NGA DALIP GRECA/
Presidenti i Nderit i Vatrës, 91 vjeçari Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu(i paralizuar) sfiduan pleqërinë dhe sëmundjet dhe erdhën në Festën e Flamurit. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane. Nju Jorku pati dy manifestime kryesore për 28 nëntorin e këtij viti, një me 26 Nëntorit, ku u tubuan ata që për dy vite i bashkohen ansambëlmenit Mark Gjonaj, një nismë që mbushi 2 vjetë- dhe ai tradicionali, 104 vjeçar, tubimi i Vatrës dhe Bashkësisë shqiptare( Komunitetet Fetare, Vatra, Legaliteti, Rrenjët Shqiptare(Albanian Roots), Shoqata “Rugova”, Shoqata “Miqtë e Korçës”, “Albanian Ameican Open Hand Association INC”) etj.Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do ta mbajnë edhe nesër.
***
Nuk ka qenë i lehtë hartimi i kronikës së Festës të Flamurit, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, mbrëmjen e së Dielës, 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor në Bronx, NY. Sa herë e skicoja në mendje kompozicionin e kronikës,më prishej rregulli tradicional i ndërtimit të një kronike klasike, ku nisja duhet bërë nga Hymnet, bekimi i festës, prezantimi i të ftuarëve kryesorë; ambasadorëve, politikanë, përfaqësuesëve të organizatave, fjalimmbajtësit etj… E nisja kronikën dhe e fshija sërish nga kompjuteri sepse më dilnin përpara dy simbolet e Vatrës,protagonistët e Festës, që kishin ardhë me sakrifica të mundimshme deri aty; njëri (Jonuz Ndreu) i ulur në karrocë (Welchair) pas paralizës që ka pësuar prej kohësh dhe i ndihmuar nga vajzat e tij Desi dhe Xhemilja,Sokoli, Astriti,Çezari, Fatbardhi, Kastrioti, Shpetimi dhe të afërmit e dashur të tij,përfshi dhe një tavolinë me miqtë e tij, si dhe Agim Karagjozi i ndihmuar nga i biri Zyhdi Karagjozi dhe nipi…
Ata ishin protagonistët e mbrëmjes. Shumë prej të pranishmëve në festë nxitonin të kishin një foto kujtimi me Inxhnier Agim Karagjozin, president Nderi i Vatrës, drejtues i saj për dy dekadash, dhe Jonuz Ndreun, ish ushtarak amerikan, pinjoll i Ndrejëve, nip i Elez Isufit,piramidës së kufijëve të Atdheut, vatran deri në kockë. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane.
…Nuk e di nëse mund t’ia ofroj përfytërimin e atmosferës lexuesve të largët, që nuk ishin natën e festës me vatranët. Askush prej organizatorëve nuk mund të arrijë që të sjellë në Festën e Flamurit burra të tillë, që e kanë në shpirt Flamurin si simbol të Kombit. Çdo llojë organizatori, mund të bashkojë qindra, ndoshta dhe mijëra pjesmarrës në një festë, por nuk mund të sjellë burra të atillë që Flamurin e kanë të shenjtë dhe për të kanë luftuar tërë jetën, dhe në nder të Flamurit Kuq e Zi, braktisin shtratin, ku shtyjnë sëmundjen dhe vijën e bashkohen me brezat e vatranëve. Ata që në karrierën e tyre janë “takuar” vonë me Flamurin Shqiptar, e kanë të pamundur t’i kuptojnë se çfarë i detyron ata për të qenë pjesë e Festës së Flamurit, edhe kur shëndeti nuk i lejon, edhe sëmundja i tërheq nga vetja… Duhet ta kesh në gjak atdhetarizmin, ja kështu si këta….shpirtrat e këtyre burrave atdhetarë janë të njësuar me Flamurin si akt patriotizmi dhe atdhedashurije.Vatrani veteran Jonuz Ndreu ka porositë edhe një tortë me Flamurin Kuq e zi. Ç’dhuratë më të bukur do të kishte ajo mbrëmje përveçse asaj torte me Flamurin kuq e Zi?
Dikush më pyeti në mbrëmjen e darkës së Flamurit: Përse nuk u bashkuat me manifetsimin e Bruklinit?Ç’ti thosha? Ajo traditë e re bashkimi nisi vjet,ndërsa këta vatranë dhe bashkësia shqiptare kanë 104 vjet bashkë që mbahen pas atij Flamuri. Ata ishin tek Flamuri,kush guxon t’u thotë: Lereni se tash do ta marr unë Flamurin?!Ta fillosh tani traditën do të thotë të fshishë nga kujtesa 104 vite! Po atëherë përse i numërojmë vitet nga 28 Nëntori i 1912 deri më sot? Kur shoqatat e katundeve dhe krahinave në Amerikën e Veriut u bashkuan më 28 Prill 1912 në Vatër, Faik Konica tha: Tash do të bëhet Shqipëria! Po mos vallë, 104 vite më pas, duhet të kthehemi sërish tek shoqatat krahinore për të bashkuar Kombin?
Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do ta mbajnë edhe nesër.
Bashkë me Vatrën në Nju Jork edhe degët e saj në Amerikë e Kanada organizuan festimet e Pavarësisë. Vetëm në Florida Vatra kishte tri manifestime. Dega e Tampës mblodhi 650 vetë ën manifestimin e saj, por ambasadorja e shtetit shqiptar, nuk iu përgjigj ftesës së Vatrës. Vatarnët nuk mërziten ata i kanë bërë festat e Flamurit pa ambasadorë për 50 vitet e Komunizmit, kështu që mund ti bëjnë edhe tani. Gjithësesi gazeta Dielli e pasqyroi aktivitetin, ku shkoi ambasadorja.
Vatra e organizon Festën e Flamurit si detyrim shpirtëror të parardhësve të vet, ndërkohë që sot përpiqen që ta shfrytëzojnë këtë ditë edhe për të bërë para’, edhe për të bërë karrierë, ca janë kthyer në “tregtar Flamujsh”. Për këtë ditë të shënuar duhet jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë.Siç thoshte luftëtari i lirisë, një ndër ata që qenë krah Ismail Bej Qemal Vlorës në aktin historik të ngritjes së Flamurit me 28 Nëntor, tribuni Luigj Gurakuqi:” E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut.?”
Shembulli i dy vatranëve na dikton respekt: Faleminderit Agim Karagjozi! Faleminderit Jonuz Ndreu! Na e hijeshuat Festën e Flamurit!Po kjo diasporë,a do ët reflektojë ndonëjherë se si po e kryen misionin e saj për të frenuar asimilimin e shqiptarëve, veçanërisht në Mal të Zi, Luginën e Preshevë-Bujanoc, detyrimin që ka ndaj Çamërisë, apo do të vazhdojë me folklorizëm derisa të asimilohen fare vëllezërit tanë ? Ja ky do të përbënte aktin e Pendimit tonë për detyrën e moskryer, qoftë dhe në Samitin e Kryeminsitrit në Tiranë.
KRONIKA E FESTIMIT
Manifestimi i përvitshëm i Festës së Flamurit nga Vatra dhe Bashkësia shqiptare në Nju Jork, u mbajt të Djelën me 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor. Një sallë e madhe me kapacitet prej rreth 600 vendesh, hijeshuar me flamuj kombëtarë dhe ngyrat kuq e zi, ishte e mbushur plot. Tre breza festuan bashkë. Fëmijët dhe të rinjët ishin veshur me simbole kombëtare.Manifestimin e Vatrës e nderuan:Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, ambasadorja Teuta Sahatçiu,ansambëlmeni i shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendres Islame Shqiptaro-amerikane ne Garfield dhe Xhamine e Brooklynit, dhe nje grup përfaqësues nga Qendra Islame Shqiptare në Garfield, NJ, Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane Islame në Queens, si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesit Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.
Festën e ka hapë zv/kryetari i vatrës Asllan Bushati. Në fjalimin e tij z. Bushati tha: Të nderuar bashkatdhetar, përfaqesues të komuniteteve fetare, diplomatë, vatranë, përfaqesues të medias, artistë dhe të rinj të komunitetit shqiptar në NY dhe më gjërë. Më lejoni që në emër të organeve drejtuese të Vatrës ( të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë), të Kryetarit Dr.Gjon Buçaj dhe të komisionit të organizimit të përvjetorit të 104 të pavarsisë t’ju uroj mirseardhjen.
Vatra jonë e dashur gati 105 vjeçare, si asnjë institucion ose organizëm shtetror, për të 104-tën herë në vazhdim të traditës së trasuar nga korifejt e saj Faik Konica e Fan Noli, vazhdon të festojë ditën e Flamurit tonë Kombetar dhe ditën e Pavarsisë. Këto festime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, jo 104 por ndoshta edhe 1004 vite të tjera, sepse Vatra është simbol i bashkimit për çuarjen përpara të çeshtjeve e të punëve të mëdha kombëtare.Parlamentarët, qeveritë e të zgjedhurit vendor e qëndror shkonë e vijnë, por Vatra jonë e dashur do të ndjek traditën dhe do të jetë oponencë e qeverive e personaliteteve të larta të zgjedhura, për të çuar gjithnjë përpara kauzën kombëtare shqiptare.Te nderuar bashkatdhetar, në një periudhë të shkurtër kohore, Vatra ka organizuar aktivitete të rëndësishme kushtuar figurave të madhore të Kombit si Fan Noli, Arshi Pipa, Akademik Mark Krasniqi, por më e rëndësishmja ka qenë ajo e këtij viti (2016), “Viti Konica”, e cila u mbyllë dje me një konferencë shkencore, promovim librash, konkurs letrar dhe ekspozitë. Në këtë aktivitet morën pjesë me libra, studime, ese, artikuj studimor etj, personalitete të ndryshme dhe njohës të mirë të të madhit Faik Konica, një prej të cilëve është sonte midis nesh, Zoti Fotaq Andrea të cilin gjej rastin ta përshëndes përzemersisht. Por një punë të madhe dhe të mundimëshme ka bërë edhe grupi i punës i Vatrës ku dëshiroj të veçoj “trup vogëlin e punëmadhin “, anëtarin e Kryesisë dhe Editorin e “Diellit”, Zotin Dalip Greca ,pa të cilin do të ishte i pamundur përfundimi me sukses i aktivitetit.Me këtë rast e përshëndes atë me shumë respekt. Po ashtu dëshiroj të përshendes edhe anëtarin e Kryesisë së Vatrës Prof. Mithat Gashi dhe antarin e Keshillit Drejtues gazetarin e studiuesin e nderuar Idris Lamaj per ndihmesen qe dhane.
Aktivitetet e Vatrës janë të shpeshta, por ato do të ishin të vakta e deri të pamundura për t’ja bërë me dije publiku, pa ndihmesën e madhe që na ka dhënë TV Kultura Shqiptare me të nderuarin Adem Belliu, Gazetarin e TV 21 Halil Mula, gazetari e fotografi i talentuarin Dritan Haxhia dhe miku i Vatrës gazetarin Beqir Sina, të cilët i përshëndes gjithashtu përzemërsisht.
Të nderuar pjesëmarrës më lejoni që si moderator të kësaj mbrëmje t’ju praqes artistin shumë të mirnjohur të të gjithë trevave kombëtare dhe vatranin e nderuar Frederk Ndoci, i cili me zërin e tij brilant, me kolegët e tjere këngëtar dhe me orkestrën e tij, do te na argëtojë me këngë e valle nga gjithë trojet kombëtare.
BEKIMI I FESTËS, MESAZH DASHURIE PËR KOMBIN DHE FLAMURIN
Në traditën e Vatrës,janë pjesmarrës të tre besimet fetare, ku çdo vit e mbanë fjalimin njëri prej klerikëve. Këtë festë e bekoi famullitari i Kishës Katolike Shqiptare dom Pjetër Popaj. Me një gjuhë të bukur shqipe, me fjalë të zgjedhura, ai përcolli mesazhe kombëtare.Duke iu drejtuar personaliteteve të ftuara; klerikëve, ambasadores Kadare, Konsulles Sahatçija, Kryetarit të Varës dr. Gjon Buçaj, vatranëve,të gjithë pjesmarrësve, dom Pjetër Popaj uroi Festën e Flamurit! Për çdo vjet, tha Ai, e kremtojmë këtë festë duke falenderuar Zotin, dhe duke kujtuar e nderuar heronjët tanë, që kanë dhënë jetën për këtë ditë. Dita e Pavarësisë është edhe dita e përgjegjësisë. Në këtë përkujtim mbajmë gjallë ndjenjat tona kombëtare, dashurinë tonë për Atdhe e histori.
Më tej ai citoi Faik Konicën:”Kujtimi i 28 nëntorit të 1912-ës, nuk është një goditje kundra fqinjëve tanë, jo lakmimesh e rrëmbimesh por kujtime për vetmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar.”
Kjo ditë do të ishte edhe më e gëzuar po të valvitej Flamuri i Kastriotit, Ismail Qemalit,Dedë Gjo Lulit, At Gjergj Fishtës, mbi truallin e Shqipërisë së bashkuar. Ne kemi Kosovën shtet të dytë shqiptar, por pjesë të tjera janë akoma të cunguara: Çamëri, Maqedoni, e Mal të Zi.Por megjithëse nuk i kemi trojet e bashkuara, ne e kemi Kombin të bashkuar. Kur komunikojmë me njëri tjetrin, nuk pyesim se prej nga është personi, por kush është. Ai apo ajo, është vëllai apo motra jonë, janë shqiptarë.Kjo është një dhuratë prej zotit që armiku nuk mundet kurrë me na e marrë.
Ne tha Dom Pjetri, respektojmë ndryshimet krahinore, fetare, partive, moshave, nivelit edukativ etj; këto nuk janë përçarje, por pasuri.Janë sikur ngjyrat të bukura të luleve që hijeshojnë kopshtin. Janë sikur thotë Shën Pali:Shumë gjymtyrë që përbëjnë një trup të vetëm.
Armiqtë tanë, duke okupuar trojet shqiptare, kanë menduar se do të na përçajnë si komb. Bashkimi me njëri tjetrin ka qenë bekim prej Zotit dhe na ka ruajtur ndër shekuj. Kjo është porosia e baballarëve tanë:Mos harro se kush je dhe se kujt i përket!
Dom Pjetër Popaj bëri apel për mosasimilim:Mos asimilohemi menjëherë, duke mësuar gjuhë të huaja e të harrojmë gjuhën tonë, se kemi për të harruar edhe njëri tjetrin. Të sjellim ndër mend vargjet e poetit Kombëtar At Gjergj Fishta:
….mallkue njai bir Shqyptari,
qi kete gjuhe te Perendis’,
trashigim, qe na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thafte, po, goja,
qe perbuze kete gjuhe hyjnore;
qi n’gjuhe t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e len mbas dore…
Kremtimi i kësaj feste tha dom Pjetër Popaj, nuk është vetëm përkujtim i ngjarjes së 28 Nëntorit të vitit 1912, por është ditë ripërtëritje të dashurisë për Atdheun tonë, Kombin tonë e për Historinë tonë të përgjakur. Duke u përngja dëshmorëve të Kombit, të punojmë së bashku panda për të mirën e përbashkët sepse duke ruajtë identitetin tonë, ne ruajmë vetëveten.
Famullitari dom Pjetër Popaj do të mbyllte fjalimin e tij me urimet:
Gëzuar Dita e Pavarësisë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën e trojet etnike shqiptare!
Zoti e bekoftë Amerikën
Zoti e bekoftë popullin shqiptar.
Zoti na bekoftë të gjithë neve, këtë tubim, si dhe ushqimin që po marrim prej bujarisë së Tij, Amen!
Imam Osmani që e ka marrë fjalën pas, tha s enuk kishte çfarë t’i shtonte bekimit të dom pjetër Popaj, por Falenderoj Zotin,që e ka ruajtë Kombin shqiptar.
PËRSHËNDETJET E MYSAFIRËVE
Mysafirëve të nderuar ua uroi mirëseradhjen Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dr. Gjon Buçaj. Ai i prezantoi me radhë: Ambasadoren e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullen e përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ambasadoren Teuta Sahatçiu,ansambëlmenin e shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitarin e kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendrës Shqiptaro-Amerikane në Nju Xhersi dhe Xhamise se Brooklynit, si dhe një përfaqësi e Qendres ne Garfield NJ, Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane në Queens,si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesin Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.
Dr. Buçaj i falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe në mënyrë të veçantë dy vatranët veteranë,që ia kishin shtuar vlerat këtij manifestimi, z. Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.
Një përshëndetje të veçantë u drejtoi të pranishmëve Shefja e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, ambasadore Besiana Kadare. Ajo përgëzoi Vatrën dhe Bashkësiën Shqiptare për këtë manifestim dhe foli për vlerat e Diasporës, duke i dhënë rëndësi të veçantë Samitit të Diasporës, si i pari manifestim i bashkuar i Diasporës. Më pas ajo vlerësoi hapat e shtetit shqiptar drejt marrjes së Ftesës për anëtarsim në Bashkimin Europian.Në përshëndetjen e saj Konsullaj e përgjithshme e Kosovës, Ambasadorja Teuta Sahatçiu, ka falenderuar Vatrën, për mbajtjen gjallë të traditës shekullore, dhe ka folë për arritjet e deritanishme të shtetit të Kosovës.Një përshëndetje të veçantë u ka drejtuar pjesmarërsve edhe ansambëlmeni i nju Jork-ut Mark Gjonaj.
Shumë emocione u krijuan kur vatrani veteran Jonuz Ndreu preu Tortën me Flamurin Kuq e Zi, porositur nga Familja e Tij. E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje.Po ashtu u duartrokit edhe takimi e ndarja i dy vatranëve veteranë Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.Artisti brilant Frederik Ndoci i ndihmuar nga grupi i artistëve të sjellë nga Shqipëria, e ka mbajtur të ndezur atmosferën festive gjatë të gjithë darkës. Me repertor të zgjedhur nga të gjitha trevat Kombëtare, është kënduar e vallëzuar deri në orët e vona. Një manifestim i shkëlqyer i Vatrës në 104 vitet e egzistencës së saj, në 104 vitet e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Mirë u takofshim me Vatrën dhe Bashkësinë Shqiptare në 28 Nëntorin e vitit 2017, kur Vatra dhe shteti Shqiptar festojnë 105 Vjetorin, Vatra me 28 Prill, dhe Shteti Shqiptar me 28 Nëntor!
Asllan Bushati says
E pershendes me shume respekt Editorin e “Diellit” Zotin Dalip Greca, per shkrimin e mesiperm, per emocionin qe ai sjell nga festimet e Vatres ne diten e 104-te te flamurit dhe te pavarsise.. E bej kete nga pershkrimi i vertetesise se ngjarjes, por edhe nga fryma e mesazhi qe ai perciell per sot dhe per te ardhmen. Vatra eshte zemra jone atdhetare qe na bashkon e na frymezon per problemet e medha kombetare e vecanerisht per bashkimin teresor te trojeve shqiptare.
Agim Rexhaj says
I dashur Zoti Editor Dalip Greca,
Te pergezoj per reportazhin shume te mire “Shpirti Vatran dhe festa e 28 Nentorit 20016 ne New York”. Ke shkruar sikur je brenda shpirtrave tane, ke ndjere sic ndjejme te gjithe. Magjia e shpirtit vatran eshte ajo c’ka e mbane gjalle Federaten qe krjuan Noli , Konica, Kirka, Floqi, Cikozi e gjithe bashkethemeluesit dhe vatranet e thjeshte qe lane menjane organizatat e fshatrave dhe krahinave te tyre,per t’u bashkuar e federuar ne Vater.Kush nuk kupton shpirtin vatran e ka te veshtire te beje detyren ndaj Kombit, sic e bejne vatranet, qe vetem japin ne Vater, nuk marrin. Shperblimi i vatraneve -eshte patriotizmi.Askush, vec vatraneve nuk e kuptojne magjine e shpirtit vatran, ajo c’ka i beri vatarnet Agim Karagjozi dhe JOnuz Ndreu te ngriheshin nga shtretrit e tyre dhe te vinin ne Festen e Flamurit!
I nderuar editor te pergezoj: Te lumte per guximin, profesionalizmin dhe respektin e merituar qe ja jap Vatrese 104 Vjecare dhe Vatraneve. Zoti te bekofte Ty dhe familjen, Gezuar 28 Nentori Vatraneve dhe gjithe shqiptareve kudo qe jetojne, ne mergim apo ne trojet etnike:Shqiperi,Kosove,Maqedoni, Cameri,Mal i Zi,Lugina e Presheves.
Jam i bindur se vatarnet per cdo Feste Flamuri do te jene bashke dhe do ta cojne me teje traditen qe na e lane themeluesit e Vatres, dhe ata qe ende renkojne se shkuan en Shqiperi, qe t’i sherbejne Kombit dhe diktatura i damkosi si tradhetare,i burgosi, internoi, i pushkatoi, i la pa varr. E si mund te harrohet amaneti i tyre!
Faleminderit Editor!
Nenkryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes
Agim REXHAJ