
EDITORIAL nga Sokol Paja/
109 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është një datë historike që shënon mëvehtësinë prej robërisë osmane dhe kthimin e shtetit shqiptar në familjen e madhe europiane. Etërit e Pavarësisë dhe patriotët e lartë të kombit si Luigj Gurakuqi, Nikollë Kaçorri, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Pandeli Cale, Iliaz Vrioni, Mit’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Isa Boletini e shumë të tjerë të udhëhequr nga plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali, vendosen themelet e shëndosha të atdheut që ne kemi sot, si vizion dhe përmbyllje të projektit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pavarësia është ngjarja më kulmore në historinë e shtetit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë për çdo shtet e çdo komb është një ditë e madhe lirie, shprese, besimi për një të ardhme të ndritur, qytetarë të sigurtë e të mirëqënë në trojet e tyre, për një shtet e vend të zhvilluar, të begatë, të paqtë e garantues të lirive e sovranitetit të çdo qytetari. Shpallja e Pavarësisë dhe Dita e Flamurit, 28 Nëntori është festa më e lartë e kombit tonë, festa e ligjshme e një populli që emocionon dhe bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë. 28 Nëntori, dita e Pavarësisë dhe e Flamurit Kombëtar mbi të gjitha është një festë krenarie për përkatësinë tonë shqiptare. Është një festë nderimi e respekti për të gjithë burrat e shquar të atdheut tonë që 109 vite më parë sfiduan gjithçka dhe shpallën shtetin shqiptar të lirë e të pavarur. Brezat do u jenë mirënjohës përjetë për aktin e lartë të shkëputjes një herë e përgjithmonë nga robëria e skllavëria osmane për të shijuar lirinë e shumëpritur. Me deklaratën e Pavarësisë shteti dhe kombi u kompaktësua, u formësua, u unifikua, hodhi rrënjë të forta të një vazhdimësie në liri. Festa e Flamurit kombëtar është festa jonë përbashkuese në përkujtim të rezistencës kombëtare ndaj pushtuesve. Është festa e përkujtimit të projektit shtetformues që etërit e Pavarësisë themeluan dhe nisën ta zbatojnë 109 vite më parë. Ky përvjetor i festës së Pavarësisë e gjen Shqipërinë dhe trojet shqipfolëse në një moment të vështirë. Shqipëria e Kosova po shpopullohen, njerëzit nuk e e gjejnë më veten në atdheun e të parëve. Kudo mbizotëron një ide për të ikur, për tu larguar. Klasa politike ka varfëruar në tejskajshmëri popullin. Politika ka tradhëtuar interesat e qytetarëve, njerëzit ndjehen të huaj e të vjedhur në vendin e tyre. Keqqeverisja ka ngulitur idenë se Shqipëria e Kosova nuk bëhen. Një trishtim i madh kur sheh fshatra të braktisur, shkolla që mbyllen çdo ditë, rënie të lindjeve, shpopullim masiv, varfëri ekstreme, rënie të ekonomisë, korrupsion e padrejtësi që përditë vrasin shpresën në trojet tona. Kjo festë Pavarësie e 109 vjetorit duhet të na shërbejë të gjithëve si një thirrje e fuqishme ndaj institucioneve shtetërore, institucioneve të klerit fetar, shoqërisë civile, personaliteteve publike që të themelojmë një besë kombëtare për të shpëtuar vendin tonë, shtetin tonë, kombin tonë nga shpopullimi, braktisja, zbrazja e keqqeverisja. Kjo festë e Pavarësisë është një thirrje e fuqishme ndaj të gjithë bashkombasve tanë kudo në botë që të ndihmojnë e shpëtojnë Shqipërinë, atdheun që e kemi amanet nga etërit themelues të shtetit shqiptar duke investuar në Shqipëri, duke forcuar e mbajtur lidhjen shpirtërore me atdheun, duke i dhënë eksperiencën dhe formimin profesional, duke ofruar ekspertizën ndërkombëtare dhe eksperiencën e konsiderueshme, duke iu përgjigjur thirrjes për të kontribuar në të gjitha format me qëllim që Shqipëria dhe viset tona shqipfolëse mos të ndjehen të vetmuara, por më afër se kurrë me bashkatdhetarët tanë kudo në diasporë. Kjo festë Pavarësie na fton për reflektim se deri ku i kemi përmbushur personalisht detyrat e shenjta ndaj atdheut tonë të shtrenjtë. Shqiptarët në trojet shqipfolëse dhe Shqipëria sot kërcënohen sot më shumë se asnjëherë tjetër nga asimilimi, tretja, thyerja, ndarja, izolimi, copëtimi, shpërbërja si pasojë e shpopullimit masiv, dashakeqësisë së fqinjve, zërit të dobët të reagimit qytetar dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Këmbanat e alarmit të sotshëm do dëgjohen në një kohë kur do jetë shumë vonë. Sot më shumë se kurrë nevojitet një pakt kombëtar për të shpëtuar kombin tonë në Ballkan. Të gjithë aktorët dhe faktorët duhet të ulen dhe të ndërtojnë strategji afatgjata sesi të ndalin shpopullimin, rikthejnë shpresën, rrisin mirëqënien dhe mbi të gjitha të garantojnë liri e barazi shansesh e të drejtash. E ardhmja e Atdheut tonë të çmuar duhet të prevalojë mbi interesat personale të gjithësecilit, mbi orekset e partive politike, mbi egot e liderëve që e kanë marrë peng shtetin prej dekadash. Që shteti ynë e kombi ynë të përparojë e të zhvillohet duhet që të bashkojmë kontributet, të lëmë inatet e përçarjet por të bashkohemi shpirtërisht e të gjithë për një qëllim, lulëzimin e Shqipërisë sonë të bukur. Diaspora ka kapacitete të jashtëzakonshme që Shqipëria duhet ti përfshijë në qeverisje e menaxhim. Eksperienca dhe ekspertiza që mund të gërshetojnë me nevojat e zhvillimit të kohës, do të rrisin standartet dhe përafrojnë vlerat më të cilat Shqipëria kërkon të integrohet në familjen e madhe Europiane. Shqiptarët në diasporë janë ambasadorët më të mirë të imazhit të Shqipërisë. Shkëlqimi, suksesi, modelet e shëndosha zhvilluese e transformuese i japin shpresë Shqipërisë se garancia shtetformuese i vjen nga diaspora. Ne duhet të kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë me respekt të thellë dëshmorët e lirisë që më shumë se kurrë në përvjetorët e Pavarësisë, marrin rëndësi dhe vlerë të jashtëzakonshme për sakrificat e tyre sublime. Gjaku i tyre, ëndrrat e përpjekjet e tyre janë themeli i asaj që ne trashëgojmë sot si amanet për të çuar përpara të mirën dhe të mbaren e atdheut tonë. Shqipëria është vend i bekuar dhe të tillë duhet ta bëjmë të gjithë ne. Ende ka kohë, ende ka shpresë, përpara se nesër të jetë shumë vonë. Për një Shqipëri të suksesshme, për një të ardhme të begatë e të lumtur për të gjithë shqiptarët anëmbanë botës uroj nga zemra: Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.