Fejton nga Rafael Floqi
Shqipëria këtë verë nuk është thjesht “vendi i shqiponjave”, por vendi i zjarreve. 50 mijë hektarë pyje e tokë janë bërë hi nga janari deri sot, duke kaluar rekordin e vitit të kaluar, e ende kemi përpara muajin më të nxehtë. Një jetë njerëzore humbi në Gramsh, por ky është një detaj i vogël në skenarin ku protagonisti kryesor nuk është zjarrfikësi, por kryeministri i vendit, i ulur rehat në vilën luksoze të Dhërmiut, duke shkruar statuse për “lehaqenë” në vend që të shohë flakët që po i hanë vendin.
Ligji thotë se duhet të kemi një zjarrfikës për çdo 1,500 banorë dhe 14 zjarrfikës për stacion. Realiteti? Shqipëria ka 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe vetëm 0.9 makina për 10,000 banorë. Mjete të kohës së qepës, lopata e bidona, dhe pas “operacionit” djemtë e zjarrfikësit shtrihen të rraskapitur në asfalt, si ushtarë të braktisur pas beteje. Kamerat termike mungojnë, avionët zjarrfikës janë fantazi, dhe strategjia e vetme e qeverisë është: “Lëreni të digjet, pastaj bëjmë një foto nga ajri për Facebook.”
Ndërkohë, kryeministri – në vitin e 13-të të pushtetit – jo vetëm nuk mban përgjegjësi, por shan gazetarët dhe i përqesh qytetarët që kërkojnë llogari. Ai harron premtimin e 25 marsit 2025: “Këtë verë do të kemi dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për Shqipërinë.” Sot avionët nuk ekzistojnë, por gënjeshtrat po – dhe ato fluturojnë më shpejt se çdo helikopter i huazuar nga fqinjët.
Shqipëria është kthyer këtë verë në një furrë gjigante. 50 mijë hektarë tokë dhe pyje janë bërë hi, një jetë njerëzore është humbur në Gramsh, dhe në shumë zona tymi ka zëvendësuar ajrin. Por në bregdetin e Dhërmiut, lideri i kombit ka hapur një resort të ri të komunikimit publik: “Mirëmëngjesi me shezlong”.
Zjarrfikësit luftojnë me lopata, bidona dhe shishe plastike – arsenal i vitit 1978 – ndërkohë që ligji kërkon shumëfishin e forcave e pajisjeve që kemi. Kamerat termike? Luks. Avionët zjarrfikës? Përrallë. Dhe kur del pyetja: “Po premtimi i dy avionëve për këtë verë?”, vjen spektakli i ri veror i qeverisë – një lojë popullore që luhet direkt nga shezlongu:
Rama (si udhëheqës loje):
“Fluturon, fluturon… zog golashë?!”
Publiku: “Fluturooon!”
“Fluturon, fluturon… peshk shulaku?!”
Publiku: “Jo!”
“Fluturon, fluturon… Canadair?!”
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo, nuk fluturon, se edhe po të fluturonte, nuk do bënte punë!”
Dhe loja vazhdon derisa flakët të bëjnë punën e tyre. Dhe Rama pikturon i qetë…
Në mars të këtij viti, Rama tha me solemnitet:“Flota jonë ajrore do të ketë këtë verë dy avionë zjarrfikës në gatishmëri.”
Por gushti erdhi dhe avionët jo. Në vend të tyre, kemi krahasime filozofike me Greqinë: “Edhe ata kanë 77 avionë e digjen.” Pra, sipas kësaj logjike, më mirë mos të kemi fare avionë – se zjarri shuhet më shpejt me status në Facebook se me ujë nga ajri.
Ironia është se në gushtin e vitit 2012, opozitari Rama e përqeshte Berishën: “Shqipëria digjet, kryeministri krihet!”. Sot Shqipëria digjet, kryeministri krihet… por me krem kundër diellit, me krehër imagjinar dhe me një refren të ri: Fluturon, fluturon… Canadair? Jo! Nuk fluturon!
Çdo verë, skenari është i njëjtë: zero parandalim, reagim i vonuar, pajisje të pakta, ndihmë nga jashtë. E vetmja gjë që ndryshon është retorika. Dikur zjarret ishin armë politike kundër pushtetit, sot janë pretekst për të fyer qytetarët dhe për të bërë humor me tragjeditë.
Në Shqipërinë e vitit 2025, avionët zjarrfikës nuk fluturojnë. Fluturon vetëm propaganda. Dhe krehri i një kryeministri që, edhe në mes të tymit e hirit, di të luajë një lojë fëmijësh për të mos u marrë me punën që i takon.
Sepse ndërsa vendi digjet, Tullaci krihet… dhe pyetja e vetme që dëgjohet mbi zhurmën e flakëve është: Fluturon, fluturon… Canadair?
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo!”
Dhe vendi përcëllohet…