Nga Skënder Buçpapaj/
Prej fillimit të vitit 2017 Shqipëria nuk ka një përfaqësues në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe gjasat duken të shumta që vendi ynë të vazhdojë të mbetet jashtë dyerve të drejtësisë evropiane edhe në muajt e ardhshëm. Fajin për këtë e ka vetëm qeveria aktuale e Republikës së Shqipërisë. Si?
Siç dihet, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar listën e qeverisë Rama me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan madje në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata u shpërfillën krejtësisht, duke bërë të ditur se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare.
Lexuesit i sqarojmë se secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Europës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Procedurat që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Europës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë. Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.
Ndërkohë këto ditë, më 6 prill, tri kandidaturat e reja të qeverisë Rama pritet të intervistohennë Paris nga komiteti përzgjedhës i përbërë nga 22 deputetë nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës i kryesuar nga deputeti socialist letonez Boriss Cilevis. Ky komitet do t’ia dërgojë kandidaturën fituese Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të përbërë nga 324 parlamentarë, për ta votuar më 25 prill me votim të fshehtë gjykatësin e ri që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Strasburg deri në vitin 2026.
Ndërkohë pritet që edhe tri kandidaturat të cilat do të shqyrtohen më 6 prill do të jenë një tjetër dështim i turpshëm si ai i tri propozimeve të para.
Pas vendimit historik të kthimi të tri kandidaturave të mëparshme, në vend që qeveria të reflektonte për të bërë një përzgjedhje me përmbajtje të ndryshme, konstatohet se kjo qeveri përsëri ngulmon për të dërguar në Gjykatën e Strasburgut tri kandidatura të reja të të njëjtit format si më parë, si ajo e Znj Aurela Anastasi, Aleksandër Muskaj, dhe një kandidaturë tashmë të refuzuar nga ana juaj, të Z. Sokol Berberi i cili prej shtatorit ndodhet i papunë. Qeveria, nënvizon shoqata, pretendon se përzgjedhja është bërë duke marrë parasysh dhe pëlqimin e plotë të ekspertëve të Këshillit të Europës, prandaj është e sigurtë se njëra prej kandidaturave do të miratohet në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Evropës.
Por kjo duket e pabesueshme. Këto tri kandidatura lënë shumë për të dëshiruar, sidomos në këto momente ku shoqëria shqiptare është në pragun e reformave shumë të thella, sidomos ato që kanë të bëjnë me riorganizimin e sistemit të korruptuar të dejtësisë. Ato janë që të gjitha kandidatura që vijnë nga e njëjta zonë gjeografike, i përkasin të së njëjtës familje politike, dhe të gjithë janë të formuar përpara viteve 1991, pra gjatë periudhës së regjimit komunist, ku juristët ishin të përzgjedhur nga familjet më të përbetuara të regjimit dhe partizanët më të zjarrtë të luftës së klasave.
Këta persona të formuar dhe që i përkasin doktrinës komuniste, të propozuar nga qeveria shqiptare për të qenë pjesë e drejtësisë ndërkombëtare, kanë qenë gjithmonë të lidhur ngushtësisht me privilegjet e administratës shtetërore të të gjithave formatëve dhe përmasave gjatë gjithë kohës. Shikoni CV e tyre.
Intervistimi i tyre dhe propozimi për votim në Asamblenë Parlamentare në Këshilin e Europës, do të ishte plotësisht kundra produktive, duke qenë se, zgjedhja e njërit prej tyre do të binte në kundërshtim të hapur me përpjekjet dhe predikimet e bëra nga komuniteti Komuniteti Europian dhe SHBA për të ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Nëse, njëri nga këto kandidatë do zgjidhet në postin e gjyqtarit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg, sigurisht që për gjykatat shqiptare do të vijnë ditë të zeza. Ato jo vetëm që nuk mund të largojnë më gjyqtarë të cilët janë të këtij profili, por përkundrazi, do të mbushen plot e përplot me jusristët e regjimit komunist që për më se 73 vjet, kanë kryer vepra makabre ndaj elitës së vendit, ndaj pronarëve të ndershëm dhe ndaj popullsisë së pa mbojtur.
Qeveria tepër e korruptuar e vendit, nëpërmjet këtij provokimi, duke bërë propozimin e këtyre tri kandidaturave Këshillit të Europës, ka për qëllim, jo vetëm për të patur një militant të vetin në gjirin e Gjykatës më të rëndësishme të kontinentit por, me zgjedhjen e njërës prej tyre do të testonte organizmat më relevant të Europës, për të përcaktuar strategjinë e saj meqenëse Gjykatat e vendit do ti nënshtrohen një reforme rrënjësore
Tre kandidatë duhet që t’i nënshtrohen vetingut, ashtu si gjithë kandidatët e tjerë të cilët do të konkurojnë për postet e ndryshme për të qenë pjesë përbërëse e Gjykatave të të gjithave niveleve të drejtësisë shqiptare. Sigurisht ata nuk do të guxojnë ti nështrohen Vetingut nëse po, patjetër që nuk mund të jenë pjesë e sistemit të ri gjyqësor për arsyet që u përmendën më sipër.
Është shumë e rëndësishme për tu vënë në pah fakti se, gjatë përzgjedhjes, janë eliminuar kandidatë të pavarurur që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e sistemit plolitik e gjyqësor aq të përfolur e të korruptuar në Shqipëri. Ata vijnë nga shoqëria civile dhe janë të formuar në Europë, jo vetëm në fushën akademike, por dhe në atë professionale.
Këtu kam parasysh domosdoshmërinë e zgjedhjes së gjyqtarit të ri që do të përfaqësojë Shqipërinë për gjatë 9 vjetëve të ardhshme në Gjykatën e Strasburgut, por kjo për momentin do të ishte kundraproduktive dhe në kundërshtim të hapur me nismat e guximshme që janë ndërmarrë për të reformuar sistemin e drejtësisë në vend në sajë të ndërhyerjes së fuqishme të përfaqësusesve të lartë të Bashkimit Europian dhe SHBA, si dhe me ambicjet e vendit me reformën e re janë që të jetë pjesë përbërëse e Bashkimit Europian.
Konkretisht: Sokol Berberi, i vetmi kandidat i ripropozuar nga qeveria, deri në fund të muajit tetor ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por papritur dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vettingut nga kjo gjykatë. Në media u përfol se ishte pikërisht kjo arsyeja që ai u lagua në formë proteste, por ai vetë e ka mohuar, se dorëheqja e tij kishte lidhje me ligjin e vettingut.
Kunati që është ndër më të përfolurit se mund të shkojë drejt Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është ai i Sokol Berberit, i cili rezulton të jetë edhe kunati i kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa, aktualisht ministër i Brendshëm.
Berberi ishte piketuar nga Rama për të qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishëm të drejtësisë pas miratimit të reformës, për ndryshimet dhe specifikimet e vendosura nga opozita e përjashtojnë tani që Berberi të jetë në një nga këto institucione. Rama ka menduar që ta shpërblejë kunatin e Xhafës, duke i vendosur emrin si një ndër kandidatët më të preferuar për në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Berberi e ka një problem jo të vogël. Duke qenë kunati i Fatmir Xhafës është në të njëjtën kohë edhe krushqi me të kërkuarin ndërkombëtar për trafik droge, Agron Xhafa, që është vëllai i Fatmir Xhafës. A mund të jetë në kriteret e Strasburgut një kandidat me lidhje familjare me një të kërkuar ndërkombëtar droge? Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme.
A mund të pranohet në Gjykatën e Strasburgut një kunat i qeverisë që urdhërohet nga Rama për vendimet që mund të marrë.
Një gjë është më se e sigurt: këto tri kandidatura nuk i përfaqësojnë interesat e shenjta dhe jetike të Shqipërisë, sepse ato përfaqësojnë interesat e dyshimta dhe të dëmshme të klaneve që e kanë sot në dorë Qeverinë Rama.