Sokol Paja/
Euro 2024- Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi një ndeshje shumë dinjitoze përballë gjigantit të futbollit evropian Kroacisë. Një ndeshje e dominuar në pjesën më të madhe të saj, me pak fat Shqipëria mund të kishte marrë 3 pikë të arta ndaj një Kroacie të plakur e në përfundim të ciklit të yjeve të saj. Ndryshe nga ndeshja me Italinë, kundër Kroacisë u paraqit një Shqipëri agresive, e organizuar, e etur për fitore, e shpejtë, elegante, potente në qendër e freskët nga krahët. Shqipëria kishte shumë personalitet dhe dinjitet në një përballje shumë të vështirë. Shqipëria luajti si ekip i madh. Shqipëria paraqiti shumë cilësi dhe qëndrueshmëri. Morali i lartë, ndërlidhja e reparteve, përgatitja e fortë psikologjike bënë që Shqipëria të paraqitej mjaft mirë në një moment delikat dhe atmosferë jo të favorshme shkaktuar nga humbja me Italinë. Shqipëria hodhi gjithçka pas krahëve dhe kënaqi tifozët në stadium e miliona shqiptarë që e ndjekin nga sheshet dhe ekranet. Një Shqipëri që rrit ekuilibrin dhe qetësinë. Teknikë, forcë dhe taktikë. Kombëtarja e kombit është gëzim e frymëzim për çdo shqiptar.
Një pikë morali që do të thotë shumë për vazhdimësinë. Hutimi për disa çaste te golat e pësuar dhe vonesat në ndërrimet e Sylvinhos e zbehën pak paraqitjen e shkëlqyer të Shqipërisë që rritet nga ndeshja në ndeshje. E ardhmja duket e ndritur…forca luanët kuq e zi.