
-Presidenti Thaçi priti ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahirin:Bashkëpunimi më i ngushtë mes dy shteteve kontribuon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian/

-Kosovë-Shqipëri, ministrat e brendshëm takohen në Prishtinë/
PRISHTINË, 28 Janar 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahirin, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, me në krye Spartak Brahon.Në këtë takim është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, me fokus të posaçëm në fushën e sigurisë, thekson njoftimi dërguar nga Presidenca e Kosovës.Presidenti Thaçi ka theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë mes dy shteteve kontribuon në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.”U jemi mirënjohës të gjitha institucioneve shtetërore të Shqipërisë, të gjitha partive politike për mbështetjen që i japin Kosovës në të gjitha fushat”, ka shtuar presidenti.Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri ka thënë se Shqipëria dhe Kosova kanë avancuar bashkëpunimin e tyre në fushën e sigurisë.Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, në vizitën në Prishtinë u prit nga ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, në një takim ku është biseduar për punët që janë bërë dhe që duhet të bëhen nga të dyja vendet, sipas njoftimit dërguar nga ministria kosovare.
“Bashkëpunimi sektorial, por edhe i përgjithshëm midis vendeve tona do të jetë shumë dimensional dhe afatgjatë. Falënderova Tiranën për reagimin dhe përkrahjen e Kosovës lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ne si dy vende, si dy qeveri që kanë të njëjta synime, kanë objektivat e njëjtë ndërkombëtare e diplomatike do të vazhdojmë të bashkërendojmë planet tona”, theksoi ministri Hyseni.Ministri Hyseni vuri në dukje se është trajtuar edhe gjendjen e përgjithshme e sigurisë pas provokimeve që i ka bërë Serbia. Ai tha se është konstatuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.Ndërsa ministri Tahiri vlerësoi lartë bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar.
Ministri Tahiri theksoi se është për tu vlerësuar bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve, sidomos në koordinimin dhe veprimet e përbashkëta, në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se kërkesat e Serbisë ndaj INTERPOL-it për ndalimin e ish luftëtarëve të UÇK-së janë absurde.Të dy ministrat u dakorduan që do të ketë përmbledhje të bazës ligjore sa i përket ligjit për të huaj, që do të rregulloj vendqëndrimin dhe punësimin e qytetarëve të dyja vendeve në shtetet respektive, në mënyrë që lehtësohen procedurat burokratike.