-Udhe të mbarë pjesmarrësve!/
-Po çfarë detyrimesh kemi ne si qytetarë dhe institucione shtetërore?/
-“Host Nation”,Institucionet shqiptare dhe Defender EUROPE 2021…/
Refleksione nga Shefqet KËRCELLI,[ushtarak në rezervë]
Opinioni ynë publik në këto ditë të nxehta votimesh, është informuar se në mbarë Europën, do zhvillohet stërvitja “Defender Europe 2021”,(shkurt DF2021).
Tashmë burime zyrtare të Komandës Amerikane në Europe dhe Afrikë, përfshi Komandantin e Trupave Amerikane në Europë, Gjeneral-lejtant Christopher G. Cavoli, kanë prezantuar qëllimin e kësaj stërvitje, trupat që do përfshihen dhe territorin ku do zhvillohet. Ndërkohë për këtë stërvitje janë prononcuar Ambasada e SHBA në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Në vija të përgjithëshme kjo stërvitje është një stërvitje e përbashkët vjetore në shkallë të lartë, ndërkombëtare, e udhëhequr nga SHBA për të forcuar gatishmërinënë dhe ndërveprimin mes SHBA, NATO dhe ushtarakëve partnerë. Këtë vit, më shumë se 28,000 forca ndërkombëtare nga 27 vende do të organizojnë afërsisht operacione të njëkohshme përmes më shumë se 30 zona stërvitjeje në më shumë se një dyzinë nga Baltiku drejt Ballkanit dhe Rajonit të Detit të Zi, që janë strategjikisht të rëndësishme. “Ndërsa jemi afërsisht duke monitoruar situatën e COVID, ne kemi vërtetuar që kemi kapacitete të trajnojmë të sigurt këto forca, pamvarësisht pandemisë. Edhe në këtë situatë, kombet tona kanë besim mbi forcat tona, të cilat janë të gatshme të mbrojnë paqen”,- tha Gjeneral lejtnant Kristofer Kavoli, Komandanti i Ushtrisë të SHBA, Europë- Afrikë.
Vendi ynë, anëtar i NAto-s, që nga viti 2009, përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje, tha Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Ai u shpreh se, ““Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të forcave të armatosura për t’u rritur, koordinuar, për t’u stërvitur e trajnuar së bashku me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete, operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks. Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet me forcat aleate, siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacionet dhe misionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”. Defender Europe 2021, është një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe në Shqipëri dhe në rajon”.
Në një intervistë për DW pyetjes së gazetarit:- Shqipëria do të jetë vendi kryesor mikpritës i një stërvitjeje kaq gjigande ushtarake. Çfarë prisni nga Shqipëria që të arrihen synimet e manovrës DEFENDER-Europe 21?
Kolonel Joseph Scrocca, Drejtor për mardhëniet me publikun i Komandës së SHBA në Europë ju përgjigj: “DEFENDER-Europe 21″ do të fillojë në Durrës, në javën e parë të majit. Shqipëria do të presë një stërvitje të përbashkët të logjistikës në bregdet, të njohur me inicialet JLOTS (Joint Logistics Over-the-Shore-Logjistikë e përbashkët në bregdet) e cila do t’i mundësojë ekipit të shërbimit amerikan të përdorë anije për të ngarkuar dhe shkarkuar pajisje dhe personel në porte jo të përshtatshme apo të dëmtuara si edhe në plazhe të zhveshura.
Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse do të jetë hera e parë që një JLOTS ndodh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky trajnim historik demonstron aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi, ndërkohë që ne ngrejmë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët pjesëmarrës në Defender-Europe 21, gjë që nxjerr gjithashtu në pah rëndësinë strategjike që ka Porti i Durrësit.
Rreth 5.000 forca amerikane do të stërviten dhe veprojnë në Shqipëri nga muaji prill deri në qershor, të cilat do të veprojnë në vende të shumta në Shqipëri, përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, në Farkë dhe në zonën e trajnimit në Bizë.
Por, çfarë duhet të bëjmë ne si popull e si shtet që të dalim faqebardhë në këtë stërvitje, ta kurorëzojmë ate më sukeses, të përmbushim detyrimet tona e të ndjehemi krenarë?
Si ishushtarak, pjesmarrës dhe ndjekës i stërvitjeve të përbashkëta me SHBA dhe NATON, dhe mikpritës i anijeve të tyre në portet tona, do shpreh disa mendime, që i shërbejnë përdorimit efikas të gjithë burimeve njerzore, ushtarake, tradicionale,institucionale,ekonomike, etj.
Së pari, mikpritja jonë…
Jo më kot në përfshihemi në “Host nation”. Larg klisheve, demagogjisë e propogandës absurde, apo politikës së madhe për këtë miqësi historike, ne si shqiptarë duhet, ta tregojmë veten se, jemi mikpritës, të sjellshëm, korrektë, besnikë e qytetarë të denjë të aleancës. Ta përdorim fjalën faleminderit, sa herë duhet. Nuk është nevoja ti biem gjoksit, se si i kemi pritur të gjithë miqtë edhe armiqtë, por këta janë aleatë dhe miq të vërtetë. Në testimet e zhvilluara në vitet 1991-1995, shqiptarët ishin më proNAto në Europë, në kufijtë e 90-93%, tani mund të kenë zbritur në kufijtë e 80%, për arësye të politikave të mbrapshta të ofiqarëve tanë. Kjo është thjesht statistikë, por ne fjalën miqësi duhet ta ulim në terren real, në rrugë, ambiente, restorante, kudo ku ka jetë në qytetin tonë. Në vijim të kësaj po sjell katër shembuj, nga mikpritja e qytetarëve durrsakë, në vitet 1992-1995.
1- Gusht 1992. po zhvillohej stërvitja “Sarex-1”. Në majën e malit të Robit, ishte VK e stërvitjes. -Na duhej një flamur amerikan, ta vendosnim në shtizë, bashkë me atë shqiptar, pasi për momentin nuk e kishim. Atëhere bashkë me Nebiun{Vlashin}, i biem lokaleve e rrugëve të Durrësit, mos gjejmë nonjë. Diku përballë materinitetit të vjetër ishte një bilardo. Një zonjë grua, mbante leket e atyre që losnin. Pamë një flamur amerikan të varur në mur, dhe ju drejtuam zonjës,-a na jepni për disa ditë, qoftë dhe më lekë. Çfarë thoni, na u kthye, -ju mund ta merrni këtë flamur, e ta mbani sa të doni. Na lehtësoi, e falenderuam zonjën durrsake, e palosëm flamurin dhe shkuam e vendosëm tek vendi. Në mëngjes fillonte stërvitja. Na nderoi qytetarja durrsake, që spo ja gjejmë emrin tani. Besoj se është jashtë.
2-Garnizoni Plepa gëlonte nga ushtarët e Br.Plepa dhe 1 mijë marinsa amerikanë të Komandës Amerikane të Europës, një brez para këtyre që po vijnë këto ditë. Organizonim aktivitete të ndryshme mbasdite, kulturore e sportive. Më pak kulturore, se dhe anglishtja ishte dobët ke ne. Na lindi një ide, të marrëm estradën e Durrësit, për një shfaqje. Shkoj takoj Landin e Fadilin. Jemi gati, kur të duash, ma kthyen. Mbasi bisedova me Bardh Hoxhën, i them, a kanë nga ato pakot ushqimore të marinsave ti japim nga një këtyre mjeshtrave.- po, thotë Bardhi. Nese, mbaroi shfaqja. Edhe amerikanët e ndoqën, pamvarësisht sa e kuptonin humorin tonë. Kur po dilnim, Bardhi më dha 15 pako ushqimore. Grupi ishte 16, ne i thamë 15 amerikanëve. Ti kërkonim dhe një, na vinte zor. I ndjeri Fadil,[HASA] më thotë, ece o Çeto, mos e vra mendjen, mu më jep një dopjo raki, dhe je në rregull…
3-shtator 1995. 2 vite më parë na ndodhi një incident i paparashikuar, krejt rastësor. Ushtarakët amerikanë ngurronin që ti nxirrnin trupat vizitë në Durrës. Atëhere u mblodhëm si grup oficerash që banonim në Durrës, bëmë një plan, the thamë do i nxjerrim se sbën. U lidhëm me policinë dhe çunat motoçiklistë të Durrësit. Caktuam itinerarin, zonën e vizitës dhe orarin. Për çdo grup 20 veta, 3-4 oficerë. U hipëm IFA-ve dhe dolëm. U kryen vizitat normal. Kthimi ora 12.00. Ju mbush mendja amerikanëve, Durrësi qytet i qetë. Nga ajo mbasdite nuk rreshtën vizitat dhe dollarët në Durrës.
5-qershor 2010. Përfaqsues të institucioneve tona detare, trajnoheshin për zbatimin e ligjit në det, nga specialistë me zë të Rojes Bregdetare të SHBA. Në program kishte dhe trajnim në një anije. Ku të shkojmë ku mos shkojmë. I drejtohemi zotit Bujar Hoti, për ndihmë. E menjëhershme përgjigja, -nuk thua që shyqyr që erdhën amerikanët! jeni të mirëpritur! Rimorkiatori ‘Epidamn’, u bë një skenë intersante për kapjen e shkelsve të ligjit detar….
Të tillë raste mipritje e qytetarie ka me qindra në Vlorë, Sarandë, Shëngjin….
I solla këto shembuj konkretë, për të sqaruar se miqësia lind dhe farkëtohet në terren e jo si ajo miqësia e tradita që themi ne në planin makro, që na karakterizon prej shekujsh!? Ne si shqiptarë, kudo që jemi, duhet të tregojmë kulturën, edukatën e qytetarinë tonë, sa herë që takojmë ushtarakët e NATO-s, miqtë e aleatët tanë. Le shikojë bota vlerat tona.
Në këtë drejtim, një shtysë miqësisë shqiptaro-amerikane do ti japë dhe shoqata e miqësisë Shqipëri-SHBA, me qendër Durrës, e cila është në prag të miratimit. Shoqata do ketë në gatishmëri grupe vullnetarësh për të ndihmuar vizitat dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me ushtarakët miq.
Deri tani u morëm me zgjedhjet, të cilat ishin të rëndësishme, por jo pak rëndësi ka dhe kjo stërvitje që lidhet më çështjen tonë kombëtare, dhe ndodh njëherë në 30 vjet. Të nderuar bashkëkombës, nuk janë falanga pushtuese, po janë miqtë, shokët, aleatët, vellëzërit tanë, që vijnë për paqen e sigurinë e vendit tonë. Pastaj ne jemi dhe popull luftarak, që i ka qef armët, ndaj nga situata zgjedhore të kalojmë e ti shohim konkretisht të gjithë faktorët institucionalë shtetërorë e njerzorë që ndikojnë në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje?
Duhet të kuptojmë mirë një gjë:-Stërvitja “Defender Europe 2021”, nuk është as e Ministrisë së Mbrojtjes, as e ushtarakëve shqiptarë, as e Edi Ramës, as Ilir Metës, as Niko Peleshit apo Lul Bashës. Është e krejt Popullit shqiptar. Dhe pa bashkëpunim institucional shtetëror nga lart boshtë, vertikalisht e horizontalisht, në gjithë skakierën burokratike të shtetit shqiptar, nuk ka zhvillim normal të kësaj stërvitje. Stërvitjes s’duhet ti jepet asnjë konotacion politik, madje situata politike duhet të qetësohet sa më shpejt, sepse është një faktor kryesor për ecurinë normale të stërvitjes.
-Faktori i I-rë-
Presidenti i RSh. A e ka marë në dorë situatën e kësaj stërvitje? A po përmbush detyrimet kushtetuese për këtë çështje? Minimumi duhet të kishte marë një informacion nga Ministri dhe Shefi i Shtabit për këtë stërvitje. Presidenti është faktor kryesor në kordinimin dhe zhvillimin normal të kësaj stërvitje në rang vendi. Ai mund ta zbusë situatën politike dhe ti orientojë strukturat shtetërore drejt kësaj ngjarje madhore dy mujore. Nuk po them të ngrihet në nivelin e Presidentit Moisiu apo Nishani, të cilët ndoqën e mbuluan me kujdes çdo aktivitet ushtarak në vend, për sa kohë ishin në detyrë, ose dhe Sali Berisha, kur ish president ndoqi disa stërvitje i veshur me uniformë kamuflazhi. Si djalë oficeri dhe nga një zonë patriote, Ilir Meta, mund të bëjë shumë për këtë stërvitje. Gjithashtu ai duhet të kërkojë të përmbushen me korrektësi pikat e dekretit të parlamentit shqiptar më datën 18 mars 2021, nga të gjitha institucionet. Do fitojë dhe për vete ca pikë.
-Parlamenti shqiptar e tha fjalën më 18 mars, tani deputetnave të rinj i ngelet për detyrë të ndjekin e zbatojnë masat përkatëse që rrjedhin nga dekreti i miratuar nga parlamenti i mëparshëm më 18 mars 2021.
Faktori i II-të-Ekzekutivi shqiptar
Është faktor kryesor. Shpejt Z.KM, të ulë tonet politike, e ta kthejë timonin drejt stërvitjes. Është fakt që rastësia e kësaj stërvitje i bëri mirë situatës në Shqipëri, qetësisë e mbajtjes në kontroll, se nuk diheshin si do zhvillohen ngjarjet. Populli ynë thotë, frika i ruan vreshtin. Zoti KM duhet ta marrë situatën në dorë për çdo aspekt të kësaj stërvitje. Të marrë informacion nga çdo dikaster për detyrat e kryera dhe vështirësitë. Ai duhet të mbajë non stop një linjë hapur me të gjithë ambasadorët e vendeve pjesmarëse të NATO-s, në këtë stërvitje dhe ti pyesë për çdo problem. Është rast i pastër për të bashkëpunuar me presidentin. Të paktën zbatoni njëhërë porosinë e Skënderbeut, që e doni aq shumë. Mirë do ishte, që për dy muaj të merte, ta atashonte pranë vetes një kordinator ndërministror, mundësisht ish ushtarak me nivel, si psh J. Bazo, B.Kollçaku, V.Qiriazi, D.Tola. Do ta ndihmonin shumë në përballimin e kësaj situate.
-Rëndësi të veçantë kanë Shërbimet inteligjente, të sigurisë e rendit publik. Duhet patjetër një bashkëpunim koherent midis tyre për mbajtjen nën kontroll të çdo situate. E kjo që nga kontrollet në çdo pikë hyrëse të kufirit tonë tokësor, detar e ajror. Jemi në një situatë të pazakontë nga pandemia, por ne si shqipëri, në nonjë rast kemi dhe qimen e derrit, e hamë golin në minutën e fundit. Një akt terrorist të kryhet, do e japin të gjithë mediat ndërkombëtare në gjithë hapësirën e tyre, kundërshtaretë tonë do paguajnë për këtë. Na shkon gjithë ajo punë dëm. Ndaj kujdes. Le ta fillojmë nga siguria rrugore. Më ka qëlluar në makinë me ushtarakë të huaj të shofim skena e kundërvajtje të ndryshme në rrugë. Njëri madje u shpreh. e mo, se në shqipëri jemi. Më erdhi inat, po skisha ç’bëja, fakti ishte fakt. Dhe ata dukeshin të stërvitur për të drejtuar makina në rrugët tona. Shohim që trafiku nacional po rëndohet edhe prej sezonit turistik. Do ishte mirë që hyrje daljet në shqipëri, barërat e këqija, të pengohen që në vendin e tyre, pa shkelur këtu. Mos harrojmë se sa më shumë ne forcojmë miqësinë me partnerët tanë strategjikë, aq më shumë hidhen në sulm e vjellin vrer, agjenturat e huaja, kundershtarët tanë, mbetje të Traktatit të Varshavës, Stasit, dhe ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur.
Probleme ka dhe trafiku brenda qytetit, Vizat e bardha, kalimtarët. Shohim që disa makinangarës shtojnë shpejtësinë ke vizat e bardha. Gjoba e ndëshkimi i ndreq këta njerëz. Një shembull të mirë kemi nga policia bashkiake Durrës, që po ndihmon në sigurimin normal të qarkullimit në qytet, duke ndihmuar policinë rrugore. Nuk bëhet fjala per sigurine në lagje e ambiente publike. Pjesë e kësaj stërvitje, është dhe siguria detare. Institucionet tona detare, Drejtoria e Përgjithëshme Detare, QNOD, Komanda e Forcës Detare, Policia Kufitare, Antikontrabanda Detare, Siguria portuale, shërbimet inteligjente, duhet të zbatojnë me rigorozitet detyrat e tyre, të përcaktuara ligjërisht, pa penguar zhvillimin normal të trafikut detar ekonomik e turistik. Hapësirat e porteve e moleve e lejojnë pa problem këtë. S’ka nevojë ti trashim gjërat. Në këtë fushë kanë përgjegjsi disa Ministri, të cilat përfshihen si në Kodin Detar të RSH, në ligjin për “Rojen Bregdetare”, në VKM për QNOD, në ligjin “Për kapiteneritë e porteve”, etj… Nxirrini nga sirtarët miq dhe zbatoni.
-Kur themi ekzekutivi, në plan të parë është MM dhe Forcat tona të Armatosura. Këto struktura kanë pasur kohën e mjaftueshme për të hartuar e planëzuar veprimet e duhura në kuadër të kësaj stërvitje. Është fakt që tashmë ne kemi mjaft kuadro të përgatitur në vendet e NATO-s, sidomos në SHBA, shumë të tjerë në operacione paqeruajtëse. Ndërkohë vende të NATO-s, na kanë afruar teknikë, pajisje dhe armatime. E pra, këta kuadro së bashku me pajisjet që disponojnë duhet të shpalosin aftësitë e tyre teorike, teknike e profesionale për zhvillimin me cilësi të stërvitjes dhe arritjen e objektivave të caktuara. Është rasti që dhe ata oficerë skutha, që kanë përfituar nga asistenca teknike e NATO-SHBA, ta shkrepin njëherë, të bëjnë një punë të mirë, jo si deri tani parazitë e kurse. Respekti dhe mirënjohja për NATO-n shprehet me vepra, e jo me llafe. Duke zbatuar me korrektësi standartet e rregullat e NATO-s, e jo si drejtuesi i repartit “N”, që skishte marë asnje masë për sigurinë e repartit. Ene këndej, pëllet,- rroftë NATO! Bëj dhe ti diçka të mirë konkretisht, se kështu i bie të kakarisësh në perëndim, e vezën ta bësh në lindje. Ka dhe nga ata që detyrimet nuk i përmbushin, kurse për tu kërmitur me nonjë kontratë për miqtë e vet, janë të parët. Ushtria shqiptare duhet të dalë në shesh të stërvitjes me ushtarakët më të aftë dhe me të gjitha mjetet që ka në gatishmëri. Tashti është koha ta tregojë veten secili. Po shoh që të gjitha ushtritë e NATO-s kanë mobilizuar rezervistë. E kam parë dhe herë të tjera. Ata mbajnë në regjistër dhe i mobilizojnë për çdo vit, 1-2 muaj, ushtarakë të niveleve e profesioneve të ndryshme. PO Ne? Kemi shumë kuadro dhe specialistë të zotë, që nën emrin e reformave të klikave të korruptuara ushtarako-civile, janë hedhur në rrugë. Kemi dhe qindra ushtarakë që kanë kryer operacione paqeruajtëse dhe misione luftarake. Ata janë aset për shtetin e kombin. Mbahen në rregjistër dhe përdoren për çdo nevojë e situatë të shtetit. Në çdo rrezik e situatë emergjente. Detyra të rëndësishme ka Sektori i Bashkëpunimit civilo-ushtarak, që duhet të planëzojë e kordinojë aktivitete të përbashkëta midis komunitetit dhe trupave të NATO-s. Mendoj se do ishte e arësyeshme pjesmarrja e një grupi vëzhguesish ushtarakë nga FSK. Kemi një rast unikal, djem dhe vajza shqiptarë janë pjesë e katër ushtrive në Ballkan, pjesmarrëse në stërvitjen DFE2021. Le të tregojmë vlerat më të mira. Ajo forca shqipe, tregohet në terren, me profesionalizmin e aftësitë tona. respektin dhe bashkëpunimin me ushtarakët aleatë.
-Ministria e Shëndetsisë. Ka bërë një punë të lavdërueshme për vaksinimin e popullsisë dhe personelit të FA. Mendoj se mund të bashkëpunojë me grupet mjekësore të NATO-s, për të bërë vaksina banorëve të zonave ku zhvillohet stërvitja. Janë zbatuar të tilla praktika dhe më parë, mjekët ushtarakë kanë eksperinca për këtë. Mendoj se duhet vepruar sa më shpejt. Nuk ka me mirë se ti bësh pleqve të Bizës e Kuçovës vaksinën antiCovid….nga mjekët e NATO-s.
-Ministria e Bujqësisë dhe ushqimit, ka rast të mirë të prezantojë produktet shqiptare, sidomos agrobiznesit, gjithashtu dhe forcimin e vemëndjes ndaj sigurisë ushqimore. Të heqim dorë nga stili i të futmes për këto punë., se na del në krahun tjetër pastaj.
-Ministria e Financave duhet të krijojë lehtësirat e procedurave që përdoren në hyrjen e mallrave e pajisjeve ushtarake në vendin tonë. Të zvogëlojë burokracitë në procedura e dokumentacion. Ndërkohë strukturat e zbatimit të ligjit të jenë në nivelin më të lartë.
-Minstria e Turizmit dhe mjedisit. {MTM}. Është rasti më i bukur për të promovuar turizmin në vendin tonë. A e kuptoni zonja dhe zotërinj! Janë 6 mijë ushtarëkë të huaj, nga njëri cep i globit tek tjetri. Një djalosh nga Virxhinia po më tregonte se i kishte rënë kryq e tërthor zonës së Plepave, Shkëmbit të Kavajës, dhe po më tregonte fotot që kishte realizuar. Ja kishte përcjellë prindërve e miqve në Amerikë. Një natyrë e bukur, ushqim i veçantë, njerëz të mrekullueshëm, tregonte rreshteri. Ai kishte një javë që kishte erdhur dhe foli me superlativa. Janë me mijëra foto e selfije që emetohen çdo ditë individualisht në çdo cep të globit nga këta ushtarë, ndërkohë që pamje nga stërvitja do transmentohen nga stacionet kryesore në botë, përfshi CNN, BBC, DW, Euronews, etj.. A e kupton çdo të thotë kjo? Të jesh në qëndër të vëmendjes së botës për dy muaj. Duhet të sillemi mirë, të tregojmë vlerat më të mira si popull. Këtu marrin rëndësi të gjithë operatorët privatë të sektorit të turizmit. Doni ta ngrini piacën tuaj. Ju erdhi në dorë. tregojeni klasin tuaj. gatim, akomodim, relaks, çfarë afroni…Dhe tjetër. Tashmë këto ministri skanë pse harxhojnë para për të promovuar turizmin jashtë, me ato ekspozitat e panairet e tyre e të rujnë ca dieta. Duhet nxjerrë urgjent një urdhër i brendshëm nga MTM dhe bashkitë përkatëse, që vizita e ushtarakëvë pjesmarrës në stërvitjen “Defender Europe 2021”, në të gjitha institucionet historike, muzeume, amfiteatre, zona të mbrojtura, etj, të kësaj natyre, të bëhet falas. Fitojmë shumë në planin tjetër. Promovojmë turizmin shqiptar në gjithë botën falas. Po ashtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, {MKRS}, në bashkëpunim me federatat përkatëse dhe subjektet private mund të afrojë aktivitete të larmishme sportive, që i luajnë dhe amerikanët. psh gara atlektike, gara noti, boks, ndeshje basketbolli me ekipe të Kategorisë së parë, hipizëm, volejboll, zhytje në disa parqe zhytje që kemi ne, fluturim, etj një plan i shpejtë, mund të shtrihet për dy muaj.
-Media. është mëse e qartë se mbulimin mediatik do e realizojë zyra e shtypit e Komandës së SHBA dhe Europë, Ambasadat amerikane në territoret e stërvitjes dhe media që caktojnë ata vetë. Këtë organizim e kanë bërë për arësye sigurie, si dhe shmangien e thashethemeve e Fake News. Billi e di mirë këtë. NATO-ka standartet e rregullat e veta, të cilat duhen zbatuar në ushtrinë tonë. O çekist, përktheje si e ka NATO, dhe mos shpik rregulla e teori me leng qepe. Që mos hynin në gojët e ndrikullave tona, ata qëndrën e infromimit publik per kete stervitje e vendosën në Shkup.
-Po diaspora jonë, sidomos e SHBA. Duhet të jetë e mirëpritur këto dy muaj. Kush ka në plan me ardh në Shqipëri, mirë do ishte të udhëtojë këto dy muaj në atdheun mëmë.
Komunitetet fetare… Zakonisht në stërvitjet e tjera, ushtarët amerikanë kanë kërkuar të shkojnë në kisha e xhami. Mirë do jetë që dhe objektet tona të kultit të shkëlqejnë dhe të mbajnë nonjë përkthyes anglishte.
-Kemi disa kompani private shqiptare që operojnë për të furnizuar trupat e NATO-s. Është koha të tregojnë korrektësinë dhe disiplinën e tyre në zbatimin e kërkesave dhe kontratës me ta. Ka mjaft kompani në Ballkan që kanë tregues më të lartë të performancës së tyre në këtë fushë. Duhet të mendojmë seriozisht për cilësinë e atyre që afrojmë, aftësive konkuruese dhe mardhënieve me ta…
Në vend të Epilogut….
-Për herë të parë, mbas luftës së II-të Botërore zbarkojnë kaq trupa, me një mision e qëllim paqësor. Mbrijnë kaq Gjeneralë të lartë, të Ushtrisë më të fuqishme në botë. Nqs stërvitja do kurorëzohet me sukses, të tjerë zyrtarë të lartë do vizitojnë Shqipërinë, ndoshta dhe sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin. E pra, nqs SHBA&NATO, vë në dispozicion të gjithë arsenalin e vet diplomatik, ushtarak e njerzor për sigurinë dhe paqen në Ballkan, në duhet tja kthejmë me vlerat tona më të mira, bujarinë, respektin dhe mirënjohjen tonë. Sikur rilindasit dhe kryengritësit e viteve 1908-1912, të çoheshin nga varri, do na thonin, po-bëtë atë që ne ëndërronim, po se gjenim, se gjithandej kishim kundërshtarë dhe armiq! Ndërsa sot, jemi miq të aleancës më të fuqishme në botë. I përgjason një zgjimi kombëtar të shekullit të XXI-të. Është një stërvitje historike për kombin shqiptar. Ndërkohë stërvitjes si mungon as elementi human. Reparte të specializuara të inxhinjerëve e ndërtuesve të ushtrisë amerikane, po ndërtojnë disa objekte shkollore e kopështe. Duhet me i thanë faleminderit. Kemi nja rast të bukur për sa më shumë lidhje midis djemve e vajzave nga Shqipëria e SHBA.
Ps. Dëgjoj nga gojët e liga, se ata kanë interesa tek ne. Po ja u them o qyqarë. Ne kemi qënë dhe jemi në sferën e II-të të interesave amerikane. mos u fryni kot. Se ti ske burime strategjike, te dores se pare…Ndaj ne duhet të jemi ata që duhet ti afrojmë, që mos na hajë ariu, ujku, çakalli, dhelpra dhe lakuriqi i natës. Kujdes, mos harro se e kemi ngrene shpesh golin në sekondën e fundit.