Prozë poetike nga Vjollca Tiku Pasku/
Kur qëllon me kamshikun e ftohtë të padrejtësisë, fjalët vrasëse krijojnë akull masiv nga tufani i zemërimit.Një botë me ngjyrë acari.Stuhia pushton ngrohtësinë e diellt.Bora e ftohtë e mendimeve bie si zambak të prerë. Alfabeti i trishtimit rreshton vargjet e lotëve. Kripa e bardhë mbush poret e faqeve e ngrin duke vijëzuar dhimbjen.Figurat e pikëlluara në faqe, thekojnë pejsazhet e ngrira, si me shkopin magjik të shtrigës.Stalaktitet e mprehta bien në shtamën e shpirtit duke e thyer në copa të vogla. Turnet e pagjumësisë ndërrojnë njëra- tjetrën.Brenga dhe dëshpërimi,dhuruesit e thëllimit asfiksojnë pemën e mushkërisë me mjegull të errët.Frymëmarrja vështirësohet në ritet e ajrimit.Sytë vështrojnë pejsazhin e zbrazët…Mola ngrirëse buzëqesh djallëzisht për fitoren…Zbrazëtira, drita e akullt është vrasëse.
Kambana e ringjalljes ekzorkizon të ftohtin dhe plasarit akullin.Shpirti nuk mund të ngrijë, nuk mund të muroset.Krahët e tij janë petale trëndafilash që nuk fishken kurrë.Fluturashkat e ëndrrave janë si yjet, nuk shuhen në pafundësinë e qiellit.Lulja e mëngjesit lajmëron agun e bardhë.Rrezja shplekset prej diellit të ngurosur dhe përthithet me dëshirë nga shpirti..Frymarrja lirohet.Ndjenjat e ngrohta terin shpirtin e lagur nga ftohtësia.Ngjyrat e shpresës shkrijnë copëzat e ngrira dhe dielli reflektohet në rrëkezat e ujta të cilat avullojnë duke ngritur tullumbace të ylberta në lartësi. Shpirti pastron brushinë e ftohtë nga kallëpi i vuajtes,dhe fluturon në vizionet e pranverës së qiellit.Mbulesa e sedeftë krijon përbërje të flladit të gjelbërt me zëra bilbilash. .Jeta fillon të kalojë kudhrën e sprovave,për të lartësuar shpirtin në drejtim të qiellit.