin pjesë edhe qeveritarët si delegetën.
- “Qëllimi kryesor i Kuvêndit të jetë bashkimi i atyne elementave dhe pjesve të Shqipnís qi koha e kalueme dhe ndodhít e soçme i kanë largue prej shoqishoqit e bâmë si të huej ndërmjet tyne. ”
Qe në këto pika përmblidhet themeli i punës qi na kemi pranue e qi kemi bâmë të pranohet edhe prej anës tjetër. Përmbi hollsít kemi edhe shumë sende për t’ju thânë. Sidomos kemi përpilue nji rradhue t’atyne zotnive qi duhet t’u shtohen misevet të përparshëm të Kuvêndit, të cilin duhet t’a pëlqejë Qeveria. Këtê kemi me Ju a paraqitun….”
Letra është një dëshmi e bukur e aftësisë së atyre personalteteve që merrnin pjesë në një “mexhliz”, që kishin mendime të ndryshme, por që arrinin të gjenin emruesin e përbashkët të ideve të tyre me një propozim në dritë të diellit, larg intrigave të oborreve e të politikës, drejtuar Qeverisë së Përkohëshme në Vlorë. Duhet vënë në dukje se përfundimi i bisedave të Tiranës u bë me pjesëmarrjen nga ana e Qeverisë të Nën/kryetarit të saj, imzot Kaçorrit, të Ministrit Avdi Toptani e të kryesekretarit të Këshillit të Ministrave, Mustafa Kruja.
Por Qeveria nuk e mori shumë në konsideratë atë mundësi. Ismail Qemali udhëtonte nëpër Evropë me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin. Veprimtaria e Kryeministrit ishte më e rëndësishme në kanceleritë e huaja, ku Shqipëria priste të merreshin vendimet për njohjen e kufijve të saj zyrtarë. Mufid Libohova, që zëvëndësonte Kryetarin, parapëlqeu më shumë të merrej vesh drejt për së drejti me Esad Pashën se sa të shqyrtonte propozimet e të dërguarve të qeverisë së tij në Tiranë. E parë në largësinë e më se njëqind viteve ajo dukuri më duket se ka qenë një rast i humbur. Po të ishte thirrur ai Kuvend n’atë periudhë të trazuar të shtetit të ri, në të cilën politika ishte robe e luhatjeve dhe vështirësive të panumurta, ndoshta do të kishte patur një efekt çudibërës në t’ardhmen e Shqipërisë.
Së pari ai Kuvênd do të ishte një sofër më e gjërë se ajo e Vlorës, ku do të shpalosej mendimi politik i gjithë krahinave. Në të do të diskutoheshin me qetësi e gjakftohtësi të gjitha problemet që shtroheshin para kombit të coptuar e Shtetit të porsalindur. Që aty do të dilte një Qeveri e përcaktuar që do të përfaqësonte të gjithë vullnetin e krahinave të ndryshme të Shqipërisë, edhe t’atyre që nuk kishin patur mundësi të ishin të pranishme në Vlorë më 28 nëndor 1912. Kjo do të zgjeronte shumë autoritetin e saj në të gjithë Shqipërinë, do t’i bënte pritë shumë rreziqeve që vinin nga prirje vetiake për të marrë pushtet, nga intriga e përpjekje për të krijuar tarafe që vështirësonin shumë punën e Qeverisë. Një Kuvend i tillë do t’i shëmbëllente Lidhjes së Prizrenit, do të ndihmonte krijimin e idesë së bashkimit e të qëndrueshmërisë së shqiptarëve e, pa dyshim, do t’i jepte një autoritet mbarëkombëtar organeve drejtues që do të dilnin prej tij. Ndoshta ajo do të kishte qenë në gjëndje t’i shmangte Shqipërisë rrezikun e rebelimit filo-turk të Haxhi Qamilit e Musa Qazimit, që i dha goditjen dërmuese përfytyresës së saj në opinionin e Evropës, duke detyruar të largohej nga Vendi Princ Wiedin, të cilin Evropa, me kërkesën e shqiptarëve, e kishte njohur si kryetar të shtetit të ri. Largimi i tij nga Shqipëria qe një formë vetëvrasje e kësaj të fundit, sepse e la atë në mëshirë të dallgëve të luftës së Parë botërore, pa asnjë mbrojtje.
Në fund të letrës shënohen edhe disa nga emrat e atyre personaliteteve, “elementa me rândsí të Shqipnís nga shumë pikëpamje”, që duhej të ftoheshin për të marrë pjesë në atë Kuvend e që kanë patur role të dorës së parë në ngjarjet e mëvonëshme të politikës shqiptare. Bëhet fjalë për një listë prej 45 vetësh, ndërmjet të cilëve shquhen Preng Pasha, Markagjonj, Isuf Elezi, Aqif Pashë Biçaku, Shefqet Vërlaci, Esat Pashë Toptani, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Syrja Vlora e të tjerë pari krahinash, por edhe klerikë të njohur si Imzotët Serreqi, Bumçi, Koleci, Shllaku, Bianchi, Abati i Mirditës, Sheh Sula i Dibrës etj.
Mos pranimi i propozimit që erdhi nga Tirana çoi në dhënien e përgjegjësisë së Ministrisë së Brëndshme Esat Pashë Toptanit, që u bë më vonë varrmihësi i Qeverisë së Vlorës.
“Rravgime te lira ne shtigjet e historise shqiptare”, Adrion Ltd, 2021