
Ndërsa unë pres...
Nxitojnë akrepat e orës, po bie muzg
Dhe dielli i përflakur u mbyt në det!
Përmbys po e kthej tokën të të gjej ty
Ndaj po bien gjithkund tërmete!
Ndoshta, je fshehur në një tjetër planet
Dhe kukamçefti me një yll atje luan!?
Ndoshta, ylli me ty është dashuruar,
Ndaj me gjëmim shirat tokën mbuluan?!
Po nesër në agim, do dal sërish dielli
Dhe do përqafojë ngrohtë, siç di veç ai
Pastaj do i puthi botës, cep më cep sytë…
Ndërsa unë pres, të më puthësh, veç ti!
Le të ik..
( Kushtuar Ditës Botërore të Poezisë)
Le të ik kudo gjetkë, veç larg nga ti,
Le të jet’ stepë a çfarëdo shkretëtirë!
O Zot, ti paske qenë një magjistrickë,
Më mban skllav edhe pa zinxhirë!
Këtë dashuri dua ta zhduk, ta flak,
Natyrisht lule do çel dhe në shkëmb!
Do t’ia mbyll sytë dhe do ta lëshoj,
Do ik pa kthim dhe pse më dhemb!
Ta hedh në ndonjë hon a shpellë,
Por pendohem, se prapëseprapë,
Mbes gjysmë vdekur e gjysmë gjallë,
Dhe po e hodha si ta gjej prapë!?
Pa të e di që do te jem krejt bosh,
Ndaj kësaj sëmundje ia ruaj kartelën!
Është njësoj, sikur në një çast të vetëm,
T’ia heqësh guaskës perlën!
Shpirt i lirë
Kohë më parë më burgosën shpirtin,
Në një qeli me hekura ku drita mungon,
Këtu – i thanë – do jetosh, do apo s’do,
S’bëhet fjalë për sot, por përgjithmonë!
Mirëpo, shpirti im, siç është rebel,
Dhe që nuk gjunjëzohet asnjëherë,
Fluturon, si zog i kaltër viseve të largëta,
Dhe më sjell andej një copë pranverë!
Shpirt! Nuk ka lind kush të të hollojë ty!
Ti e sheh gjithmonë gotën gjysmë plot!
Dhe kur jeta të godet me gurë, ti i mbledh
I bën kala, dhe rri brenda saj ngrohtë!
Ti shpirti im ëndërrimtar, dashuror…
Po, a munden, të të lidhin ty me zinxhirë?!
Jooo, s’ka lind kush, të të burgos ty,
Sepse, ti, ke lindur shpirt i lirë!