Nga GUIDO SANTEVECCHI
Ka shumë shqetësime Kim Jong-uni dhe kërkon t’I shkarkojë mbi vartësit e tij dhe mbi botën. Të djelën Marshalli ka thënë se Koreja e Veriut është përpara një “krize të paparë, gjëndja është e errët” dhe i urdhëroi vartësit e tij “të përmirësojnë kushtet e jetës së popullsisë”. Kimi rrjeshtoi probleme të ushqimit, të veshmbathjes e të banesave, duke i veshur përgjegjësinë burokracisë. Loja e vjetër e njohur e udhëheqësit më të lartë, që ka ndryshuar cerimonialin e forcës për përvjetorin e 76 të Partisë së Punonjësve: në vend të paradës në Phenian ka përuruar një ekspozitë të mbyllur të arsenalit luftarak. Janë vënë në dukje raketa të reja me shpejtësi më të madhe se zëri dhe për nënëdetëset.
Kim ka paditur “armiqësi” dhe “hipokrizi” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ka përsëritur se arsenali, nga i cili nuk do të shkëputet kurrë, shërben për “vetmbrojtje e paqë”. Përfundimi: “jemi duke ndërtuar një fuqi ushtarake të pathyeshme” (çmimin e paguajnë koreano-veriorët e uritur).
Shqetësimi i dytë, për çastin, është që as këto shfaqje të fuqisë shkatërrimtare duket se nuk i interesojnë Washingtonit, të përqëndruar mbi përballimin me Kinën. Nuk kanë shërbyer për të tërhequr një vëmëndje të veçantë as hedhjet e shtatorit: një raketë e lëshuar nga një tren, një kruiz me rreze të gjatë dhe një predhë hipersonike (që fluturon me 6.200 km. në orë e që e kishin prodhuar vetëm amerikanët, rusët e kinezët). Mbas Trump-it dhe tre takimeve me Kimin, Shtëpia e Bardhë u kthye në “durimin strategjik” të hershëm, të përbërë nga veçimi ekonomik dhe politik, që nga Klintoni, Bushi dhe Obama, nuk kanë ndaluar përparimin e maqinës luftarake koreano veriore. Në plan është edhe një nëndetëse bërthamore dhe një raketë ndërkontinentale shumë predhëshe. Shpejt a vonë, problemet e shumta të Kimit do të dalin përsëri nën formë kërcënimi të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara dhe durimi strategjik duhet t’i lëshojë vendin një vije më krijuese.
“Corriere della Sera”, 12 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika